Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Trashegimia Natyrore

| Shqipëri, Shqipëria Jugore, Turizëm | 12 June 2011

PARKU KOMBETAR “BREDHI I HOTOVES”Ka një sip. prej 1200 ha dhe ndodhet në krahinën e Frashërit, rreth 35 km në verilindje të qytetit të Përmetit. Karakteristike e këtij parku është Bredhi i Hotovës, i cili konsiderohet si një nga reliket bimore mesdhetare më të rëndësishme të vendit. Falë natyrës së bukur e piktoreske, klimës së shëndetshme, ajrit të pastër dhe afërsisë me qendrat e banuara, ky park merr vlera turistike, rekreative e sportive në çdo stinë.

PEIZAZHI TURISTIK I UJIT TE FTOHTE TEPELENE
Ky peizazh mund të shijohet duke kaluar në rrugën nacionale Gjirokastër–Tepelenë dhe është një nga perlat e natyrës shqiptare. Pellgu ujëmbledhës i tij është shumë i madh dhe burimi i ujit në sipërfaqje është i pandryshueshëm. Gjatë periudhës së verës, uji i ftohtë që buron aty pranë, i jep natyrës një freski që gjithkush mund ta shijojë.

Peizazhi përreth “Ujit të Ftohtë të Tepelenës“ është i pasur me vegjetacion dhe është mjaft i frekuentuar nga banorët e Tepelenës dhe Përmetit si vend rekreacioni. Ai shfrytëzohet gjithashtu edhe si ndalesë pushimi gjatë udhëtimit Tiranë–Sarandë.

UJERAT TERMALE NE FSHATIN BENJE TE PERMETIT
Ndryshe njihet me emrin Banjat e Bënjës. Gjenden 14 km larg qytetit të Përmetit, komuna Petran, nga i cili dalin gjashtë burime kryesore në rrëzë të shkëmbinjve masivë, në të dy anët e lumit të Langaricës. Për të vajtur tek ky monument natyre ndiqet intinerari, rruga automobilistike Përmet –Petran–Bënjë.

Ujërat me bazë sulfurorë kanë efekte shumë të larta kuruese, specialistët i mbajnë si më të mirat në Evropë. Janë katër burime që përdoren për sëmundjet kronike të reumatizmave (artikulare), një burim për sëmundjet e stomakut dhe një burim për sëmundjet e lëkurës.Temperatura e ujërave varijon 26–32°C. Janë shfrytëzuar nga shteti në vitet 1964–1975. Aktualisht, strukturat nuk janë në gjendje të ofrojnë shërbim cilësor. Këto ujëra janë të hapura dhe shfrytëzohen si “out door “.

PEIZAZHI TURISTIK LUMOR E SPORTIV I VJOSES
Vend pushimi në të cilin gjenden burime ujore malore, të cilat derdhen në lumin Vjosë në formë ujërash, të rrethuara nga një masiv pemësh.

Është peizazh karakteristik lumor, ku ndërthuren natyrshëm bimësia barishtore, drurët pyjorë me bimësinë higro–hidrofile që gjendet përgjatë burimeve ujore në shtratin e lumit Vjosë. Bie në sy karakteri i ngushtë i luginës, i cili vende-vende arrin në 1– 1.5 km.

Në largësinë rreth 3 km. nga qyteti Këlcyrës ndodhen Rrepet e Grykës, objekt që funksionon si pikë turistike. Peizazhi i drurëve pyjorë, i harmonizuar me burime të bollshme ujore ka vlera atraktive, estetike e ekoturistike. Përgjatë luginës, Gryka e Këlcyrës, e gjatë 13 km, gjendet burimi ujor “Ujët e Zi’, që ruan kaltërsinë edhe kur përzihet me ujërat e lumit Vjosë. Ky peizazh ka vlera mjedisore të pazëvendësueshme, tepër çlodhës dhe rekreativ për vizitorët. Frekuentohet nga vizitorë vendas dhe të huaj. Gryka e Këlcyrës është vendi i përshtatshëm për ushtrimin e sporteve ujore, si; kajakët , kanoet, etj.

SHPELLA NIVICES
Shpella e Nivicës ndodhet në afërsi të fshatit Nivicë të rrethit Tepelenë. Ka një gjatësi deri në disa km, gjerësi mesatare rreth 15m, ndërsa thellësia arrin deri në disa dhjetëra metra. Janë formuar nga erozioni i përroit të Nivicës, pjesë e atij të Bencës, në shkëmbinjtë gelqerorë. Shpatet e kanionit janë vertikalë, kanë guva e shpella karstike shumë të vështira për t’u eksploruar. Kalimi përgjatë fundit të kanionit është i vështirë, pasi ka dhe pragje me lartësi deri disa metra. Pamja e tyre madhështore, gjelbërimi në të dy anët e tyre, i bëjnë ata tërheqës. Kanë vlera shkencore didaktike e turistike.

UJERAT TERMALE NE LESKOVIK
Ndodhen 10 km në jug-lindje të qytetit të Leskovikut pranë kufirit me Greqinë. Këto ujëra përmbajnë sasira të vogla kripërash minerale, ndërsa temperatura e tyre lëviz ndërmjet 28ºC dhe 40ºC. Janë mjaft të favorshme dhe kanë efekte kurative. Pranë këtyre burimeve, ka struktura të cilat ofrojnë shërbimet e tyre për akomodim, fjetje, bare, restorante, etj.

4,768 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Trashegimia Kulturore

| Shqipëri, Shqipëria Jugore, Turizëm | 12 June 2011

QYTETI I LASHTE I ANTIGONESE
Antigonea u themelua më 295 p.e.r nga Piroja, mbreti Epirit dhe u ndërtua në shekullin pasues në vendin e një qendre të hershme ilire. Emrin e mori për nder të gruas së tij të parë, vajza e mbretit të Egjiptit. Objektet e gjetura në rënojat e qytetit të lashtë dëshmojnë për pasurinë e qytetit dhe historinë e tij të hershme. Këtu është gjetur edhe një statujë e vogël bronxi e bukur e Poseidonit, e cila aktualisht gjendet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Këto dhe objekte të tjera, tregojnë për lidhjet me detin dhe me Amantian, si dhe qytetet e Gjirit të Vlorës.

Në gërmimet e Antigonesë, janë gjetur disa kishëza të periudhës së shekullit të VI p.e.r.

KESHTJELLA E GJIROKASTRES
Eshtë një fortesë e madhe me vendosje të mrekullueshme, duke sunduar gjithë luginën e Drinosit. Brenda saj ndodhen Muzeu Kombëtar i Armëve, një ekspozitë e mjeteve ushtarake, ndërtesat e burgut dhe një oborr ekzekutimi.

Nga gërmimet e bëra brenda kalasë, janë gjetur objekte të shumta qeramike dhe enë të përdorimit shtëpiak, si; pjata, kupa dhe një mur antik që flet për një qendër banimi, i cili i përket shek të IV–III B.C. Kjo qendër banimi quhej Pirrocastra, që do të thotë kështjellë apo kamp i Piros. Por punimet për rrethimin e kësaj qendre ku është sot kështjella, filluan në shek e V të erës së re, ku dhe sot, brenda kalasë, gjendet muri rrethues i asaj kohe. Ndërtimi i saj vazhdoi disa shekuj dhe vetëm në shekullin e XII, merr formën e një kalaje, por jo siç është sot.

Kur del nga Kështjella kalon nëpër një rrugë, ku në të dy anët e së cilës ka 200 shtëpi të ndërtuara me gurë. Brenda në fortesë gjendet xhamia e Pajazut Khanit, në veri të fortesës është tregu i vjetër dhe quhet pazari i kalasë me 40 dyqane.

Tregu ka dy porta, që në darkë mbyllen. Ndërtimi i qytetit jashtë mureve, e ka zanafillën në shek e XIII, ku numri i familjeve u rrit dhe nuk i merrte më vendi. Kështu lindi një qendër e re banimi, të cilën në vitin 1336 e quajtën Argjirokastron. Në fund të shekullit XIV e gjejmë me emrin Gjinokastër, emër të cilin e merr nga tradita e pagëzimit të emrave të qyteteve të asaj kohe, me emrat e sundimtarëve të tyre.

Kalaja e Gjirokastrës shërben sot, si vend ku zhvillohen aktivitete artistiko-kulturore dhe muzikore.

MUZEU I ARMEVE GJIROKASTER
Muzeu i Armëve ndodhet në brendësi të kështjellës së Gjirokastrës. Ai përmban materiale që paraqesin zhvillimin e armëve në Shqipëri që nga kohët më të lashta e deri në ditët e sotme. Numri i madh i armëve dhe pajisjeve ushtarake nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, kanë interes kryesisht për specialistët, duke përmendur këtu një tank italian të vendosur në këndin më të largët. Ka gjithashtu edhe disa armë karakteristike të periudhës së vonë osmane. Të ekspozuara janë edhe një kontigjent armësh të periudhës së Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar.

MUZEU ETNOGRAFIK I GJIROKASTRES
Gjendet në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Njihet ndryshe si shtëpia e lindjes së ish diktatorit Enver Hoxha. Aktualisht vizitohet nga shumë turistë dhe të interesuar për traditën, kulturën dhe etnografinë shqiptare.

KESHTJELLA E ALI PASHE TEPELENES
Kështjella e Tepelenës përbën një vendbanim të hershëm Ilir të ngritur në një pikë strategjike në kryqëzimin e rrugëve, gjatë lumit Vjosë dhe Drino. Këtë Kala, turqit e rrënuan gjatë rrethimit të vitit 1492. Prej saj ruhen vetëm pak gjurmë në pjesën veriore, ndërsa më vonë kjo Kala u rindërtua nga turqit. Sot është në gjendje të mirë. Ali Pasha është një figurë komplekse që lartëson emrin e Tepelenës, biri i Veliut dhe Hankos (bija e beut të Konicës). Kur ishte 14 vjeç i vdiq i ati.

Nëpërmjet trimërisë dhe krushqive, ai bëri një karrierë brilante. Në vitin 1784 fitoi gradën e ”Pashait”, pranë Veliut të Rumelisë. Po në këtë vit siguroi me luftë qeverisjen e sanxhakut të Delvinës. Në vitin 1786-1788 u bë qeveritar i sanxhakut të Thesalisë dhe shtiu në dorë qeverisjen e sanxhakut të Janinës, ku duke mbrojtur interesat e çifligarëve të rinj dhe të borgjezëve tregtarë, e ktheu Janinën në qendër të tregut ndërkombëtar të Rumelisë së Jugut.

KESHTJELLA E LIBOHOVES
U ndërtua në vitin 1796 –1798. Kjo Kala ka qenë dhuratë e Ali Pash Tepelenës për motrën e tij, Shanisha, e martuar në Libohovë. Eshtë objekt i vizitueshëm dhe me interes për turistët e apasionuar pas historisë.

2,833 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Tepelena

| Shqipëri, Shqipëria Jugore, Turizëm | 12 June 2011

Ngrihet mbi bregun e lumit Vjosa, rreth 3 km larg bashkimit të tij me Drinosin, mbi një ngritje shkëmbore. Emri Tepelenë do të thotë Kodra e Helenës, sepse, sipas legjendës, vendi kishte pasur besëlidhje me fshatrat fqinjë të Damesit e të Dragotit, nën mbretëreshën vendase, Helenën.

Tepelena është vendlindja e Ali Pashë Tepelenës. Ndonëse nuk ka madhësinë fizike dhe madhështinë e kështjellave në Berat, Shkodër, Gjirokastër, ajo ka një atmosferë të veçantë, që e kanë ndjerë në të kaluarën shumë vizitorë prej botës anglo-saksone.

Ali Pasha është një figurë komplekse që lartëson emrin e Tepelenës, biri i Veliut dhe Hankos (bija e beut të Konicës). Kur ishte 14 vjeç, i vdiq i ati. Nëpërmjet trimërisë dhe krushqive ai bëri një karrierë brilante. Në vitin 1784 fitoi gradën e ”Pashait”, pranë Veliut të Rumelisë.

Po në këtë vit,siguroi me luftë qeverisjen e sanxhakut të Delvinës. Në vitin 1786-1788 u bë qeveritar i sanxhakut të Thesalisë dhe shtiu në dorë qeverisjen e sanxhakut të Janinës. Mbrojti interesat e çifligarëve të rinj dhe të borgjezëve tregtarë dhe e ktheu Janinën në qendër të tregut ndërkombëtar të Rumelisë së Jugut..

2,754 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Permeti

| Shqipëri, Shqipëria Jugore, Turizëm | 12 June 2011

Ndodhet në juglindje të Shqipërisë. Në kohët antike ajo quhej “Trifylia” dhe banohej nga fisi ilir i Parauejve, që banonin pranë lumit që sot quhet Vjosa.
Të dhënat historike tregojnë se Përmeti qysh në lashtësi ishte i pajisur me pazare, dyqane, magazina, hane, etj. Ato që përbëjnë të veçantat e këtij qyteti janë: mikpritja, nikoqirllëku, tradita në ndërtimet dhe rregullimet e mjediseve të shtëpive, etj.

Shquhet për figurat historike siç janë: Vëllezërit Frashëri, emblema e Përmetit, skulptorët Odhise Paskali e Jani Paço, historianët Stefanaq e Kristo Frashëri, shkrimtari Nonda Bulku, Sejfulla Malëshova, violinisti Tedi Papavrami, aktori Naim Servet Frashëri, etj.

Ndër monumentet e vizitueshme në Përmet, përmendim Shtëpinë e Vëllezërve Frashëri, banesat e shumta tipike, kishat e Shën Mërisë në Kosinë (shek.XII), Ura e Limarit mbi lumin e Zagorisë, etj. Të gjitha këto objekte dëshmojnë kulturën e këtij qyteti.

Përmeti dallohet gjithashtu për traditën në zejtari, argjendari, qëndistari, punimet e metalit, gurit dhe drurit. Dallohet kjo zonë për shoqërimin e valleve qytetare me instrumentin e quajtur “saze”, që njihet mjaft brenda dhe jashtë vendit.

3,109 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Gjirokastra

| Shqipëri, Shqipëria Jugore, Turizëm | 12 June 2011

Eshtë shpallur “Qytet Muze” në vitin 1961 dhe në vitin 2005 Pasuri Botërore “UNESCO”. Eshtë qyteti kryesor i pjesës jugore të vendit. Në zanafillën e vet ka qenë vendbanim ilir, i lidhur me fisin Argjiroi. Gjirokastra ka edhe një prejardhje sipas një legjendë, e cila thotë se u themelua prej një princeshe me emrin Argjiro. Qyteti përmendet në kujtimet e kronikantit bizantin John Kantakuzenit, si fortesë e familjes së Zenebisheve. Me 1417 ra në dorë të turqve dhe u shndërua në një qendër të rëndësishme të pushtetit osman dhe administratës për qindra vjet, duke u bërë qendra e Sanxhakut të Shqipërisë së Jugut.

Gjirokastra ka qenë teatri i shumë ngjarjeve të rëndësishme në historinë e vendit, e vendosur në një zonë veçanërisht të ndjeshme dhe me rëndësi strategjike nga ana ushtarake, duke qenë fare afër kufirit me Greqinë:. Këtu ka lindur shkrimtari i njohur Ismail Kadare.

Ismail Kadare
Lindi në vitin 1936, Studjoi Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe më pas vazhdoi studimet e tij në universitetin “Gorki” në Moskë. Pas prishjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovietik në 1961, u kthye në atdhe. Filloi punën si gazetar. U bë i njohur me novelën e tij të parë “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, të cilën e shkroi midis viteve 1962 dhe 1966.
Më pas, kjo novelë shërbeu si subjekt për filmin e realizuar me të njëjtin titull, ku rolin kryesor e luajti aktori i mirënjohur italian, Marcello Mastrojani. Suksese të vazhdueshme njohu karriera e shkrimtarit brenda dhe jashtë vendit. Sot ai përfaqëson ikonën e letërsisë shqiptare, shkrimtari më i përkthyer dhe më i shitur jashtë vendit, disa herë kandidat për OSCAR dhe i kurorëzuar me shumë çmime honorifike të letërsisë botërore. Në vitin 2005 u kurorëzua me çmimin “Man Booker International”. Eshtë një nga figurat, me të cilat Shqipëria dhe letërsia shqiptare krenohet.

2,269 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Erseka

| Shqipëri, Shqipëria Jugore, Turizëm | 12 June 2011

Eshtë një qytet i ri i krijuar në fillimet e shek. të XVIII-të. Ai shtrihet në rrëzë të malit të Gramozit në lartësi 1050 m. mbi nivelin e detit. Zbulimet arkeologjike tregojnë se kjo trevë ka qenë banuar qysh në epokën e neolitit ( 6000-3000 vjet p.e.re). Objekte dhe sende të gjetura e vërtetojnë këtë. Shumë prej tyre ruhen ende sot në Muzeun Historik Etnografik të qytetit të Ersekës.

Nga kjo trevë kanë dalë ideologë të shquar, publicistë të zot, mesues të talentuar dhe të përkushtuar, luftëtarë dhe kapedanë trima, si Fan Noli, Jani Vreto, Petro Nini Luarasi, Themistokli Germenji, etj. Erseka, si shumë krahina të tjera, ka traditën dhe zakonet e veta të ruajtura mirë dhe përcjellja me fanatizëm tek brezat e rinj.

2,559 shikime gjithsej, 2 shikime sot