Liqeni i Shkodrës
Eshtë liqeni më i madh i krejt gadishullit ballkanik. Ai ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 368 km 2, nga të cilat Republikës së Shqipërisë i përkasin 149 km2 me një vijë liqenore prej 57 km.
Një legjendë interesante shpjegon krijimin e liqenit. Sipas kësaj legjende, aty ndodhej një vijë uji që ushqehej nga një krua. Një mbrëmje, një nuse ndërsa po mbushte ujë në krua, i vjen lajmi se i shoqi ishte kthyer nga kurbeti. Nga gëzimi ajo u largua më të shpejtë duke harruar hapur grykën e kroit. Uji rrodhi gjatë gjithë natës dhe të nesërmen u krijua liqeni i Shkodrës.
Brigjet e liqenit janë mjaft atraktive dhe të larmishme. Pjesa veriore e tyre është e ulët e tipit të marsheve, ndërsa pjesa jugore rrëzë malit të Taraboshit është shkëmbore dhe e lartë. Pikërisht, këtu ndodhen edhe dy pikat më të rëndësishme turistike që janë Shiroka dhe Zogaj. Në krahun verior të liqenit është i njohur plazhi në lagjen Çulaj, pranë Koplikut. Po kështu, në të majtë të Koplikut, rreth 50 metra larg buzës së liqenit ndodhet burimi i “Syrit të Sheganit”, i cili ka një diametër prej 12 metrash nga ku buron uji i ftohtë. Kjo është një pikë interesante për të apasionuarit e zhyjtësve.
Banjat e diellit, të ujit, peshkimi dhe vozitja janë aktivitetet kryesore të liqenit të Shkodrës. Plazhi i Shirokës ka 250–260 ditë me diell në vit. Liqeni përfaqëson edhe një eko–sistem mjaft të rëndësishëm natyror. Aty gjenden 281 specie shpendësh, të cilat përbëjnë 87% të shpendëve të Shqipërisë. Aty dimërojnë 24 mijë individë shpendësh ujorë, fakt i cili krijon mundësinë e “bird watching”. Në ujërat e liqenit rriten 45 lloje peshqish, ku më të rëndësishmit janë krapi, shtojza dhe ngjala.
Parku Kombëtar i Thethit
Ndodhet në një distancë prej 70 km nga qyteti i Shkodrës, në zemër të alpeve shqiptare. Parku në fjalë ka një sipërfaqe prej 2.630 hektarë dhe shtrihet në një lartësi që varijon nga 600–2.570 metra mbi nivelin e detit. Bimësia kryesore e parkut përbëhet nga masivet e ahishteve, të cilat zënë 90 % të mbulesës drunore. Këtu gjenden ahe shekullorë që kanë diametër 1–1,5 metra.
Bimësia tjetër përbëhet nga panja, frashëri, shkoza dhe rrobulli. Këtu ka një përhapje të shumëllojshme të luleve, ku për t’u përmendur është Wulfenia e Baldaçit, e cila është bimë endemike, e cila rritet vetëm në Theth. Përsa i përket faunës këtu takohen 50 lloje shpendësh, 10 lloje rreptilesh dhe 8 lloje amfibësh. Parku i Thethit përbën habitatin më të populluar në Shqipëri me rrëqebullin (felix lynx), i cili është specie e rrezikuar. Për t’u përmendur janë prezenca e shqiponjës së artë, disa lloje qukapikësh, salamandra alpine, si dhe një larmi fluturash.
Objekte natyrore atraktive në parkun e Thethit është ujëvara e Grunasit 25–30 metra e lartë, pranë të cilës ndodhet shpella e “Birrëve me rrathë”, e cila është e pasur me stalagtide e stalagmite. Shpellë tjetër me interes për t’u vizituar është shpella e Arapit. Mjaft interesante janë burimet e ujit të Okolit, prej të cilave fillon përroi i Thethit, ku rritet trofta e mermertë.
Pranë Ndërlyses ndodhet një tjetër ujëvarë interesante. Këto burime gjenden në një lartësi prej 850 metrash mbi nivelin e detit. Zona ka mjaft rreshje dëbore, të cilat krijojnë një shtresë të qëndrueshme për 150 ditë në vit. Aktivitetet kryesore që zhvillohen ne Theth janë hiking, ngjitjet malore, eksplorimi i shpellave, lundrimi me kajake, peshkimi malor, sportet dimërore dhe biçikletat malore. Turi i këtyre të fundit mund të kryhet nga Kopliku në Theth, si dhe nga Thethi nëpër luginën e Shalës.
Këtu është i zhvilluar akomodimi në shtëpitë karakteristike të zonës, të cilat janë shtëpi guri me çati të tipit alpin. Parku i Thethit bën pjesë në projektin e “Parkut të Paqes”, që përfshin një territor midis Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës.
Razma
Eshtë një prej pikave turistike malore më të frekuentuara nga qyteti i Shkodrës. Razma është një pikë klimaterike malore vetëm 41 km larg nga qyteti i Shkodrës. Ajo ndodhet mbi disa kodra morenike rrëzë malit të Veleçikut, 1.725 metra i lartë. Zona është e rrethuar me pyje pishe dhe mënshteke. Ajo nuk bllokohet nga dëbora ndaj mbetet e vizitueshme gjatë gjithë vitit. Këtu ofrohet akomodim në dhoma me qera, ndërsa aktivitetet kryesore janë sportet dimërore, ekskursionet, ngjitjet, etj.
Vermoshi
Ndodhet në një distancë prej 95 km larg nga qyteti i Shkodrës dhe pikërisht në ekstremin më verior të Republikës së Shqipërisë. Kjo zonë quhet krahina e Kelmendit. Ky emërtim vjen nga fjala latine “Clemens” që do të thotë i urtë, i thjeshtë, i mirë. Mbasi përshkohet një rrugë dramatike dhe spektakolare nga Shkodra në Vermosh, ky i fundit ngrihet në një fushë malore të krijuar nga lumi i Vermoshit në një lartësi prej 1.100 metrash.
Në dy anët e luginës ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me bimësi. Si një pikë alpine, Vermoshi shquhet për shtresën e dëborës që zgjat deri në afro 100 ditë në vit. Zona ofron mundësi të shumta për ngjitje malore, trekking nëpër luginat e thella alpine, speleologji, gjueti trofte, etj.














