Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Tirana

| Shqipëri, Tirana dhe zonat përreth saj, Turizëm | 12 June 2011

Eshtë kryeqyteti i Shqipërisë dhe njëkohësisht qendra më e madhe politike, ekonomike dhe kulturore e vendit. Ajo ndodhet në një pozicion mjaft të favorshëm në qendër të vendit, e vendosur në një lartësi prej 113 metrash mbi nivelin e detit. Në perëndim, deti Adriatik dhe plazhi më i madh dhe popullor i Durrësit, janë vetëm 32 km larg, ndërsa në lindje mali i Dajtit 1612 metra i lartë, është vetëm 26 km larg. Si qytet, Tirana është relativisht e re.

Ajo është themeluar në vitin 1614 nga Sulejman Pashë Bargjini, një feudal vendas, i cili në këtë periudhë në vendin ku sot ndodhet monumenti i “Partizanit të Panjohur” ndërtoi një xhami, një haman dhe një furrë, të cilat ishin edhe objektet e para të qytetit të ri. Në vitin 1816 qyteti ra në dorë të familjes së Toptanasve

Ngjarja më e rëndësishme për Tiranën është 11 Shkurti i vitin 1920, kur Kongresi i Lushnjes e shpalli atë kryeqytet provizor të Shqipërisë, statusin definitiv të së cilit Tirana do ta fitonte në 1925. Mbas këtij akti, qyteti pati për pasojë një rritje të vazhdueshme, e cila ka marrë hov, sidomos pas viteve 90. Qëndra e Tiranës është projektuar nga arkitektë të njohur italianë të periudhës së Musolinit. Bulevardi i madh i Tiranës “Dëshmorët e Kombit” është ndërtuar në vitin 1930, ndërsa sheshi qëndror “ Skënderbej” gjatë viteve 1928 -1929.
Në vitin 1968, në kuadër të 500 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, është vendosur monumenti i tij.

Në vitin 1988 në sheshin Skenderbej, u vendos edhe monumenti i diktatorit Stalinist Enver Hoxha, por ai u rrezua në 20 Shkurt 1991 nga studentët dhe populli i Tiranës. Në Tiranë ndodhen institucione të tilla, si; Pallati i Kongreseve, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, Pallati i Kulturës me Teatrin e Operas dhe Baletit, Sky–Tower, etj, si dhe godinat qeveritare të Këshillit të Ministrave, Presidencës dhe Parlamentit.

Krahas Parkut të madh në jug–lindje të qytetit, Tirana ka edhe disa parqe të tjerë, si; Rinia, parku pranë Parlamentit, pranë Presidencës, etj. Tirana është qendra kryesore në Shqipëri për organizimin e konventave, konferencave e seminareve.

2,193 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Trashegimia Natyrore

| Shqipëri, Tirana dhe zonat përreth saj, Turizëm | 12 June 2011

Ujërat Termale të Bilajt

Ndodhen në fshatin Bilaj, në krah të rrugës nacionale Fushe Krujë – Vorë. Burimet termale dalin në depozitimet e luginës së Ishmit. Këto janë ujëra sulfurorë të pasura në lëndë minerale, si; Ca,Na,K,Fe,Mg. Temperatura e tyre arrin në 55 gradë Celcius. Këto ujëra kanë veti kuruese ndaj sëmundjeve të tilla, si; reumatizmës, lëkurës si dhe sistemit nervor.

Parku Kombëtar i Qafë Shtamës

Ndodhet 25 km në veri – lindje të qytetit të Krujës. Ai ka një sipërfaqe prej 2.000 hektarësh. Për të mbërritur në park, rruga hyn në kanionin e ngushtë të Vajës, i cili është 600 – 700 metra i thellë, poshtë të cilit rrjedh lumi i Drojës. Sipas një legjende, mbas pushtimit të Krujës nga turqit, 90 vajza krutane u hodhën në humnerë për të mos rënë në duart e tyre.

Parku i Qafë Shtamës është i mbuluar me pyje pishe dhe është një qendër klimaterike, sidomos për sëmundjet e mushkërive. Këtu ndodhet edhe “Burimi i Nënës Mbretëreshë”, i cili është ujë i pijshëm kurativ. Qafë – Shtama është një objekt natyror i përshtatshëm për aktivitete të tilla, si; ekskursione, turizmin e çadrave, etj.

Parku Kombetar i Dajtit
Ndodhet 26 km në lindje të Tiranës dhe në një distancë prej 50 km nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit. Mali i Dajtit, ku ndodhet parku, ka një lartësi maksimale prej 1.612 metrash mbi nivelin e detit. Për pozicionin e tij të bukur dhe dominant, ai quhet edhe “ballkoni natyror i Tiranës”. Sipërfaqja e parkut kombëtar është 3.300 hektarë.

Në lartësinë 1.050 metra mbi nivelin e detit gjendet fusha e Dajtit, 3 km e gjatë. Eshtë vendi kryesor ku mblidhen vizitorët që udhëtojnë për në Dajt, ku organizohen piknike, barbekiu, lojëra të ndryshme, etj. Aty janë të koncentruara edhe shërbimet, si; hotelet, restorantet dhe baret. Bimësia e Parkut Kombëtar të Dajtit është mjaft e larmishme dhe bie në sy bimësi me kate. Kështu, pyjet e ahut shtrihen në lartësitë nga 1.000 deri në 1.500 metra. Aty rriten edhe ahe 200 vjeçarë.

Lloji tjetër i bimësisë janë dëllinjat, shqopat, ndërsa në lartësitë më të ulëta dushqet dhe rrobulli. Zona e poshtme nga 300 deri 600 metra, është e veshur me shkurre mesdhetare të tipit të makjeve. Fauna e parkut përbëhet nga 4 lloje amfibesh, 8 lloje zvarranikësh, 9 lloje gjitarësh dhe 11 lloje shpendësh. Për tu përmendur janë prezenca e shqiponjës së malit, petritit, qukapikut të zi, ujkut, lepurit të egër, lunderzës, lakuriqit të natës, hundëpatkua, etj. Në malin e Dajtit ka edhe rreshje dëbore, por shtresa e saj zakonisht nuk qëndron gjatë.

Aktivitetet kryesore që zhvillohen aty janë ekskursionet, ngjitjet malore, sportet ajrore, si dhe në shkallë më të vogël, skitë. Mali i Dajtit është mjaft aksesibël, mbasi nga Tirana, krahas rrugës automobilistike mund të shkohet edhe me “cable car”, i cili niset nga Linza drejt fushës së Dajtit. Ky udhëtim zgjat vetëm 14 minuta.

Shpella e Pëllumbasit
Ndodhet 25 km në jug – lindje të Tiranës, përgjatë rrugës nacionale Tiranë – Elbasan. Ajo është e pozicionuar mbi grykën panoramike të Skoranës të krijuar nga lumi i Erzenit. Shpella është e ruajtur mjaft mirë dhe ka një gjerësi prej 10–35 metrash, një lartësi 15–40 metrash dhe arrin deri në 300 metra gjatësi. Krahas formave karstike me stalagtite e stalagmite, është për t’u përmendur fakti se këtu janë gjetur skelete të ariut të shpellave (ursus speleus), i cili ka jetuar rreth 400 mijë vjet më parë.

Në gjithë kontinentin Evropian, ka vetëm 5 shpella të tilla. Në shpellë janë gjetur edhe mbetje të jetës humane, që i përkasin periudhës që prej peleolitit e deri në mesjetën e hershme.

Shkalla e Tujanit
Gjendet në vargun malor Krujë-Dajt, pikërisht në grykën që formon lumi i Tiranës midis malit të Dajtit dhe atij të Brarit. Për të shkuar deri aty, ndiqet rruga automobilistike Tiranë – Brarë – Malësia e Tiranës. Eshtë një grykë panoramike, ku në ujërat e lumit të Tiranës mund të ushtrohen kajaket.
Gryka e Myrdarit

Gjendet në jug – lindje të Tiranës midis Malit të Pashkasheshit dhe Qafës së Krrabës, përgjatë rrugës automobilistike Tiranë – Kllojkë. Ajo është e formuar nga përroi i Myrdarit, degë e Lumit të Erzenit. Gryka në fjalë është madhështore dhe ofron një pamje të bukur panoramike. Vizita për në grykën e Myrdarit mund të kombinohet me aktivitete që organizohen përgjatë luginës së Erzenit nga Iba deri në urën e Farkës

Lugina e Erzenit
Rajoni nga Iba e deri në urën e Farkës, i cili përbën edhe rrjedhjen e mesme të tij, përfaqëson një luginë të këndshme me mundësi për aktivitete të ndryshme, si; ato të banjave të diellit, ujit, peshkimit, si dhe qitjet me pjatel në urën e Peshkatarit.

Rezervatet e gjuetisë së Qafë Mollë-Denjasit dhe Berzanës

Gjenden pranë Qafë Mollës, pas malit të Dajtit, në rrugën nga Qafa e Priskës për në Malin me Gropa. Janë rezervate të gjuetisë të kategorisë B, ku ushtrohet gjuetia e derrit të egër. Rezervati i Qafë Mollës ka një sipërfaqe prej 3.300 hektarësh. Aty gjenden edhe shqiponja e malit, thëllënza e malit, lepuri i egër, etj.

Mali me Gropa dhe Biza
Kjo zonë malore ndodhet në lindje të qytetit të Tiranës, pas malit të Dajtit. Për të mbërritur aty, ndiqet rruga automobilistike Tiranë–Linzë–Qafë Priskë–Qafë Mollë–Bizë. Mali me gropa është një zonë malore e përbërë nga shkëmbinj karbonatikë të zhveshur, me një lartësi nga 1.500–1.800 metra mbi nivelin e detit. Aty ka forma të larmishme të karstit, si puse dhe kone karstike. Në disa zona toka është e mbuluar me bar alpin dhe ndeshen lëndina me lule të shumëllojshme. Zona e Bizës, gëzon gjithashtu, statusin e zonës së mbrojtur me sipërfaqe 1.370 hektarë.

Parku i madh i Tiranës
Shtrihet në kodrat në jug–lindje të Tiranës. Ai ka një sipërfaqe prej 230 hektarësh dhe në qendër të tij ka një liqen artificial prej 55 hektarësh. Në park rriten 120 lloje drurësh, shkurresh dekorative dhe lulesh. Eshtë një vend mjaft i frekuentuar për rekreacion si dhe vrapime në natyrë, aerobi si dhe banja dielli pranë liqenit.

Në kompleksin e parkut ndodhen varrezat e ushtarëve britanikë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, atyre gjermanë, vëllezërve Frashëri (figura shumë të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare), si dhe varri i Faik Konicës, një figurë e rëndësishme e kulturës shqiptare. Në perëndim të Parkut të Madh ndodhet kompleksi i pishinave “Aquadrom” dhe Kopshti Botanik i Tiranës i çelur në vitin 1971, me një sipërfaqe prej 14,5 hektarësh

3,813 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Kruja

| Shqipëri, Tirana dhe zonat përreth saj, Turizëm | 12 June 2011

Eshtë një prej qyteteve më historike të Shqipërisë. Ajo ndodhet në një distancë të afërt nga kryeqyteti, vetëm 32 km larg.

Emri dhe rëndësia e Krujës lidhet me veprën dhe aktivitetin 25 vjeçar të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti ( Skenderbeu), i cili gjatë periudhës së mesjetës, në shek e XVI, e shndërroi Krujën dhe kështjellën e saj në një pikë të papërkulur rezistence ndaj rrezikut Osman, duke e bërë atë të njohur dhe të famshme në të gjitha kancelaritë diplomatike të Evropës.

Emri i Krujës rrjedh nga fjala shqipe “ krua”. Në periudhën bizantine ajo përmendet si një qendër peshkopale. Rreth vitit 1190, aty u krijua i pari shtet feudal shqiptar. Më vonë ajo kaloi nën sundimin e familjes feudale shqiptare të Topiajve. Pushtimi i parë otoman ndodhi në 1396, por ata u tërhoqën për 20 vjet. Në 1430 ajo u kthye në qendër të kryengritjes shqiptare të udhëhequr nga Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut. Periudha më e lavdishme fillon në 28 Nëntor të vitit 1443, kur kalaja e Krujës u morr në kontrollin e Gjergj Kastriotit, i cili organizoi rezistencën e gjatë anti-otomane.

Që nga kjo periudhë, Kruja nën udhëheqjen e Skënderbeut, theu tre rrethime të saj nga otomanët në 1450, 1457 dhe 1466. Vetëm 10 vjet mbas vdekjes së Skënderbeut, në 1478 otomanët pushtuan kalanë dhe shkatërruan qytetin. Ata e quajtën Krujën Akcahisar (fortesë e bardhë). Pjesa e popullsisë që mbeti, u kthye në myslimanë. Sot qyteti ngrihet në shpatin e malit të Krujës, në një lartësi prej afro 600 metrash mbi nivelin e detit, duke poseduar një pamje panoramike. Nga qyteti i Krujës shikohet qartë deti Adriatik.

2,046 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Trashegimia Kulturore

| Shqipëri, Tirana dhe zonat përreth saj, Turizëm | 12 June 2011

Kulla e Sahatit e Tiranës
Eshtë ndërtuar në vitin 1822. Ka 90 shkallë në formë spiraleje. Eshtë 35 metra e lartë dhe deri në vitin 1970 ka qenë ndërtesa më e lartë e kryeqytetit. Fillimisht kishte një kambanë të sjellë nga Venecia e cila binte për çdo orë. Kupola e vendosur në majë i jep asaj një arkitekturë të tipit alla San Marko.

Në vitin 1928 Bashkia e Tiranës bleu një orë nga Gjermania. Kjo orë u shkatërrua gjatë luftës së Dytë Botërore dhe u zëvëndësua në vitin 1946 me orën e sjellë nga kisha e Shkodrës, e cila kishte shifra romake. Ora e sotme është vendosur në vitin 1970. Kulla e Sahatit është e hapur për turistët që prej vitit 1996. Ajo është gjithashtu simbol i emblemës së Bashkisë së Tiranës.
Xhamia e E’them Beut

Ndodhet në qendër të Tiranës. Ajo ka nisur të ndërtohet në vitin 1798 dhe përfundoi së ndërtuari në vitin 1821. Ajo është një prej rasteve të traditës shqiptare në arkitekturën e xhamive. Bien në sy gdhëndjet e pikturuara.

Eshtë një urë e vogël prej guri që ndodhet në Bulevardin “ Zhanë D’Ark ”. Ura ka një lartësi prej 7,5 metrash është e njohur ndryshe edhe si Ura e Shën Gjergjit. Ajo është një monument kulture i restauruar, ndërtimi i së cilës i përket gjysmës së parë të shekullit XIX.

Mozaiku i Tiranës
Ndodhet në rrugën Naim Frashëri. Ai është objekti më i vjetër i qytetit të Tiranës i cili ka qenë pjesë e dyshemesë së një vile romake në shek e III. Më pas ky vend ka shërbyer për ndërtimin e një kishe paleo – kristiane. Ai quhet ndryshe edhe “Mozaiku i Kishës së Kroit të Shën Gjergjit”.

Muret e kalasë së Justinianit
Ngrihen në rrugën “Murat Toptani” pranë “Kinema Millenium”. Kalaja është ndërtuar nga perandori bizantin Justinian në shekullin e VI ( viti 520). Mendohet se më parë këtu ka qenë një stacion nga Durrësi drejt Elbasanit e më gjërë. Fragmentet e mureve të mbetura kanë një lartësi prej 6 metrash. Kalaja e Tiranës ka qenë një stacion i rrugës së vjetër “Egnatia”.

Banesat e Toptanasve në Tiranë
Ndodhen në rrugët “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani”. Këto ndërtesa që sot janë Qëndra e Studimeve Gjeografike dhe restoranti “Sarajet”, përbëjnë një ansambël të vertetë arkitektural dhe janë pjesë e bërthamës historike të Tiranës. Njëra prej të cilave ka shërbyer për banim dhe tjetra për pritje. Residenca e Toptanasve i përket stilit Barok Osman. Këto ndërtesa i takojnë shekullit të XVIII.

Tyrbja e Kapllan Pashës
Ndodhet në rrugën 28 Nentori. Ajo bën pjesë në kompleksin e varreve monumentale të Xhamisë së parë të Tiranës, e cila është shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Boterore. Ky kompleks kishte edhe gjashtë varre të tjerë të të njëjtit tip, por me përmasa të ndryshme. Sot ka mbetur vetëm tomba e Kapllan Pashës, i cili ishtë një prej sundimtarëve të Tiranës. Në vetvehte tyrbja përfaqëson një varr monumental me planimetri 8 këndëshe dhe me lartësi 4 metra. Eshtrat e Kapllan Pashës janë shpërngulur në Stamboll.

Varrezat e Dëshmorëve të Kombit
Ndodhen në një prej kodrave më piktoreske në jug – lindje të Tiranës, e cila ofron një pamje mjaft të bukur drejt kryeqytetit. Eshtë një prej pikave historiksht të frekuentuara prej grupeve turistike që vijnë në Tiranë. Janë përuruar në vitin 1971. Këtu ndodhet monumenti “Nënë Shqipëri” e ndërtuar në granil dhe12 metra i lartë.

Muzeu Historik Kombëtar
Eshtë objekti më i rëndësishëm muzeal në gjithë Shqipërinë. I përuruar në vitin 1981 ai paraqet në stendat e tij gjithë historinë e përmbledhur të popullit shqiptar që prej periudhës së paleolitit të mesëm e deri në ditët e sotme. Aty ruhen vepra arti origjinale që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Krahas pavioneve të antikitetit, mesjetës, rilindjes kombëtare, pavarësisë, luftrave botërore etj. aty ndodhen edhe pavionet e ikonografisë, ai i diktaturës dhe etnografisë.

Në Muzeun Historik Kombëtar ruhen objekte unikale si Epitafi i Gllavenicës i krijuar në vitin 1373 kjo është një qëndismë e madhe me fije ari dhe argjendi në mëndafsh, e cila paraqet Krishtin, busti i Deas ( hyjnesha e Butrintit, tashmë e indentifikuar me kokën e Apollonit), mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” etj. Në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar shpalloset mozaiku “Shqipëria” i cili është më i madhi në vend.

Muzeu Arkeologjik i Tiranës
Ndodhet në sheshin “Nëne Tereza”. Eshtë përuruar në vitin 1948. Aty janë të ekspozuara objekte të cilat i përkasin periudhës që nga prehistoria e deri në mesjetën e hershme.

Muzeu i Shkencave të Natyrës
Ndodhet në rrugën e “Kavajës“ dhe është në varësi të Universitetit të Tiranës. Eshtë i vetmi i këtij lloji në Shqipëri. Aty janë të ekspozuar kafshë të balsamosura të cilat janë të ekspozuara dhe të ndara në salla të ndryshme. Kështu shpendët zënë dy dhoma. Pavijonet e tjera përfshijnë gjitarët, zvarranikët të përfaqësuar me një koleksion të hardhucave dhe gjarpërinjve, insektet si dhe pavijoni i guackorëve dhe koraleve.

Muzeu i Pullës Shqiptare
Ndodhet në rrugën “Reshit Çollaku” mbas Drejtorisë së Postë – Telekomunikacioneve, në varësine e të cilës ndodhet. Muzeu është ngritur në kuadër të 90 – vjetorit të krijimit të pullës së parë shqiptare në maj 1913. Në këtë muze ruhet kjo pullë si dhe pjesë nga koleksionet e 2.850 lloje pullash të emetuara në Shqipëri prej 600 serive të ndryshme. Këtu gjendet edhe pulla e parë e shtypur në Shqipëri në vitin 1957.

Galeria Kombëtare e Arteve
Ndodhet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Eshtë hapur në vitin 1946 dhe ka një sipërfaqe ekspozimi prej 5.300 metra katrorësh. Aty ndodhen disa salla si ajo e Artit të Rilindjes, e Artit bizantin, salla e grafikës dhe ajo e punimeve mbas viteve 50. Në Galerinë e Arteve ruhen 4.100 vepra arti të autorëve shqiptare dhe të huaj, të cilat përfshijnë një periudhë kohore që fillon që nga shek XIII e deri në ditët e sotme.

Aty ruhet edhe busti i parë shqiptar, i cili është busti i Skënderbeut i punuar në vitin 1908 nga Murat Toptani. Që prej vitit 1999 është hapur për publikun një bibliotekë e galerisë ku mund të shfrytëzohen albume, revista, kritikë dhe literaturë e ndryshme për artet figurative.

Shtëpia e Piktorit Sali Shijaku
Ndodhet në rrugën “Siri Kodra”. Eshtë një shtepi e vjetër me arkitekture tipike Tiranase. Ndërtimi i saj i përket vitit 1400. Shtëpia shërben si restorant tradicional si dhe galeri arti ku janë të ekspozuara 100 punime në pikturë.

Shtepia e Bunecëve
Ndodhet prane qendrës së Tiranës në rrugën “ Sulejman Pasha”. Eshtë një shtëpi e vjetër me arkitekture tipike të Tiranës prej qerpiçi e shekullit të 17. Këtu janë të ekspozuara objekte të artizanatit të cilat janë punime prej bakri.

Kalaja e Petrelës
Ndodhet në rrugën nacionale Tiranë – Elbsasan, 18 km larg nga kryeqyteti. Ajo është një prej pikave kryesore turistike pranë Tiranës. Kalaja ngrihet mbi një kodër shkëmbore sipër fshatit më të njëjtin emër. Ajo ka trajtë trekëndore me dy kulla vrojtuese. Ndërtimi i parë i saj i përket periudhës së antikitetit, ndërsa forma e sotme i daton shekullit të XV.

Kalaja e Petrelës bënte pjesë në sistemin sinjalizues dhe mbrojtës së kalasë së Krujës. Këto kala komunikonin me njëra tjetrën nëpërmjet zjarreve. Kjo kala ka qenë nën komandën e motrës së Skënderbeut, Mamica Kastriotit. Sot në ambjentet e saj ka shërbim restoranti. Prej andej hapet një pamje mjaft e bukur drejt luginës së Erzenit, kodrave me ullinj dhe maleve përreth.

Kalaja e Prezës
Ndodhet sipër fshatit me të njëjtin emër, në kreshtën e kodrës. Kjo është një kështjelle e vogël e cila ka nisur të ndërtohet në shek e XIV dhe ka përfunduar në fillim të shek të XV nga ana familjes feudale të zonës, Topiajve. Kalaja është shpallur “monument kulture”. Në qoshet e saj kalaja ka katër kulla rrethore. Kulla e sahatit është ngritur rreth viteve 1800 – 1850.

Ajo shquhet për pozicionin mjaft të bukur, duke kontrollur fushën e Tiranës. Po kështu përballe saj ndodhet kalaja e Krujës. Kjo kala ndodhet fare pranë aeroportit ndërkombetar “Nënë Tereza “ të Rinasit. Në kala ndodhen restorante dhe lokale sherbimi.

Kalaja e Krujës dhe Muzeu Gjergj Kastrioti
Eshtë objekti kryesor turistik i qytetit të Krujës. Kështjella është ngritur gjatë shekujve të V – VI. Ajo ka trajtë eliptike me një perimeter prej 804 metrash. Muret rrethuese janë të përforcuara nga 9 kulla. Në pjesën më të lartë në veri –lindje ngrihet kulla e Sahatit, e cila shërbente për vrojtim dhe sinjalizim më kalanë e Petrelës dhe Durrësin.

Muzeu ndodhet në hyrjen kryesore të kështjellës. Muzeu është përuruar në vitin 1982. Krahas stendave që shpjegojnë veprimtarinë e Skënderbeut në muzeum ndodhen edhe biblioteka, dokumente dhe botime të cilat lidhen me figurën e Skënderbeut. Muzeu ka karakterin e një memoriali dhe ka elemente të tilla si harqe guri, piktura në xham etj.

Brenda mureve të kalasë gjenden disa shtëpi dhe Teqeja e Dollmasë. Në perëndim të kështjellës ruhet edhe hamami i shek XV.
Muzeu Etnografik

Ndodhet gjithashtu brënda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanasve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak”.

Pazari karakteristik i Krujës
Shtrihet në të dy anët e rrugës së shtruar me kalldrëm që të çon drejt kalasë së Krujës. Nga vendasit njihet ndryshe me emrin Pazari i Derexhikut. Ky pazar ka funksionuar që prej kohës së Skënderbeut në shek e XV, kur dyqanet e tij arrinin deri pranë hyrjes së kalasë. Dyqanet i kanë muret, tavanet dhe qepenat prej druri.

Këtu turistët kanë rast për të blerë artikuj të ndryshëm të artizanatit si punime në argjend, bakër, alabastër, qëndistari, bizhuteri, filigrame, qylyma etj. Pazari i ka rezistuar sundimit 500 – vjeçar turk dhe është restauruar në kuadër të 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut.

Pelegrinazhi në Teqenë e malit të Sarisalltikut
Mbi qytetin e Krujës, në majen e Sarisalltikut në një shpellë të shenjtë ndodhet Teqja e Sarisalltikut, i cili sipas dokumenteve historike ishte një misionar që ka ardhur në Krujë në vitin 1325. Teqja përbëhej prej tre ndërtesave të lidhura me njëra tjetren dhe mendohet se është ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të XIV.

Pelegrinazhi i sektit bektashi për nder të tij zhvillohet përgjatë çdo muaji maj. Nga maja e Sarisalltikut në një lartësi prej 1.000 metrash mbi nivelin e detit hapet një pamje e mrekullueshme mbi qytetin e Krujës dhe detin Adriatik. Në majë të malit gjenden vende mjaft të përshtatshme për organizimin e pikniqeve siç është “ Fusha e Mejdanit”, ku është zhvilluar një betejë midis Skënderbeut dhe turqve.

Albanopoli (Zgërdheshi)
Ndodhet në krahun e djathtë të rrugës nga Fushë – Kruja në Krujë, pranë fshatit Halil. Në vitin 1871 albanologu i shquar austriak Han, vizitoi kalanë ilire të Zgërdheshit dhe hodhi idenë se ky ishte ALBANOPOLI antik, kryeqendra e fisit të Albaneve, prej të cilit ka marrë emrin edhe Albania. Qyteti antik i ngritur në kodër zinte një sipërfaqe prej 10 hektarësh. Muret e fuqishme me gjatesi 1.400 metra e mbronin atë nga të gjitha anët.

Sot ruhet një pjesë muri prej 90 metrash i gjatë. Në këtë vendbanim akropoli zë 1/3 e sipërfaqes. Nga terrakotat e zbuluara në Zgërdhesh vlen të përmendet një shtatore e vogël mermeri e perëndeshës Artemis. Qyteti antik ka lulëzuar për 3 deri 4 shekuj deri sa u braktis në shek II A.D.

Muzeu Mezuraj
Eshte i pari muzeum privat i ngritur ne Shqiperi. Ai ndodhet ne Rrugen e Kavajes , pikerisht ne “ Sky Tower Business Center” . Ne sallat e ketij gjenden te ekspozuara objekte arkeologjike si dhe nje koleksion ikonografik dhe pikturash te ndryshme , te cilat datojne qe prej shekullit te XVIII e deri ne ditet e sotme. Muzeu mezuraj shquhet per nje menaxhim mjaft bashkekohor.

3,914 shikime gjithsej, 11 shikime sot