Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Urbanizmi mbyll dyert në pikun e ndërtimeve

| Ekonomi, Kosovë | 13 August 2011

Në vlugun e punës në ndërtimtari, kur bizneset kanë më së tepërmi nevojë për shërbimet e Departamentit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, zyrtarët ua kanë vënë drynin zyrave dhe kanë shkuar të pushojnë. Askush nuk përgjigjet për këtë neglizhencë në komunën e kryeqytetit, e cila nga Banka Botërore vlerësohet se është më e keqja për të bërë biznes në mesin e 22 qyteteve të tjera, shkruan “Kosova Sot”.

Një punonjëse, tek informatat në katin ku janë të vendosura zyrat e Departamentit të Urbanizimit thotë se i gjithë stafi drejtues kanë shkuar në pushim. “Nuk është këtu askush, të gjithë kanë shkuar në pushim, janë disa referentë, besoj që gjatë kësaj jave do të kthehen në punë’, tha një punëtore nga sporteli informatave. Zyrtarët e komunës së Prishtinës, me gjithë premtimet se do të na kthejnë një përgjigje, nuk kanë folur për këtë pushim kolektiv. “Nuk e di që janë në pushim Departamenti i Urbanizmit, s’kam unë njohuri, ata janë duke punuar, por do ta verifikoj dhe të lajmëroj“, ka thënë përmes telefonit, Muhamet Gashi, zyrtar për informim në Komunë e Prishtinës. Vera është stina e punëve në sektorin e ndërtimtarisë dhe dhjetëra biznese kanë nevojë të adresojnë kërkesat dhe shqetësimet e tyre në këtë departament të komunës. Berat Rukiqi, Sekretar i Përgjithshëm në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se çdo institucion që nuk punon çdo ditë pune së paku 8 orë në dispozicion të qytetarëve dhe të biznesit nuk është serioz. “Duke pasur parasysh raportin e Bankës Botërore, e cila vlerëson se procedurat për leje ndërtimi dhe procedurat urbanistike në Komunën e Prishtinës që zgjasin mbi 200 ditë pune, kjo tregon që Prishtina vazhdon të mbetet në vendin e fundit në rajon”, tha Rukiqi. Sipas tij, nëse kësaj i shtohet edhe pjesa e pushimeve, atëherë kjo definitivisht e dëmton jo vetëm pjesën e Prishtinës në këtë raport, por në përgjithësi gjithë Kosovën. “Kjo i vonon shumë investime, duke pasur parasysh se tash është sezoni i verës dhe shumë firma janë në vlugun e punëve dhe kanë nevojë për me i kryer procedurat administrative sa më shpejt atëherë nuk është e qëlluar”, thotë Rukiqi. Ai shton se në shumë vende të rajonit institucionet punojnë me dy ndërrime, në mënyrë që t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve dhe të biznesit.

Lekë Musa, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane, thotë se zyrtarët e komunës së Prishtinës, sidomos Departamenti i Urbanizimit është dashur të jenë në shërbim të bizneseve, me qëllim të përmirësimit të imazhit, ku Prishtina në raportet e fundit të Bankës Botërore ku është radhitur e fundit për bërje biznes dhe marrje të lejes. Pikërisht për këtë komunarët është dashur të punojnë shumë më seriozisht. “Kjo zyre nuk është dashur të mbyllet dhe në të njëjtën kohë është dashur që ti shërbejnë biznesit për shkak se është koha kur duhet të përmirësohen indikatorët të cilët janë identifikuar nga raporti i BB-së”, tha Musa. / kosova sot

 

1,148 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment