Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Mimoza sfidon Thaçin

| Ekonomi, Kosovë | 16 August 2011

Zëvendësja po tregohet më e fuqishme se shefi. Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila nuk e pyet as kryeministrin Hashim Thaçi për shkarkimin dhe emërimin e drejtorëve në kuadër të agjencive shtetërore.

Kjo ndodhi me shkarkimin e Naser Grajçevcit, kryeshef i Agjencisë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, të cilën pozitë e ka ushtruar për plotë 10 vjet dhe emërimin e Granit Berishës në kuadër të kësaj agjencie, i diplomuar në vitin 2007.

Pavarësisht se është kryetar i degës së partisë së Thaçit në Fushë-Kosovë, Grajçevci nuk ishte zëvendësuar nga ish-ministrat e Tregtisë as në kohën kur PDK-ja ndodhej në opozitë. Në krye të kësaj agjencie, Grajçevci ishte edhe gjatë mandatit të ish-ministrit Bujar Dugolli nga koalicioni LDK-AAK, e as gjatë mandatit të ministrit Lutfi Zharku nga LDK-ja, pasi që konsiderohej se është personi më i përshtatshëm për shkak të përvojës së gjatë në këtë agjenci.

Kështu nuk i vazhdoi Grajçevcit me ministren e re Mimoza Kusari-Lila, e cila pa një pa dy e shkarkoi atë nga pozita.

S’merret për bazë profesionalizmi

Ish-ministri Bujar Dugolli jep arsyet pse nuk e ka shkarkuar Grajçevcin nga pozita.

“Nuk e kam shkarkuar sepse ka qenë shumë i përgatitur profesionalisht dhe për shkak të përvojës së gjatë në krye të kësaj agjencie. Ai ka ndjekur shumë trajnime të financuara nga bashkësia ndërkombëtare dhe ka qenë profesionist”, sqaron Dugolli, duke shtuar se bindjet politike nuk kanë mbizotëruar për shkarkimin e tij nga pozita.

Në anën tjetër Grajçevci thotë për “Zërin” se shpallja e konkursit për pozitën e kryeshefit të Agjencisë për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme është antiligjore dhe si e tillë është dashur të anulohet menjëherë.

Ai sqaron se gjatë kohës sa ai është në pushim vjetor, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari –Lila e ka zgjedhur pasardhësin e tij në krye të agjencisë.

“Unë deri më një shtator jam në pushim vjetor dhe realisht deri atë kohë unë jam kryeshef i agjencisë. Unë për këtë vendim kam marrë vesh vetëm nga mediet, pasi që si para shpalljes së konkursit, ashtu edhe pas emërimit të tij nuk kam marrë ndonjë shkresë zyrtare nga ministrja Kusari-Lila”, thotë për “Zërin” Grajçevci.

Ai thotë se pozitën e kryeshefit e ushtron plot qe 10 vjet, ku asnjëherë nga asnjë ministër, si nga radhët e AAK-së ashtu edhe nga radhët e LDK-së, nuk ka pasur ndonjë vërejte në aspektin profesional.

Sipas tij, prej kohës kur timonin e Ministrisë e ka marrë Mimoza Kusari – Lila ai është ndjerë i injoruar. “Ia kam prezantuar ministres strategjinë dhe ajo e ka injoruar totalisht, nuk i ka interesuar fare ai dokument”, tha ai.

Grajçevci thotë se komisioni që e ka emëruar për drejtor të Agjencisë Granit Berishën ka bërë një shkelje të rëndë të ligjit për shërbyesit civilë, pasi që ai nuk ka asnjë ditë përvojë pune në menaxhim të lartë.

Sipas tij, prej kohës kur Mimoza Kusari –Lila ka ardhur në ministri janë bërë ndryshme të mëdha, duke u zëvendësuar profesionistët me njerëz të padijshëm e partiakë.

Ai tha se politizimi i administratës është një goditje e rëndë për Ministrinë, pasi që shumë procese që kanë filluar do të mbesin në gjysmë.

“Ne kemi filluar me shumë sukses strategjinë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme 2010-2016, por pas këtyre ndryshimeve, unë nuk besoj se ajo do të implementohet më tej”, pohon ai.

Fshesa e ministres

Grajçevci pohon se pas 10 vjet përvojë pune si kryeshef i agjencisë, me suksese të mëdha, asnjëherë nuk ka menduar se do të zëvendësohet në mënyrë, siç thotë ai, aq të vrazhdë siç i ka ndodhur tash.

Megjithatë, Grajçevci nuk është i vetmi që nuk i ka shpëtuar fshesës së ministres Kusari-Lila, e cila para se të emërohej ministre ka kritikuar ashpër ish-qeveritarët që kanë bërë emërime politike e familjare.

Ajo me të ardhur në krye të Ministrisë ka shkarkuar sekretarin permanent dhe në vend të tij ka emëruar Eljana Nakën, me të cilën ka punuar në Odë Ekonomike Amerikane të Kosovës. Po ashtu për drejtor të Agjencisë për Promovim të Investimeve ka zgjedhur bashkëpartiakun Valdrin Lluka.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se nepotizmi po vazhdon të jetë prezent në institucionet shtetërore dhe kjo po potencohet edhe në raportet e progresit të Komisionit Evropian.

“Nepotizmi dhe konflikti i interesit me rastin e emërimeve të larta publike në Kosovë janë evidente dhe këto janë vërejtur edhe në raportet e progresit të Komisionit Evropian për Kosovë”, ka pohuar Ramadan Ilazi nga lëvizja “Fol”.

Sipas tij, qeverisja e mirë është e mundshme vetëm me një administratë publike profesionale dhe ideja e largimit të shërbyesve civilë vetëm pse kanë bindje tjera politike është në kundërshtim me procesin e shtetndërtimit në Kosovë.

Përndryshe, ministrja Kusari-Lila javë më parë ka ndërprerë komunikimin me gazetën “Zëri” me arsyetimin se kjo e fundit po bën fushatë kundër saj, të cilin vendim e kanë kritikuar ashpër shoqatat e gazetarëve në vend. /zeri

1,088 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Haxha mohon presionin e Thaçit për kontratën me “Dardafone”-in

| Ekonomi, Kosovë | 7 August 2011

Drejtori ekzekutiv i PTK-së, Shyqri Haxha, ka pohuar se nuk i ka bërë presion kryeministri Hashim Thaçi që të nënshkruajë kontratën me operatorin “Dardafon” dhe se nënshkrimi i saj nuk i ka bërë dëm PTK-së. Akuzat e bëra ndaj tij, sipas Haxhës, janë të pabaza dhe të paargumentuara. Këto pohime Haxha i ka bërë në një konferencë për media, ku ai i bëri publike të arriturat e PTK-së për 6-mujorin e parë të këtij viti. Rritja prej 7 për qind e të hyrave operative në vitin 2011, në krahasim me vitin 2010, vjen si rrjedhojë e afarizmit të suksesshëm të PTK-së në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, të cilën sukses e prezantoi Haxha.“Të hyrat financiare gjatë gjashtëmujorit të vitit 2011 janë për 7 për qind më të larta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2010. Në shifra, në fund të qershorit 2011, ato kanë qenë 75.122.000 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur kanë qenë 70.208.000”, ka deklaruar dr. Shyqyri Haxha në prezantimin e tij. Përpos të arriturave të pakontestueshme në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, ndarjes së shumës në vlerë prej 15 milionë eurosh për Qeverinë e Republikës së Kosovës, kryeshefi ekzekutiv i PTK-së ka njoftuar së ka ndarë edhe 6.500 euro për familjen e heroit të Kosovës, Enver Zymberit. Përmes kësaj ndihme modeste, PTK-ja solidarizohet me dhimbjen e madhe të familjes Zymberi për humbjen e birit të tyre në krye të detyrës./ kosova sot

1,155 shikime gjithsej, 2 shikime sot