Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Trashegimia kulturore

| Shqipëri, Shqipëria Qendrore, Turizëm | 11 June 2011

BYLISI
Kështu quhet qyteti ilir pranë fshatit Hekal të Mallakastrës. Bylysi u formua si qytet në shekullin e III B.C., duke lulëzuar si qendër politike, ekonomike dhe kulturore e bashkësisë byline, në të cilën bënte pjesë. Qyteti qeverisej nga një këshill dhe nënpunës të përvitshëm. Në vitin 230-146 B.C. preu monedhat prej bronxi që u përdorën në trevat e tij dhe jashtë. Prodhimet e punishteve të Bylisit konkuronin me prodhimet e Apollonisë
Muri i Qytetit
Muri rrethues i Bylisit, është një nga muret më të ruajtura dhe është ndërtuar në çerekun e dytë të shekullit të IV B.C. Ai ka një gjatësi prej 2250 m, gjerësi 3,50 m dhe lartësi nga 8-9 m dhe rrethon një sipërfaqe prej 30 ha. Ky mur ka formën e trekëndëshit. Qyteti Bylisit përbëhej prej disa zonave dhe objekteve, si Agora, që shërbente për strehimin e banorëve të fshatrave dhe pasurisë së tyre në raste lufte.

Teatri ka qenë pjesë e qytetit, i cili u ndërtua në mesin e shekullit III B.C. Për ndërtimin e këtij teatri është gjetur këndi juglindor i Agorasë. Vizitorët që hynin nga porta katër, i shfaqej menjëherë teatri dhe stadiumi. Në hyrje të teatrit janë dy bazamente, në të cilat kanë qenë vendosur dy skulptura, njëra prej të cilave mendohet të ketë qenë e Dionisit. Shkallët e teatrit kanë formën e një gjysmë rrethi me diametër 78 m. Ky teatër ka pasur 40 shkallë dhe numri i përgjithshëm i spektatorëve ka qenë mbi 7500 vetë, duke e vendosur teatrin e Bylisit pas atij të Apollonisë dhe Foinikut.
Sot ruhet pjesërisht Bazelika C. Eshtë një kishë mesjetare me gjatësi 33 m. dhe gjerësi 22.8 m. Në ambjentet e brendshme të saj mund të vërrehen mozaike me motive gjeometrike, bimore dhe figura njerëzish mjaft interesante për t’u vizituar. Gjimnazi në jug të bazelikës C, në rrënojat e një godine shoqërore, është identifikuar me gjimnazin e qytetit, për shkak të planimetrisë së saj katërkëndëshe me një rradhë kthinash të vendosura brenda një oborri të brendshëm. Kjo godinë është ngritur në shekullin e III B.C. Terma e Justilianit, banja me ngrohje qëndrore, ndërtimi i së cilës daton me periudhën e Justinianit, ka formën e një katërkëndëshi me përmasa 24.50 m x 6.40 m.

Stadiumi paraqet një zgjidhje të veçantë, në krahasim me stadiumet e tjerë të qyteteve antikë. Për shkak të përshtatjes ndaj terrenit, ai ka vetëm një krah që mbështetet në pjerrësinë e kodrës. Ajo u ndërtua në mesin e shekullit të III B.C. Ky stadium ka 19 shkallë me lartësi 0.30 m dhe gjerësi 0.40 m. Këto përmasa tregojnë se spektatorët nuk mund të ndiqnin shfaqje të ulur, por në këmbë.

Në pjesën juglindore të stadiumit, gjatë gërmimeve, janë gjetur disa tesera me mbishkrimin Bullis dhe me një vrimë në mes. Këto nuk janë gjë tjetër, veçse bileta, të cilat lidheshin me rrip dhe mbaheshin në mes për t’u futur në stadium ose teatër, ngaqë veshjet e asaj kohe nuk kishin xhepa.
Katedralja, është një tjetër objekt mjaft interesant, e përbërë nga Bazilika, Baptisteri dhe kompleksi peshkopal. Eshtë një nga monumentet më të rëndësishme të qytetit antik të Bylisit. Kjo katedrale ka pësuar disa rindërtime në shekullin IV A.D, në vitin 470 dhe e fundit në vitin 547 A.D. Mbas çdo rindërtimi, këtij monumenti i shtohej nga një pjesë.

Bazilika e katedrales, ka një trajtë shumë më të pasur se bazelikat e tjera të Bylisit, gjatësia e së cilës arrin 67m. Dyshemeja e kthesës para se të hysh në kishë, është shtruar me mozaike që përbëjnë sipërfaqen më të madhe me mozaikë të zbuluar deri tani në territorin e Shqipërisë. Motivet dhe skenat janë tepër të larmishme si nga jeta e përditshme e barinjëve, nga jeta e peshkatarëve, etj. Muret e kësaj katedrale kanë qenë të veshura me afreske të ndryshme. Në ditët e sotme kanë mbetur vetëm ato me motive gjeometrike. Në fillim të shekullit të V në Bylis u vendos peshkopata e Bylisit dhe Apollonisë.

Në zonën e Bylysit është zbuluar ndër të tjera dhe një bazilikë peshkopale me mozaikë që ka motive pleokristjane të shekullit të V. Bylysi u rrënua gjatë dyndjeve barbare të shekullit VI. dhe qendra peshkopale u shpërngul në Ballsh, duke e shndërruar atë në një destinacion të një rëndësie të veçantë historik.

Epitafi i GLLAVANICES
Mjaft e njohur për botën shkencore evropiane në shek XIX-të, monumenti mban datën e mbishkrimit 22 Mars 1373. Me një sfond të gjelbër dhe me fije ari dhe argjendi, ai është qëndisur nga familja e Arianitasve në shek XV-të dhe është gjetur në kishën “Katedralja e Fjetjes së Shën Mërisë”.
Në qendër është figura e Krishtit me kurorën e gjëmbave në kokë dhe në cepa gjenden kokat e katër shenjtorëve. Epitafi ka gjithashtu të qëndisur mbishkrimin “Ti që zotëron jetën”. Epitafi i Gllavenicës është ekspozuar në Paris në vitin 1974, si vepër shqiptare me vlera unikale. Tani ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar ku u riekspozua në vitin 1995.

KALAJA E BERATIT
Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekullin e IV-II p.e.re. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brëndësi të kësaj kështjelle, ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar këtë kështjellë.

Disa prej tyre janë: Kisha e Shën Triadhës, i përket fundit të shek.XIII dhe fillimit të shek. XIV. Në brendësi të saj ka afreske mjaft interesante. Pas kishës së Shën Todrit gjenden kishat e Shën Kollit, Shën Kostandinit, Shën Helenës, Shën Mërisë Vllaherna, etj.

Katedralia “Fjetja e Shën Marisë”, sot Muzeu i Artit Mesjetar, është mjaft interesant për t’u vizituar. Eshtë ndërtuar në fund të shekullit XVII dhe u përfundua në vitin 1797. Eshtë një ndërtim tipik i periudhës Osmane, me një bazelikë me tre kube. Brenda ka zbukurime të shumta, ikonostasi me gdhendje të shumta, i cili i përket vitit 1806 dhe e ka gdhëndur mjeshtri Beratas Stefani.

Muzeu Ikonave Onufri, ndodhet në lagjjen Kala dhe përmban disa nga shembujt më të bukur të artit fetar në Shqipëri. Muzeu u hap në vitin 1986 dhe emrin e ka marrë prej piktorit të madh të shek. XVI të shkollës shqiptare Onufri. Ka gjithsej tre salla, në të cilat janë vendosur ikona të shumta të shenjtorëve, si dhe tekstile e sende të vogla prej metali, objekte të punuara për përdorim gjatë liturgjisë, kapakë të biblës të bërë në Berat nga mjeshtri Agathangjel Mbrica, etj.

Stili i përdorur në ikonat e ekspozuara, është i lidhur ngushtë me shkollën e ikonografisë, që ishte zhvilluar në artin bizantin gjatë perandorit Gjon Paleologu, kurse puna e piktorëve shqiptarë u mbështet dhe zhvilloi më tej një traditë tashmë 200 vjeçare.

Kisha e Shën Mëhillit
Në një varg shkëmbinjsh jashtë perimetrit të murit, ndodhet Kisha e Shën Mëhillit që i përket afërsisht viteve 1300. Eshtë e njohur për ndërthurjen e teknikave evropiane të ndërtimit me atë bizantine. Për të vajtur te kjo kishë është mjaft e vështirë, pasi terreni është i thyer. Duket mjaft mirë nga poshtë qytetit anës lumit Osum.
Rrënojat Xhamisë së Bardhë
Brënda kalasë gjenden muret e brendëshme, ato janë ndërtuar mbi themelet e mureve ilire, me rindërtim të mëvonshëm bizantin dhe turk. Në mbyllje të këtij muri gjenden rrënojat e Xhamisë së Bardhë dhe një larmi ndërtesash ushtarake për banim dhe në anën më të largët ndodhet një sterë.

LAGJJA GORICE – KISHA E SHEN SPIRIDHONIT
Ndodhet përballë lagjes Mangalem, në anën tjetër të lumit Osum. Nisur nga emri, kjo lagje mund të ketë qënë vendbanim i dikurshëm sllav, sepse Gorica do të thotë “mal i vogël”. Gorica është interesante për t’u vizituar, sepse ndërtesat, banesat janë të ngjashme me kullat e Gjirokastrës, shenjë kjo e masave mbrojtëse, duke qenë se ndodhet në anën tjetër të lumit.

Në lagjen Goricë ndodhet Kisha e Shën Spiridhonit, e cila në anën lindore ka një harkadë të jashtme të gjatë, që ka sipër një kamare të vogël. Mbi portën kryesore mjaft tërheqëse të pikturuar, paraqitet Shën Spiridhoni dhe Shën Mitri. Eshtë një kishë e madhe, që e ka zanafillën nga koha bizantine, ndërsa disa kollona të hershme ekzistojnë në hajat.
Kjo kishë u rindërtua në shekullin e XII dhe ka një ikonostas shumë të bukur druri, një galeri të sipërme të madhe dhe shkallë që të çojnë në kombanare. Nga galeria e sipërme mund të shihet mirë tavani i kungimit. Kjo kishë në fillim ka qenë manastir. Përbën një objekt kulti mjaft interesant.

URA E GORICES MBI LUMIN OSUM
Ura e Goricës mbi lumin Osum lidh qytetin me lagjen Goricë. Kjo lagje mendohet të ketë qenë një vendbanim sllav, sepse emri Goricë do të thotë mal i vogël. Shtëpitë në këtë lagje janë me rrasa. Ura është një ndërtim tërheqës i shekullit të XVII.

LAGJJA MAGALEM/ XHAMIA E BEQAREVE
Ndodhet përballë lagjes Goricë, nga e cila e ndan lumi Osum që kalon mespërmes
Eshtë një lagje tipike dhe mjaft interesante për stilin e ndërtimit të shtëpive. Në të ka disa dyqane, të cilat kanë një arkitekturë mjaft tërheqëse prej dërrase, gjë që tregon stilin tipik osman të shekullit XIX. Këtu gjendet Xhamia e Beqarëve. Kjo xhami u ndërtua më 1827 dhe është mjaft e dëgjuar për pikturat murale, që nga stili i ngjajnë asaj të Etem Beut në Tiranë.

Xhamia e ka marrë emrin nga fjala beqar dhe u ndërtua për çirakët e pamartuar të dyqaneve në qytetin poshtë kështjellës. Një tjetër objekt i vizitueshëm që ndodhet këtu, është edhe Muzeu Etnografik i Beratit, i vendosur në një banesë me arkitekturë popullore beratase.

SHTEPIA MUZE KU U MBAJT KONGRESI LUSHNJES
Kongresi i Lushnjes u mbajt në vitin 1920 në qytetin e Lushnjes. Ai hodhi poshtë politikat e Asamblesë Kombëtare të paraqitura në Konferencën e Paqes të Versajës dhe votoi për pavarësinë e plotë kombëtare të Shqipërisë. Kjo shpuri në hedhjen e themeleve të një organizimi politik modern të Shqipërisë, ndërsa Kryeqyteti u zhvendos në Tiranë. Kongresi i Lushnjes përbën një moment të rëndësishëm në historinë e Kombit Shqiptar.

KOMPLEKSI ARKITEKTONIK DHE MANASTIRI I ARDENICES
Mendohet se themelet e këtij manastiri janë hedhur në vitin 1282, me nismën e perandorit Andronik II Paleolog i Bizantit, që e ngriti atë.

Shtysë për këtë veprim do të jetë bërë ndodhja në atë vend e kapelës së Shën Triadhës, e ngritur aty, shekuj më parë. Ekziston hipoteza, se kapela mund të jetë ndërtuar në themelet e gërmadhës së një tempulli pagan, i cili ka qenë ndërtuar për nder të hyjneshës Artemisa, nga ka rrjedhur dhe emri i sotëm i Ardenicës. Fare pranë këtij tempulli, në rrethinat e të cilit sot ndodhet manastiri, kalon dega jugore e rrugës antike Via Egnatia.

Përreth manastirit, shikon aty këtu ndërtime të vjetra, të cilat tregojnë se rreth tij ka pasur një qendër të banuar. Sipas deftereve Osmane të vitit 1431-32, ndodhej fshati Ardenicë me tetë shtëpi, i cili mund të jetë shtrirë përreth manastirit. Ky manastir mbrohet nga një mur i lartë dhe hyrjen e ka në një portë druri. Porta i përket viteve 1474. Në tunelin e hyrjes menjëherë në të djathtë, ka një derë që të con në një qilar me një shtrydhës ullinj. Në qëndër të oborit të këtij manastiri ndodhet Kisha e Shën Mërisë së Virgjër qe u ndërtua në kohën e Despotit të Epirit në fillim të shekullit të XIII.

Në hajatet rreth e rrotull banonin murgjit, ndodheshin konaket e miqve si dhe dhomat për veprimtaritë tregëtare dhe ekonomike. Pjesa me e madhe e kësaj kishe është ndërtuar në shekullin e XVIII, ndërsa një mbishkrim mbi mur shënon vitin 1743. Kambanarja u rindërtua më 1925. Brenda saj kanë shpëtuar pa u dëmtuar afreske të cilat i përkasin vitit 1744, punime që janë bërë nga piktorët e dëgjuar Kostandin dhe Athanas Zografi prej Korce. Në muret lindore të kishës dhe në pjesë të ndryshme të murit rrethues shihen gurë ndërtimi nga Apollonia. Në altaret e kësaj kishe është bërë dhe kurorëzimi i martesës së heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ceremonia u zhvillua në mbasditen e 21 Prillit 1451.

2,327 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Nikaia (Klos)

| Shqipëri, Shqipëria Qendrore, Turizëm | 11 June 2011

Qyteti antik i Klosit (Nikaia) ndodhet 1 km larg Byllis-it. Ky qytet rrethohet nga një mur të gjatë rreth 1850m, duke mbuluar një sipërfaqe prej rreth 18 ha. Muri përfaqëson një nga fortifikimet e hershme të gjysmës së dytë të shek të V para Kr. në Shqipëri, me një gjerësi prej 3-3.5m me blloqe gurësh poligonalë dhe trapezoidalë.

Fortifikimi ka një hyrje të vetme dhe tre kulla mbrojtëse. Disa nga monumentet kryesore janë teatri i vogël, shëtitorja (Stoa) dhe gjurmët e stadiumit. Teatri ka patur një kapacitet prej rreth 800-1000 spektatorë ku ruhen 14 mbishkrime për dhënie qytetarie, dhe daton në shekullin e III para Kr.
Shëtitorja ishte e gjatë rreth 40 m dhe e gjerë rreth 10 m. Jeta në Nikaia mbaron në 167 para Kr. kur ushtria e Paulus Aemilius pushtoi Epirin dhe një pjesë të Ilirisë së Jugut.

1,609 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Qyteti i Orikumit

| Bregdeti Jugor i Adriatikut, Shqipëri, Turizëm | 11 June 2011

Gjendet në vijim të rrugës nacionale Vlorë – Sarandë. Qyteti i lashtë i Orikumit u formua në shek. 7-6 B.C. nga kolonët grekë. Pozita e saj gjeografike, bëri që të ishte mjaft e përshtatshme për qëllime ushtarake.

Orikumi u përdor nga Romakët në lashtësi si bazë për t’u mbrojtur gjatë luftërave të tyre me Ilirët dhe në shek.3 B.C. kundër Maqedonasve, të cilët e pushtuan atë. Çesari, gjatë luftës civile Romake, vendosi aty kampet e tij për disa muaj, derisa ato u morën nga Pompei
Orikumi, nën ndikimin e këtyre fakteve u transformua në një qendër të civilizuar, gjë që e dëshmojnë edhe disa gjurmë dhe objekte arkeologjike, siç janë: pjesë të një Orkestre, teatrit të vogël, kapaciteti i të cilit mendohet të ketë qënë për 400 spektatorë, gjurmë muresh dhe rrugësh të vjetra, duken mjaft mirë edhe pse nën ujin e lagunës, Kisha e Marmiroit. Kjo kishë i përket periudhës së hershme bizantine, që i përket kohës së perandorit bizantin Teodor në shekullin e XIII.

Ajo ka një hajat të vogël 6m x 9m dhe një kupolë rreth 3m., të mbështetur mbi 4 harqe romake. Në faqen e brëndshme të mureve, ruhen fragmente të pikturave murale, të cilat kanë tiparet e kulturës bizantine

2,431 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Trashegimia Natyrore e Shqipërisë

| Bregdeti Jugor i Adriatikut, Shqipëri, Turizëm | 11 June 2011

LAGUNA KARAVASTASE
Eshtë më e madhja e vendit tonë dhe në gjithë bregdetin jugor të Adriatikut, sip. 4330 ha, gjatësia 10.6 km, gjërësia 4.3 km dhe thellësia deri në 1.5 m.
Ndahet nga deti nëpërmjet një brezi të gjërë rëre, të mbuluar nga pylli i dendur, buzë te cilit ndodhet një plazh mjaft i madh. Lidhet me detin me tri kanale, njëri prej të cilëve artificial, i hapur për nevojat e peshkimit. Nëpër këto kanale, si pasoje e baticës dhe zbaticës, rrjedhja e ujit ndryshon drejtim çdo 6 orë.

Gjatë një cikli të baticë-zbaticës, shkëmbimi i ujit me detin arrin afërsisht 1/50 e volumit të gjithë lagunës. Në brendësi të saj ka dhe ishuj të vegjël, në të cilin folenizojnë shpendët. Karakteristike në këtë zonë është kolonia e Pelikanit Kaçurrel me rreth 60 çifte që përfaqëson rreth 5% të numrit të përgjithshëm të kësaj specie në shkallë botërore. Karavastaja për këtë specie përfaqëson kufirin më perëndimor të saj. E veçantë është dhe prania e disa qindra çifteve të dallandysheve të detit.

PARKU KOMBETAR ” PISHA DIVJAKES”
Ka një sipërfaqe 1250 ha dhe ndodhet 5 km larg Divjakës dhe 40 km larg qytetit të Lushnjes. Ky park është njëkohësisht pjesë e kompleksit Laguna e Karavastasë që ndodhet nën mbrojtjen e Konventës Ndërkombëtare të Ramsarit, që nga viti 1994. Ky park përben një nga ekosistemet më të rëndësishme të gjithë vëndit. Kjo, sidomos për faunën e pasur, ku përfaqësuesi më tipik është pelikani kaçurrel që zë rreth 6.4% të popullatës botërore.

GRYKEDERDHJA DHE LUGINA SHKUMBINIT
Përbëjnë një kompleks vazhdimisht në ndryshim të përmasave dhe kontureve. Vitet e fundit ajo u zhvendos rreth 5 km më në veri. Prurja e Shkumbinit është mbi 60 m3/sek. Në përbërje të deltës hyjnë edhe lloje të tjera ekosistemesh ligatinorë: cektina detare, këneta të kripura dhe të njelmta, pyje aluviale, duna rëre, argjinatura, toka bujqësore të përmbytura në mënyrë sezonale. Ofron një peisazh shumë tërheqës për vizitorët dhe kalimtarët.

ZVERNEC – LAGUNA NARTES
Zvërneci dhe Laguna e Nartës gjënden pak kilometra larg qytetit të Vlorës, në pjesën veriperëndimore të tij. Pamja e parë mbi to mund të merret që në kodrat, nga Kriporja deri sa mbërrin në qytetin e Vlorës, përgjatë rrugës që vjen nga Fieri. Zvërneci, me ishullin e vogël të tij, ndodhen 14 km larg nga Vlora, aty ku mbaron pylli i Sodës dhe fillon laguna e Nartës. I tërë peisazhi krijon një ansambël shumë të bukur natyror, me plot kontraste, ku gjenden në harmoni bukuria me qetësinë e këtij vendi.

Jo vetëm Zverneci me ishullin dhe manastirin brenda tij, por e gjithë zona me lagunën dhe detin, përbëjnë një ekosistem shumë interesant dhe tërheqës për turistët. Me një sipërfaqe prej 41.8 km, laguna e Nartës zë të gjithë pjesën veri-perëndimore të gjirit të Vlorës dhe ndahet nga deti Adriatik me një rrip të ngushtë toke, i cili përbëhet nga duna aluvionale me gjatësi të përgjithshme 8 km dhe gjërësi 100-1400 m. Meqë laguna komunikon nëpërmjet dy kanaleve me detin, uji i saj është i kripur. Kjo ka krijuar mundësinë që rreth 1/3 e lagunës të shfrytezohet për nxjerrjen e kripës. Me interes të veçantë për t’u vizituar janë edhe dunat e Nartës.

Ato gjënden në perëndim të lagunës së Nartës, në brezin ranor që ndan lagunën me detin. Përfaqëson një grup dunash ranore, të formuara nga veprimi i erës. Gjatësia e brezit me duna arrin disa kilometra. Ato kanë lartësi deri në 5-6 m., e gjërësi deri 20-30 m. Dunat kanë vlera shkencore, estetike, turistike dhe ekonomike. Vizitohen duke ndjekur itinerarin Vlorë-Kriporja-bregdeti i Nartës-Hidrovori.

ISHULLI SAZANIT
Një udhëtim shumë i veçantë gjatë qëndrimit në Vlorë, do të ishte edhe ai me anije drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit. Udhëtimi zgjat deri në një orë dhe nisja mund të bëhet nga porti i Vlorës, ose nga limani i vogël në zonën e Plazhit të Ri.
Fillimisht mund të udhëtoni drejt ishullit të Sazanit dhe me tej në brigjet e Gadishullit të Karaburunit. Lundrimi me anije përreth tyre, krijon mundësinë që të vrojtoni peizazhe të bukura dhe unikale, të cilat reflektohen mbi kaltërsinë e sipërfaqes së ujit të detit. Ishulli i Sazanit me sip 5.7 km2 dhe gjatësi të vijës bregdetare prej 12 km, ngrihet deri 342 m. mbi nivelin e detit.

Përveç bukurisë natyrore, Ishulli i Sazanit ka qënë një nga bazat më të rëndësishme ushtarake të luftës së ftohtë. Rrënojat dhe objektet e kësaj lufte, mund të shikohen dhe sot në këtë ishull. Kjo përbën një motiv shumë të mirë për turistët që të udhëtojnë drejt ishullit. Aktualisht mungon infrastruktura turistike në ishull.

GADISHULLI KARABURUNIT
Eshtë më i madhi i vëndit, me gjatësi 16 km, gjërësi 3.5 km dhe sip 62 km2, i cili njihet jo vetëm për pasuritë e tij natyrore, por edhe për gjetjet e ndryshme arkeologjike. Në skajin më verior të gadishullit, aty ku ngushtica e ndan atë me Ishullin e Sazanit, gjëndet Shpella e dëgjuar e kapedanit legjendar të detit, Haxhi Alisë. Përgjatë brigjeve të Gadishullit të Karaburunit gjenden disa gjire dhe plazhe të vegjël, në të cilët mund të qëndrohet dhe gjatë stinës së verës e mund të bëhen banjo dielli.
Shpella e Haxhi Alisë është krijuar prej gërryerjeve nga valët e detit të shkëmbinjëve gëlqeror, që ndërtojnë bregun. Ajo është shpella më e madhe detare e vëndit tonë, me gjatësi që arrin deri 30 m, lartësi 10-15 m dhe gjërësi 9.5 m. Hyrja ndodhet në nivelin e ujit të detit, 10 m thellë. Pozicioni i saj bën të mundur strehimin e anijeve.
Haxhi Aliu u vendos aty, së bashku me të birin dhe me dy tartana, në shek 18. Shpellën e përdori për njëfarë kohe, si bazë qëndrimi në luftimet kundër anijeve luftarake të Anglisë, Venedikut, Francës.

18,834 shikime gjithsej, 6 shikime sot

Vlora

| Bregdeti Jugor i Adriatikut, Shqipëri, Turizëm | 11 June 2011

Eshtë porti kryesor i vendit, pas atij të Durrësit. Ndodhet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë, në një zonë gjeografike mjaft të bukur, përgjatë detit në perëndim dhe i rrethuar nga kodra në lindje. Përballë tij shfaqet Gadishulli i Karaburunit dhe ishulli Sazanit. Qyteti i Vlorës ka lidhje detare të rregullta me portet italiane të Brindizit dhe sezonale me Barin.

Qyteti ka një historik të pasur. Në antikitet ai njihej me emrin Aulona, emër që i’a kishin dhënë kolonistët e hershëm greke. Në mesjetë, treva e Vlorës ka qenë në qendër të konkurencës ndërkombëtare për të mbajtur sundimin e Shqipërisë. Gjatë pushtimit otoman, ajo ka përfaqësuar qendrën e këtij pushteti. Këtë e dëshmojnë edhe gjurmët e mbetura të këtij pushteti, siç janë Xhamia e Madhe në qendër të qytetit, e ndërtuar pikërisht në këtë periudhë (1542) nga arkitekti i famshëm turk Mimar Sinani.
vlora

Moment i rëndësishëm i historisë së qytetit të Vlorës është gjithashtu edhe Shpallja e Pavarësisë, para Luftës së Parë Botërore në 28 Nëntor të vitit 1912 nga Ismail Qemali, një bej vendas. Kjo shënoi një kthesë të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, pasi i dha fund sundimit 500- vjeçar otoman. Selia e qeverisë së parë të një Shqipërie të pavarur përbën sot një objekt të vizitueshëm për turistët.

Në qendër të qytetin të tërheq vëmendjen “Monumenti i Pavarësisë”, i vendosur në sheshin e Flamurit.

Një tjetër vend religjoz mjaft intersant është dhe “Kuz Baba” (sekt bektashian), i cili ngrihet në kodrën në qendër të qytetit. Nga kjo pikë, të ofrohet një pamje unike, jo vetëm e qytetit të Vlorës, por gjithë Gjirit të Vlorës.
Vitet e fundit, Vlora është shndërruar në një prej destinacioneve më të frekuentuara për turizëm det&diell dhe ka shënuar një numër në rritje të turistëve dhe pushuesve. Kjo, si rezultat i plazheve ranore dhe shkëmbore të shumtë, investimeve të shumta private në infrastrukturën turistike, investimeve publike, etj. Në Vlorë zhvillohen gjithashtu edhe sporte ajri çdo vit, të cilat ngjallin interesin e gjithë të apasionuarve për t’i ndjekur ato.

3,118 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Apollonia

| Bregdeti Jugor i Adriatikut, Shqipëri, Turizëm | 11 June 2011

Oratori i famshëm Ciceroni, i mahnitur nga bukuria e Apollonisë, e quajti magna urbs et gravis –qytet i madh dhe hijerëndë. I ndërtuar në shekullin VII para Kr. nga kolonë Grekë, të ardhur nga Korinthi dhe Korkyra, qyteti i lashtë është i vendosur rreth 11 km në perëndim të qytetit të Fierit.

Gërmimet arkeologjike tregojnë se Apollonia arriti kulmin e zhvillimit në shekujt IV-III para Kr. Në shekullin I para Kr., Oktavian Augusti studioi filozofi në Apolloni, deri kur dëgjoi për vrasjen e Çezarit në Senat dhe shkoi të bëhej perandori i ardhshëm Romak.

Qyteti ka një mur rrethues 4 km të gjatë dhe një sipërfaqe prej 137 ha. Gjatë fazave të zhvillimit të qytetit, numri i banorëve brenda mureve të tij të lartë, ka shkuar deri në 60.000. Disa nga monumentet më të vizitueshëm janë Buleterioni (Këshilli i qytetit), Biblioteka, Harku i Triumfit, Tempulli i Artemisës, Odeoni i ndërtuar në shekullin II para Kr., një Stoa dy katëshe 77 m e gjatë, një teatër me kapacitet 10.000 spektatorë, dhe Nimfeun (një depo uji monumentale me sipërfaqe rreth 2000m2), e cila është parë edhe nga Sulla, perandori Romak që vizitoi Apolloninë, sikurse tregojnë burimet antike.
apollonia_artemis

Në shek IV-III pas Kr., Apollonia pësoi dëmtime të mëdha nga disa tërmete, të cilat zhvendosën lumin Vjosa drejt jugut. E privuar nga porti i saj dhe e dëmtuar nga tërmetet dhe dyndjet Gotike, Apollonia shkoi me shpejtësi drejt rrënimit, duke humbur gjithë madhështinë e saj. Në ditët e sotme, në këtë sit mund të shkohet me lehtësi nëpërmjet qytetit të Fierit, nga ku mund të shihen pamje të veçanta të detit Adriatik dhe prapatokës.

3,733 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Karina

| Bregdeti Jugor i Adriatikut, Shqipëri, Turizëm | 11 June 2011

Kalaja e Kanines

Në mesin e gjirit të Vlorës, male të larta i afrohen së tepërmi bregut, duke e ndarë atë në dy pjesë. Në këtë zonë, paksa e tërhequr në thellësi, ngrihet një kodër 379 m e lartë, në të cilën gjenden rrënojat e një qyteti të vjetër, atij të Kaninës. Pikërisht këtu, lugina e lumit të Vlorës shtyhet deri në rrëzë të kodrës, duke e lehtësuar tepër lidhjen e zonës bregdetare me hinterlandin. Faktor me rëndësi ky, pasi më në jug, malet fitojnë lartësi të madhe, ndërsa më në veri, largësia midis bregdetit me luginën e lumit të Vlorës rritet mjaft shpejt. Këto janë dhe kushtet që përcaktojnë rëndësinë strategjike të Kaninës, si ndaj kalimit nga pjesa jugore në atë veriore (dhe në të kundërt), po ashtu dhe ndaj lidhjes së trevës së lumit të Vlorës me Gjirin e Vlorës. Nga ana tjetër, kodrat përreth saj krijojnë kushte të mira për zhvillimin e blegtorisë, ndërsa në lindje gjenden troje mjaft të gjera dhe të përshtatshme për bujqësi, duke plotësuar kështu krahas pozitës strategjike dhe atë ekonomike.
kanina

Kushtet e mësipërme ndikuan në këtë vend, qysh në periudhën antike, të linde një qendër e fortifikuar, jeta e së cilës zgjat thuajse pandërprerje, deri në shekullin e kaluar. Natyrisht, roli i kësaj qendre nuk ka qenë kurdoherë i njëjtë, kështu ajo ka pasur rol të dorës së parë ose ka qenë në varësi të qendrave të tjera në funksion të kushteve ekonomiko-shoqërore të periudhave përkatëse.
Përveç kushteve strategjike dhe ekonomike, vendi plotëson dhe kërkesa të tjera të nevojshme për ngritjen e një qendre të fortifikuar: mundësinë e komunikimit, praninë e ujit të pijshëm, nxjerrjen e gurit të ndërtimit, si dhe mbrojtje natyrale.

Qyteti i Fortifikuar i Kaninës është ngritur aty nga shekulli i IV p.e. sonë. Në të gjithë sistemin fortifikues dallojmë disa faza ndërtimi që shtrihen në dy periudha, në periudhën antike, si dhe në atë të periudhës mesjetare.
Në antikitet kemi mbeturinat e murit ilir, gjurmët e të cilit u zbuluan në të gjitha anët e kështjellës. Në murin ilir kemi të përdorur sistemin “izodomik katror“.

Në antikitetin e vonë kemi rindërtim në muret rrethues të kështjellës. Këtu kemi të bëjmë me një mur të ndërtuar me teknikën “opus mixtum“.
Periudha e mesjetës, si ajo e hershme e më tej, përfaqësohet me rindërtimet dhe meremetimet e murit rrethues. Në fazat e mesjetës, muri është ndërtuar kryesisht prej gurësh mesatar të papunuar dhe blloqe antike te ripërdorura të lidhur me llaç gëlqere. Në muret rrethues të periudhës mesjetare kemi përforcime me kulla, me trajta të ndryshme.

Veç rrethimit të fortifikimit, në territorin e brendshëm të kështjellës në të gjitha pikat, u zbuluan mure ndërtesash, që ndonëse të dëmtuara, na lejojnë të kapim gjurmë të planimetrive dhe të krijojmë një ide mbi trajtën e banesave të kësaj qendre në lashtësi.

Në territorin brenda kështjellës, gjenden të zbuluara dhe elementë të tjerë ndërtimorë, si rrugë me kalldrëm, kanale e strera

1,632 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Turizmi në Kosovë

| Kosovë | 11 June 2011

Me turizëm nënkuptojmë lëvizjen e njerëzëve me qëllim rekreacioni , argëtimi, shërimi dhe zgjerimi të njohurive kulturore. Edhe pse Kosova është hapësirë e vogël gjeografike, me motivet natyrore dhe njerëzore që ka , ofron mundësi të mira për zhvillimin e disa llojeve të turizmit vendës, rajonal, ndërkombëtar, stacionar dhe transit. Kosova ka vende turistike që mund të shfrytëzohen nga populsia e vet për ekskursione, për sport, rekreacion, pushim, kulturë, për arsim e edukim. Mirëpo, ky lloj turizmi nuk ka qenë dhe ende ka mbetur i pazhvilluar sa duhet.

Deri në vitet e shtëdhjeta në mungesë të rrugëve të mira , në Kosovë kishte pak lëvizje turistike edhe pse Kosova ka pozitë të mirë gjeografike. Pas viteve të shtatëdhjeta me ndërtimin dhe modernizimin e rrjetit rrugor automobilistik dhe përmirsimin e gjendjes ekonomike , fillojnë lëvizjet turistike te shtohen.

Qarkullimet turistike lokale, individuale, familjare e grupore me qëllim pushimi e rekreacioni bëhen sidomos gjatë verës për t’u freskuar pran baseneve, lumenjëve, liqeneve, ose gjatë stinës së dimrit në qendrat e skijimit (Brezovicë e Rugovë) e gjetkë. Në periudhën pas luftës në Kosovë është ndërtuar numër i madh i pishinave, të cilat tërheqin numër të madh të klientelës së re turistike.

1,324 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Bjeshkët e Rugovës

| Kosovë | 11 June 2011

Rugova është një trevë malore mbrenda vargmalit të Alpeve, që përputhet me pellgun e lumit të Pejës dhe shtrihet në mes maleve Hajla, Shtedim, Lumbardh dhe Kopranik.

Rugova ka shtrirje duke filluar në jug nga Kisha e Pejës, Bjeshka e Milishevës, Lumbardhi 2335 m dhe me Gurin e Kuq 2522m, duke rënë paksa në nivel takon gurët e Demë Husit, pastaj ngrihet deri në Lugun e Shkodrës 2341m për të vazhduar në Bjeshkën e Malsorit 1220 m,lëshohet në Grykën e Bjelluhës dhe ngjitet në aksin perendimornë majen e Licit(Kuqishtë),fshati Haxhaj vazhdon e ngritet Livadhet e Bukura, duke krijuar kufirin më verior të regjionit nga Qafa e Dasmorëve(Bogë) Livadhi i Gjakut ,Livadhi i Turkut(Koshutan),Gropat e Hysen Ibres’ dhe arrinë pikën më të lartë në veri të regjionit Maja e Hajles 2400 m.

Kufizimi natyror nga Hajla ne Shtedim dhe ngrihet në Majen e Zezë. Ne anën veri-lindore ndodhet Maja e Rusolis që zbret deri në rrugën Pejë-Kullë, vazhdon në lindje me kanionin e Shushicës deri në Lipë , ngrihet në Majen e Hasanit 1871 m, Qafa e Qyqes, dhe zbret përmes Peklenës tek Kisha e Pejës, duke përfshir edhe vetë kishën.

Është me rëndësi të theksohet se ky kufizim është bërë nga njeriu që ka përdorur barriera natyrore ,duke rrudhur sipërfaqen në atë që është sot 20.330 ha, por se regjioni i Rugovës vazhdon shtrirjen deri në Qafë të Qakorit, duke u kthyer në kalanë e Stakajve , Malësia e Rugovës (fshatrat Husaj, Dacaj, Bukël, Peshkaj e Buxhov) duke zbritur në qytezën e Rozhajës.

1,933 shikime gjithsej, 4 shikime sot

Bjeshkët e Shalës së Bajgorës

| Kosovë | 11 June 2011

Edhe Bjeshkët e Shalës së Bajgorës janë mjaft të pasura me shtigje ideale për skijim në borë dhe mbi bar. Sipas ekspertëve ndërkombëtar J. Iten dhe M. Rey, analizuan dhe vërtetuan se nga 25 masive malore të ish-Jugosllavisë shuma e denivilacionit të shtigjeve të skijimit arrin 365.462 metra, prej të cilave 105.950 metra ose 28,98 % gjinden në Bjeshket e Alpeve Shqiptare (Bjeshkët e Nemura) dhe 103.770 metra ose 28,38 % gjinden në Bjeshkët e Sharrit, ndërsa 155.922 metra ose 42,64 % gjinden në të gjitha masivet malore të ish-Jugosllavise.

Prandaj, Bjeshket e Alpeve Shqiptare dhe të Sharrit, kanë shtigje cilësore për skijim, të garave ndërkombëtare që gjatësia e këtyre shtigjeve mund të arrij deri në 5000 metra.

1,362 shikime gjithsej, 3 shikime sot

Faqja 4 of 512345