Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Trashegimia Natyrore

| Shqipëri, Shqipëria Jugore, Turizëm | 12 June 2011

PARKU KOMBETAR “BREDHI I HOTOVES”Ka një sip. prej 1200 ha dhe ndodhet në krahinën e Frashërit, rreth 35 km në verilindje të qytetit të Përmetit. Karakteristike e këtij parku është Bredhi i Hotovës, i cili konsiderohet si një nga reliket bimore mesdhetare më të rëndësishme të vendit. Falë natyrës së bukur e piktoreske, klimës së shëndetshme, ajrit të pastër dhe afërsisë me qendrat e banuara, ky park merr vlera turistike, rekreative e sportive në çdo stinë.

PEIZAZHI TURISTIK I UJIT TE FTOHTE TEPELENE
Ky peizazh mund të shijohet duke kaluar në rrugën nacionale Gjirokastër–Tepelenë dhe është një nga perlat e natyrës shqiptare. Pellgu ujëmbledhës i tij është shumë i madh dhe burimi i ujit në sipërfaqje është i pandryshueshëm. Gjatë periudhës së verës, uji i ftohtë që buron aty pranë, i jep natyrës një freski që gjithkush mund ta shijojë.

Peizazhi përreth “Ujit të Ftohtë të Tepelenës“ është i pasur me vegjetacion dhe është mjaft i frekuentuar nga banorët e Tepelenës dhe Përmetit si vend rekreacioni. Ai shfrytëzohet gjithashtu edhe si ndalesë pushimi gjatë udhëtimit Tiranë–Sarandë.

UJERAT TERMALE NE FSHATIN BENJE TE PERMETIT
Ndryshe njihet me emrin Banjat e Bënjës. Gjenden 14 km larg qytetit të Përmetit, komuna Petran, nga i cili dalin gjashtë burime kryesore në rrëzë të shkëmbinjve masivë, në të dy anët e lumit të Langaricës. Për të vajtur tek ky monument natyre ndiqet intinerari, rruga automobilistike Përmet –Petran–Bënjë.

Ujërat me bazë sulfurorë kanë efekte shumë të larta kuruese, specialistët i mbajnë si më të mirat në Evropë. Janë katër burime që përdoren për sëmundjet kronike të reumatizmave (artikulare), një burim për sëmundjet e stomakut dhe një burim për sëmundjet e lëkurës.Temperatura e ujërave varijon 26–32°C. Janë shfrytëzuar nga shteti në vitet 1964–1975. Aktualisht, strukturat nuk janë në gjendje të ofrojnë shërbim cilësor. Këto ujëra janë të hapura dhe shfrytëzohen si “out door “.

PEIZAZHI TURISTIK LUMOR E SPORTIV I VJOSES
Vend pushimi në të cilin gjenden burime ujore malore, të cilat derdhen në lumin Vjosë në formë ujërash, të rrethuara nga një masiv pemësh.

Është peizazh karakteristik lumor, ku ndërthuren natyrshëm bimësia barishtore, drurët pyjorë me bimësinë higro–hidrofile që gjendet përgjatë burimeve ujore në shtratin e lumit Vjosë. Bie në sy karakteri i ngushtë i luginës, i cili vende-vende arrin në 1– 1.5 km.

Në largësinë rreth 3 km. nga qyteti Këlcyrës ndodhen Rrepet e Grykës, objekt që funksionon si pikë turistike. Peizazhi i drurëve pyjorë, i harmonizuar me burime të bollshme ujore ka vlera atraktive, estetike e ekoturistike. Përgjatë luginës, Gryka e Këlcyrës, e gjatë 13 km, gjendet burimi ujor “Ujët e Zi’, që ruan kaltërsinë edhe kur përzihet me ujërat e lumit Vjosë. Ky peizazh ka vlera mjedisore të pazëvendësueshme, tepër çlodhës dhe rekreativ për vizitorët. Frekuentohet nga vizitorë vendas dhe të huaj. Gryka e Këlcyrës është vendi i përshtatshëm për ushtrimin e sporteve ujore, si; kajakët , kanoet, etj.

SHPELLA NIVICES
Shpella e Nivicës ndodhet në afërsi të fshatit Nivicë të rrethit Tepelenë. Ka një gjatësi deri në disa km, gjerësi mesatare rreth 15m, ndërsa thellësia arrin deri në disa dhjetëra metra. Janë formuar nga erozioni i përroit të Nivicës, pjesë e atij të Bencës, në shkëmbinjtë gelqerorë. Shpatet e kanionit janë vertikalë, kanë guva e shpella karstike shumë të vështira për t’u eksploruar. Kalimi përgjatë fundit të kanionit është i vështirë, pasi ka dhe pragje me lartësi deri disa metra. Pamja e tyre madhështore, gjelbërimi në të dy anët e tyre, i bëjnë ata tërheqës. Kanë vlera shkencore didaktike e turistike.

UJERAT TERMALE NE LESKOVIK
Ndodhen 10 km në jug-lindje të qytetit të Leskovikut pranë kufirit me Greqinë. Këto ujëra përmbajnë sasira të vogla kripërash minerale, ndërsa temperatura e tyre lëviz ndërmjet 28ºC dhe 40ºC. Janë mjaft të favorshme dhe kanë efekte kurative. Pranë këtyre burimeve, ka struktura të cilat ofrojnë shërbimet e tyre për akomodim, fjetje, bare, restorante, etj.

Nuk ka Tag-ë

4,769 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment