
Linja e transmetimit 400 kV Tiranë – Podgoricë, një financim i qeverisë gjermane nëpërmjet bankës KfW, me vlerë 43 milionë euro, është përuruar të premten në një ceremoni ku ishte i pranishëm edhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha, në Koplik të rrethit Malësi e Madhe.
Projekti konsiston në ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV midis nënstacioneve Tirana 2 të Shqipërisë dhe nënstacionit të Podgoricës në Mal të Zi. Linja ka një gjatësi të përgjithshme prej 155 km, nga të cilat 125.5 km në territorin e Shqipërisë dhe është pjesë e linjës 400 kV Elbasan – Tiranë – Podgoricë, që ka bërë të mundur mbylljen e rrjetit unazor 400 kV të rajonit të Ballkanit.
Projekti ka një ndikim të madh në rritjen e mundësisë teknike të shkëmbimit të energjisë elektrike midis sistemit energjetik shqiptar dhe vendeve fqinje, si dhe një ndikim energjetik për mbarë rajonin e Ballkanit.
Unaza e re energjetike krijon mundësinë teknike të importit të energjisë në kohën e duhur, duke mundësuar mbulimin e kërkesës për energji elektrike në çdo situatë, por edhe eksportin e saj në vendet tjera.
Me ndërtimin e burimeve të reja, hidrocentrale dhe centrale eolike (të erës), për të cilat Shqipëria ka burime të konsiderueshme, garantohet transmetimi dhe tranzitimi nëpërmjet rrjetit shqiptar i energjisë elektrike në drejtim të vendeve të rajonit. Gjithashtu, linja do të ketë një ndikim të rëndësishëm në rritjen e sigurisë së punës dhe besueshmërisë së sistemit elektroenergjetik në tërësi.
Ndërtimi i kësaj linje është një nga kushtet që OST të bëhet anëtar me të drejta të plota i Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit për Energjinë Elektrike (ENTSO-E).
Përveç projektit të përuruar dje, qeveria gjermane nëpërmjet bankës KfW po financon projekte të rëndësishme për zhvillimin e sistemit të transmetimit të Shqipërisë si projekti i ndërtimit të linjës së interkonjeksionit 400 kV Tirana 2 – Kosova B, me një vlerë prej 42 milionë euro për pjesën shqiptare, projektin e fuqizimit të nënstacionit 400/110 kV Zemblak dhe zhvillimin e rrjetit 110 kV të zonës jugore, me një vlerë prej 49 milionë euro, raporton BW./ koha