Welcome, visitor! [ Register | Loginrss

Qyteti i Orikumit

| Bregdeti Jugor i Adriatikut, Shqipëri, Turizëm | 11 qershor 2011

Gjendet në vijim të rrugës nacionale Vlorë – Sarandë. Qyteti i lashtë i Orikumit u formua në shek. 7-6 B.C. nga kolonët grekë. Pozita e saj gjeografike, bëri që të ishte mjaft e përshtatshme për qëllime ushtarake.

Orikumi u përdor nga Romakët në lashtësi si bazë për t’u mbrojtur gjatë luftërave të tyre me Ilirët dhe në shek.3 B.C. kundër Maqedonasve, të cilët e pushtuan atë. Çesari, gjatë luftës civile Romake, vendosi aty kampet e tij për disa muaj, derisa ato u morën nga Pompei
Orikumi, nën ndikimin e këtyre fakteve u transformua në një qendër të civilizuar, gjë që e dëshmojnë edhe disa gjurmë dhe objekte arkeologjike, siç janë: pjesë të një Orkestre, teatrit të vogël, kapaciteti i të cilit mendohet të ketë qënë për 400 spektatorë, gjurmë muresh dhe rrugësh të vjetra, duken mjaft mirë edhe pse nën ujin e lagunës, Kisha e Marmiroit. Kjo kishë i përket periudhës së hershme bizantine, që i përket kohës së perandorit bizantin Teodor në shekullin e XIII.

Ajo ka një hajat të vogël 6m x 9m dhe një kupolë rreth 3m., të mbështetur mbi 4 harqe romake. Në faqen e brëndshme të mureve, ruhen fragmente të pikturave murale, të cilat kanë tiparet e kulturës bizantine

341 total views, 1 today

Trashegimia Natyrore e Shqipërisë

| Bregdeti Jugor i Adriatikut, Shqipëri, Turizëm | 11 qershor 2011

LAGUNA KARAVASTASE
Eshtë më e madhja e vendit tonë dhe në gjithë bregdetin jugor të Adriatikut, sip. 4330 ha, gjatësia 10.6 km, gjërësia 4.3 km dhe thellësia deri në 1.5 m.
Ndahet nga deti nëpërmjet një brezi të gjërë rëre, të mbuluar nga pylli i dendur, buzë te cilit ndodhet një plazh mjaft i madh. Lidhet me detin me tri kanale, njëri prej të cilëve artificial, i hapur për nevojat e peshkimit. Nëpër këto kanale, si pasoje e baticës dhe zbaticës, rrjedhja e ujit ndryshon drejtim çdo 6 orë.

Gjatë një cikli të baticë-zbaticës, shkëmbimi i ujit me detin arrin afërsisht 1/50 e volumit të gjithë lagunës. Në brendësi të saj ka dhe ishuj të vegjël, në të cilin folenizojnë shpendët. Karakteristike në këtë zonë është kolonia e Pelikanit Kaçurrel me rreth 60 çifte që përfaqëson rreth 5% të numrit të përgjithshëm të kësaj specie në shkallë botërore. Karavastaja për këtë specie përfaqëson kufirin më perëndimor të saj. E veçantë është dhe prania e disa qindra çifteve të dallandysheve të detit.

PARKU KOMBETAR ” PISHA DIVJAKES”
Ka një sipërfaqe 1250 ha dhe ndodhet 5 km larg Divjakës dhe 40 km larg qytetit të Lushnjes. Ky park është njëkohësisht pjesë e kompleksit Laguna e Karavastasë që ndodhet nën mbrojtjen e Konventës Ndërkombëtare të Ramsarit, që nga viti 1994. Ky park përben një nga ekosistemet më të rëndësishme të gjithë vëndit. Kjo, sidomos për faunën e pasur, ku përfaqësuesi më tipik është pelikani kaçurrel që zë rreth 6.4% të popullatës botërore.

GRYKEDERDHJA DHE LUGINA SHKUMBINIT
Përbëjnë një kompleks vazhdimisht në ndryshim të përmasave dhe kontureve. Vitet e fundit ajo u zhvendos rreth 5 km më në veri. Prurja e Shkumbinit është mbi 60 m3/sek. Në përbërje të deltës hyjnë edhe lloje të tjera ekosistemesh ligatinorë: cektina detare, këneta të kripura dhe të njelmta, pyje aluviale, duna rëre, argjinatura, toka bujqësore të përmbytura në mënyrë sezonale. Ofron një peisazh shumë tërheqës për vizitorët dhe kalimtarët.

ZVERNEC – LAGUNA NARTES
Zvërneci dhe Laguna e Nartës gjënden pak kilometra larg qytetit të Vlorës, në pjesën veriperëndimore të tij. Pamja e parë mbi to mund të merret që në kodrat, nga Kriporja deri sa mbërrin në qytetin e Vlorës, përgjatë rrugës që vjen nga Fieri. Zvërneci, me ishullin e vogël të tij, ndodhen 14 km larg nga Vlora, aty ku mbaron pylli i Sodës dhe fillon laguna e Nartës. I tërë peisazhi krijon një ansambël shumë të bukur natyror, me plot kontraste, ku gjenden në harmoni bukuria me qetësinë e këtij vendi.

Jo vetëm Zverneci me ishullin dhe manastirin brenda tij, por e gjithë zona me lagunën dhe detin, përbëjnë një ekosistem shumë interesant dhe tërheqës për turistët. Me një sipërfaqe prej 41.8 km, laguna e Nartës zë të gjithë pjesën veri-perëndimore të gjirit të Vlorës dhe ndahet nga deti Adriatik me një rrip të ngushtë toke, i cili përbëhet nga duna aluvionale me gjatësi të përgjithshme 8 km dhe gjërësi 100-1400 m. Meqë laguna komunikon nëpërmjet dy kanaleve me detin, uji i saj është i kripur. Kjo ka krijuar mundësinë që rreth 1/3 e lagunës të shfrytezohet për nxjerrjen e kripës. Me interes të veçantë për t’u vizituar janë edhe dunat e Nartës.

Ato gjënden në perëndim të lagunës së Nartës, në brezin ranor që ndan lagunën me detin. Përfaqëson një grup dunash ranore, të formuara nga veprimi i erës. Gjatësia e brezit me duna arrin disa kilometra. Ato kanë lartësi deri në 5-6 m., e gjërësi deri 20-30 m. Dunat kanë vlera shkencore, estetike, turistike dhe ekonomike. Vizitohen duke ndjekur itinerarin Vlorë-Kriporja-bregdeti i Nartës-Hidrovori.

ISHULLI SAZANIT
Një udhëtim shumë i veçantë gjatë qëndrimit në Vlorë, do të ishte edhe ai me anije drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit. Udhëtimi zgjat deri në një orë dhe nisja mund të bëhet nga porti i Vlorës, ose nga limani i vogël në zonën e Plazhit të Ri.
Fillimisht mund të udhëtoni drejt ishullit të Sazanit dhe me tej në brigjet e Gadishullit të Karaburunit. Lundrimi me anije përreth tyre, krijon mundësinë që të vrojtoni peizazhe të bukura dhe unikale, të cilat reflektohen mbi kaltërsinë e sipërfaqes së ujit të detit. Ishulli i Sazanit me sip 5.7 km2 dhe gjatësi të vijës bregdetare prej 12 km, ngrihet deri 342 m. mbi nivelin e detit.

Përveç bukurisë natyrore, Ishulli i Sazanit ka qënë një nga bazat më të rëndësishme ushtarake të luftës së ftohtë. Rrënojat dhe objektet e kësaj lufte, mund të shikohen dhe sot në këtë ishull. Kjo përbën një motiv shumë të mirë për turistët që të udhëtojnë drejt ishullit. Aktualisht mungon infrastruktura turistike në ishull.

GADISHULLI KARABURUNIT
Eshtë më i madhi i vëndit, me gjatësi 16 km, gjërësi 3.5 km dhe sip 62 km2, i cili njihet jo vetëm për pasuritë e tij natyrore, por edhe për gjetjet e ndryshme arkeologjike. Në skajin më verior të gadishullit, aty ku ngushtica e ndan atë me Ishullin e Sazanit, gjëndet Shpella e dëgjuar e kapedanit legjendar të detit, Haxhi Alisë. Përgjatë brigjeve të Gadishullit të Karaburunit gjenden disa gjire dhe plazhe të vegjël, në të cilët mund të qëndrohet dhe gjatë stinës së verës e mund të bëhen banjo dielli.
Shpella e Haxhi Alisë është krijuar prej gërryerjeve nga valët e detit të shkëmbinjëve gëlqeror, që ndërtojnë bregun. Ajo është shpella më e madhe detare e vëndit tonë, me gjatësi që arrin deri 30 m, lartësi 10-15 m dhe gjërësi 9.5 m. Hyrja ndodhet në nivelin e ujit të detit, 10 m thellë. Pozicioni i saj bën të mundur strehimin e anijeve.
Haxhi Aliu u vendos aty, së bashku me të birin dhe me dy tartana, në shek 18. Shpellën e përdori për njëfarë kohe, si bazë qëndrimi në luftimet kundër anijeve luftarake të Anglisë, Venedikut, Francës.

1,119 total views, 1 today

Vlora

| Bregdeti Jugor i Adriatikut, Shqipëri, Turizëm | 11 qershor 2011

Eshtë porti kryesor i vendit, pas atij të Durrësit. Ndodhet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë, në një zonë gjeografike mjaft të bukur, përgjatë detit në perëndim dhe i rrethuar nga kodra në lindje. Përballë tij shfaqet Gadishulli i Karaburunit dhe ishulli Sazanit. Qyteti i Vlorës ka lidhje detare të rregullta me portet italiane të Brindizit dhe sezonale me Barin.

Qyteti ka një historik të pasur. Në antikitet ai njihej me emrin Aulona, emër që i’a kishin dhënë kolonistët e hershëm greke. Në mesjetë, treva e Vlorës ka qenë në qendër të konkurencës ndërkombëtare për të mbajtur sundimin e Shqipërisë. Gjatë pushtimit otoman, ajo ka përfaqësuar qendrën e këtij pushteti. Këtë e dëshmojnë edhe gjurmët e mbetura të këtij pushteti, siç janë Xhamia e Madhe në qendër të qytetit, e ndërtuar pikërisht në këtë periudhë (1542) nga arkitekti i famshëm turk Mimar Sinani.
vlora

Moment i rëndësishëm i historisë së qytetit të Vlorës është gjithashtu edhe Shpallja e Pavarësisë, para Luftës së Parë Botërore në 28 Nëntor të vitit 1912 nga Ismail Qemali, një bej vendas. Kjo shënoi një kthesë të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, pasi i dha fund sundimit 500- vjeçar otoman. Selia e qeverisë së parë të një Shqipërie të pavarur përbën sot një objekt të vizitueshëm për turistët.

Në qendër të qytetin të tërheq vëmendjen “Monumenti i Pavarësisë”, i vendosur në sheshin e Flamurit.

Një tjetër vend religjoz mjaft intersant është dhe “Kuz Baba” (sekt bektashian), i cili ngrihet në kodrën në qendër të qytetit. Nga kjo pikë, të ofrohet një pamje unike, jo vetëm e qytetit të Vlorës, por gjithë Gjirit të Vlorës.
Vitet e fundit, Vlora është shndërruar në një prej destinacioneve më të frekuentuara për turizëm det&diell dhe ka shënuar një numër në rritje të turistëve dhe pushuesve. Kjo, si rezultat i plazheve ranore dhe shkëmbore të shumtë, investimeve të shumta private në infrastrukturën turistike, investimeve publike, etj. Në Vlorë zhvillohen gjithashtu edhe sporte ajri çdo vit, të cilat ngjallin interesin e gjithë të apasionuarve për t’i ndjekur ato.

366 total views, 2 today

Apollonia

| Bregdeti Jugor i Adriatikut, Shqipëri, Turizëm | 11 qershor 2011

Oratori i famshëm Ciceroni, i mahnitur nga bukuria e Apollonisë, e quajti magna urbs et gravis –qytet i madh dhe hijerëndë. I ndërtuar në shekullin VII para Kr. nga kolonë Grekë, të ardhur nga Korinthi dhe Korkyra, qyteti i lashtë është i vendosur rreth 11 km në perëndim të qytetit të Fierit.

Gërmimet arkeologjike tregojnë se Apollonia arriti kulmin e zhvillimit në shekujt IV-III para Kr. Në shekullin I para Kr., Oktavian Augusti studioi filozofi në Apolloni, deri kur dëgjoi për vrasjen e Çezarit në Senat dhe shkoi të bëhej perandori i ardhshëm Romak.

Qyteti ka një mur rrethues 4 km të gjatë dhe një sipërfaqe prej 137 ha. Gjatë fazave të zhvillimit të qytetit, numri i banorëve brenda mureve të tij të lartë, ka shkuar deri në 60.000. Disa nga monumentet më të vizitueshëm janë Buleterioni (Këshilli i qytetit), Biblioteka, Harku i Triumfit, Tempulli i Artemisës, Odeoni i ndërtuar në shekullin II para Kr., një Stoa dy katëshe 77 m e gjatë, një teatër me kapacitet 10.000 spektatorë, dhe Nimfeun (një depo uji monumentale me sipërfaqe rreth 2000m2), e cila është parë edhe nga Sulla, perandori Romak që vizitoi Apolloninë, sikurse tregojnë burimet antike.
apollonia_artemis

Në shek IV-III pas Kr., Apollonia pësoi dëmtime të mëdha nga disa tërmete, të cilat zhvendosën lumin Vjosa drejt jugut. E privuar nga porti i saj dhe e dëmtuar nga tërmetet dhe dyndjet Gotike, Apollonia shkoi me shpejtësi drejt rrënimit, duke humbur gjithë madhështinë e saj. Në ditët e sotme, në këtë sit mund të shkohet me lehtësi nëpërmjet qytetit të Fierit, nga ku mund të shihen pamje të veçanta të detit Adriatik dhe prapatokës.

426 total views, 1 today

Karina

| Bregdeti Jugor i Adriatikut, Shqipëri, Turizëm | 11 qershor 2011

Kalaja e Kanines

Në mesin e gjirit të Vlorës, male të larta i afrohen së tepërmi bregut, duke e ndarë atë në dy pjesë. Në këtë zonë, paksa e tërhequr në thellësi, ngrihet një kodër 379 m e lartë, në të cilën gjenden rrënojat e një qyteti të vjetër, atij të Kaninës. Pikërisht këtu, lugina e lumit të Vlorës shtyhet deri në rrëzë të kodrës, duke e lehtësuar tepër lidhjen e zonës bregdetare me hinterlandin. Faktor me rëndësi ky, pasi më në jug, malet fitojnë lartësi të madhe, ndërsa më në veri, largësia midis bregdetit me luginën e lumit të Vlorës rritet mjaft shpejt. Këto janë dhe kushtet që përcaktojnë rëndësinë strategjike të Kaninës, si ndaj kalimit nga pjesa jugore në atë veriore (dhe në të kundërt), po ashtu dhe ndaj lidhjes së trevës së lumit të Vlorës me Gjirin e Vlorës. Nga ana tjetër, kodrat përreth saj krijojnë kushte të mira për zhvillimin e blegtorisë, ndërsa në lindje gjenden troje mjaft të gjera dhe të përshtatshme për bujqësi, duke plotësuar kështu krahas pozitës strategjike dhe atë ekonomike.
kanina

Kushtet e mësipërme ndikuan në këtë vend, qysh në periudhën antike, të linde një qendër e fortifikuar, jeta e së cilës zgjat thuajse pandërprerje, deri në shekullin e kaluar. Natyrisht, roli i kësaj qendre nuk ka qenë kurdoherë i njëjtë, kështu ajo ka pasur rol të dorës së parë ose ka qenë në varësi të qendrave të tjera në funksion të kushteve ekonomiko-shoqërore të periudhave përkatëse.
Përveç kushteve strategjike dhe ekonomike, vendi plotëson dhe kërkesa të tjera të nevojshme për ngritjen e një qendre të fortifikuar: mundësinë e komunikimit, praninë e ujit të pijshëm, nxjerrjen e gurit të ndërtimit, si dhe mbrojtje natyrale.

Qyteti i Fortifikuar i Kaninës është ngritur aty nga shekulli i IV p.e. sonë. Në të gjithë sistemin fortifikues dallojmë disa faza ndërtimi që shtrihen në dy periudha, në periudhën antike, si dhe në atë të periudhës mesjetare.
Në antikitet kemi mbeturinat e murit ilir, gjurmët e të cilit u zbuluan në të gjitha anët e kështjellës. Në murin ilir kemi të përdorur sistemin “izodomik katror“.

Në antikitetin e vonë kemi rindërtim në muret rrethues të kështjellës. Këtu kemi të bëjmë me një mur të ndërtuar me teknikën “opus mixtum“.
Periudha e mesjetës, si ajo e hershme e më tej, përfaqësohet me rindërtimet dhe meremetimet e murit rrethues. Në fazat e mesjetës, muri është ndërtuar kryesisht prej gurësh mesatar të papunuar dhe blloqe antike te ripërdorura të lidhur me llaç gëlqere. Në muret rrethues të periudhës mesjetare kemi përforcime me kulla, me trajta të ndryshme.

Veç rrethimit të fortifikimit, në territorin e brendshëm të kështjellës në të gjitha pikat, u zbuluan mure ndërtesash, që ndonëse të dëmtuara, na lejojnë të kapim gjurmë të planimetrive dhe të krijojmë një ide mbi trajtën e banesave të kësaj qendre në lashtësi.

Në territorin brenda kështjellës, gjenden të zbuluara dhe elementë të tjerë ndërtimorë, si rrugë me kalldrëm, kanale e strera

333 total views, 1 today