Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Tenderi i rrugëve suspendon Krasniqin

| Ekonomi, Kosovë | 8 September 2011

Selvije Bajrami – I dyshuar për korrupsion dhe si i tillë nën hetime nga prokurorët e Misionit evropian EULEX në Kosovë, shefi i prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi, është suspenduar nga puna.

Ai nuk është suspenduar për shkak të hetimeve që po zhvillohen ndaj tij, por për shkak të shkeljeve disiplinore që ka bërë gjatë ushtrimit të kësaj pozite.

Burime të gazetës sqarojnë se Krasniqi është suspenduar për shkak të përplasjeve mes tij e sekretarit, përplasje këto që kanë ngjarë gjatë procesit të tenderit mbi 10-milionësh për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve.

Nexhat Krasniqi është suspenduar nga puna të martën pasdite me një vendim të shefit të personelit të Ministrisë që tashmë udhëhiqet nga Fehmi Mujota.

Shefi i personelit të MI-së e ka marrë këtë vendim ngase një gjë të tillë sipas burimeve të gazetës, përmes një letre e ka kërkuar sekretari permanent i kësaj ministrie, Skënder Gashi.

Ky i fundit nuk ka komentuar të mërkurën në lidhje me kërkesën për të suspenduar kolegun e punës duke rekomanduar gazetën që të kontaktojë me zyrën për informim.

Saranda Jusufi , shefe e zyrës për informim në këtë ministri, ka njoftuar se Krasniqi është suspenduar për shkak se ka shkelur paragrafë nga neni 8 dhe 67 të ligjit për shërbimin civil të republikës së Kosovës.

“Nexhat Krasniqi është pezulluar përkohësisht nga puna, për tre muaj dhe atë me kërkesë

të sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë për shkak të shkeljeve disiplinore që janë në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes së nëpunësve civil si dhe për shkak të shkeljes së dispozitave të ligjit për shërbimin civil të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Jusufi.

Me gjithë përpjekjet e gazetës, Krasniqi të mërkurën ka qenë e pamundur të kontaktohet. Zyrtarisht nuk është sqaruar as nga ministria se pse është shkarkuar, por ajo që dihet është se EULEX, i cili heton Nexhat Krasniqin e ish-shefin e tij ministrin Fatmir Limaj për dyshime për korrupsion, nuk e ka bërë ndonjë kërkesë për shkarkimin e tij.

“Hetimet janë duke vazhduar por EULEX nuk ka bërë ndonjë kërkesë të tillë. Shkarkimi i

tij mund të jetë çështje e ministrisë”, ka thënë Nicholas Hawton, shef për informim në EULEX.

Sido që të jetë me rastin e Krasniqit tash pos EULEX-it do të merret edhe komisioni disiplinor. Por jo vetëm me Krasniqin por edhe me një zyrtar tjetër të prokurimit të MI-së, Betim Reqica.

Ky i fundit është suspenduar më 22 gusht të këtij viti e tek të mërkurën Saranda Jusufi, nga zyra për informim në MI ka komentuar për një gjë të tillë.

Reqica sipas Jusufit është pezulluar për dy muaj me një vendim me të cilin i ndalet 1/3 e rrogës dhe atë për shkelje të rëndë të detyrave të punës dhe dispozitat e kodit të mirësjelljes për nëpunësit civilë.

Ajo nuk ka ofruar detaje të tjera lidhur me dy suspendimet në MI, ngase ka shtuar se për këto raste duhet të vendosë komisioni disiplinor.

Jusufi nuk ka sqaruar se në çfarë rastesh, dy personat kanë shkelur ligjin, por burime jozyrtare kanë sqaruar se “sherri” mes zyrtarëve në MI ka hyrë për shkak të tenderit të fundit për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve në tërë territorin e Kosovës.

Tenderi i cili kap shumën mbi 10 milionë euro ishte anuluar fillimisht për shkak të ankesave të katër kompanive. Kompanitë ishin ankuar duke ofruar prova për shkelje ligjore gjatë procedurës së tenderimit nga zyra e prokurimit dhe nga disa nga kompanitë.

Të njëjtat kompani që ishin shpallur fituese në tenderin e anuluar, të njëjtat janë shpallur fituese edhe në tenderin e fundit, i cili sipas burimeve të gazetës është shpallur por nuk është nënshkruar nga ministri Fehmi Mujota./zeri

 

1,296 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment