Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Kruja

| Shqipëri, Tirana dhe zonat përreth saj, Turizëm | 12 June 2011

Eshtë një prej qyteteve më historike të Shqipërisë. Ajo ndodhet në një distancë të afërt nga kryeqyteti, vetëm 32 km larg.

Emri dhe rëndësia e Krujës lidhet me veprën dhe aktivitetin 25 vjeçar të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti ( Skenderbeu), i cili gjatë periudhës së mesjetës, në shek e XVI, e shndërroi Krujën dhe kështjellën e saj në një pikë të papërkulur rezistence ndaj rrezikut Osman, duke e bërë atë të njohur dhe të famshme në të gjitha kancelaritë diplomatike të Evropës.

Emri i Krujës rrjedh nga fjala shqipe “ krua”. Në periudhën bizantine ajo përmendet si një qendër peshkopale. Rreth vitit 1190, aty u krijua i pari shtet feudal shqiptar. Më vonë ajo kaloi nën sundimin e familjes feudale shqiptare të Topiajve. Pushtimi i parë otoman ndodhi në 1396, por ata u tërhoqën për 20 vjet. Në 1430 ajo u kthye në qendër të kryengritjes shqiptare të udhëhequr nga Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut. Periudha më e lavdishme fillon në 28 Nëntor të vitit 1443, kur kalaja e Krujës u morr në kontrollin e Gjergj Kastriotit, i cili organizoi rezistencën e gjatë anti-otomane.

Që nga kjo periudhë, Kruja nën udhëheqjen e Skënderbeut, theu tre rrethime të saj nga otomanët në 1450, 1457 dhe 1466. Vetëm 10 vjet mbas vdekjes së Skënderbeut, në 1478 otomanët pushtuan kalanë dhe shkatërruan qytetin. Ata e quajtën Krujën Akcahisar (fortesë e bardhë). Pjesa e popullsisë që mbeti, u kthye në myslimanë. Sot qyteti ngrihet në shpatin e malit të Krujës, në një lartësi prej afro 600 metrash mbi nivelin e detit, duke poseduar një pamje panoramike. Nga qyteti i Krujës shikohet qartë deti Adriatik.

2,295 shikime gjithsej, 3 shikime sot

Trashegimia Kulturore

| Shqipëri, Tirana dhe zonat përreth saj, Turizëm | 12 June 2011

Kulla e Sahatit e Tiranës
Eshtë ndërtuar në vitin 1822. Ka 90 shkallë në formë spiraleje. Eshtë 35 metra e lartë dhe deri në vitin 1970 ka qenë ndërtesa më e lartë e kryeqytetit. Fillimisht kishte një kambanë të sjellë nga Venecia e cila binte për çdo orë. Kupola e vendosur në majë i jep asaj një arkitekturë të tipit alla San Marko.

Në vitin 1928 Bashkia e Tiranës bleu një orë nga Gjermania. Kjo orë u shkatërrua gjatë luftës së Dytë Botërore dhe u zëvëndësua në vitin 1946 me orën e sjellë nga kisha e Shkodrës, e cila kishte shifra romake. Ora e sotme është vendosur në vitin 1970. Kulla e Sahatit është e hapur për turistët që prej vitit 1996. Ajo është gjithashtu simbol i emblemës së Bashkisë së Tiranës.
Xhamia e E’them Beut

Ndodhet në qendër të Tiranës. Ajo ka nisur të ndërtohet në vitin 1798 dhe përfundoi së ndërtuari në vitin 1821. Ajo është një prej rasteve të traditës shqiptare në arkitekturën e xhamive. Bien në sy gdhëndjet e pikturuara.

Eshtë një urë e vogël prej guri që ndodhet në Bulevardin “ Zhanë D’Ark ”. Ura ka një lartësi prej 7,5 metrash është e njohur ndryshe edhe si Ura e Shën Gjergjit. Ajo është një monument kulture i restauruar, ndërtimi i së cilës i përket gjysmës së parë të shekullit XIX.

Mozaiku i Tiranës
Ndodhet në rrugën Naim Frashëri. Ai është objekti më i vjetër i qytetit të Tiranës i cili ka qenë pjesë e dyshemesë së një vile romake në shek e III. Më pas ky vend ka shërbyer për ndërtimin e një kishe paleo – kristiane. Ai quhet ndryshe edhe “Mozaiku i Kishës së Kroit të Shën Gjergjit”.

Muret e kalasë së Justinianit
Ngrihen në rrugën “Murat Toptani” pranë “Kinema Millenium”. Kalaja është ndërtuar nga perandori bizantin Justinian në shekullin e VI ( viti 520). Mendohet se më parë këtu ka qenë një stacion nga Durrësi drejt Elbasanit e më gjërë. Fragmentet e mureve të mbetura kanë një lartësi prej 6 metrash. Kalaja e Tiranës ka qenë një stacion i rrugës së vjetër “Egnatia”.

Banesat e Toptanasve në Tiranë
Ndodhen në rrugët “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani”. Këto ndërtesa që sot janë Qëndra e Studimeve Gjeografike dhe restoranti “Sarajet”, përbëjnë një ansambël të vertetë arkitektural dhe janë pjesë e bërthamës historike të Tiranës. Njëra prej të cilave ka shërbyer për banim dhe tjetra për pritje. Residenca e Toptanasve i përket stilit Barok Osman. Këto ndërtesa i takojnë shekullit të XVIII.

Tyrbja e Kapllan Pashës
Ndodhet në rrugën 28 Nentori. Ajo bën pjesë në kompleksin e varreve monumentale të Xhamisë së parë të Tiranës, e cila është shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Boterore. Ky kompleks kishte edhe gjashtë varre të tjerë të të njëjtit tip, por me përmasa të ndryshme. Sot ka mbetur vetëm tomba e Kapllan Pashës, i cili ishtë një prej sundimtarëve të Tiranës. Në vetvehte tyrbja përfaqëson një varr monumental me planimetri 8 këndëshe dhe me lartësi 4 metra. Eshtrat e Kapllan Pashës janë shpërngulur në Stamboll.

Varrezat e Dëshmorëve të Kombit
Ndodhen në një prej kodrave më piktoreske në jug – lindje të Tiranës, e cila ofron një pamje mjaft të bukur drejt kryeqytetit. Eshtë një prej pikave historiksht të frekuentuara prej grupeve turistike që vijnë në Tiranë. Janë përuruar në vitin 1971. Këtu ndodhet monumenti “Nënë Shqipëri” e ndërtuar në granil dhe12 metra i lartë.

Muzeu Historik Kombëtar
Eshtë objekti më i rëndësishëm muzeal në gjithë Shqipërinë. I përuruar në vitin 1981 ai paraqet në stendat e tij gjithë historinë e përmbledhur të popullit shqiptar që prej periudhës së paleolitit të mesëm e deri në ditët e sotme. Aty ruhen vepra arti origjinale që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Krahas pavioneve të antikitetit, mesjetës, rilindjes kombëtare, pavarësisë, luftrave botërore etj. aty ndodhen edhe pavionet e ikonografisë, ai i diktaturës dhe etnografisë.

Në Muzeun Historik Kombëtar ruhen objekte unikale si Epitafi i Gllavenicës i krijuar në vitin 1373 kjo është një qëndismë e madhe me fije ari dhe argjendi në mëndafsh, e cila paraqet Krishtin, busti i Deas ( hyjnesha e Butrintit, tashmë e indentifikuar me kokën e Apollonit), mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” etj. Në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar shpalloset mozaiku “Shqipëria” i cili është më i madhi në vend.

Muzeu Arkeologjik i Tiranës
Ndodhet në sheshin “Nëne Tereza”. Eshtë përuruar në vitin 1948. Aty janë të ekspozuara objekte të cilat i përkasin periudhës që nga prehistoria e deri në mesjetën e hershme.

Muzeu i Shkencave të Natyrës
Ndodhet në rrugën e “Kavajës“ dhe është në varësi të Universitetit të Tiranës. Eshtë i vetmi i këtij lloji në Shqipëri. Aty janë të ekspozuar kafshë të balsamosura të cilat janë të ekspozuara dhe të ndara në salla të ndryshme. Kështu shpendët zënë dy dhoma. Pavijonet e tjera përfshijnë gjitarët, zvarranikët të përfaqësuar me një koleksion të hardhucave dhe gjarpërinjve, insektet si dhe pavijoni i guackorëve dhe koraleve.

Muzeu i Pullës Shqiptare
Ndodhet në rrugën “Reshit Çollaku” mbas Drejtorisë së Postë – Telekomunikacioneve, në varësine e të cilës ndodhet. Muzeu është ngritur në kuadër të 90 – vjetorit të krijimit të pullës së parë shqiptare në maj 1913. Në këtë muze ruhet kjo pullë si dhe pjesë nga koleksionet e 2.850 lloje pullash të emetuara në Shqipëri prej 600 serive të ndryshme. Këtu gjendet edhe pulla e parë e shtypur në Shqipëri në vitin 1957.

Galeria Kombëtare e Arteve
Ndodhet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Eshtë hapur në vitin 1946 dhe ka një sipërfaqe ekspozimi prej 5.300 metra katrorësh. Aty ndodhen disa salla si ajo e Artit të Rilindjes, e Artit bizantin, salla e grafikës dhe ajo e punimeve mbas viteve 50. Në Galerinë e Arteve ruhen 4.100 vepra arti të autorëve shqiptare dhe të huaj, të cilat përfshijnë një periudhë kohore që fillon që nga shek XIII e deri në ditët e sotme.

Aty ruhet edhe busti i parë shqiptar, i cili është busti i Skënderbeut i punuar në vitin 1908 nga Murat Toptani. Që prej vitit 1999 është hapur për publikun një bibliotekë e galerisë ku mund të shfrytëzohen albume, revista, kritikë dhe literaturë e ndryshme për artet figurative.

Shtëpia e Piktorit Sali Shijaku
Ndodhet në rrugën “Siri Kodra”. Eshtë një shtepi e vjetër me arkitekture tipike Tiranase. Ndërtimi i saj i përket vitit 1400. Shtëpia shërben si restorant tradicional si dhe galeri arti ku janë të ekspozuara 100 punime në pikturë.

Shtepia e Bunecëve
Ndodhet prane qendrës së Tiranës në rrugën “ Sulejman Pasha”. Eshtë një shtëpi e vjetër me arkitekture tipike të Tiranës prej qerpiçi e shekullit të 17. Këtu janë të ekspozuara objekte të artizanatit të cilat janë punime prej bakri.

Kalaja e Petrelës
Ndodhet në rrugën nacionale Tiranë – Elbsasan, 18 km larg nga kryeqyteti. Ajo është një prej pikave kryesore turistike pranë Tiranës. Kalaja ngrihet mbi një kodër shkëmbore sipër fshatit më të njëjtin emër. Ajo ka trajtë trekëndore me dy kulla vrojtuese. Ndërtimi i parë i saj i përket periudhës së antikitetit, ndërsa forma e sotme i daton shekullit të XV.

Kalaja e Petrelës bënte pjesë në sistemin sinjalizues dhe mbrojtës së kalasë së Krujës. Këto kala komunikonin me njëra tjetrën nëpërmjet zjarreve. Kjo kala ka qenë nën komandën e motrës së Skënderbeut, Mamica Kastriotit. Sot në ambjentet e saj ka shërbim restoranti. Prej andej hapet një pamje mjaft e bukur drejt luginës së Erzenit, kodrave me ullinj dhe maleve përreth.

Kalaja e Prezës
Ndodhet sipër fshatit me të njëjtin emër, në kreshtën e kodrës. Kjo është një kështjelle e vogël e cila ka nisur të ndërtohet në shek e XIV dhe ka përfunduar në fillim të shek të XV nga ana familjes feudale të zonës, Topiajve. Kalaja është shpallur “monument kulture”. Në qoshet e saj kalaja ka katër kulla rrethore. Kulla e sahatit është ngritur rreth viteve 1800 – 1850.

Ajo shquhet për pozicionin mjaft të bukur, duke kontrollur fushën e Tiranës. Po kështu përballe saj ndodhet kalaja e Krujës. Kjo kala ndodhet fare pranë aeroportit ndërkombetar “Nënë Tereza “ të Rinasit. Në kala ndodhen restorante dhe lokale sherbimi.

Kalaja e Krujës dhe Muzeu Gjergj Kastrioti
Eshtë objekti kryesor turistik i qytetit të Krujës. Kështjella është ngritur gjatë shekujve të V – VI. Ajo ka trajtë eliptike me një perimeter prej 804 metrash. Muret rrethuese janë të përforcuara nga 9 kulla. Në pjesën më të lartë në veri –lindje ngrihet kulla e Sahatit, e cila shërbente për vrojtim dhe sinjalizim më kalanë e Petrelës dhe Durrësin.

Muzeu ndodhet në hyrjen kryesore të kështjellës. Muzeu është përuruar në vitin 1982. Krahas stendave që shpjegojnë veprimtarinë e Skënderbeut në muzeum ndodhen edhe biblioteka, dokumente dhe botime të cilat lidhen me figurën e Skënderbeut. Muzeu ka karakterin e një memoriali dhe ka elemente të tilla si harqe guri, piktura në xham etj.

Brenda mureve të kalasë gjenden disa shtëpi dhe Teqeja e Dollmasë. Në perëndim të kështjellës ruhet edhe hamami i shek XV.
Muzeu Etnografik

Ndodhet gjithashtu brënda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanasve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak”.

Pazari karakteristik i Krujës
Shtrihet në të dy anët e rrugës së shtruar me kalldrëm që të çon drejt kalasë së Krujës. Nga vendasit njihet ndryshe me emrin Pazari i Derexhikut. Ky pazar ka funksionuar që prej kohës së Skënderbeut në shek e XV, kur dyqanet e tij arrinin deri pranë hyrjes së kalasë. Dyqanet i kanë muret, tavanet dhe qepenat prej druri.

Këtu turistët kanë rast për të blerë artikuj të ndryshëm të artizanatit si punime në argjend, bakër, alabastër, qëndistari, bizhuteri, filigrame, qylyma etj. Pazari i ka rezistuar sundimit 500 – vjeçar turk dhe është restauruar në kuadër të 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut.

Pelegrinazhi në Teqenë e malit të Sarisalltikut
Mbi qytetin e Krujës, në majen e Sarisalltikut në një shpellë të shenjtë ndodhet Teqja e Sarisalltikut, i cili sipas dokumenteve historike ishte një misionar që ka ardhur në Krujë në vitin 1325. Teqja përbëhej prej tre ndërtesave të lidhura me njëra tjetren dhe mendohet se është ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të XIV.

Pelegrinazhi i sektit bektashi për nder të tij zhvillohet përgjatë çdo muaji maj. Nga maja e Sarisalltikut në një lartësi prej 1.000 metrash mbi nivelin e detit hapet një pamje e mrekullueshme mbi qytetin e Krujës dhe detin Adriatik. Në majë të malit gjenden vende mjaft të përshtatshme për organizimin e pikniqeve siç është “ Fusha e Mejdanit”, ku është zhvilluar një betejë midis Skënderbeut dhe turqve.

Albanopoli (Zgërdheshi)
Ndodhet në krahun e djathtë të rrugës nga Fushë – Kruja në Krujë, pranë fshatit Halil. Në vitin 1871 albanologu i shquar austriak Han, vizitoi kalanë ilire të Zgërdheshit dhe hodhi idenë se ky ishte ALBANOPOLI antik, kryeqendra e fisit të Albaneve, prej të cilit ka marrë emrin edhe Albania. Qyteti antik i ngritur në kodër zinte një sipërfaqe prej 10 hektarësh. Muret e fuqishme me gjatesi 1.400 metra e mbronin atë nga të gjitha anët.

Sot ruhet një pjesë muri prej 90 metrash i gjatë. Në këtë vendbanim akropoli zë 1/3 e sipërfaqes. Nga terrakotat e zbuluara në Zgërdhesh vlen të përmendet një shtatore e vogël mermeri e perëndeshës Artemis. Qyteti antik ka lulëzuar për 3 deri 4 shekuj deri sa u braktis në shek II A.D.

Muzeu Mezuraj
Eshte i pari muzeum privat i ngritur ne Shqiperi. Ai ndodhet ne Rrugen e Kavajes , pikerisht ne “ Sky Tower Business Center” . Ne sallat e ketij gjenden te ekspozuara objekte arkeologjike si dhe nje koleksion ikonografik dhe pikturash te ndryshme , te cilat datojne qe prej shekullit te XVIII e deri ne ditet e sotme. Muzeu mezuraj shquhet per nje menaxhim mjaft bashkekohor.

5,524 shikime gjithsej, 5 shikime sot

Trashegimia Natyrore

| Shqipëri, Shqipëria Jugore, Turizëm | 12 June 2011

PARKU KOMBETAR “BREDHI I HOTOVES”Ka një sip. prej 1200 ha dhe ndodhet në krahinën e Frashërit, rreth 35 km në verilindje të qytetit të Përmetit. Karakteristike e këtij parku është Bredhi i Hotovës, i cili konsiderohet si një nga reliket bimore mesdhetare më të rëndësishme të vendit. Falë natyrës së bukur e piktoreske, klimës së shëndetshme, ajrit të pastër dhe afërsisë me qendrat e banuara, ky park merr vlera turistike, rekreative e sportive në çdo stinë.

PEIZAZHI TURISTIK I UJIT TE FTOHTE TEPELENE
Ky peizazh mund të shijohet duke kaluar në rrugën nacionale Gjirokastër–Tepelenë dhe është një nga perlat e natyrës shqiptare. Pellgu ujëmbledhës i tij është shumë i madh dhe burimi i ujit në sipërfaqje është i pandryshueshëm. Gjatë periudhës së verës, uji i ftohtë që buron aty pranë, i jep natyrës një freski që gjithkush mund ta shijojë.

Peizazhi përreth “Ujit të Ftohtë të Tepelenës“ është i pasur me vegjetacion dhe është mjaft i frekuentuar nga banorët e Tepelenës dhe Përmetit si vend rekreacioni. Ai shfrytëzohet gjithashtu edhe si ndalesë pushimi gjatë udhëtimit Tiranë–Sarandë.

UJERAT TERMALE NE FSHATIN BENJE TE PERMETIT
Ndryshe njihet me emrin Banjat e Bënjës. Gjenden 14 km larg qytetit të Përmetit, komuna Petran, nga i cili dalin gjashtë burime kryesore në rrëzë të shkëmbinjve masivë, në të dy anët e lumit të Langaricës. Për të vajtur tek ky monument natyre ndiqet intinerari, rruga automobilistike Përmet –Petran–Bënjë.

Ujërat me bazë sulfurorë kanë efekte shumë të larta kuruese, specialistët i mbajnë si më të mirat në Evropë. Janë katër burime që përdoren për sëmundjet kronike të reumatizmave (artikulare), një burim për sëmundjet e stomakut dhe një burim për sëmundjet e lëkurës.Temperatura e ujërave varijon 26–32°C. Janë shfrytëzuar nga shteti në vitet 1964–1975. Aktualisht, strukturat nuk janë në gjendje të ofrojnë shërbim cilësor. Këto ujëra janë të hapura dhe shfrytëzohen si “out door “.

PEIZAZHI TURISTIK LUMOR E SPORTIV I VJOSES
Vend pushimi në të cilin gjenden burime ujore malore, të cilat derdhen në lumin Vjosë në formë ujërash, të rrethuara nga një masiv pemësh.

Është peizazh karakteristik lumor, ku ndërthuren natyrshëm bimësia barishtore, drurët pyjorë me bimësinë higro–hidrofile që gjendet përgjatë burimeve ujore në shtratin e lumit Vjosë. Bie në sy karakteri i ngushtë i luginës, i cili vende-vende arrin në 1– 1.5 km.

Në largësinë rreth 3 km. nga qyteti Këlcyrës ndodhen Rrepet e Grykës, objekt që funksionon si pikë turistike. Peizazhi i drurëve pyjorë, i harmonizuar me burime të bollshme ujore ka vlera atraktive, estetike e ekoturistike. Përgjatë luginës, Gryka e Këlcyrës, e gjatë 13 km, gjendet burimi ujor “Ujët e Zi’, që ruan kaltërsinë edhe kur përzihet me ujërat e lumit Vjosë. Ky peizazh ka vlera mjedisore të pazëvendësueshme, tepër çlodhës dhe rekreativ për vizitorët. Frekuentohet nga vizitorë vendas dhe të huaj. Gryka e Këlcyrës është vendi i përshtatshëm për ushtrimin e sporteve ujore, si; kajakët , kanoet, etj.

SHPELLA NIVICES
Shpella e Nivicës ndodhet në afërsi të fshatit Nivicë të rrethit Tepelenë. Ka një gjatësi deri në disa km, gjerësi mesatare rreth 15m, ndërsa thellësia arrin deri në disa dhjetëra metra. Janë formuar nga erozioni i përroit të Nivicës, pjesë e atij të Bencës, në shkëmbinjtë gelqerorë. Shpatet e kanionit janë vertikalë, kanë guva e shpella karstike shumë të vështira për t’u eksploruar. Kalimi përgjatë fundit të kanionit është i vështirë, pasi ka dhe pragje me lartësi deri disa metra. Pamja e tyre madhështore, gjelbërimi në të dy anët e tyre, i bëjnë ata tërheqës. Kanë vlera shkencore didaktike e turistike.

UJERAT TERMALE NE LESKOVIK
Ndodhen 10 km në jug-lindje të qytetit të Leskovikut pranë kufirit me Greqinë. Këto ujëra përmbajnë sasira të vogla kripërash minerale, ndërsa temperatura e tyre lëviz ndërmjet 28ºC dhe 40ºC. Janë mjaft të favorshme dhe kanë efekte kurative. Pranë këtyre burimeve, ka struktura të cilat ofrojnë shërbimet e tyre për akomodim, fjetje, bare, restorante, etj.

5,799 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Trashegimia Kulturore

| Shqipëri, Shqipëria Jugore, Turizëm | 12 June 2011

QYTETI I LASHTE I ANTIGONESE
Antigonea u themelua më 295 p.e.r nga Piroja, mbreti Epirit dhe u ndërtua në shekullin pasues në vendin e një qendre të hershme ilire. Emrin e mori për nder të gruas së tij të parë, vajza e mbretit të Egjiptit. Objektet e gjetura në rënojat e qytetit të lashtë dëshmojnë për pasurinë e qytetit dhe historinë e tij të hershme. Këtu është gjetur edhe një statujë e vogël bronxi e bukur e Poseidonit, e cila aktualisht gjendet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Këto dhe objekte të tjera, tregojnë për lidhjet me detin dhe me Amantian, si dhe qytetet e Gjirit të Vlorës.

Në gërmimet e Antigonesë, janë gjetur disa kishëza të periudhës së shekullit të VI p.e.r.

KESHTJELLA E GJIROKASTRES
Eshtë një fortesë e madhe me vendosje të mrekullueshme, duke sunduar gjithë luginën e Drinosit. Brenda saj ndodhen Muzeu Kombëtar i Armëve, një ekspozitë e mjeteve ushtarake, ndërtesat e burgut dhe një oborr ekzekutimi.

Nga gërmimet e bëra brenda kalasë, janë gjetur objekte të shumta qeramike dhe enë të përdorimit shtëpiak, si; pjata, kupa dhe një mur antik që flet për një qendër banimi, i cili i përket shek të IV–III B.C. Kjo qendër banimi quhej Pirrocastra, që do të thotë kështjellë apo kamp i Piros. Por punimet për rrethimin e kësaj qendre ku është sot kështjella, filluan në shek e V të erës së re, ku dhe sot, brenda kalasë, gjendet muri rrethues i asaj kohe. Ndërtimi i saj vazhdoi disa shekuj dhe vetëm në shekullin e XII, merr formën e një kalaje, por jo siç është sot.

Kur del nga Kështjella kalon nëpër një rrugë, ku në të dy anët e së cilës ka 200 shtëpi të ndërtuara me gurë. Brenda në fortesë gjendet xhamia e Pajazut Khanit, në veri të fortesës është tregu i vjetër dhe quhet pazari i kalasë me 40 dyqane.

Tregu ka dy porta, që në darkë mbyllen. Ndërtimi i qytetit jashtë mureve, e ka zanafillën në shek e XIII, ku numri i familjeve u rrit dhe nuk i merrte më vendi. Kështu lindi një qendër e re banimi, të cilën në vitin 1336 e quajtën Argjirokastron. Në fund të shekullit XIV e gjejmë me emrin Gjinokastër, emër të cilin e merr nga tradita e pagëzimit të emrave të qyteteve të asaj kohe, me emrat e sundimtarëve të tyre.

Kalaja e Gjirokastrës shërben sot, si vend ku zhvillohen aktivitete artistiko-kulturore dhe muzikore.

MUZEU I ARMEVE GJIROKASTER
Muzeu i Armëve ndodhet në brendësi të kështjellës së Gjirokastrës. Ai përmban materiale që paraqesin zhvillimin e armëve në Shqipëri që nga kohët më të lashta e deri në ditët e sotme. Numri i madh i armëve dhe pajisjeve ushtarake nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, kanë interes kryesisht për specialistët, duke përmendur këtu një tank italian të vendosur në këndin më të largët. Ka gjithashtu edhe disa armë karakteristike të periudhës së vonë osmane. Të ekspozuara janë edhe një kontigjent armësh të periudhës së Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar.

MUZEU ETNOGRAFIK I GJIROKASTRES
Gjendet në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Njihet ndryshe si shtëpia e lindjes së ish diktatorit Enver Hoxha. Aktualisht vizitohet nga shumë turistë dhe të interesuar për traditën, kulturën dhe etnografinë shqiptare.

KESHTJELLA E ALI PASHE TEPELENES
Kështjella e Tepelenës përbën një vendbanim të hershëm Ilir të ngritur në një pikë strategjike në kryqëzimin e rrugëve, gjatë lumit Vjosë dhe Drino. Këtë Kala, turqit e rrënuan gjatë rrethimit të vitit 1492. Prej saj ruhen vetëm pak gjurmë në pjesën veriore, ndërsa më vonë kjo Kala u rindërtua nga turqit. Sot është në gjendje të mirë. Ali Pasha është një figurë komplekse që lartëson emrin e Tepelenës, biri i Veliut dhe Hankos (bija e beut të Konicës). Kur ishte 14 vjeç i vdiq i ati.

Nëpërmjet trimërisë dhe krushqive, ai bëri një karrierë brilante. Në vitin 1784 fitoi gradën e ”Pashait”, pranë Veliut të Rumelisë. Po në këtë vit siguroi me luftë qeverisjen e sanxhakut të Delvinës. Në vitin 1786-1788 u bë qeveritar i sanxhakut të Thesalisë dhe shtiu në dorë qeverisjen e sanxhakut të Janinës, ku duke mbrojtur interesat e çifligarëve të rinj dhe të borgjezëve tregtarë, e ktheu Janinën në qendër të tregut ndërkombëtar të Rumelisë së Jugut.

KESHTJELLA E LIBOHOVES
U ndërtua në vitin 1796 –1798. Kjo Kala ka qenë dhuratë e Ali Pash Tepelenës për motrën e tij, Shanisha, e martuar në Libohovë. Eshtë objekt i vizitueshëm dhe me interes për turistët e apasionuar pas historisë.

3,403 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Tepelena

| Shqipëri, Shqipëria Jugore, Turizëm | 12 June 2011

Ngrihet mbi bregun e lumit Vjosa, rreth 3 km larg bashkimit të tij me Drinosin, mbi një ngritje shkëmbore. Emri Tepelenë do të thotë Kodra e Helenës, sepse, sipas legjendës, vendi kishte pasur besëlidhje me fshatrat fqinjë të Damesit e të Dragotit, nën mbretëreshën vendase, Helenën.

Tepelena është vendlindja e Ali Pashë Tepelenës. Ndonëse nuk ka madhësinë fizike dhe madhështinë e kështjellave në Berat, Shkodër, Gjirokastër, ajo ka një atmosferë të veçantë, që e kanë ndjerë në të kaluarën shumë vizitorë prej botës anglo-saksone.

Ali Pasha është një figurë komplekse që lartëson emrin e Tepelenës, biri i Veliut dhe Hankos (bija e beut të Konicës). Kur ishte 14 vjeç, i vdiq i ati. Nëpërmjet trimërisë dhe krushqive ai bëri një karrierë brilante. Në vitin 1784 fitoi gradën e ”Pashait”, pranë Veliut të Rumelisë.

Po në këtë vit,siguroi me luftë qeverisjen e sanxhakut të Delvinës. Në vitin 1786-1788 u bë qeveritar i sanxhakut të Thesalisë dhe shtiu në dorë qeverisjen e sanxhakut të Janinës. Mbrojti interesat e çifligarëve të rinj dhe të borgjezëve tregtarë dhe e ktheu Janinën në qendër të tregut ndërkombëtar të Rumelisë së Jugut..

3,296 shikime gjithsej, 3 shikime sot

Permeti

| Shqipëri, Shqipëria Jugore, Turizëm | 12 June 2011

Ndodhet në juglindje të Shqipërisë. Në kohët antike ajo quhej “Trifylia” dhe banohej nga fisi ilir i Parauejve, që banonin pranë lumit që sot quhet Vjosa.
Të dhënat historike tregojnë se Përmeti qysh në lashtësi ishte i pajisur me pazare, dyqane, magazina, hane, etj. Ato që përbëjnë të veçantat e këtij qyteti janë: mikpritja, nikoqirllëku, tradita në ndërtimet dhe rregullimet e mjediseve të shtëpive, etj.

Shquhet për figurat historike siç janë: Vëllezërit Frashëri, emblema e Përmetit, skulptorët Odhise Paskali e Jani Paço, historianët Stefanaq e Kristo Frashëri, shkrimtari Nonda Bulku, Sejfulla Malëshova, violinisti Tedi Papavrami, aktori Naim Servet Frashëri, etj.

Ndër monumentet e vizitueshme në Përmet, përmendim Shtëpinë e Vëllezërve Frashëri, banesat e shumta tipike, kishat e Shën Mërisë në Kosinë (shek.XII), Ura e Limarit mbi lumin e Zagorisë, etj. Të gjitha këto objekte dëshmojnë kulturën e këtij qyteti.

Përmeti dallohet gjithashtu për traditën në zejtari, argjendari, qëndistari, punimet e metalit, gurit dhe drurit. Dallohet kjo zonë për shoqërimin e valleve qytetare me instrumentin e quajtur “saze”, që njihet mjaft brenda dhe jashtë vendit.

3,696 shikime gjithsej, 4 shikime sot

Gjirokastra

| Shqipëri, Shqipëria Jugore, Turizëm | 12 June 2011

Eshtë shpallur “Qytet Muze” në vitin 1961 dhe në vitin 2005 Pasuri Botërore “UNESCO”. Eshtë qyteti kryesor i pjesës jugore të vendit. Në zanafillën e vet ka qenë vendbanim ilir, i lidhur me fisin Argjiroi. Gjirokastra ka edhe një prejardhje sipas një legjendë, e cila thotë se u themelua prej një princeshe me emrin Argjiro. Qyteti përmendet në kujtimet e kronikantit bizantin John Kantakuzenit, si fortesë e familjes së Zenebisheve. Me 1417 ra në dorë të turqve dhe u shndërua në një qendër të rëndësishme të pushtetit osman dhe administratës për qindra vjet, duke u bërë qendra e Sanxhakut të Shqipërisë së Jugut.

Gjirokastra ka qenë teatri i shumë ngjarjeve të rëndësishme në historinë e vendit, e vendosur në një zonë veçanërisht të ndjeshme dhe me rëndësi strategjike nga ana ushtarake, duke qenë fare afër kufirit me Greqinë:. Këtu ka lindur shkrimtari i njohur Ismail Kadare.

Ismail Kadare
Lindi në vitin 1936, Studjoi Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe më pas vazhdoi studimet e tij në universitetin “Gorki” në Moskë. Pas prishjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovietik në 1961, u kthye në atdhe. Filloi punën si gazetar. U bë i njohur me novelën e tij të parë “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, të cilën e shkroi midis viteve 1962 dhe 1966.
Më pas, kjo novelë shërbeu si subjekt për filmin e realizuar me të njëjtin titull, ku rolin kryesor e luajti aktori i mirënjohur italian, Marcello Mastrojani. Suksese të vazhdueshme njohu karriera e shkrimtarit brenda dhe jashtë vendit. Sot ai përfaqëson ikonën e letërsisë shqiptare, shkrimtari më i përkthyer dhe më i shitur jashtë vendit, disa herë kandidat për OSCAR dhe i kurorëzuar me shumë çmime honorifike të letërsisë botërore. Në vitin 2005 u kurorëzua me çmimin “Man Booker International”. Eshtë një nga figurat, me të cilat Shqipëria dhe letërsia shqiptare krenohet.

2,654 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Erseka

| Shqipëri, Shqipëria Jugore, Turizëm | 12 June 2011

Eshtë një qytet i ri i krijuar në fillimet e shek. të XVIII-të. Ai shtrihet në rrëzë të malit të Gramozit në lartësi 1050 m. mbi nivelin e detit. Zbulimet arkeologjike tregojnë se kjo trevë ka qenë banuar qysh në epokën e neolitit ( 6000-3000 vjet p.e.re). Objekte dhe sende të gjetura e vërtetojnë këtë. Shumë prej tyre ruhen ende sot në Muzeun Historik Etnografik të qytetit të Ersekës.

Nga kjo trevë kanë dalë ideologë të shquar, publicistë të zot, mesues të talentuar dhe të përkushtuar, luftëtarë dhe kapedanë trima, si Fan Noli, Jani Vreto, Petro Nini Luarasi, Themistokli Germenji, etj. Erseka, si shumë krahina të tjera, ka traditën dhe zakonet e veta të ruajtura mirë dhe përcjellja me fanatizëm tek brezat e rinj.

3,046 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Trashegimia Natyrore

| Shqipëri, Shqipëria Veripërëndimore, Turizëm | 12 June 2011

Liqeni i Shkodrës
Eshtë liqeni më i madh i krejt gadishullit ballkanik. Ai ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 368 km 2, nga të cilat Republikës së Shqipërisë i përkasin 149 km2 me një vijë liqenore prej 57 km.

Një legjendë interesante shpjegon krijimin e liqenit. Sipas kësaj legjende, aty ndodhej një vijë uji që ushqehej nga një krua. Një mbrëmje, një nuse ndërsa po mbushte ujë në krua, i vjen lajmi se i shoqi ishte kthyer nga kurbeti. Nga gëzimi ajo u largua më të shpejtë duke harruar hapur grykën e kroit. Uji rrodhi gjatë gjithë natës dhe të nesërmen u krijua liqeni i Shkodrës.

Brigjet e liqenit janë mjaft atraktive dhe të larmishme. Pjesa veriore e tyre është e ulët e tipit të marsheve, ndërsa pjesa jugore rrëzë malit të Taraboshit është shkëmbore dhe e lartë. Pikërisht, këtu ndodhen edhe dy pikat më të rëndësishme turistike që janë Shiroka dhe Zogaj. Në krahun verior të liqenit është i njohur plazhi në lagjen Çulaj, pranë Koplikut. Po kështu, në të majtë të Koplikut, rreth 50 metra larg buzës së liqenit ndodhet burimi i “Syrit të Sheganit”, i cili ka një diametër prej 12 metrash nga ku buron uji i ftohtë. Kjo është një pikë interesante për të apasionuarit e zhyjtësve.

Banjat e diellit, të ujit, peshkimi dhe vozitja janë aktivitetet kryesore të liqenit të Shkodrës. Plazhi i Shirokës ka 250–260 ditë me diell në vit. Liqeni përfaqëson edhe një eko–sistem mjaft të rëndësishëm natyror. Aty gjenden 281 specie shpendësh, të cilat përbëjnë 87% të shpendëve të Shqipërisë. Aty dimërojnë 24 mijë individë shpendësh ujorë, fakt i cili krijon mundësinë e “bird watching”. Në ujërat e liqenit rriten 45 lloje peshqish, ku më të rëndësishmit janë krapi, shtojza dhe ngjala.

Parku Kombëtar i Thethit
Ndodhet në një distancë prej 70 km nga qyteti i Shkodrës, në zemër të alpeve shqiptare. Parku në fjalë ka një sipërfaqe prej 2.630 hektarë dhe shtrihet në një lartësi që varijon nga 600–2.570 metra mbi nivelin e detit. Bimësia kryesore e parkut përbëhet nga masivet e ahishteve, të cilat zënë 90 % të mbulesës drunore. Këtu gjenden ahe shekullorë që kanë diametër 1–1,5 metra.

Bimësia tjetër përbëhet nga panja, frashëri, shkoza dhe rrobulli. Këtu ka një përhapje të shumëllojshme të luleve, ku për t’u përmendur është Wulfenia e Baldaçit, e cila është bimë endemike, e cila rritet vetëm në Theth. Përsa i përket faunës këtu takohen 50 lloje shpendësh, 10 lloje rreptilesh dhe 8 lloje amfibësh. Parku i Thethit përbën habitatin më të populluar në Shqipëri me rrëqebullin (felix lynx), i cili është specie e rrezikuar. Për t’u përmendur janë prezenca e shqiponjës së artë, disa lloje qukapikësh, salamandra alpine, si dhe një larmi fluturash.

Objekte natyrore atraktive në parkun e Thethit është ujëvara e Grunasit 25–30 metra e lartë, pranë të cilës ndodhet shpella e “Birrëve me rrathë”, e cila është e pasur me stalagtide e stalagmite. Shpellë tjetër me interes për t’u vizituar është shpella e Arapit. Mjaft interesante janë burimet e ujit të Okolit, prej të cilave fillon përroi i Thethit, ku rritet trofta e mermertë.

Pranë Ndërlyses ndodhet një tjetër ujëvarë interesante. Këto burime gjenden në një lartësi prej 850 metrash mbi nivelin e detit. Zona ka mjaft rreshje dëbore, të cilat krijojnë një shtresë të qëndrueshme për 150 ditë në vit. Aktivitetet kryesore që zhvillohen ne Theth janë hiking, ngjitjet malore, eksplorimi i shpellave, lundrimi me kajake, peshkimi malor, sportet dimërore dhe biçikletat malore. Turi i këtyre të fundit mund të kryhet nga Kopliku në Theth, si dhe nga Thethi nëpër luginën e Shalës.

Këtu është i zhvilluar akomodimi në shtëpitë karakteristike të zonës, të cilat janë shtëpi guri me çati të tipit alpin. Parku i Thethit bën pjesë në projektin e “Parkut të Paqes”, që përfshin një territor midis Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës.

Razma
Eshtë një prej pikave turistike malore më të frekuentuara nga qyteti i Shkodrës. Razma është një pikë klimaterike malore vetëm 41 km larg nga qyteti i Shkodrës. Ajo ndodhet mbi disa kodra morenike rrëzë malit të Veleçikut, 1.725 metra i lartë. Zona është e rrethuar me pyje pishe dhe mënshteke. Ajo nuk bllokohet nga dëbora ndaj mbetet e vizitueshme gjatë gjithë vitit. Këtu ofrohet akomodim në dhoma me qera, ndërsa aktivitetet kryesore janë sportet dimërore, ekskursionet, ngjitjet, etj.
Vermoshi

Ndodhet në një distancë prej 95 km larg nga qyteti i Shkodrës dhe pikërisht në ekstremin më verior të Republikës së Shqipërisë. Kjo zonë quhet krahina e Kelmendit. Ky emërtim vjen nga fjala latine “Clemens” që do të thotë i urtë, i thjeshtë, i mirë. Mbasi përshkohet një rrugë dramatike dhe spektakolare nga Shkodra në Vermosh, ky i fundit ngrihet në një fushë malore të krijuar nga lumi i Vermoshit në një lartësi prej 1.100 metrash.

Në dy anët e luginës ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me bimësi. Si një pikë alpine, Vermoshi shquhet për shtresën e dëborës që zgjat deri në afro 100 ditë në vit. Zona ofron mundësi të shumta për ngjitje malore, trekking nëpër luginat e thella alpine, speleologji, gjueti trofte, etj.

2,490 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Trashegimia Kulturore

| Shqipëri, Shqipëria Veripërëndimore, Turizëm | 12 June 2011

Kalaja e Rozafës
Ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës. Ajo rrethohet prej ujërave të tre lumenjve; Bunës, Drinit dhe Kirit. Rozafa është një prej kështjellave më të rëndësishme në të gjithë Shqipërinë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Kalaja ka origjinë ilire dhe historiani Tit Liri e përmend si “vendi më i fortë i Labeatëve” (fis ilir në brigjet e liqenit të Shkodrës). Mbretëresha ilire Teuta, e ka përdorur atë si bazë në luftërat kundër Romës.

Emri Rozafa del në mesjetë. Me këtë emër lidhet legjenda që ka në qendër “mbajtjen e fjalës së dhënë” dhe si subjekt është murosja e Rozafës, nuses më të re të tre vëllezërve, që ngrinin muret e kalasë, por që shëmbeshin natën. Në hyrje të kalasë ndodhet bazorelievi i Rozafës. Uji gëlqeror që depërton tek hyrja kryesore lidhet me fantazinë popullore si qumështi i gjirit të Rozafës, i cili u la jashtë gjatë murosjes, për të ushqyer foshnjën e saj.

Formën e sotme kalaja e ka marrë gjatë periudhës së sundimit të familjes feudale të Balshajve (shek XIV). Sot, shumica e mbetjeve të kalasë i përkasin periudhës veneciane, sidoqoftë shihen gjurmë edhe të periudhës osmane (shek XVI – XVII) dhe të Bushatllinjve (shek XVIII – XIX). Muret e kalasë së Rozafës kanë një gjatësi prej 880 metrash dhe rrethojnë një sip. prej 9 hektarësh. Rozafa mbas një rezistence të fuqishme ra nën sundimin osman në vitin 1479.
Objekte të tjera brenda kalasë janë çisternat e ujit të shek XV, katedralja e shek XIII, e cila pas pushtimit osman u kthye në xhami. Po kështu, aty ndodhet edhe muzeu i Rozafës që shpjegon periudhat e ndryshme të kalasë.

Sarda
Rrënojat e qytetit mesjetar gjenden në një ishull të liqenit artificial të Vaut të Dejës, i cili është krijuar në vitin 1971. Vetë liqeni ka një sipërfaqje prej 24,7 km2. Sarda gjendet në ishullin e Shurdhahut. Distanca nga qyteti i Shkodrës është 35 km. Këtu janë gjetur rrënojat e një kalaje romake të shek 6 – 8 BC. Objektet kryesore për vizitorin i përkasin shek të 11. Këtu ka qenë rezidenca e familjes së rëndësishme feudale shqiptare të Dukagjinasve. Objektet e vizitueshme përbëhen nga muret mbrojtëse të kështjellës, mbetjet e kishës si dhe porta e pallatit të Dukagjinasve. Sarda ndodhet në një vend mjaft piktoresk.

Kalaja e Drishtit
Gjendet në një distancë prej 6 km nga Ura e Mesit mbi lumin Kir. Fshati i sotëm gjendet poshtë vendgërmimit të Drivatiumit të lashtë. Ai u ngrit në periudhën romake si një vendbanim në rrugën Shkodër – Kosovë dhe në antikitetin e vonë ishte njëra prej fortesave zinxhir që mbronte Shkodrën në shek IX. Drishti u kthye në një fortifikim të rëndësishëm të mbretërisë së Zetës dhe varej nga Dioqeza e Tivarit. Kalaja e Drishtit u ngrit në shek e XIII si një fortesë bizantine.

Qyteti arriti kulmin e zhvillimit në shek XIV, derisa arriti edhe pavarësinë nga Shkodra. Në vitin 1442 Drishti ra në duart e Venedikut, më pas u morr nga Skëndërbeu dhe më në fund u pushtua nga osmanët në 1478. Kalaja gjendet në një kodër 800 metra e lartë. Brenda mureve të kalasë gjenden 11 shtëpi të fshatit që formojnë një lagje.

Ura e Mesit
Gjendet vetëm 8 km larg nga Shkodra mbi lumin Kir. Mbi këtë lumë kanë qenë gjithsej tre ura; Ura e Shtrenjtë, Ura e Kirit dhe Ura e Mesit. Në ditët e sotme ka mbijetuar vetëm Ura e Mesit, mbasi dy të parat janë shkatërruar. Ura e Mesit lidh Shkodrën me Drishtin dhe krahinën e Cukalit. Ajo është e veçantë në llojin e vet dhe përbën një “monument kulture”. Kjo urë përmendet nga albanologu i shquar austriak Han, në mesin e shek XIX. Ura ka 13 harqe dhe gjatësia e saj është 103 metra.

Kisha e Shirgjit
Ndodhet 20 km larg nga qyteti i Shkodrës, në bregun e majtë të lumit Buna pranë fshatit Obot. Kjo ka qenë një kishë e shekullit të XIII (rreth vitit 1290). Kisha ka stil romantiko–gotik. Sot mbetjet përfaqësohen nga disa fragmente muresh si dhe disa varre murgjërish. Kisha e Shirgit ka qenë mjaft e preferuar nga ana e princërve shqiptarë dhe malazezë për të kryer ceremonitë e martesave.

Xhamia e Plumbit
Eshtë një monument kultur i qytetit të Shkodrës. Ajo ndodhet mbas kalasë së Rozafës, në anën jugore të saj. Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitin 1773 nga Mehmet pashë Bushatit, sipas stilit të xhamisë Blu të Stambollit.

Lagjia e Gjuhadolit
Shtrihet në qytetin e Shkodrës midis rrugëve “13 Dhjetori” dhe “Branko Kadija”. Eshtë një lagje mjaft interesante me arkitekturë të tipit venecian, ku bien në sy dritaret me kangjella. Në këtë rrugë gjenden disa nga ish rezidencat diplomatike të konsullatave të huaja në Shkodër. Në këtë lagje gjendet edhe kisha e Gjuhadolit ku është varrosur Gjergj Fishta, një prej figurave më të rëndësishme të letrave shqipe.

Muzeu Historik i Shkodrës
Eshtë çelur në vitin 1947 dhe aktualisht ndodhet në një ndërtesë monumentale të shek XIX në rrugën “Oso Kuka”. Si bazë për ndërtimin e këtij muzeu kanë shërbyer koleksionet arkeologjike dhe etnografike të Kuvendit Françeskan dhe Seminarit Jezuit, të themeluar nga fundi i shek XIX. Sot muzeu është i konceptuar në disa sektorë, siç janë; arkeologjia, historia dhe etnografia.

Muzeu ka edhe bibliotekën e tij me një fond relativisht të pasur prej 15.000 titujsh nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Librat më të vjetër i përkasin shek XVII ku mund të përmendim “Doktrinën e Krishterë“ të Pjetër Budit. Kjo bibliotekë i mbulon të gjitha fushat e albanologjisë. Sektori i arkeologjisë ka një fond prej 500 objektesh, ndërsa ai i etnografisë ka një fond prej 1.500 objektesh. Në muze ka edhe një koleksion numizmatik.

Fototeka Marubi
Eshtë krijuar në vitin 1970 dhe ndodhet në qendër të qytetit të Shkodrës. Aty ruhen negativë të fotografive të cilat i përkasin një periudhe 150 vjeçare. Ndër to gjendet edhe negativi i parë i fotografisë shqiptare, i realizuar nga Pietro Marubi. Fototeka ruan një fond prej 500 mijë negativash. Këto janë realizuar në radhë të parë nga familja Marubi (Pietro, Kel dhe Gege Marubi), por edhe nga autorë të tjerë si Zhan Pici, Jakova, Rraboshta dhe Nenshati.

3,580 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Faqja 2 of 512345