Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Korca

| Shqipëri, Shqipëria Lindore, Turizëm | 12 June 2011

Përsa i përket tërësisë së gjithanshme të aspektit të zhvillimit, Korça është kryeqendra e Shqipërisë Juglindore, me histori, e traditë të pasur dhe me arsim e kulturë të zhvilluar. Si trevë, ky qytet është banuar qysh në kohët më të lashta dhe për më tepër ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për shtrirjen e kishës bizantine në Shqipëri.

Gjetjet e periudhës së neolitit dëshmojnë se vendi është vazhdimisht i banuar për rreth 6000 vjet me rradhë. Nga epoka në epokë ka patur kapërcime dhe përparime të ndjeshme kulturore. Territori ku ndodhet sot qyteti shtrihet mbi nje vendbanim Ilir, i cili mendohet të ketë lidhje me kulturen e Barçit (zonë pranë Korçës, ku janë gjetur tomba të periudhës Ilire).

Në historinë e erës së re, Korça përmendet për herë të parë në shekullin e XV, kur u themelua si qytet dhe u zhvillua më tej si qendër tregtare dhe artizanale. Në gjysmën e dytë të shekullit të XIX qyteti i Korçës u shëndrua në qendrën më të madhe ekonomike, tregtare, e kulturore të vendit, si një urë lidhëse ndërmjet kulturës lindore dhe asaj perëndimore dhe portit të Selanikut e atij të Durrësit.

Edhe në ditët e sotme Korça përfaqëson një prej qyteteve më të këndshme dhe me kulturë qytetare të Shqiperisë. Gjatë një vizite në këtë qytet mund të vizitoni Katedralen Orthodokse ( më e madhja në Shqipëri), lagjet e banuara midis bulevardeve “Shën Gjergj” dhe “Republika”, të cilat ruajnë brenda tyre rrugicat tipike të shtruara me kalldrëm, muzeun e artit mesjetar shqiptar, si dhe pazarin e vjetër të Korçës që ka qënë një nga qendrat më të rëndësishme tregtare të Ballkanit.

Gjithashtu Korça është veçanërisht e shquar për këngët e saj karakteristike, të njohura ndryshe, si “serenatat korçare”, të cilat shoqërohen me kitarë. Një ndër aktivitetet më të bukura të qytetit të Korçës janë edhe ditët e organizmit të karnavaleve. Organizimi i kësaj feste njihet si një ndër më tipiket e këtij lloji në vend dhe zakonisht festohet në prag të festës së Pashkëve Ortodokse

Zonat rreth qytetit ofrojne gjithashtu shume për vizitorin. Kështu pak kilometra larg qytetit gjenden pikat malore të Dardhës, Voskopojës, Vithkuqit, Boboshticës, Parku Kombëtar i Bozdovecit etj

2,223 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Elbasan

| Shqipëri, Shqipëria Lindore, Turizëm | 12 June 2011

Ndodhet në pjesën qendrore të Shqipërisë dhe përcaktohet si qyteti i tretë i vendit për nga madhësia. Ai gjendet në një distancë prej 54 km larg nga kryeqyteti dhe 82 km nga porti kryesor i Durrësit. Që nga thellësia e kohërave Elbasani ka qenë një vendbanim i lashtë i ndodhur në kryqëzimin e rrugëve perëndim –lindje dhe veri – jug. I njohur fillimisht me emrin “Skampa”, shek II i e.s, ka qenë stacioni i parë i rëndësishëm pas qytetit të Durrësit në rrugën e famshme romake “Via Egnatia”. Më vonë emërtimi ndryshoi në Hiskampis dhe në vitin 509 u shfaq si qendër peshkopate. Vendbanimi i vjetër u rrënua nga dyndjet e barbarëve dhe në shekullin e XV u rishfaq me emrin Valmi.

Në vitin 1466 Sulltan Mehmeti i II duke mos arritur të marë kalanë e Krujës në luftën me Skënderbeun, e vendosi ushtrinë e tij në fushën e Elbasanit dhe rindërtoi kalanë, si dhe muret e qytetit duke e quajtur atë “ ILBASAN” ( vend që sundon).

Elbasani i rindërtuar filloi të popullohej me shpejtësi dhe në shekullin e XVI u kthye në qendër sanxhaku, sipas ndarjes administrative të perandorisë Otomane. Përgjatë historisë së tij Elbasani luajti një rol të rëndësishëm në arsimimin e kombit shqiptar dhe në vitin 1909 u arrit krijimi i të parës shkollë të mesme shqiptare e emërtuar “ Normalja e Elbasanit” . Nga kjo krahinë janë ikonografët e famshëm shqiptar Onufri dhe Kostandin Shpataraku, si dhe linguisti mjaft i shquar i gjuhës shqipe në shekullin e XIX, Kostandin Kristoforidhi.

Objektet më të rëndësishme për tu vizituar në qytet janë kalaja (shih Kalate), xhamia e Nazireshës shek XVII ( është rast i rrallë mbasi është një xhami me emër gruaje), hamami i shekullit të XVI, kisha e Shën Mërisë në kala, muzeu Etnografik , kulla e sahatit etj.

Rreth 4 km larg nga qyteti i Elbasanit ndodhet manastiri i Shën Gjon Vladimirit, i ndërtuar në atë vend nga princi shqiptar Karl Topia, në vitin 1382. Në këtë manastir ndodhet edhe varri i princit Karl Topia. Prane qytetit ndodhen lixhat e famshme të njohura që prej periudhes romake, të cilat shquhen për vetitë kuruese të ujrave termale

2,681 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Ardenica

| Shqipëri, Shqipëria Qendrore, Turizëm | 12 June 2011

Manastiri është i tipit bizantino-ortodoks. Ai, së bashku me konaket që i janë shtuar më vonë, zë një sipërfaqe prej 2.500 m2. Ky monument përbëhet nga kisha e Shën Mërisë, kapela e Shën Triadhës, konaket, mulliri vajit, furra, stalla, etj. Në qendër të tij ndodhet kisha “Lindja e Shën Mërisë”, e cila është ndërtuar pjesërisht me gurë të sjellë nga Apollonia dhe gurë shtufi. Kisha është e tipit Bazilikal. Ajo zë një vëllim të madh dhe është e mbuluar nga një çati druri me tavan të rrafshët.

Mjediset që përbëjnë këtë kishë janë: naosi, narteksi, egzonarteksi dykatësh, ku në fund u bashkangjitet këmbanorja e lartë 24 m. Në anën jugore ndodhet portiku i hapur i ndërtuar me kolona dhe harqe. Naosi përbëhehet nga tre pjesë, të cilat ndahen në dy rreshta kolonash prej druri. Naosi ndahet nga altari me anë të ikonostasit. Dyshemeja e kishës është shtruar me pllaka guri, e cila përfshin edhe ambientet e narteksit dhe egzonarteksit. Në vitin 1743, me nismën e peshkopit të Beratit, Metodit, i cili ishte me origjinë nga Bubullima (Myzeqe), u bënë në këtë manastir punime rregulluese, përfshirë edhe kishën e Shën Mërisë.

Kapela e Shën Triadhës shtrihet në pjesën verilindore të manastirit dhe ka përmasa 7.50 x 3.70m. Hyrja e saj është në anën perëndimore dhe është e pajisur me dy dritare të vogla në faqen jugore. Kjo kapelë është ndërtuar me gurë shtufi dhe është e pajisur me një hapësirë muri gjysmërrethor, e cila e ndan atë nga një sternë uji. Porta e kapeles është mbuluar me harkë guri, ndërsa pranë dritares lindore të saj ndodhet edhe një reliev qeramike.

1,440 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Trashegimia Natyrore e Shqipërisë

| Shqipëri, Shqipëria Qendrore, Turizëm | 11 June 2011

ZONA MALORE E POCEMIT( VJOSE-MALAKASTER)
Gjendet pranë lumit Vjosë me sipërfaqe 2.5 km2, e gjelbër dhe e pyllëzuar me drurë të mëdhenj, kryesisht rrepe, shelgje, ilqe, etj dhe me burime uji të pashtershëm në dimër dhe verë. Në këtë zonë janë ngritur dhe disa lokale karakteristike. Kjo zonë ndodhet 4-5 km larg rrugës nacionale Ballsh-Tepelenë në jug të qytetit të Ballshit.
Në këtë zonë gjendet një monument natyre “Rrapi i Vodicës” ( Komuna Kute). Eshtë një rrap madhështor, në hije të të cilit janë dy burime me ujë të ftohtë, ndodhet diku midis fshatit Symiz dhe Drizar. Përreth ka pyll me dafina e shumëllojshmëri drurësh të tjerë. Rruga që të çon në këtë mrekulli është e pa asfaltuar. Ndodhet 2-3 km larg rrugës nacionale Ballsh-Tepelenë.

Eshte një rrap madhështor, në hije të të cilit janë dy burime me ujë të ftohtë, ndodhet diku midis fshatit Symiz dhe Drizar. Përreth ka pyll me dafina e shumëllojshmëri drurësh të tjerë. Rruga që të çon në këtë mrekulli është e pa asfaltuar. Ndodhet 2-3 km larg rrugës nacionale Ballsh-Tepelenë.

Shpella e Lakuriqit
Eshtë një shpellë e pafundme, e cila nuk është eksploruar, është shumë e hershme, nuk frekuentohet. Ndodhet në fshatin Kremenar K.Fratar, 5-6 km larg qendrës së komunës (Dames) dhe rrugës nacionale Ballsh–Tepelenë. Ofron mjaft, sidomos për të apasionuarit pas speleologjisë me format e larmishme, si stalagtide, stalagmite, etj.

MALI I TOMORRIT
Mali i Tomorrit me një sipërfaqe prej 4.000 ha, është shpallur Park Kombëtar që prej vitit 1996. Bukuritë natyrore të parkut janë evidente në çdo stinë. Gropat, shpellat e kësaj faqe kanë legjendat e tyre. Në malin e Tomorrit ka shumë pyje dhe livadhe. Në lartësinë mbi 1000 m. takohen kryesisht pyjet e ahut, ndërsa mbi lartësine 1600 m kemi pyjet e rrobullit.
Në këtë zonë ka shumë bimësi barishtore në të cilat dallohet çaji i malit në pjesën jugore të parkut. Ne Malin e Tomorrit gjenden shume kafshe te egra si ariu i murme, ujku, dhelpra, macja e eger etj. Mali Tomorit, peisazhi i larmishem, bota e pasur bimore e shtazore përbëjnë një potencial për ushtrimin e disa lloj aktivitetesh në natyrë si dhe një ekosistem të pasur dhe me mjaft vlera shkencore.

KANIONI I OSUMIT
Fillojnë në Hambull dhe përfundojnë në qytetin e Çorovodës. Kanë një gjatësi prej 15 km dhe gjerësi në fundin e vet deri në tre metra. Përfaqësojnë një bukuri unikale, të cilat duke kaluar nëpër blloqe gëlqerore kanë krijuar lugina të tipit të kanioneve. Janë nga kanionet më të bukura dhe më interesantet në Shqipëri. Ato kanë një gjatësi prej 15 km dhe gjerësi në fundin e vet, deri në tre metra. Këto kanione janë ideale për ushtrimin e sportit të rafting.

KANIONI I GRADECIT
Kanioni i Gradecit është pranë Shpellës së Pirogoshit në luginën e lumit Osum. Ky është një kanion me një gjatësi prej 4 km, shpatet e tij thikë shkojnë deri në 40 m, kurse në fundin e shtratit të lumit ka një gjerësi deri në 1,5 m. Ky kanion përshtatshme për ushtrimin e sportit të kayakeve.

SHPELLA E PIROGOSHIT
Ajo është shpella më e lartë në Shqipëri. Eshtë vendosur 450 m. mbi nivelin e detit, 3 km në verilindje të Çorovodës, në faqen veriore të kanionit të Gradecit. Shpella e Pirogoshit ka një hyrje të gjerë 12 m dhe një lartësi 4-5 m. Gjatësia e eksploruar deri tani është 1853 m. Kjo shpellë ngjall interes për vizitorët, për shkak të dy koridoreve, ai me drejtim nga lindja me gjatësi 380 m, ndërsa tjetri vazhdon më tej. Shpella është lehtësisht e kalueshme dhe në brendësi të saj mund të gjesh stalaktide dhe stalagmite. Ka vende ku terreni është i mbuluar me mikro-organizma, të cilët të krijojnë idenë, se shpella është e mbuluar nga një “tapet” i ngurtë dhe i bardhë.

2,721 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Trashegimia kulturore

| Shqipëri, Shqipëria Qendrore, Turizëm | 11 June 2011

BYLISI
Kështu quhet qyteti ilir pranë fshatit Hekal të Mallakastrës. Bylysi u formua si qytet në shekullin e III B.C., duke lulëzuar si qendër politike, ekonomike dhe kulturore e bashkësisë byline, në të cilën bënte pjesë. Qyteti qeverisej nga një këshill dhe nënpunës të përvitshëm. Në vitin 230-146 B.C. preu monedhat prej bronxi që u përdorën në trevat e tij dhe jashtë. Prodhimet e punishteve të Bylisit konkuronin me prodhimet e Apollonisë
Muri i Qytetit
Muri rrethues i Bylisit, është një nga muret më të ruajtura dhe është ndërtuar në çerekun e dytë të shekullit të IV B.C. Ai ka një gjatësi prej 2250 m, gjerësi 3,50 m dhe lartësi nga 8-9 m dhe rrethon një sipërfaqe prej 30 ha. Ky mur ka formën e trekëndëshit. Qyteti Bylisit përbëhej prej disa zonave dhe objekteve, si Agora, që shërbente për strehimin e banorëve të fshatrave dhe pasurisë së tyre në raste lufte.

Teatri ka qenë pjesë e qytetit, i cili u ndërtua në mesin e shekullit III B.C. Për ndërtimin e këtij teatri është gjetur këndi juglindor i Agorasë. Vizitorët që hynin nga porta katër, i shfaqej menjëherë teatri dhe stadiumi. Në hyrje të teatrit janë dy bazamente, në të cilat kanë qenë vendosur dy skulptura, njëra prej të cilave mendohet të ketë qenë e Dionisit. Shkallët e teatrit kanë formën e një gjysmë rrethi me diametër 78 m. Ky teatër ka pasur 40 shkallë dhe numri i përgjithshëm i spektatorëve ka qenë mbi 7500 vetë, duke e vendosur teatrin e Bylisit pas atij të Apollonisë dhe Foinikut.
Sot ruhet pjesërisht Bazelika C. Eshtë një kishë mesjetare me gjatësi 33 m. dhe gjerësi 22.8 m. Në ambjentet e brendshme të saj mund të vërrehen mozaike me motive gjeometrike, bimore dhe figura njerëzish mjaft interesante për t’u vizituar. Gjimnazi në jug të bazelikës C, në rrënojat e një godine shoqërore, është identifikuar me gjimnazin e qytetit, për shkak të planimetrisë së saj katërkëndëshe me një rradhë kthinash të vendosura brenda një oborri të brendshëm. Kjo godinë është ngritur në shekullin e III B.C. Terma e Justilianit, banja me ngrohje qëndrore, ndërtimi i së cilës daton me periudhën e Justinianit, ka formën e një katërkëndëshi me përmasa 24.50 m x 6.40 m.

Stadiumi paraqet një zgjidhje të veçantë, në krahasim me stadiumet e tjerë të qyteteve antikë. Për shkak të përshtatjes ndaj terrenit, ai ka vetëm një krah që mbështetet në pjerrësinë e kodrës. Ajo u ndërtua në mesin e shekullit të III B.C. Ky stadium ka 19 shkallë me lartësi 0.30 m dhe gjerësi 0.40 m. Këto përmasa tregojnë se spektatorët nuk mund të ndiqnin shfaqje të ulur, por në këmbë.

Në pjesën juglindore të stadiumit, gjatë gërmimeve, janë gjetur disa tesera me mbishkrimin Bullis dhe me një vrimë në mes. Këto nuk janë gjë tjetër, veçse bileta, të cilat lidheshin me rrip dhe mbaheshin në mes për t’u futur në stadium ose teatër, ngaqë veshjet e asaj kohe nuk kishin xhepa.
Katedralja, është një tjetër objekt mjaft interesant, e përbërë nga Bazilika, Baptisteri dhe kompleksi peshkopal. Eshtë një nga monumentet më të rëndësishme të qytetit antik të Bylisit. Kjo katedrale ka pësuar disa rindërtime në shekullin IV A.D, në vitin 470 dhe e fundit në vitin 547 A.D. Mbas çdo rindërtimi, këtij monumenti i shtohej nga një pjesë.

Bazilika e katedrales, ka një trajtë shumë më të pasur se bazelikat e tjera të Bylisit, gjatësia e së cilës arrin 67m. Dyshemeja e kthesës para se të hysh në kishë, është shtruar me mozaike që përbëjnë sipërfaqen më të madhe me mozaikë të zbuluar deri tani në territorin e Shqipërisë. Motivet dhe skenat janë tepër të larmishme si nga jeta e përditshme e barinjëve, nga jeta e peshkatarëve, etj. Muret e kësaj katedrale kanë qenë të veshura me afreske të ndryshme. Në ditët e sotme kanë mbetur vetëm ato me motive gjeometrike. Në fillim të shekullit të V në Bylis u vendos peshkopata e Bylisit dhe Apollonisë.

Në zonën e Bylysit është zbuluar ndër të tjera dhe një bazilikë peshkopale me mozaikë që ka motive pleokristjane të shekullit të V. Bylysi u rrënua gjatë dyndjeve barbare të shekullit VI. dhe qendra peshkopale u shpërngul në Ballsh, duke e shndërruar atë në një destinacion të një rëndësie të veçantë historik.

Epitafi i GLLAVANICES
Mjaft e njohur për botën shkencore evropiane në shek XIX-të, monumenti mban datën e mbishkrimit 22 Mars 1373. Me një sfond të gjelbër dhe me fije ari dhe argjendi, ai është qëndisur nga familja e Arianitasve në shek XV-të dhe është gjetur në kishën “Katedralja e Fjetjes së Shën Mërisë”.
Në qendër është figura e Krishtit me kurorën e gjëmbave në kokë dhe në cepa gjenden kokat e katër shenjtorëve. Epitafi ka gjithashtu të qëndisur mbishkrimin “Ti që zotëron jetën”. Epitafi i Gllavenicës është ekspozuar në Paris në vitin 1974, si vepër shqiptare me vlera unikale. Tani ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar ku u riekspozua në vitin 1995.

KALAJA E BERATIT
Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekullin e IV-II p.e.re. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brëndësi të kësaj kështjelle, ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar këtë kështjellë.

Disa prej tyre janë: Kisha e Shën Triadhës, i përket fundit të shek.XIII dhe fillimit të shek. XIV. Në brendësi të saj ka afreske mjaft interesante. Pas kishës së Shën Todrit gjenden kishat e Shën Kollit, Shën Kostandinit, Shën Helenës, Shën Mërisë Vllaherna, etj.

Katedralia “Fjetja e Shën Marisë”, sot Muzeu i Artit Mesjetar, është mjaft interesant për t’u vizituar. Eshtë ndërtuar në fund të shekullit XVII dhe u përfundua në vitin 1797. Eshtë një ndërtim tipik i periudhës Osmane, me një bazelikë me tre kube. Brenda ka zbukurime të shumta, ikonostasi me gdhendje të shumta, i cili i përket vitit 1806 dhe e ka gdhëndur mjeshtri Beratas Stefani.

Muzeu Ikonave Onufri, ndodhet në lagjjen Kala dhe përmban disa nga shembujt më të bukur të artit fetar në Shqipëri. Muzeu u hap në vitin 1986 dhe emrin e ka marrë prej piktorit të madh të shek. XVI të shkollës shqiptare Onufri. Ka gjithsej tre salla, në të cilat janë vendosur ikona të shumta të shenjtorëve, si dhe tekstile e sende të vogla prej metali, objekte të punuara për përdorim gjatë liturgjisë, kapakë të biblës të bërë në Berat nga mjeshtri Agathangjel Mbrica, etj.

Stili i përdorur në ikonat e ekspozuara, është i lidhur ngushtë me shkollën e ikonografisë, që ishte zhvilluar në artin bizantin gjatë perandorit Gjon Paleologu, kurse puna e piktorëve shqiptarë u mbështet dhe zhvilloi më tej një traditë tashmë 200 vjeçare.

Kisha e Shën Mëhillit
Në një varg shkëmbinjsh jashtë perimetrit të murit, ndodhet Kisha e Shën Mëhillit që i përket afërsisht viteve 1300. Eshtë e njohur për ndërthurjen e teknikave evropiane të ndërtimit me atë bizantine. Për të vajtur te kjo kishë është mjaft e vështirë, pasi terreni është i thyer. Duket mjaft mirë nga poshtë qytetit anës lumit Osum.
Rrënojat Xhamisë së Bardhë
Brënda kalasë gjenden muret e brendëshme, ato janë ndërtuar mbi themelet e mureve ilire, me rindërtim të mëvonshëm bizantin dhe turk. Në mbyllje të këtij muri gjenden rrënojat e Xhamisë së Bardhë dhe një larmi ndërtesash ushtarake për banim dhe në anën më të largët ndodhet një sterë.

LAGJJA GORICE – KISHA E SHEN SPIRIDHONIT
Ndodhet përballë lagjes Mangalem, në anën tjetër të lumit Osum. Nisur nga emri, kjo lagje mund të ketë qënë vendbanim i dikurshëm sllav, sepse Gorica do të thotë “mal i vogël”. Gorica është interesante për t’u vizituar, sepse ndërtesat, banesat janë të ngjashme me kullat e Gjirokastrës, shenjë kjo e masave mbrojtëse, duke qenë se ndodhet në anën tjetër të lumit.

Në lagjen Goricë ndodhet Kisha e Shën Spiridhonit, e cila në anën lindore ka një harkadë të jashtme të gjatë, që ka sipër një kamare të vogël. Mbi portën kryesore mjaft tërheqëse të pikturuar, paraqitet Shën Spiridhoni dhe Shën Mitri. Eshtë një kishë e madhe, që e ka zanafillën nga koha bizantine, ndërsa disa kollona të hershme ekzistojnë në hajat.
Kjo kishë u rindërtua në shekullin e XII dhe ka një ikonostas shumë të bukur druri, një galeri të sipërme të madhe dhe shkallë që të çojnë në kombanare. Nga galeria e sipërme mund të shihet mirë tavani i kungimit. Kjo kishë në fillim ka qenë manastir. Përbën një objekt kulti mjaft interesant.

URA E GORICES MBI LUMIN OSUM
Ura e Goricës mbi lumin Osum lidh qytetin me lagjen Goricë. Kjo lagje mendohet të ketë qenë një vendbanim sllav, sepse emri Goricë do të thotë mal i vogël. Shtëpitë në këtë lagje janë me rrasa. Ura është një ndërtim tërheqës i shekullit të XVII.

LAGJJA MAGALEM/ XHAMIA E BEQAREVE
Ndodhet përballë lagjes Goricë, nga e cila e ndan lumi Osum që kalon mespërmes
Eshtë një lagje tipike dhe mjaft interesante për stilin e ndërtimit të shtëpive. Në të ka disa dyqane, të cilat kanë një arkitekturë mjaft tërheqëse prej dërrase, gjë që tregon stilin tipik osman të shekullit XIX. Këtu gjendet Xhamia e Beqarëve. Kjo xhami u ndërtua më 1827 dhe është mjaft e dëgjuar për pikturat murale, që nga stili i ngjajnë asaj të Etem Beut në Tiranë.

Xhamia e ka marrë emrin nga fjala beqar dhe u ndërtua për çirakët e pamartuar të dyqaneve në qytetin poshtë kështjellës. Një tjetër objekt i vizitueshëm që ndodhet këtu, është edhe Muzeu Etnografik i Beratit, i vendosur në një banesë me arkitekturë popullore beratase.

SHTEPIA MUZE KU U MBAJT KONGRESI LUSHNJES
Kongresi i Lushnjes u mbajt në vitin 1920 në qytetin e Lushnjes. Ai hodhi poshtë politikat e Asamblesë Kombëtare të paraqitura në Konferencën e Paqes të Versajës dhe votoi për pavarësinë e plotë kombëtare të Shqipërisë. Kjo shpuri në hedhjen e themeleve të një organizimi politik modern të Shqipërisë, ndërsa Kryeqyteti u zhvendos në Tiranë. Kongresi i Lushnjes përbën një moment të rëndësishëm në historinë e Kombit Shqiptar.

KOMPLEKSI ARKITEKTONIK DHE MANASTIRI I ARDENICES
Mendohet se themelet e këtij manastiri janë hedhur në vitin 1282, me nismën e perandorit Andronik II Paleolog i Bizantit, që e ngriti atë.

Shtysë për këtë veprim do të jetë bërë ndodhja në atë vend e kapelës së Shën Triadhës, e ngritur aty, shekuj më parë. Ekziston hipoteza, se kapela mund të jetë ndërtuar në themelet e gërmadhës së një tempulli pagan, i cili ka qenë ndërtuar për nder të hyjneshës Artemisa, nga ka rrjedhur dhe emri i sotëm i Ardenicës. Fare pranë këtij tempulli, në rrethinat e të cilit sot ndodhet manastiri, kalon dega jugore e rrugës antike Via Egnatia.

Përreth manastirit, shikon aty këtu ndërtime të vjetra, të cilat tregojnë se rreth tij ka pasur një qendër të banuar. Sipas deftereve Osmane të vitit 1431-32, ndodhej fshati Ardenicë me tetë shtëpi, i cili mund të jetë shtrirë përreth manastirit. Ky manastir mbrohet nga një mur i lartë dhe hyrjen e ka në një portë druri. Porta i përket viteve 1474. Në tunelin e hyrjes menjëherë në të djathtë, ka një derë që të con në një qilar me një shtrydhës ullinj. Në qëndër të oborit të këtij manastiri ndodhet Kisha e Shën Mërisë së Virgjër qe u ndërtua në kohën e Despotit të Epirit në fillim të shekullit të XIII.

Në hajatet rreth e rrotull banonin murgjit, ndodheshin konaket e miqve si dhe dhomat për veprimtaritë tregëtare dhe ekonomike. Pjesa me e madhe e kësaj kishe është ndërtuar në shekullin e XVIII, ndërsa një mbishkrim mbi mur shënon vitin 1743. Kambanarja u rindërtua më 1925. Brenda saj kanë shpëtuar pa u dëmtuar afreske të cilat i përkasin vitit 1744, punime që janë bërë nga piktorët e dëgjuar Kostandin dhe Athanas Zografi prej Korce. Në muret lindore të kishës dhe në pjesë të ndryshme të murit rrethues shihen gurë ndërtimi nga Apollonia. Në altaret e kësaj kishe është bërë dhe kurorëzimi i martesës së heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ceremonia u zhvillua në mbasditen e 21 Prillit 1451.

1,960 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Nikaia (Klos)

| Shqipëri, Shqipëria Qendrore, Turizëm | 11 June 2011

Qyteti antik i Klosit (Nikaia) ndodhet 1 km larg Byllis-it. Ky qytet rrethohet nga një mur të gjatë rreth 1850m, duke mbuluar një sipërfaqe prej rreth 18 ha. Muri përfaqëson një nga fortifikimet e hershme të gjysmës së dytë të shek të V para Kr. në Shqipëri, me një gjerësi prej 3-3.5m me blloqe gurësh poligonalë dhe trapezoidalë.

Fortifikimi ka një hyrje të vetme dhe tre kulla mbrojtëse. Disa nga monumentet kryesore janë teatri i vogël, shëtitorja (Stoa) dhe gjurmët e stadiumit. Teatri ka patur një kapacitet prej rreth 800-1000 spektatorë ku ruhen 14 mbishkrime për dhënie qytetarie, dhe daton në shekullin e III para Kr.
Shëtitorja ishte e gjatë rreth 40 m dhe e gjerë rreth 10 m. Jeta në Nikaia mbaron në 167 para Kr. kur ushtria e Paulus Aemilius pushtoi Epirin dhe një pjesë të Ilirisë së Jugut.

1,349 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Qyteti i Orikumit

| Bregdeti Jugor i Adriatikut, Shqipëri, Turizëm | 11 June 2011

Gjendet në vijim të rrugës nacionale Vlorë – Sarandë. Qyteti i lashtë i Orikumit u formua në shek. 7-6 B.C. nga kolonët grekë. Pozita e saj gjeografike, bëri që të ishte mjaft e përshtatshme për qëllime ushtarake.

Orikumi u përdor nga Romakët në lashtësi si bazë për t’u mbrojtur gjatë luftërave të tyre me Ilirët dhe në shek.3 B.C. kundër Maqedonasve, të cilët e pushtuan atë. Çesari, gjatë luftës civile Romake, vendosi aty kampet e tij për disa muaj, derisa ato u morën nga Pompei
Orikumi, nën ndikimin e këtyre fakteve u transformua në një qendër të civilizuar, gjë që e dëshmojnë edhe disa gjurmë dhe objekte arkeologjike, siç janë: pjesë të një Orkestre, teatrit të vogël, kapaciteti i të cilit mendohet të ketë qënë për 400 spektatorë, gjurmë muresh dhe rrugësh të vjetra, duken mjaft mirë edhe pse nën ujin e lagunës, Kisha e Marmiroit. Kjo kishë i përket periudhës së hershme bizantine, që i përket kohës së perandorit bizantin Teodor në shekullin e XIII.

Ajo ka një hajat të vogël 6m x 9m dhe një kupolë rreth 3m., të mbështetur mbi 4 harqe romake. Në faqen e brëndshme të mureve, ruhen fragmente të pikturave murale, të cilat kanë tiparet e kulturës bizantine

2,067 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Trashegimia Natyrore e Shqipërisë

| Bregdeti Jugor i Adriatikut, Shqipëri, Turizëm | 11 June 2011

LAGUNA KARAVASTASE
Eshtë më e madhja e vendit tonë dhe në gjithë bregdetin jugor të Adriatikut, sip. 4330 ha, gjatësia 10.6 km, gjërësia 4.3 km dhe thellësia deri në 1.5 m.
Ndahet nga deti nëpërmjet një brezi të gjërë rëre, të mbuluar nga pylli i dendur, buzë te cilit ndodhet një plazh mjaft i madh. Lidhet me detin me tri kanale, njëri prej të cilëve artificial, i hapur për nevojat e peshkimit. Nëpër këto kanale, si pasoje e baticës dhe zbaticës, rrjedhja e ujit ndryshon drejtim çdo 6 orë.

Gjatë një cikli të baticë-zbaticës, shkëmbimi i ujit me detin arrin afërsisht 1/50 e volumit të gjithë lagunës. Në brendësi të saj ka dhe ishuj të vegjël, në të cilin folenizojnë shpendët. Karakteristike në këtë zonë është kolonia e Pelikanit Kaçurrel me rreth 60 çifte që përfaqëson rreth 5% të numrit të përgjithshëm të kësaj specie në shkallë botërore. Karavastaja për këtë specie përfaqëson kufirin më perëndimor të saj. E veçantë është dhe prania e disa qindra çifteve të dallandysheve të detit.

PARKU KOMBETAR ” PISHA DIVJAKES”
Ka një sipërfaqe 1250 ha dhe ndodhet 5 km larg Divjakës dhe 40 km larg qytetit të Lushnjes. Ky park është njëkohësisht pjesë e kompleksit Laguna e Karavastasë që ndodhet nën mbrojtjen e Konventës Ndërkombëtare të Ramsarit, që nga viti 1994. Ky park përben një nga ekosistemet më të rëndësishme të gjithë vëndit. Kjo, sidomos për faunën e pasur, ku përfaqësuesi më tipik është pelikani kaçurrel që zë rreth 6.4% të popullatës botërore.

GRYKEDERDHJA DHE LUGINA SHKUMBINIT
Përbëjnë një kompleks vazhdimisht në ndryshim të përmasave dhe kontureve. Vitet e fundit ajo u zhvendos rreth 5 km më në veri. Prurja e Shkumbinit është mbi 60 m3/sek. Në përbërje të deltës hyjnë edhe lloje të tjera ekosistemesh ligatinorë: cektina detare, këneta të kripura dhe të njelmta, pyje aluviale, duna rëre, argjinatura, toka bujqësore të përmbytura në mënyrë sezonale. Ofron një peisazh shumë tërheqës për vizitorët dhe kalimtarët.

ZVERNEC – LAGUNA NARTES
Zvërneci dhe Laguna e Nartës gjënden pak kilometra larg qytetit të Vlorës, në pjesën veriperëndimore të tij. Pamja e parë mbi to mund të merret që në kodrat, nga Kriporja deri sa mbërrin në qytetin e Vlorës, përgjatë rrugës që vjen nga Fieri. Zvërneci, me ishullin e vogël të tij, ndodhen 14 km larg nga Vlora, aty ku mbaron pylli i Sodës dhe fillon laguna e Nartës. I tërë peisazhi krijon një ansambël shumë të bukur natyror, me plot kontraste, ku gjenden në harmoni bukuria me qetësinë e këtij vendi.

Jo vetëm Zverneci me ishullin dhe manastirin brenda tij, por e gjithë zona me lagunën dhe detin, përbëjnë një ekosistem shumë interesant dhe tërheqës për turistët. Me një sipërfaqe prej 41.8 km, laguna e Nartës zë të gjithë pjesën veri-perëndimore të gjirit të Vlorës dhe ndahet nga deti Adriatik me një rrip të ngushtë toke, i cili përbëhet nga duna aluvionale me gjatësi të përgjithshme 8 km dhe gjërësi 100-1400 m. Meqë laguna komunikon nëpërmjet dy kanaleve me detin, uji i saj është i kripur. Kjo ka krijuar mundësinë që rreth 1/3 e lagunës të shfrytezohet për nxjerrjen e kripës. Me interes të veçantë për t’u vizituar janë edhe dunat e Nartës.

Ato gjënden në perëndim të lagunës së Nartës, në brezin ranor që ndan lagunën me detin. Përfaqëson një grup dunash ranore, të formuara nga veprimi i erës. Gjatësia e brezit me duna arrin disa kilometra. Ato kanë lartësi deri në 5-6 m., e gjërësi deri 20-30 m. Dunat kanë vlera shkencore, estetike, turistike dhe ekonomike. Vizitohen duke ndjekur itinerarin Vlorë-Kriporja-bregdeti i Nartës-Hidrovori.

ISHULLI SAZANIT
Një udhëtim shumë i veçantë gjatë qëndrimit në Vlorë, do të ishte edhe ai me anije drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit. Udhëtimi zgjat deri në një orë dhe nisja mund të bëhet nga porti i Vlorës, ose nga limani i vogël në zonën e Plazhit të Ri.
Fillimisht mund të udhëtoni drejt ishullit të Sazanit dhe me tej në brigjet e Gadishullit të Karaburunit. Lundrimi me anije përreth tyre, krijon mundësinë që të vrojtoni peizazhe të bukura dhe unikale, të cilat reflektohen mbi kaltërsinë e sipërfaqes së ujit të detit. Ishulli i Sazanit me sip 5.7 km2 dhe gjatësi të vijës bregdetare prej 12 km, ngrihet deri 342 m. mbi nivelin e detit.

Përveç bukurisë natyrore, Ishulli i Sazanit ka qënë një nga bazat më të rëndësishme ushtarake të luftës së ftohtë. Rrënojat dhe objektet e kësaj lufte, mund të shikohen dhe sot në këtë ishull. Kjo përbën një motiv shumë të mirë për turistët që të udhëtojnë drejt ishullit. Aktualisht mungon infrastruktura turistike në ishull.

GADISHULLI KARABURUNIT
Eshtë më i madhi i vëndit, me gjatësi 16 km, gjërësi 3.5 km dhe sip 62 km2, i cili njihet jo vetëm për pasuritë e tij natyrore, por edhe për gjetjet e ndryshme arkeologjike. Në skajin më verior të gadishullit, aty ku ngushtica e ndan atë me Ishullin e Sazanit, gjëndet Shpella e dëgjuar e kapedanit legjendar të detit, Haxhi Alisë. Përgjatë brigjeve të Gadishullit të Karaburunit gjenden disa gjire dhe plazhe të vegjël, në të cilët mund të qëndrohet dhe gjatë stinës së verës e mund të bëhen banjo dielli.
Shpella e Haxhi Alisë është krijuar prej gërryerjeve nga valët e detit të shkëmbinjëve gëlqeror, që ndërtojnë bregun. Ajo është shpella më e madhe detare e vëndit tonë, me gjatësi që arrin deri 30 m, lartësi 10-15 m dhe gjërësi 9.5 m. Hyrja ndodhet në nivelin e ujit të detit, 10 m thellë. Pozicioni i saj bën të mundur strehimin e anijeve.
Haxhi Aliu u vendos aty, së bashku me të birin dhe me dy tartana, në shek 18. Shpellën e përdori për njëfarë kohe, si bazë qëndrimi në luftimet kundër anijeve luftarake të Anglisë, Venedikut, Francës.

11,171 shikime gjithsej, 132 shikime sot

Vlora

| Bregdeti Jugor i Adriatikut, Shqipëri, Turizëm | 11 June 2011

Eshtë porti kryesor i vendit, pas atij të Durrësit. Ndodhet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë, në një zonë gjeografike mjaft të bukur, përgjatë detit në perëndim dhe i rrethuar nga kodra në lindje. Përballë tij shfaqet Gadishulli i Karaburunit dhe ishulli Sazanit. Qyteti i Vlorës ka lidhje detare të rregullta me portet italiane të Brindizit dhe sezonale me Barin.

Qyteti ka një historik të pasur. Në antikitet ai njihej me emrin Aulona, emër që i’a kishin dhënë kolonistët e hershëm greke. Në mesjetë, treva e Vlorës ka qenë në qendër të konkurencës ndërkombëtare për të mbajtur sundimin e Shqipërisë. Gjatë pushtimit otoman, ajo ka përfaqësuar qendrën e këtij pushteti. Këtë e dëshmojnë edhe gjurmët e mbetura të këtij pushteti, siç janë Xhamia e Madhe në qendër të qytetit, e ndërtuar pikërisht në këtë periudhë (1542) nga arkitekti i famshëm turk Mimar Sinani.
vlora

Moment i rëndësishëm i historisë së qytetit të Vlorës është gjithashtu edhe Shpallja e Pavarësisë, para Luftës së Parë Botërore në 28 Nëntor të vitit 1912 nga Ismail Qemali, një bej vendas. Kjo shënoi një kthesë të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, pasi i dha fund sundimit 500- vjeçar otoman. Selia e qeverisë së parë të një Shqipërie të pavarur përbën sot një objekt të vizitueshëm për turistët.

Në qendër të qytetin të tërheq vëmendjen “Monumenti i Pavarësisë”, i vendosur në sheshin e Flamurit.

Një tjetër vend religjoz mjaft intersant është dhe “Kuz Baba” (sekt bektashian), i cili ngrihet në kodrën në qendër të qytetit. Nga kjo pikë, të ofrohet një pamje unike, jo vetëm e qytetit të Vlorës, por gjithë Gjirit të Vlorës.
Vitet e fundit, Vlora është shndërruar në një prej destinacioneve më të frekuentuara për turizëm det&diell dhe ka shënuar një numër në rritje të turistëve dhe pushuesve. Kjo, si rezultat i plazheve ranore dhe shkëmbore të shumtë, investimeve të shumta private në infrastrukturën turistike, investimeve publike, etj. Në Vlorë zhvillohen gjithashtu edhe sporte ajri çdo vit, të cilat ngjallin interesin e gjithë të apasionuarve për t’i ndjekur ato.

2,561 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Apollonia

| Bregdeti Jugor i Adriatikut, Shqipëri, Turizëm | 11 June 2011

Oratori i famshëm Ciceroni, i mahnitur nga bukuria e Apollonisë, e quajti magna urbs et gravis –qytet i madh dhe hijerëndë. I ndërtuar në shekullin VII para Kr. nga kolonë Grekë, të ardhur nga Korinthi dhe Korkyra, qyteti i lashtë është i vendosur rreth 11 km në perëndim të qytetit të Fierit.

Gërmimet arkeologjike tregojnë se Apollonia arriti kulmin e zhvillimit në shekujt IV-III para Kr. Në shekullin I para Kr., Oktavian Augusti studioi filozofi në Apolloni, deri kur dëgjoi për vrasjen e Çezarit në Senat dhe shkoi të bëhej perandori i ardhshëm Romak.

Qyteti ka një mur rrethues 4 km të gjatë dhe një sipërfaqe prej 137 ha. Gjatë fazave të zhvillimit të qytetit, numri i banorëve brenda mureve të tij të lartë, ka shkuar deri në 60.000. Disa nga monumentet më të vizitueshëm janë Buleterioni (Këshilli i qytetit), Biblioteka, Harku i Triumfit, Tempulli i Artemisës, Odeoni i ndërtuar në shekullin II para Kr., një Stoa dy katëshe 77 m e gjatë, një teatër me kapacitet 10.000 spektatorë, dhe Nimfeun (një depo uji monumentale me sipërfaqe rreth 2000m2), e cila është parë edhe nga Sulla, perandori Romak që vizitoi Apolloninë, sikurse tregojnë burimet antike.
apollonia_artemis

Në shek IV-III pas Kr., Apollonia pësoi dëmtime të mëdha nga disa tërmete, të cilat zhvendosën lumin Vjosa drejt jugut. E privuar nga porti i saj dhe e dëmtuar nga tërmetet dhe dyndjet Gotike, Apollonia shkoi me shpejtësi drejt rrënimit, duke humbur gjithë madhështinë e saj. Në ditët e sotme, në këtë sit mund të shkohet me lehtësi nëpërmjet qytetit të Fierit, nga ku mund të shihen pamje të veçanta të detit Adriatik dhe prapatokës.

3,013 shikime gjithsej, 3 shikime sot

Faqja 3 of 41234