Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Ulqinit i kthehet turizmi ndërkombëtar

| Mali i Zi, Turizëm | 23 June 2011

Qyteti i Ulqinit edhe sivjet është përgatitur për pritjen e turistëve. Udhëheqësit e këtij qyteti thonë se presin njërin nga sezonet më të suksesshme turistike gjatë viteve të fundit.

Pushuesit të cilët tani më kanë arritur në plazhet e këtij qyteti, shprehen përgjithsisht të kënaqur me pritjen dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara.

“Është hera e parë që vi dhe më ka lënë përshtypje shumë të mira dhe të jashtzakonshme, është vend turistik i mire, edhe mbrëmja rinore, kam qenë e kënaqur me të gjitha dhe besoj se do ta vizitoj edhe viteve të tjera”.

Kjo është Mimoza nga Gjilani e cila për herë të para ka ardhë në Ulqin për pushime. Ajo thotë se është mahnitur me bukurinë dhe mikëpritjen e ulqinakëve. Gëzim Hajdinaga, kryetar i Komunës së Ulqinit, rrëfen se numri i turistëve gjatë qershorit është sinjal se sivjet do të jetë sezoni më i suksesshëm turistik, jo vetëm për Ulqinin, por në përgjithsi për Malin e Zi.

“Për fat të keq të të tjerëve që nuk i gëzohem, sepse atje ka probleme stabiliteti dhe sigurie dhe për fatin e mirë të Malit të Zi është shënuar rritje e numrit të turistëve”, thotë Hajdinaga.

Hajdinaga tregon me kënaqësi për bukurinë e plazheve të Ulqinit, për objektet hoteliere dhe të tjera qofshin në sektorin publik apo privat. Jeta e gjallë kulturore dhe e natës, aktivitete të shumta të organizuara për rininë dhe mikëpritja janë vetëm disa nga elementet e ofertës së Ulqinit për vizitorët. Dhe, ata kanë filluar të arrijnë në numër të madh. Janë nga vende nga më të ndryshmet. Përveç shqiptarëve, këto vite, Ulqini, ka tërhequr edhe turistë nga Gjermania, Çekia, Polonia, Hungaria dhe vendet tjera.

“Kemi arrit t’i kthejmë turistët nga Bosnja të cilët ka që 20 vjet nuk kanë qenë në Ulqin, kanë pasë një bllokadë të plotë. Pas kosovarëve, vjet numri më i madh i turistëve ka qenë nga Bosnja. Sivjet kemi arrit t’i kthejmë gjermanët, çekët ,rusët, polakët dhe hungarezët”, thotë Hajdinaga.

Sivjet kemi një ofertë më të mirë se në të kaluarën. Sivjet janë hapur katër hotele apo gjithsejt janë 23 hotele. Këto hotele janë me tre e katër yje. Sa i përket akomodimeve private punohet zellshëm në këtë drejtim dhe ato ngriten nga viti në vit”, theksoi Rexha.

Plazhet e Ulqinit plotësojnë standardet dhe cilësinë e kërkuar. Disa prej tyre mbajnë shtatë flamuj- dëshmi e përmbushjes së standardeve ndërkombëtare.

Nga ana tjetër edhe pronarët e hoteleve, restoranteve dhe objekteve individuale thonë se janë të përgatitur të presin turistët në mënyrë miradie. Pronari i plazhit Copakabana, Preng Shkreli, thotë se ai është përgatitur me të gjitha kapacitetet për të pritur turistë nga Kosova dhe viset tjera të rajonit, por edhe me çmimet më të favorshme.

“Absolutisht nuk kemi lëviz me çmime. Jemi marrë vesh edhe me plazhista të tjerë që t’i kemi çmimet e njëjta”, tha Shkreli.

Edhe klubi Safari ka bërë përgatitjet për të mirëpritur turistët. Pronari Zef Delici thotë se ai është përgatitur si kurrë me parë për të pritur pushues nga Kosova.

“Si kurrë jam përgatitur sivjet, presim mysafirët e Kosovës. I thërrasim se janë në shtëpi të vet”, thotë Delici.

Klima e favorshme, dhjetëra kilometra plazh me rërën shëruese të gërshetuara me mundësitë e shumta për argëtim, e bëjnë Ulqinin vend tërheqës, qoftë për dikënd si Mimoza, që ndodhet atje për herë të parë, e qoftë për secilin, që për vite të tëra shijon pushimet atje.

Nuk ka Tag-ë

1,747 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment