Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Vera shitet lirë, blihet shtrenjtë

| Ekonomi, Kosovë | 24 August 2011

Lavdim Hamidi – Kosova mund të mburret se vetëm me verëra e ka raportin pozitiv tregtar. Më shumë eksporton sesa që importon. Mirëpo, vlera e importit të verës e tejkalon atë të eksportit, pasi që ajo blihet shumë shtrenjtë e shitet lirë.

Aktualisht eksporti në tregun evropian është shumë i ulët, krahasuar me vitet e 80-ta kur eksporti nga Kosova ka qenë 40 milionë litra në vit, kryesisht në Gjermani. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, gjatë luftës në Kosovë sipërfaqja me vreshta u zvogëlua në mënyrë drastike.

Vreshtat e sektorit të ndërmarrjeve shoqërore u shkatërruan plotësisht. Sipërfaqja e vreshtave në Rahovec është sipërfaqja më e rëndësishme e vreshtave, e pastaj sipërfaqja e vreshtave të Therandës.

Në dokumentin e Ministrisë së Bujqësisë, plani për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural 2010-2013, flitet edhe për përpunimin shtëpiak të rrushit në verë, ku thuhet se ekziston një numër relativisht i madh përpunuesish, të cilët nuk janë të licencuar dhe kushtet në të cilat ato bëjnë përpunimin janë shumë të dobëta sa i përket higjienës, si dhe pajisjeve teknologjike.

Sipas këtij dokumenti, tregu aktual karakterizohet me verëra jocilësore me çmime të ulëta, pasi që verërat komerciale duhet të garojnë me prodhimet shtëpiake. “Për të pasur një kthim të arsyeshëm të investimeve në nën-sektor, kërkohet cilësi më e mirë dhe një profil i qartë i verës së tregtuar, karshi verërave shtëpiake.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, thotë se mund të jetë formulimi jo i drejtë, ku flitet për verëra jocilësore në dokumentin e Ministrisë, mirëpo, sipas tij, vreshtarët kosovarë duhet të orientohen në varietete më cilësore.

Ai sqaron se rrushi i tryezës, që kultivohet në Kosovë, është shumë cilësor dhe do të përkrahet nga Ministria e Bujqësisë. Mirëpo, sipas tij, kërkesa për konsum të verërave ka rënë në nivel global, jo vetëm në tregun e Kosovës.

Në anën tjetër, profesori i vreshtarisë dhe verarisë në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë, Bedri Dragusha, thotë për “Zërin” se për këtë sektor përkrahja institucionale është zero.

Sa i përket kualitetit të verërave që prodhohen në vend, profesori Dragusha sqaron se ato janë në nivel të njëjtë me verërat që prodhohen në shtetet e rajonit, apo edhe më të mira.

“Lënda e parë për prodhimin e verës në Kosovë është shumë cilësore, po ashtu edhe teknologjia është në nivel të duhur”, shprehet Dragusha. Ai thotë se për të depërtuar në tregun evropian verërat kosovare duhet të ketë një angazhim më të madh edhe të Odës Ekonomike të Kosovës në këtë drejtim, në mënyrë që të ketë bashkëpunim mes prodhuesve të verës në vend dhe në Evropë.

Statistikat zyrtare të Doganave të Kosovës bëjnë të ditur se gjatë vitit 2010 nga Kosova janë eksportuar mbi 2.3 milionë litra verë, vlera e të cilëve ka arritur në rreth 1.5 milion euro. Vera kryesisht është eksportuar në Shqipëri, Kroaci, Zvicër, Gjermani, Britani të Madhe etj.

Vitin e kaluar në Kosovë janë importuar më pak se 120 mijë litra verë, vlera financiare e të cilave ka qenë më shumë se 1 milion e 550 mijë euro.

Ndërsa gjatë vitit 2011 janë eksportuar më shumë se 1.3 milion litra vlerë, vlera e të cilave ka arritur në mbi 897 mijë euro, ndërsa janë importuar 43 mijë litra me vlerë prej 957 mijë euro./zeri

  

1,495 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment