Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

SHBA, ultimatum Zvicrës për llogarit bankare

| Botë, Ekonomi | 5 September 2011

Sipas shtypit zviceran, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i kanë dhënë një ultimatum Zvicrës, ku i kërkojnë që të japë informacione të hollësishme lidhur me rreth mijëra shtetas amerikanë të tjerë që dyshohet se kanë përdorur bankat zvicerane për të mashtruar raportimin e taksave.

Raporti citon një letër të 31 gushtit nga Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, James Cole, i cili i ka kërkuar të dhëna të hollësishme lidhur me evazionin fiskal, bankës zvicerane Credit Suisse, si dhe rreth 9 bankave të tjera zvicerane.

Sipas raportit, në se bankat në fjalë nuk i përgjigjen ultimatumit amerikan deri të martën, ndaj bankave mund të ngrihen akuza kriminale.

Për këtë raport, i cili ishte botuar në dy gazeta zvicerane, nuk ka komentuar as qeveria amerikane dhe as ajo zvicerane.

Një nga artikujt citon zyrtarë të afërt me këtë çështje, të kenë thënë se Uashingtoni kërkon të dijë hollësi lidhur me numrin e amerikanëve që kanë llogari me depozita prej më tepër se 50 mijë dollarësh në Bankën Credit Suisse, si dhe në të paktën 4 banka të tjera gjatë viteve 2002 dhe 2010./bota sot

1,036 shikime gjithsej, 1 shikime sot

NJT: Qeveria do të hedhë në gjyq 12 banka

| Botë, Ekonomi | 3 September 2011

Gazeta “Nju Jork Tajms” (NJT) njofton sot se qeveria po përgatitet të hedhë në gjyq mbi 12 institucione financiare, që sipas autoriteteve, nuk kanë bërë transparente rrezikun e instrumenteve financiare të bazuara tek kreditë e shtëpive që ato shkëmbenin në tregun e aksioneve dhe që ndikuan në krizën financiare të vitit 2008.

Sipas “Nju Jork Tajmsit” (NJT) Agjencia Federale për Kreditimin e Shtëpive pritet të ngrejë akt-padi ndaj bankave JP Morgan Chase, Goldman Sachs, Bank of America dhe disa të tjera. Bankat i bashkonin huat e shtëpive dhe ua shisnin ato investitorëve në formë instrumentesh financiare në bursë.

Sipas autoriteteve bankat nuk i kushtuan rëndësi faktit që të ardhurat e klientëve që i kishin marrë këto hua për shtëpitë e tyre ishin të zmadhuara ose të falsifikuara. Dhe kur klientët-huamarrës nuk ishin në gjendje të paguanin këstet e kredive, vlera e këtyre aksioneve ra, duke çuar në krizë financiare./bota sot

943 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Shtëpia e Bardhë bën parashikime të reja mbi ekonominë

| Botë, Ekonomi | 3 September 2011

Shtëpia e Bardhë njoftoi të dhëna të reja, të cilat tregojnë se këtë vit ekonomia amerikane do të rritet me 1,7 për qind dhe shkalla e papunësisë mund të mbetet rreth 9 për qind edhe vitin e ardhshëm. Papunësia për këtë vit do të jetë mesatarisht 9.1 për qind.

Sipas parashikimeve të reja të Shtëpisë së Bardhë rritja ekonomike do të jetë 1 për qind më pak se sa parashikimi që kishte bërë në shkurt administrata e presidentit Barak Obama.

Raporti njoftohet një javë para se Presidenti Barak Obama të mbajë një fjalim para Kongresit amerikan për të parashtruar një plan të ri për vendet e punës dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karni Carney tha se plani i presidentit synon të ulë ndjeshëm shkallën e papunësisë.

“Presidenti do të parashtrojë propozime specifike, të cilat do të përmirësojnë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës në afatin e shkurtër”.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë tha se deficiti buxhetor qëndron tani në shifrën 1,3 trilion dollarë, 20 për qind më pak nga shifra prej 1,6 trilion dollarësh e parashikuar në shkurt dhe kjo u arrit me anë të shtimit të të ardhura nga taksat dhe shkurtimit të shpenzimeve./bota sot

831 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Obama do të njoftojë planet për vendet e punës dhe rritjen ekonomike

| Botë, Ekonomi | 1 September 2011

Presidenti amerikan, Barak Obama, do të njoftojë planet për shtimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike në një fjalim që do të mbajë në Kongres më 8 shtator. Në vazhdën e marrëdhënieve konfrontuese mes dy partive politike, data e fjalimit u caktua dje, pas një përplasjeje publike me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, republikan Xhon Bojner.

Presidenti Obama, i partisë Demokrate, u kishte kërkuar udhëheqësve të Kongresit të thërrisnin një sesion të përbashkët të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve për të mbajtur një fjalim më 7 shtator. Por pak pasi kërkesa u bë publike, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Bojner, u përgjigj duke i kërkuar Presidentit ta shtynte fjalimin edhe një ditë.

Bojner tha se do të ishte e vështirë nga pikëpamja logjistike për mbledhjen e një sesioni të përbashkët të Kongresit menjëherë pas kthimit nga pushimet.

Presidenti Obama e pranoi propozimin e Kryetarit Bojner pas disa orësh, duke thënë se ai është i përqendruar në “nevojën urgjente” për të krijuar vende pune dhe për të nxitur rritjen ekonomike, madje është i vendosur t’i sfidojë udhëheqësit e Kongresit “për të filluar ta përqendrojnë 100% vemendjen” për të ndihmuar popullin amerikan./bota sot

1,043 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Rishfaqen ethet e arit në SHBA

| Botë, Ekonomi | 30 August 2011

Me rritjen e çmimeve të arit në botë, në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka lindur përsëri interesimi për kërkimin e floririt. Nga fundi i shekullit të 19, shteti i Virxhinias ka pasur një industri të lulëzuar për kërkimin dhe nxjerrjen e arit. Sot, në lumenjtë e Virginias qendrore ende mund të gjesh ar. Dhe kjo po josh shumë njerëz të blejnë pajisjet për kërkimin e arit. Por, të gjesh ar nuk është aspak e lehtë.

Tod Bonshire është menaxher në Monroe Park, një kamp i shekullit të 18 për kërkimin e arit por tashmë i restauruar në Goldvein. Me profesion historian, Tod u tregon vizitorëve për historinë e pasur të kërkimit të arit në këtë zonë dhe se si nxirret ai.

“Është e habitshme sa shumë njerëz kanë filluar të vijnë këtu për të blerë pajisjet dhe për të kërkuar ar. Sidomos tani që çmimi i arit ka shkuar në 1,800 dollarë për onz, interesi është shtuar shumë.”

Në vitin 1782, Tomas Xheferson shkruante se një burrë gjeti një copë kuarc me ar pranë Frederiksburgut, dhe ethet e arit u përhapën në të gjithë Virxhinian. Në fillim të shekullit të 19-të, këtu përreth kishte 19 miniera ari. Por gjatë Luftës së Dytë Botërore, ato u mbyllën sepse u panë pa leverdi.

Ari gjendet brenda shkëmbit të kuarcit, i cili shtrihet si një brez përgjatë pjesës lindore të vendit. Duhet të gërmosh disa ton kuarc për të gjetur disa onz flori brenda tij.

“Këtu është një e çarë dhe mund të shihni se aty brenda ka pirit; dikush e ka hapur gurin. Në të çara si kjo mund të gjesh ar, pra brenda një cope të madhe kuarci.”

Sot, njerëzit e kërkojnë ndryshe arin. Shiu dhe dëbora e kanë thyer kuarcin dhe kokrrizat e arit përzihen në rrymat e lumenjve.

“Duke e situr, materiali i lehtë mbetet sipër ndërsa materialet e rënda ku duhet të ndodhet ari dhe një substancë e quajtur rërë e zezë, me bazë hekurin, mbeten në fund.”

Ari është 19 herë më i rëndë se uji. Materialet me dendësi më të vogël dalin nga sita, duke lënë pas më të rëndat.

Por kërkimi nuk është i lehtë. Bill Oliver e bën këtë si një hobi tani që ka dalë në pension. Oliver është anëtar i Klubit për Kërkimin e Arit. Ai thotë se klubit iu shtuan 10 anëtarë të rinj në takimin e fundit, të gjithë në përpjekje për të përfituar nga rritja e çmimeve të arit. Por Oliver thotë se gjetjet e mëdha janë të rralla.

“Kurrë nuk dihet se kur mund të gjesh një copë të madhe. Askush nuk ka gjetur të tillë këtu në 10 vjetët e fundit, por, sigurisht të tilla ka, vetëm se nuk i kemi gjetur.”

Ai thjesht e sheh kërkimin si mundësi për t’ju gëzuar natyrës.

“Unë ndoshta nuk kam gjetur as 20 dollarë ar vitin e kaluar. Nuk është një hobi që të sjell para. Në Virxhinia duhet të shpenzosh për të blerë pajisjet dhe ato para nuk i nxjerr kurrë. Ata që fitojnë, janë ata që shesin pajisjet”, thotë Bill Oliver.

Shumica thjesht vijnë për emocionin që të jep kërkimi. “Kam gjetur një copë.” “Është amazonit.”

Të gjithë jetojnë me ëndrrën se një ditë mund të gjejnë copën e madhe të arit./bota sot

1,189 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Obama emëron këshilltarin e lartë ekonomik

| Botë, Ekonomi | 30 August 2011

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, ka emëruar Allen Krugerin në postin e këshilltarit të lartë ekonomik.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Obama tha se pret nga ish-zyrtari i Departamentit të Thesarit ta udhëheqë me këshilla ekonomikë dhe jo partiakë.

“Unë mbështetem në Këshillin e Këshilltarëve Ekonomikë për të siguruar analiza dhe rekomandime, të bazuara jo në politikë, jo në interesa të ngushtë, por të bazuara në provat më të mira. Kjo është e rëndësishme më shumë se kurrë”, tha Obama./bota sot

967 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Bernanke: Rezerva Federale ka ende mënyra për të nxitur ekonominë

| Botë, Ekonomi | 27 August 2011

Në Shtetet e Bashkuara, Drejtori i Rezervës federale Ben Bernanke thotë se Banka Qendrore ende i ka disa instrumente, të cilat mund t’i përdorë për të stimuluar ekonominë, por ai nuk dha hollësi se kur, ose si ato mund të përdoren.

Zoti Bernanke i bëri këto komente sot, në një takim të ekonomistëve në Wyoming. Investitorët dhe ekonomistët kanë hamendësuar për ditë me radhë, nëse zoti Bernanke do të flasë për përpjekjet e reja për ta ndihmuar ekonominpë amerikane.

Ai tha sot se shumica e politikave ekonomike që ndihmojnë rritjen ekonomike nuk janë në varësi të Bankës Qendrore. Ai tha gjithashtu se zgjatja e diskutimeve për të rritur kufirin e borxhin në SHBA e dëmtoi ekonominë amerikane, duke lëkundur besimin e konsumatorëve.

Ai i bëri gjithashtu thirrje Washingtonit të ndihmojë në rritjen ekonomike, duke gjetur mënyra për trajtimin e borxhit dhe vënien në zbatim të politikave të efekshme rregullatore, të taksave dhe tregtisë. Zoti Bernanke i bëri këto komente pak pasi një raport tregoi se ekonomia amerikane u rrit me një ritëm më të ngadaltë nga sa mendohej. /bota sot

931 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Amerikanët shtojnë kërkesat për kompensime nga papunësia

| Botë, Ekonomi | 26 August 2011

Numri i amerikanëve që kërkuan kompensime nga papunësia u shtua pak javën e kaluar, pjesërisht për shkak të grevës së punonjësve të një kompanie komunikacionesh.

Raporti i sotëm i Departamentit të Punës vë në dukje se kërkesat për kompensime nga papunësia u rrit me 5,000 javën e kaluar, duke arritur në një total prej 417 mijë në gjithë vendin.

Disa ekspertë thonë se pa grevën e punonjësve të kompanisë Verizon Communications numri total i të papunëve do të kishte rënë pak. Zhvillimi ekonomik në Shtetet e Bashkuara nuk ka qenë i fuqishëm sa duhet për të ulur papunësinë e tanishme prej 9.1 për qind.

Ekonomistët parashikojnë se shifrat e reja, që do të publikohen nesër, do të tregojnë se ekonomia amerikane u rit me një shkallë vjetore prej 1.1 për qind në muajt prill, maj dhe qershor.

Vendet e punës, zhvillimi ekonomik dhe çështje të tjera ekonomike e financiare do të jenë në krye të rendit të ditës së një takimi të ekonomistëve të lartë nesër, mes tyre edhe Drejtori i Bankës Qendrore amerikane, Ben Bernanke.

Investitorët dhe ekonomistët kanë spekuluar për disa ditë me radhë nëse Bernanke do të ofrojë ndonjë program të ri për të stimuluar zhvillimin ekonomik./bota sot

970 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Bajden përpiqet të sigurojë udhëheqësit kinezë

| Botë, Ekonomi | 20 August 2011

Udhëheqësit kinezë shprehën besimin në ekonominë amerikane të rënduar nga borxhi, një çështje e rëndësishme kjo sepse Pekini është kreditori më i madh i huaj i Uashingtonit. Ata e bënë këtë vlerësim pozitiv sot, në ditën e dytë të bisedimeve me nënpresidentin amerikan Xho Bajden.

Nënpresidenti Bajden u përpoq të sigurojë udhëheqësit kinezë se borxhi prej 1,2 trilion dollarësh, që Thesari amerikan i ka Kinës, është i sigurt, ndërkohë që të dyja palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit për rigjallërimin e rritjes ekonomike globale.

Vizita e Bajdenit është errësuar nga pasiguria ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe ankthi i Pekinit lidhur me sigurinë e aseteve kineze në Amerikë. Nënpresidenti amerikan u takua sot me Presidentin kinez Hu Jintao.

“Për të kaluar direkt në temë, Presidenti Obama më kërkoi të vija në Pekin e të takohem me ju për të riafirmuar angazhimin tonë absolut dhe të plotë për një marrëdhënie të fortë dhe të qëndrueshme pozitive me Kinën”, i tha Bajden presidentit kinez.

Biden u takua gjithashtu me Kryeministrin Wen Jiabao, i cili tha se Kina ka “besim të plotë”, se Shtetet e Bashkuara do ta rikthejnë ekonominë e tyre në rrugën e rritjes së shëndetshme”.

Udhëheqësit kinezë e kanë përsëritur këtë optimizëm gjatë gjithë vizitës së Bidenit, duke u përpjekur të qetësojnë tregjet globale.

Të dyja palët kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit amerikano-kinez për rigjallërimin e rritjes ekonomike botërore, duke theksuar lidhjet e shumta tregtare dhe të investimeve mes dy ekonomive më të mëdha të botës pavarësisht nga tensionet për të drejtat e njeriut, Tajvanin dhe çështje të tjera.

Pekini është kreditori më i madh i huaj i Uashingtonit dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve amerikanë të mos ndërmarrin hapa që mund të dëmtojnë vlerën e dollarit e bashkë me të edhe borxhin që Kina u ka dhënë Shteteve të Bashkuara të Amerikës./bota sot

842 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Kina beson në ekonominë e Amerikës

| Botë, Ekonomi | 20 August 2011

Zëvendëspresidenti kinez, Ksi Jinping ka shprehu besimin e tij në ekonominë e Amerikës dhe ka deklaruar se të dy vendet nuk duhet t’i politizojnë çështjet tregtare.

Jimping i cili pritet të jetë president i ardhshëm i Kinës, këtë deklaratë e ka dhënë pas një takimi që ka pasur me homologun e tij amerikan Xho Bajden, i cili është duke realizuar një vizitë në Kinë me qëllim të forcimit të reputacionin të ekonomisë amerikane.

Ndërsa, zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, i ka thënë homologut kinez në takim se “mirëqenia globale ekonomike mbështetet në gjetjen e gjuhës së përbashkët ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës”./bota sot

1,030 shikime gjithsej, 3 shikime sot

Faqja 1 of 212