Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Ligji i ri e rimëkëmb “Trepçën”

| Ekonomi, Kosovë | 3 September 2011

Pas një periudhe të gjatë memorandumi të vendosur nga Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës, gjiganti “Trepça” pritet të përfshihet në një riorganizim, e më pas në likuidim nëpërmjet ligjit për “Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë së tyre”, i cili ka gjasa që në seancën e ardhshme të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Sipas draft-ligjit për “Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë së tyre”, të cilën “Kosova Sot” e ka siguruar, ka për qëllim krijimin e kornizës legjislative që i përcakton rregullat dhe procedurat për riorganizimin dhe likuidimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë dhe obligimeve të tyre nën autoritetin administrativ të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), e në këtë hyn edhe ndërmarrja “Trepça”. Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka kërkuar nga Qeveria që nga Strategjia Legjislative për vitin 2011 të hiqet Ligji mbi “Trepçën”, i cili është propozuar nga ish-Ministria e Energjisë dhe Minierave. “MZHE ka propozuar qe si zëvendësim për Ligjin mbi “Trepçën” të hartohet ligji mbi riorganizimin e ndërmarrjeve të veçanta. Ky ligj është aprovuar në mënyrë unanime nga Qeveria dhe është aprovuar edhe në Kuvend në leximin e parë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të MZHE. Sipas tyre, ky ligj aktualisht është në komisionet parlamentare dhe është duke u diskutuar lidhur me zgjidhjet, të cilat ofrohen me të. Kuvendi është vend ku përcaktohet përmbajtja e ligjit dhe ku harmonizohen qëndrimet e Legjislativit. Edhe me propozimin e këtij ligji parashihet që AKP-ja t’i menaxhojë ndërmarrjet me interes të veçantë për vendin. Sipas draftligjit, kjo mundëson rehabilitimin e këtyre ndërmarrjeve dhe rikthimin e qëndrueshmërisë së tyre si biznese të vazhdueshme me qëllim që t’i sjellë përfitime ekonomisë së Republikës së Kosovës./kosova sot

1,028 shikime gjithsej, 1 shikime sot

“Trepçës” i lejohet të blejë makina nëntokësore pa tender

| Ekonomi, Kosovë | 1 September 2011

Foto: Zëri

Lavdim Hamidi – Agjencia e Prokurimit Publik(APP) refuzoi kërkesën e ndërmarrjes “Trepça” për lejimin e përdorimit të procedurës së negociuar dhe pa publikim të njoftimit për kontratë për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me makina nëntokësore me produktivitet të lartë për minierën e Stantërgut”, pasi që kjo kërkesë u vlerësua si e padrejtë dhe e pabazuar.

Mirëpo, një kërkesë të tillë “Trepçës” ia mundësoi institucioni tjetër i prokurimit, Organi Shqyrtues i Prokurimit(OSHP), duke u mbështetur në arsyetimin e ekspertit shqyrtues se mjetet e parapara për këtë investim janë mjete vetjake dhe se stafi punonjës i autoritetit kontraktues ka njohuri për të mirëmbajtur mjtetet nga prodhuesi i caktuar.

Vendimet e kundërta të institucioneve të prokurimit

APP-ja më 16 gusht 2011 kishte refuzuar kërkesën e “Trepçës” me arsyetimin se autoriteti kontraktues duhet të zhvillojë procedurë normale të prokurimit sipas procedurës së hapur, autoriteti kontraktues nuk ka mundur të paraqesë asnjë detyrim teknik, apo të drejtë ekskluzive për furnizim zyrës së prokurimit, asnjë zyrtar përgjegjës në këtë institucion nuk i ka rekomanduar që të kërkojë procedurë njëburimore, por vetëm të zhvillojë procedura të prokurimit.

Sipas APP-së, “Trepça” duhet të zhvillojë procedura normale të prokurimit dhe në qoftë se pranon më pak se dy oferta të përgjegjshme, atëherë mund të kërkojë revokim neni.

Pas kësaj përgjigjeje nga APP, “Trepça” i është drejtuar me kërkesë të tillë OSHP-së, ku shkruan se ka zhvilluar dy procedura të hapura për aktivitetin e lartpërmendur të prokurimit në mungesë të dy ofertuesve të përgjegjshëm.

Më pastaj “Trepça” sqaron se kanë edhe 5 makina tjera pune në minierë në gjendje të mirë funksionale të furnizuara nga i njëjti operator, siç është “Atlas Copco” nga Suedia dhe se stafi punonjës i autoritetit kontraktues ka njohuri për të punuar dhe mirëmbajtur këto mjete.

Pas kërkesës së “Trepçës”, OSHP cakton një ekspert shqyrtues, i cili konstaton se kërkesa e “Trepçës” është e arsyeshme dhe bindëse, duke konstatuar se mjetet e parapara për këtë investim janë mjete vetjake dhe se arsyetimet e menaxhmentit për kushtet dhe mënyrën e aftësimit, lëshuarjes së makinave në horizont janë bindëse.

Pa publikim të kontratës

Paneli Shqyrtues i OSHP-së duke u bazuar në nenin 32.7, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, kërkesës së autoritetit kontraktues me arsyeshmëri të detajuar, vendimit refuzues të APP-së, konstatimeve dhe rekomandimit të ekspertit shqyrtues, konstaton se arsyet e dhëna nga autoriteti kontraktues për “Furnizim me makina nëntokësore me produktivitet të lartë për minierën e Stantërgut” paraqesin bazë të mjaftueshme për të lejuar përdorimin e procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë./zeri

1,225 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Menaxherët e “Trepçës” thonë se i kanë paguar tatimet

| Ekonomi, Kosovë | 14 August 2011

Komuniteti serb në pjesën veriore të Mitrovicës po i nxjerrin problem edhe ndërmarrjes “Trepça”. Menaxherët e kësaj ndërmarrjeje për bllokimin e mjeteve nga Administrata Tatimore e Kosovës thonë se nuk mund të disiplinohet veriu përmes jugut. Kjo, sepse ata pretendojnë se borxhet për të cilat ATK-ja i ka obliguar, tatim në fitim të korporatave, janë vetëm të pjesës veriore ku ata nuk kanë qasje. Por përgjigjja që kishin marrë prej ATK-së kishte qenë se i njeh si një entitet të vetëm. Ata tash ankohen se kjo e vështirëson gjendjen e minatorëve se nuk do të kenë mjete në rast se iu duhen. Përfaqësuesit e Trepçës nuk kanë dashur të tregojnë sesa është shuma e borxheve, duke thënë se ato nuk janë borxhe të tyre. ATK-ja, sipas tyre, nuk mund të merrte këtë vendim pa e bërë të njëjtën gjë Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme. Zyrtarët e kësaj ndërmarrjeje kanë akuzuar për konfiskim arbitrar të 2.3 milionë eurove të deponuara. Drejtori i ATK-së Behxhet Haliti ndërkaq kishte thënë se gjithçka ka qenë në përputhje me ligjin. Stafi i “Trepçës” në veri kishin shkëputur çdo kontakt me pjesën jugore qysh prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës. /koha

1,042 shikime gjithsej, 3 shikime sot