Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

A do të ndikojnë mbi SHBA-të problemet evropiane të borxhit?

| Botë, Ekonomi | 18 August 2011

Shifrat e reja tregojnë se rritja ekonomike në 17 vendet që përdorin euron u ngadalësua mjaft midis muajve prill dhe qershor. Ekonomistët thonë se rritja anemike në Evropë gjatë tremujorit të dytë po i rëndon problemet e saj të borxhit. Por ekspertët thonë gjithashtu se ngadalësimi në Evropë mund të ketë pasoja të rënda edhe për ekonominë amerikane.

Shqetësimet për ngadalësimin ekonomik në Evropë shkaktuan rënien e çmimeve të aksioneve në Uoll Strit pas rritjes që zgjati tri ditë. Ekonomia gjermane, e cila shihet si motori i eurozonës, u rrit vetëm 0.1 për qind në tremujorin e dytë.

Eksperti Xhefri Sika thotë se rritja e dobët në Gjermani i komplikon më tej problemet e borxhit evropian. “Pyetja është se, nëse ekonomia gjermane ndalet, meqenëse ajo është lojtari më i fortë, si do të reagojnë lojtarët më të dobët? Unë mendoj se problemet në sistemin bankar, në bankat evropiane, sidomos në Spanjë dhe Itali, do t’i gërryejë pak nga pak këto ekonomi.”

Thirrjet për unitet më të madh ekonomik dhe politik të martën nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy nuk i zbutën dot shqetësimet.

Analisti gjerman Robert HALVER thotë se investitorët duan të dinë se çfarë kanë në plan të bëjnë tani udhëheqësit. “Në vështrimin afatgjatë gjërat duken bukur por duhet t’i kushtojmë vëmendje zgjidhjes afat shkurtër.”

Fitimet e arritura nga korporatat në Shtetet e Bashkuara ndihmuan zbuteshin disa nga shqetësimet në Uoll Strit. Por, Sika thotë se amerikanët rrezikojnë veten kur i shohin me mospërfillje problemet e Evropës.

“Edhe pse disa e ndjejnë veten mirë nga kjo mospërfillje, sa më shumë të shohin ata ndërvarësinë e bankave evropiane me ato amerikane, aq më shumë të ngjarë ka që ata të fillojnë të shqetësohen.”

Analistët thonë se nëse kriza evropiane e borxhit përhapet përtej Greqisë dhe Portugalisë, atëherë vende të tjera si Italia dhe Spanja mund të kenë probleme për të marrë hua. Normat e larta të interesit mund t’i bëjnë ato të paafta të paguajnë këstin e borxhit dhe kjo mund të çojë në një krizë tjetër bankare, duke e zhytur ekonominë globale në një recesion të ri.

Sipas Sikas, nëse udhëheqësit e Evropës nuk zgjidhin krizën e borxhit, tregjet financiare ka të ngjarë të qëndrojë në minus për pjesën tjetër të vitit.

“Unë mendoj se Evropa do të bëhet përsëri problem dhe kjo do të komplikojë më tej ngadalësimin tonë ekonomik, duke e kthyer këtë në një vit të vështirë për investitorët.”

Një numër në rritje ekspertësh po kërkojnë një Eurobond të përbashkët për eurozonën për të parandaluar normat e larta të interesit që i bënë Greqinë, Portugalinë dhe Irlandën të kërkonin shpëtim financiar. Disa thonë, gjithashtu, se kjo mund të rrisë koston e huamarrjes edhe për vendet e tjera të eurozonës./bota sot

1,234 shikime gjithsej, 3 shikime sot

Rënie e bursave në Nju Jork dhe Evropë

| Botë, Ekonomi | 18 August 2011

Në Wall Street të Nju Jorkut sot është shënuar rënie e vlerave të bursave në orët e para të hapjes, për afro 4.5%, për shkak se shqetësimeve të recesionit në pritje iu shtua edhe rritja më e madhe se që pritej e papunësisë në Shtetet e Bashkuara.

Bursat evropiane, po ashtu, kanë shënuar rëne të madhe për shkak të shqetësimeve për ripërtëritjen ekonomike të Shteteve të Bashkuara.

Indeksi Daks i Gjermanisë ra për më tepër se 5%. Tregtarët i fajësuan efektet e ndalesës në shitjen afatshkurtër të rezervave financiare në pjesët e tjera të Evropës.

Shtija në afatshkurtër është mënyra me të cilën dilerët përfitojnë duke parashikuar me korrektësi rënien e çmimeve të aksioneve.

Kjo ndalesë, e shpallur javën e kaluar në Francë, Itali, Spanjë dhe Belgjikë, i ka shtyrë investitorët drejt Daksit gjerman, që nuk ishte i përfshirë në ndalesë.

Indeksi i bursës kryesore në Paris sot ka rënë për më tepër se 6%.

Rënie prej 5% është parë në Spanjë dhe Portugali.

Në Londër, FTSE i humbi 4% të vlerës së tij, në Zvicër indeksi ra për më tepër se 4%, ndërsa ai i Italisë e humbi vlerën për 3%./bota sot

997 shikime gjithsej, 1 shikime sot

SHBA-Kinë: Bashkëpunimi, kyç për ekonominë globale

| Botë, Ekonomi | 18 August 2011

Zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, i tha homologut kinez se “mirëqenia globale ekonomike mbështetet në gjetjen e gjuhës së përbashkët ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës”.

Bajden i bëri këto komente në Pekin, ku ka diskutuar planet e Shteteve të Bashkuara për reduktimin e deficitit – një përpjekje kjo për të zvogëluar shqetësimet e Kinës.

Kina është zotëruesja më e madhe e borxhit amerikan, me rreth 1.17 trilion dollarë bono.

Zëvendëspresidenti kinez, Ksi Jinping, kërkoi angazhim më të madh për “bartjen e përgjegjësive të përbashkëta”.

“Ne duhet të mbajmë përgjegjësi gjithnjë e më të rëndësishme. Kjo është një dëshirë e përbashkët e popullit të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Ne do të donim të punojmë me ju për të promovuar zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona të mëdha”, tha Jinping./ bota sot

958 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Perry kritikon Bankën Qendrore dhe kryetarin e saj

| Botë, Ekonomi | 18 August 2011

Një prej kandidatëve republikanë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 kritikoi ashpër bankën qendrore dhe kryetarin e saj, si pjesë të fushatës elektorale të presidentit amerikan Barak Obama.

Rick Perry, guvernator i shtetit të Teksasit, e shpalli kandidaturën e tij për president fundjavën e kaluar. Ai kritikoi politikat ekonomike të presidentit Obama dhe vuri në shënjestër veçanërisht kryetarin e Rezervës Federale, Ben Bernanke.

Perry tha se, në se guvernatori i bankës qendrore nxjerr vendimin “për të shtypur më shumë para”, për të stimuluar ekonominë e dobët të vendit para zgjedhjeve të 2012, kjo do të ishte, siç u shpreh ai, “e barabartë me tradhtinë”.

Demokratët, që përkrahin presidentin Obama, si dhe disa republikanë të partisë së Perryt, i dënuan komentet e tij si “të pamatura”. Vetë, Perry tha se nuk tërhiqej, por u përmbahej komenteve.

Të mërkurën, duke zhvilluar fushatë në shtetin Nju Hampshër, Perry tha se Rezervat Federale duhet të jenë më transparente. Një gjë e tillë tha ai, do të tregojë në se banka qendrore ka kryer apo jo veprime të papërshtatshme.

Rezerva Federale, një institucion i pavarur, që luan rolin e bankës qendrore, ka hedhur miliarda dollarë në treg në përpjekje për të nxitur zhvillimin e ekonomisë së dobësuar nga recesioni i vitit 2008. Kryetari i saj, Ben Bernanake po ashtu ka thënë se do t’i mbajë interesat të ulëta, gati në 0, edhe për dy vjet dhe ka lënë të kuptohet se mund të hedhë para të tjera në treg./bota sot

1,251 shikime gjithsej, 3 shikime sot

Shqyrtohet mundësia për ta lejuar forcimin e juanit ndaj dollarit

| Botë, Ekonomi | 17 August 2011

Shtypi shtetëror kinez lë të kuptohet se po shqyrtohet mundësia për ta lejuar monedhën kineze, juanin, të forcohet ndaj dollarit.

Në kryeartikullin e Gazetës Financiare të Kinës, që kontrollohet nga qeveria, thuhet se ka ardhur koha që Pekini ta zgjerojë hapësirën e shkëmbimit të juanit për të luftuar inflacionin. Sipas një analisti të cituar në një tjetër gazetë, thuhet ndërkohë se problemet e fundit me borxhin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i lënë alternativë tjetër Kinës, veç të ribalancojë ekonominë dhe të reformojë kursin e shkëmbimit të monedhës në mënyrë që të ngadalësojë sasinë e dollarit amerikan në rezervat e bankës qendrore kineze.

Njoftimi del në prag të vizitës së nën presidentit amerikan Joe Biden në Kinë, gjatë së cilës ekonomia do të jetë një ndër temat kryesore të bisedimeve./bota sot

1,076 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Nobelisti këshillon Qeverinë amerikane që të shpëtojë amvisëritë, në vend të bankave

| Botë, Ekonomi | 14 August 2011

SHBA-në, sipas skenarit më të mirë, e pret një rimëkëmbje e ngadalshme dhe e dhimbshme në formën e shkronjës L, ngjashëm si në Japoni, derisa në rastin më të keq, ekonomia më e madhe botërore do të futet në recesion me fund të dyfishtë, ka vlerësuar nobelisti Joseph Stiglitz.

“Në vend se të shpëtojë bankat, Qeveria duhet që t’i shpëtojë amvisëritë. Një ekonomi përplot me shtëpi të zbrazëta dhe të pastrehë është e pakuptimtë dhe ne jemi duke shkuar në atë drejtim”, ka paralajmëruar Stiglitz në intervistën dhënë gazetës amerikane “Daily Ticker”, transmeton Koha Ditore.

Stiglitz, i cili që nga fillimi i krizës në SHBA ka thënë se masat e kursimeve buxhetore janë duke e ngadalësuar rimëkëmbjen, pasi që zvogëlojnë dukshëm të ardhurat tatimore, ka theksuar po ashtu se problemi i SHBA-së nuk ka të bëjë me normat e larta të interesit.

Korporatat kanë përplot para të gatshme, mirëpo bankat nuk po i plasojnë para ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat janë gjeneratori më i madh i punësimit.

Në këtë aspekt Rezerva Federale amerikane ka hequr dorë dhe nuk ka arritur ta inkurajojë një lloj të tillë kreditimi, që do ta stimulonte rritjen, ka vlerësuar Stiglitz. / koha

856 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Obama: Ekonomia nuk po rritet me shpejtësi të mjaftueshme

| Botë, Ekonomi | 12 August 2011

Presidenti amerikan Barak Obama u ka thënë punëtorëve të një fabrike të baterive në Miçigan se amerikanët duhet t’i bëjnë trysni Kongresit të miratoj projekt ligje që do të krijojnë vende të reja pune.

Ai foli sot në Holandë të Miçiganit, në një fabrikë ku një grant federal me vlerë 3 milionë dollarë pritet të krijojë 150 vende të reja pune duke prodhuar disa bateri për makinat hibride dhe elektrike në Miçigan dhe shtetin fqinj Uiskonsin.

Obama tha se ekonomia nuk po rritet me shpejtësi të mjaftueshme. Ai tha se ishte i zhgënjyer me bllokadën e kongresit që ai tha se kishte minuar besimin e publikut.

Presidenti i bëri thirrje audiencës të kontaktojnë përfaqësuesit e tyre në Kongres dhe t’u kërkojnë atyre të miratojnë ligjin ekzistues mbi taksat, fondet e ndërtimit të rrugëve dhe autorizimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë.

Ai tha se ligjet e tilla do të ndihmojnë punësimin e anëtarëve të shërbimit ushtarak të kthyer nga lufta.

Ai gjithashtu premtoi se do të krijojë lidhe tjera për krijimin e vendeve të reja të punës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney tha të enjten se presidenti Obama beson se është e rëndësishme të bisedohet me amerikanët për ekonominë.

Presidenti Obama ka planifikuar një udhëtim me autobus nëpër shtetet perëndimore dhe qendrore për javën e ardhshme./ bota sot

1,149 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Reagime ndërkombëtare për uljen e klasifikimit të kredisë në SHBA

| Botë, Ekonomi | 7 August 2011

Vendet në mbarë botën po përpiqen të vlerësojnë ndikimin që ulja e klasifikimit të kredisë amerikane do të ketë në ekonominë globale.

Kina publikoi një paralajmërim të hidhur ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) sot, duke kritikuar problemin e borxhit amerikan, dhe duke shtuar se Uashingtoni duhet ta kuptojë se nuk mund të marrë më hua për të zgjidhur problemet e tij ekonomike.

Japonia, kreditori i dytë më i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), tha sot se ulja e klasifikimit nuk do të ndikojë përqasjen e Tokios për të investuar në borxhin amerikan. Koreja e Jugut do të diskutojë çështjen në një takim nesër me zyrtarë të Bankës Qendrore, por së bashku me Australinë bëri thirrje për maturi.

India një nga ekonomitë më të mëdha me rritje të shpejtë e quajti uljen e klasifikimit një situatë të nderë. Rusia tha sot se do të mbajë investimet e saj në Shtetet e Bashkuara duke thënë se nuk ka ndonjë dallim të madh mes nivelit AAA dhe AA+

Në një intervistë sot, ministri francez i Financave, Francois Braoin shprehu gjithashtu mbështetje për SHBA-të duke thënë se Franca ka besim në aftësinë e Uashingtonit për të ndrequr ekonominë. Por Evropa po përpiqet gjithashtu të konfrontojë problemet e saj ekonomike me Italinë dhe Spanjën që përballen me probleme në rritje të borxhit./ bota sot

980 shikime gjithsej, 1 shikime sot

S&P: Ulet besueshmëria për kredi e SHBA-së

| Botë, Ekonomi | 7 August 2011

S & P ul klasifikimin për Shtetet e Bashkuara nga AAA në AA+ për herë të parë në histori

Agjencia e vlerësimit të kredisë Standard & Poor uli klasifikimin nga AAA në AA+ për Shtetet e Bashkuara përherë të parë në histori, duke bërë edhe një parashikim negativ.

S&P tha dje vonë se bëri këtë riklasifikim pasi plani i Kongresit për shkurtimin e deficitit buxhetor që u miratua të martën nuk është i mjaftueshëm për të stabilizuar gjendjen debitore të vendit.

Agjencia tha gjithashtu se ulja e klasifikimit pasqyron pikëpamjen e saj se “efektiviteti, stabiliteti dhe parashikueshmëria e hartimit të politikave dhe institucionet politike amerikane janë dobësuar në një kohë sfidash fiskale dhe ekonomike.

Media citoi zyrtarë të Shtëpisë të Bardhë, të cilët kanë thënë se S&P nuk i ka bërë mirë parashikimet për planin e shkurtimit të borxhit amerikan me dy trilionë dollarë.

Presidenti Obama dhe Kongresi amerikan arritën një marrëveshje para skadimit të afatit të martën për ngritjen e tavanit të borxhit prej 14.3 trilionë dollarësh, duke shmangur mospagimin e detyrimeve financiare të qeverisë. Marrëveshja parashikon uljen e deficitit me më shumë se dy trilionë dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhëshme. S&P kishte bërë thirrje për katër trilionë kursime.

Dy agjenci të tjera të vlerësimit të kredive, Moody dhe Fitch, nuk e kanë ulur deri tani vlerësimin për Shtetet e Bashkuara./ bota sot

872 shikime gjithsej, 3 shikime sot

Faqja 2 of 212