Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Trashegimia Natyrore

| Shqipëri, Tirana dhe zonat përreth saj, Turizëm | 12 June 2011

Ujërat Termale të Bilajt

Ndodhen në fshatin Bilaj, në krah të rrugës nacionale Fushe Krujë – Vorë. Burimet termale dalin në depozitimet e luginës së Ishmit. Këto janë ujëra sulfurorë të pasura në lëndë minerale, si; Ca,Na,K,Fe,Mg. Temperatura e tyre arrin në 55 gradë Celcius. Këto ujëra kanë veti kuruese ndaj sëmundjeve të tilla, si; reumatizmës, lëkurës si dhe sistemit nervor.

Parku Kombëtar i Qafë Shtamës

Ndodhet 25 km në veri – lindje të qytetit të Krujës. Ai ka një sipërfaqe prej 2.000 hektarësh. Për të mbërritur në park, rruga hyn në kanionin e ngushtë të Vajës, i cili është 600 – 700 metra i thellë, poshtë të cilit rrjedh lumi i Drojës. Sipas një legjende, mbas pushtimit të Krujës nga turqit, 90 vajza krutane u hodhën në humnerë për të mos rënë në duart e tyre.

Parku i Qafë Shtamës është i mbuluar me pyje pishe dhe është një qendër klimaterike, sidomos për sëmundjet e mushkërive. Këtu ndodhet edhe “Burimi i Nënës Mbretëreshë”, i cili është ujë i pijshëm kurativ. Qafë – Shtama është një objekt natyror i përshtatshëm për aktivitete të tilla, si; ekskursione, turizmin e çadrave, etj.

Parku Kombetar i Dajtit
Ndodhet 26 km në lindje të Tiranës dhe në një distancë prej 50 km nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit. Mali i Dajtit, ku ndodhet parku, ka një lartësi maksimale prej 1.612 metrash mbi nivelin e detit. Për pozicionin e tij të bukur dhe dominant, ai quhet edhe “ballkoni natyror i Tiranës”. Sipërfaqja e parkut kombëtar është 3.300 hektarë.

Në lartësinë 1.050 metra mbi nivelin e detit gjendet fusha e Dajtit, 3 km e gjatë. Eshtë vendi kryesor ku mblidhen vizitorët që udhëtojnë për në Dajt, ku organizohen piknike, barbekiu, lojëra të ndryshme, etj. Aty janë të koncentruara edhe shërbimet, si; hotelet, restorantet dhe baret. Bimësia e Parkut Kombëtar të Dajtit është mjaft e larmishme dhe bie në sy bimësi me kate. Kështu, pyjet e ahut shtrihen në lartësitë nga 1.000 deri në 1.500 metra. Aty rriten edhe ahe 200 vjeçarë.

Lloji tjetër i bimësisë janë dëllinjat, shqopat, ndërsa në lartësitë më të ulëta dushqet dhe rrobulli. Zona e poshtme nga 300 deri 600 metra, është e veshur me shkurre mesdhetare të tipit të makjeve. Fauna e parkut përbëhet nga 4 lloje amfibesh, 8 lloje zvarranikësh, 9 lloje gjitarësh dhe 11 lloje shpendësh. Për tu përmendur janë prezenca e shqiponjës së malit, petritit, qukapikut të zi, ujkut, lepurit të egër, lunderzës, lakuriqit të natës, hundëpatkua, etj. Në malin e Dajtit ka edhe rreshje dëbore, por shtresa e saj zakonisht nuk qëndron gjatë.

Aktivitetet kryesore që zhvillohen aty janë ekskursionet, ngjitjet malore, sportet ajrore, si dhe në shkallë më të vogël, skitë. Mali i Dajtit është mjaft aksesibël, mbasi nga Tirana, krahas rrugës automobilistike mund të shkohet edhe me “cable car”, i cili niset nga Linza drejt fushës së Dajtit. Ky udhëtim zgjat vetëm 14 minuta.

Shpella e Pëllumbasit
Ndodhet 25 km në jug – lindje të Tiranës, përgjatë rrugës nacionale Tiranë – Elbasan. Ajo është e pozicionuar mbi grykën panoramike të Skoranës të krijuar nga lumi i Erzenit. Shpella është e ruajtur mjaft mirë dhe ka një gjerësi prej 10–35 metrash, një lartësi 15–40 metrash dhe arrin deri në 300 metra gjatësi. Krahas formave karstike me stalagtite e stalagmite, është për t’u përmendur fakti se këtu janë gjetur skelete të ariut të shpellave (ursus speleus), i cili ka jetuar rreth 400 mijë vjet më parë.

Në gjithë kontinentin Evropian, ka vetëm 5 shpella të tilla. Në shpellë janë gjetur edhe mbetje të jetës humane, që i përkasin periudhës që prej peleolitit e deri në mesjetën e hershme.

Shkalla e Tujanit
Gjendet në vargun malor Krujë-Dajt, pikërisht në grykën që formon lumi i Tiranës midis malit të Dajtit dhe atij të Brarit. Për të shkuar deri aty, ndiqet rruga automobilistike Tiranë – Brarë – Malësia e Tiranës. Eshtë një grykë panoramike, ku në ujërat e lumit të Tiranës mund të ushtrohen kajaket.
Gryka e Myrdarit

Gjendet në jug – lindje të Tiranës midis Malit të Pashkasheshit dhe Qafës së Krrabës, përgjatë rrugës automobilistike Tiranë – Kllojkë. Ajo është e formuar nga përroi i Myrdarit, degë e Lumit të Erzenit. Gryka në fjalë është madhështore dhe ofron një pamje të bukur panoramike. Vizita për në grykën e Myrdarit mund të kombinohet me aktivitete që organizohen përgjatë luginës së Erzenit nga Iba deri në urën e Farkës

Lugina e Erzenit
Rajoni nga Iba e deri në urën e Farkës, i cili përbën edhe rrjedhjen e mesme të tij, përfaqëson një luginë të këndshme me mundësi për aktivitete të ndryshme, si; ato të banjave të diellit, ujit, peshkimit, si dhe qitjet me pjatel në urën e Peshkatarit.

Rezervatet e gjuetisë së Qafë Mollë-Denjasit dhe Berzanës

Gjenden pranë Qafë Mollës, pas malit të Dajtit, në rrugën nga Qafa e Priskës për në Malin me Gropa. Janë rezervate të gjuetisë të kategorisë B, ku ushtrohet gjuetia e derrit të egër. Rezervati i Qafë Mollës ka një sipërfaqe prej 3.300 hektarësh. Aty gjenden edhe shqiponja e malit, thëllënza e malit, lepuri i egër, etj.

Mali me Gropa dhe Biza
Kjo zonë malore ndodhet në lindje të qytetit të Tiranës, pas malit të Dajtit. Për të mbërritur aty, ndiqet rruga automobilistike Tiranë–Linzë–Qafë Priskë–Qafë Mollë–Bizë. Mali me gropa është një zonë malore e përbërë nga shkëmbinj karbonatikë të zhveshur, me një lartësi nga 1.500–1.800 metra mbi nivelin e detit. Aty ka forma të larmishme të karstit, si puse dhe kone karstike. Në disa zona toka është e mbuluar me bar alpin dhe ndeshen lëndina me lule të shumëllojshme. Zona e Bizës, gëzon gjithashtu, statusin e zonës së mbrojtur me sipërfaqe 1.370 hektarë.

Parku i madh i Tiranës
Shtrihet në kodrat në jug–lindje të Tiranës. Ai ka një sipërfaqe prej 230 hektarësh dhe në qendër të tij ka një liqen artificial prej 55 hektarësh. Në park rriten 120 lloje drurësh, shkurresh dekorative dhe lulesh. Eshtë një vend mjaft i frekuentuar për rekreacion si dhe vrapime në natyrë, aerobi si dhe banja dielli pranë liqenit.

Në kompleksin e parkut ndodhen varrezat e ushtarëve britanikë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, atyre gjermanë, vëllezërve Frashëri (figura shumë të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare), si dhe varri i Faik Konicës, një figurë e rëndësishme e kulturës shqiptare. Në perëndim të Parkut të Madh ndodhet kompleksi i pishinave “Aquadrom” dhe Kopshti Botanik i Tiranës i çelur në vitin 1971, me një sipërfaqe prej 14,5 hektarësh

Nuk ka Tag-ë

3,714 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment