Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Për rritje të bashkëpunimit ekonomik

| Ekonomi, Kosovë, Shqipëri | 23 August 2011

Një plan zhvillimi dhe bashkëpunimi ekonomik në rritje midis dy vendeve ishte në qendër të një takimi mes kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Qeverisë së Kosovës, Besim Beqaj.

Beqaj shprehu besimin se me kushtet e reja të krijuara në Kosovë, bashkëpunimi i sektorit privat të dy vendeve ka mundësi të rritet edhe më shumë, nga shfrytëzimi i hapësirës së krijuar nga ndalimi i produkteve serbe. Sipas tij, nxitja e bashkëpunimit mes dy vendeve duhet të synojë si fushën e investimeve ashtu edhe atë tregtare.

Nga ana e tij, kryeministri Sali Berisha shprehu kënaqësinë e tij për vendimet e rëndësishme të qeverisë së Kosovës, në lidhje me privatizimet në fushat strategjike, të cilat përbëjnë dhe bazën e reformave themelore ekonomike.

Duke iu referuar shembullit të Shqipërisë e cila, sipas kryeministrit, falë privatizimeve arriti të rriste të ardhurat për frymë, ai i quajti vendimet e qeverisë së Kosovës, të guximshme.

“Synimi final i të dy vendeve është dhe duhet të jetë rritja e të ardhurave për frymë dhe përmirësimi i standarteve të jetesës. Bashkëpunimet tregtare, në fushën e energjisë, si dhe në fushën e bujqësisë dhe agro-biznesit”- tha kryeministri Berisha

Në fushën e energjisë, ndërtimi i linjave të transmetimit si ajo Tiranë-Prishtinë , jo vetëm forcon integrimin e sistemeve energjetike, por rrit edhe efiçencën e funksionimit të tyre, duke kursyer 20% të burimeve energjitike, u theksua në takim./zeri

1,070 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Nuk përjashtohet kriza ekonomike në Shqipëri

| Ekonomi, Shqipëri | 18 August 2011

Nuk është rasti të flasim për një krize të modelit grek në ekonominë shqiptare, por ekspertët e fushës nuk e përjashtojnë praninë e saj në Shqipëri. Zef Preçi, i cili drejton Qendrën për Studime Ekonomike, thotë se si pasojë, vendi do te ketë ritme më të ulëta të rritjes ekonomike, krahasuar me dy vite më parë.

“Sinteza e ndikimit të krizës, mbetet ngadalësimi i rritjes ekonomike brenda vendit”, thotë ai.

Përfaqësuesi i konfindustrisë shqiptare Gjergj Buxhuku, liston disa sektorë të prekur rëndë nga kriza.

“Industria e ndërtimit dhe të gjitha industritë që prodhojnë materiale ndërtimi, janë të prekura rëndë nga pasojat e krizës”, shprehet Buxhuku.

Por, Preçi thotë se është rasti për të shfrytëzuar shanset pozitive që mund të prodhojë vetë kriza.

“Në rastin tonë, unë nuk shoh ngjashmëri nga pikëpamja e strukturës ekonomike të vendit tonë në vendet përreth. Kjo bën që efektet e krizës të jenë kontroverse, për shembull, Shqipëria ka vite, që një pjesë të konsiderueshme të tokës bujqësore e ka djegë. Një aspekt pozitiv i krizës do të ishte kthimi i vëmendjes në shfrytëzimin e këtij aseti të rëndësishëm, për zhvillim, për mbajtjen gjallë të frymës të një pjese të shoqërisë, por edhe për prodhimin e brendshëm për treg”, thotë Preçi.

Në një mendje është edhe Buxhuku, kur thotë se është momenti të evidentohen sektorët konkurrues, jo vetëm në ekonominë vendase, por edhe në atë rajonale e evropiane.

“Ka ardhur momenti që të kemi një ristrukturim të ekonomisë shqiptare. Këta sektorë të cilët nuk janë efektivë afatgjatë, duhet të reduktojnë prodhimin e tyre, duhet të orientohen në burimet dhe kapitalet drejt sektorëve të ekonomisë, të cilët janë më fitimprurëse. Ekonomia shqiptare i ka të gjitha mundësitë që përfundimisht të jetë pjesë përbërëse organike e ekonomisë evropiane”, bën të ditur ai.

Edhe këtë vit, Qeveria e Shqipërisë hartoi një plan masash për të reduktuar efektet e krizës globale. Preçi i cilëson si masa të domosdoshme të ndërmarra nga qeveria, që konsistojnë në shkurtim të shpenzimeve dhe kontroll të borxhit publik.

“Italia apo Greqia mund t’ia lejojnë vetes luksin që të kenë një borxh shumë më të madh se kapaciteti, sepse kanë një fuqi reaguese dhe kanë mbështetjen e Bankës Qendrore Evropiane dhe Bashkimit Evropian, gjë që nuk është në rastin e Shqipërisë. Shqipëria do të detyrohet të kontrollojë shpenzimet publike për të parandaluar rritjen e borxhit publik”, shprehet ai.

Por, Buxhuku ofron një qasje tjetër ndaj masave te ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Ai thotë se ato dëshmojnë frikë ndaj situatës dhe janë më shume të imponuara nga institucionet financiare ndërkombëtare, siç është FMN-ja. Sipas tij, nuk ka arsye të reduktohen investimet në një kohë kur vendi ka nevojë të zhvillohet.

“Ne kemi rajone të tëra të Shqipërisë, të cilat praktikisht, janë jashtë tregut për shkak të infrastrukturës. Pra, nuk mundemi ne tej mase të kufizojmë shpenzimet qeveritare, sidomos investimet me karakter publik, për arsye se ne në këtë mënyrë do të bllokonim zhvillimin e ekonomisë shqiptare, për të cilën po punojmë të gjithë, dhe shpresojmë të gjithë. Dhe, detyrimisht ne duhet t’i kryejmë disa investime, qoftë edhe në shpinën e një borxhi që do të jetë edhe më i rritur, sepse ne i kemi të gjitha mundësitë për ta kthyer këtë borxh”, deklaron Buxhuku.

Situata ekonomike në Shqipëri ka qenë shpesh temë për debat mes pozitës dhe opozitës.

Pozita thotë se po zbaton politika që garantojnë stabilitet makroekonomik, ndërsa opozita akuzon shpesh qeverinë për rritje të borxhit dhe deficitit buxhetor, e për pasojë, vënie të vendit në vështirësi të mëdha ekonomike./bota sot

1,625 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Ekonomia shqiptare në kërkesë akute për kreditim dhe likuiditet

| Ekonomi, Shqipëri | 18 August 2011

Bankat në Shqipëri njoftuan se ka filluar një rritje e kreditimit për ekonominë në gjysmën e parë të vitit. Por studiuesit mendojnë që, pavarësisht nga trendi në rritje, ky shtim i kreditimit është i papërfillshëm për nevojat e mëdha që ka ekonomia. Analistët besojnë se në marrëdhëniet mes bankave dhe bizneseve duhet të ketë një bashkëpunim më të ngushtë.

Bankat e Shqipërisë bënë të ditur se në gjysmën e parë të vitit është rritur kreditimi për ekonominë, por ndërkohë u rrit edhe portofoli i kredive të këqija deri në 17 për qind. Studiues të ekonomisë shqiptare mendojnë se kreditimi është rritur në mënyrë të papërfillshme, dhe se nevojat e ekonomisë janë shumë herë më të mëdha. Drejtori i përgjithshëm i organizatës “Biznes Albania”, Bardhi Sejdarasi, thotë se dikur kreditimet kanë qenë mbi 50 për qind, por në 2010 pati një stepje të bankave, ndërsa në gjysmën e parë të këtij viti ka përsëri një rritje të kreditimeve. Sipas tij, kjo erdhi sepse, kur bankat ulën kreditimin, qytetarët shtuan depozitat e kursimeve, ngjarje që nxiti një kreditim të ri të detyrueshëm. Por, niveli i kreditimeve, – thotë ai – është i pamjaftueshëm edhe pse është në rritje.

“Ekonomia shqiptare ka nevojë për investime dhe kreditime të shumta. Në çdo çast dhe në çdo kohë sipërmarrja shqiptare ka nevojë për kapitale. Ne kemi para por nuk kemi kapitale. Bizneset dhe individët kanë nevojë në çdo çast për t’u kredituar. Ky kreditim në vitin 1997 ishte një anomali e madhe, dhe dihet se çfarë ndodhi me skemat piramidale. Tani ne kemi një sistem të konsoliduar bankar dhe ky kreditim është e nevojshme të rritet më shumë se sa është rritur deri më sot”, tha ai.

Sejdarasi thotë se bankat dhe bizneset duhet ta shohin kreditimin si një marrëdhënie pune e bashkëpunimi modern, dhe jo si thjesht si burim parash. “Ka ardhur koha që të dy krahët; edhe ata që kanë nevojë të kreditohen edhe ata që kanë mundësi të kreditojnë duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët mbi mënyrën se si të kreditohet ekonomia. Bankat duhet të nisin të studiojnë ekonominë dhe të hartojnë prioritetet e ekonomisë shqiptare me qëllim që t’i afrojnë sipërmarrjes dhe biznesit shqiptar hapësira për të investuar. Për shumë vite në Shqipëri është investuar pa ndonjë strategji të caktuar, dhe shpesh firmat kanë dalë edhe me humbje”, tha ai.

Mendimi se kreditimi i bankave është në nivele të pa-konsiderueshme për ekonominë mbizotëron në radhët e ekonomistëve shqiptarë. Presidenti i organizatës “Albkonfindustria”, Gjergj Buxhuku, thotë se pasojat e krizës ekonomike botërore janë të prekshme në ekonominë shqiptare, dhe ajo vazhdon aktualisht në shtetet më të zhvilluara. Sipas tij, ekonomia shqiptare vuan nga mungesa e likuiditetit të parasë.

“Së pari këto para duhen menaxhuar me kujdes, pra, t’u jepen atyre operatorëve ekonomikë, të cilët kanë mundësi që ta rikthejnë këtë para. Ajo nuk është para e bankave, por është para e gjithë shqiptarëve. Të përzgjidhen mirë operatorët që u jepet kjo para, që kjo të mos kthehet më vonë në një kredi të keqe. E dyta, kemi nevojë akute për rritjen e kreditimit, aq më shumë në kushtet kur buxheti i shtetit për gjysmën e dytë të vitit 2011 i ka ulur në mënyrë të thellë shpenzimet kapitale”, tha ai.

Buxhuku thotë se Shqipëria ka nivel jetese shumë më të ulët se vendet e zhvilluara në krizë, por po merr masa shtrënguese që kriza të mos dëmtojë mbijetesën e saj me burime minimale. Në këto kushte, nuk ka shpresa për zhvillimin ekonomik domethënës. “Kriza ekonomike në vendet e zhvilluara me nivel të lartë jetese është krizë e uljes së mirëqenies e të luksit. Ndërsa kriza në vende me ekonomi të vogël në zhvillim si Shqipëria është krizë e mbijetesës së qytetarëve shqiptarë. Ekonomia shqiptare i ka të gjitha mundësitë, dhe investimet e reja i kanë të gjitha shanset për të qenë të suksesshëm, me kusht që paranë e marrë sot me kredi ta investojmë si duhet, pa korrupsion dhe me efektivitet të lartë”, tha ai.

Analistët besojnë se ekonomia shqiptare duhet të mbështetet më fort nga bankat, duke paraqitur plane biznesi ambicioze, sepse zhvillim me risk zero nuk ka. Ata pohojnë që nëse ekonomia shqiptare tkurret sot, atëherë vendi do të qëndrojë i mbledhur brenda varfërisë së vet; prandaj më mirë është që të rrezikojë me investime sot që të sigurojë një rritje ekonomike nesër./bota sot

1,748 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Leku reziston ndaj euros nën kuotën 140

| Ekonomi, Shqipëri | 12 August 2011

Leku shqiptar u këmbye vazhdimisht poshtë kuotës 140 lekë për euro gjatë javës së fundit, duke treguar rezistencë, ndërsa kursi i këmbimit me dollarin pësoi luhatje të konsiderueshme si pasojë e luhatjes së monedhës amerikane ndaj euros në tregun ndërkombëtar Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, javën e fundit kursi i këmbimit mesatar fiks mes euros dhe lekut ka lëvizur mes nivelit 139.5 lekë për euro dhe 140. Euro kushton aktualisht më lirë nga sa kushtoi në gjashtë muajt e fundit.

Ndërkohë, të dhënat historike të Bankës së Shqipërisë, sipas medieve, vënë në dukje se gushti ka efekte sezonale te kursi i këmbimit, por këto efekte sezonale kanë ardhur duke u pakësuar gjatë viteve të fundit dhe nuk janë një rregull absolut.

Tendenca e përgjithshme është që euro kushton në gusht po aq sa në korrik dhe në shumë raste, edhe më lirë. Leku u forcua në gushtin e 2003 shit me 2.2 për qind kundrejt euros, por gjatë viteve të tjera ndryshimet me korrikun kanë qenë minimale.

Luhatjet sezonale të vlerës së lekut kanë ekzistuar që prej dy dekadash. Për shkak të shtimit të prurjeve valutore gjatë verës dhe festave të dhjetorit nga emigrantët, leku është forcuar. Por një faktor tjetër i rëndësishëm për forcimin e lekut në dhjetor besohet se është edhe rritja e huamarrjes së brendshme të qeverisë për të mbyllur llogaritë vjetore të buxhetit, gjë që shkakton tërheqje të përkohshme të lekut nga tregu e rrjedhimisht forcim të tij./ bota sot

1,099 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Përfiton Kosova e Shqipëria humb Serbia

| Ekonomi, Kosovë | 12 August 2011

“Rritja e shkëmbimeve ekonomike tregtare Shqipëri-Kosovë në kushtet aktuale”, ishte tema e forumit të biznesit Shqipëri Kosovë, e organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), Dhoma e Tregtisë dhe Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve nënshkruan edhe marrëveshjen e bashkëpunimit. Agim Shahini, kryetar i AKB tha se ky forum ka për qëllim rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe lehtësirat e bashkëpunimit. Bizneset duhet të mendojnë për interesat ekonomike.

“AKB-ja, me aleatët po mundohen që prodhimet serbe të zëvendësohen me ato shqiptare. Shkëmbimet janë rritur prej 25 korrikut. Konsumatorët dhe qytetarët e Kosovë po furnizohen me prodhime shqiptare. Prodhuesit e Kosovës kanë rritur prodhimin për 50 për qind në disa sektor po ashtu edhe punësimin. Ekonomia e Kosovës dhe Shqipërisë janë të vogla, por të shëndetshme dhe janë duke shkuar drejt rimëkëmbjes duke iu bërë konkurrencë ekonomive global dhe kjo tregon sesa fleksibël janë bizneset e dy shteteve tona”, tha Shahini dhe kërkoi nga bizneset shqiptare të shtrihen në Kosovë pas marrjes së masave të reciprocitetit ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.

Ai apeloi që ky forum do të dërgojë një mesazh të drejtë tek dy qeveritë që të krijojnë kushte më të mira për zhvillim të bizneseve dhe këto të ofrojnë më shumë prodhime dhe në këtë mënyrë që t’i ndërtojmë e zhvillojmë dy shtetet tona. Ndërkaq Anastas Angjeli, rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, tha se ky takim po zhvillohet në kushte tjera pas situatës në veri të Kosovës dhe pas marrjes së masave të reciprocitetit që kanë qëllimin e vetë shtetëror e politik.

Ai shtoi se politika jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri kanë mbështetur masat e Qeverisë së Kosovës dhe mbështetjes së aspektit ekonomik të Shqipërisë me Kosovën.

“Marrëdhëniet në mes dy vendeve zhvillohen në kushte të tregut të lirë dhe marrëveshjeve. Padyshim këto kushte specifike të krijuara tashmë në Kosovë diktojnë një zhvillim ekonomik edhe të Shqipërisë”, theksoi Angjeli. Ai kërkon rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, ndërsa shoqatat e biznesit duhet të nxisin orientimin e biznesit dhe roli i tyre është shumë pozitiv dhe motivues.

“Bizneset shqiptare duhet të bëjnë plotësimin e prodhimeve që mungojnë në Kosovë dhe kanë mbështetjen e shtetit shqiptar”, tha Anastas Angjeli. Ndërsa Nikolin Jaka, kryetar i Odës së Tregtisë së Tiranës, tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë shumë të mira. “Është momenti i duhur që të bashkëpunojmë edhe më shumë dhe të zgjerojmë marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve tona dhe që janë përfshirë në reforma të zhvillimit dhe kanë intensifikuar bashkëpunimin dhe internimin”, tha Jakaj.

Ai kërkoi nga bizneset e dy vendeve që të rrisin shkëmbimet tregtare dhe për këtë duhet të krijohen edhe lehtësira. Berat Rukiqi, sekretar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se tash është një moment tjetër, ku Kosova ka mundësi të ketë orientime të tjera ekonomike e tregtare dhe kjo është Shqipëria. Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, tha se ky forum ka rëndësi jashtëzkonishme. Kosova dhe Shqipëria, kanë marrëdhënie të shkëlqyera politike dhe ekonomike. Sipas tij, hapat të cilat Qeveria e Kosovës i ka marrë ndaj Serbisë kanë ndodhur pas shumë diskutimeve dhe sakrificës që ka bërë ekonomia e Kosovës./ bota sot

1,236 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Shqipëria rrit eksportet drejt Kosovës

| Ekonomi, Shqipëri | 11 August 2011

Shqipëria mund të përfitojë nga masat e reciprocitetit të vendosura nga Kosova ndaj Serbisë. Kjo e fundit është furnizuesi kryesor i tregut kosovar me mallra. Drejtuesit e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH) argumentojnë se është momenti i duhur që mangësitë që janë krijuar në këtë moment në tregun kosovar të plotësohen nga Shqipëria, raporton 24News.

“Ne jemi orientuar drejt Kosovës për të kapur këtë boshllëk, për të gjetur veten tonë atje me ato prodhimet e stinës, të cilat tashmë janë të eksportueshme në Kosovë, janë dyfishuar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me materialet e ndërtimit, që biznesi kosovar të mos e ndjejë mungesën”, u shpreh Enver Ferizaj, kryetar i KASH.

Shqipëria mund të eksportojë drejt Kosovës një gamë të gjerë mallrash, duke filluar nga produktet ushqimore e deri te materialet e shërbimet e sektorit të ndërtimit.

“Eksportojmë produkte të përpunuara, edhe nga mishi. Po tentohet të çojmë edhe produktet e qumështit, por edhe në fusha të tjera si ajo e ndërtimit”, shtoi Ferizaj.

Për të furnizuar këtë periudhë tregun kosovar me produkte ngaShqipëria, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar ka nënshkruar me Aleancën Kosovare të Biznesit edhe një marrëveshje, të përbërë nga 9 pika. Serbia furnizonte rreth 70 për qind të tregut kosovar me mallra, me një vlerë që kalon 300 milionë euro në vit. / koha

1,041 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Shqipëria ka 1.6 ton rezerva ari

| Ekonomi, Shqipëri | 11 August 2011

ekonomi100

Sipas analizës së Këshillit botëror për ar, sa u përket rezervave në këtë metal të çmueshëm, çmimi i të cilit po ngrihet secilën ditë, Shqipëria radhitet në vendin e 92 –të me 1,6 tonelata ar. Kur është fjala te vendet e rajonit, Serbia me 13,1 tonelata ar në rezerva shtetërore mban vendin 59, kurse Sllovenia ka vendi e 79-të me 3,2 tonelata ar në rezerva. Vendet e tjera, si Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia fare nuk përmenden në raport. Arsye kryesore për mbajtjen e rezervave të arit është se në kohët të zhvillimeve jostabile ekonomike ai ruan vlerën e pasurisë, madje edhe mund të sjellë fitime shtesë. Këtë filozofi investuese e aplikojnë të gjitha bankat qendrore të botës, të cilat në vitin 2004 në trezorët e tyre kishin të deponuar 19 për qind të rezervave botërore të arit. Këtë rregull e përcjellin edhe kompanitë investuese, të cilat 10 për qind të parave dhe të pasurisë së klientëve të vet e investojnë në ar./ koha

871 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Vlerësime pozitive për ekonominë e Shqipërisë

| Ekonomi, Shqipëri | 7 August 2011

Dy nga agjencitë më prestigjioze të vlerësimit të kredisë, Moody’s dhe Standard & Poor, në analizën e fundit, kanë raportuar se ekonomia e Shqipërisë është pozitive. Kompanitë ndërkombëtare kanë konfirmuar nivelin aktual të kredisë me gjykimin “stabël’.

Ky vlerësim shpreh besimin e analistëve botëror të riskut, për ecurinë pozitive të ekonomisë së Shqipërisë.

Argumentet kryesore të të dyja agjencive mbi nivelin stabël të ekonomisë, lidhen kryesisht me shëndetin e ekonomisë, potencialin e saj në periudha afatmesme dhe afatgjatë, perspektivat për integrimin në BE dhe kuadrin ligjor që mbron investitorët dhe garanton me prioritet pagesat e huave./ bota sot

803 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Qeveria e Shqipërisë, kritika të ashpra kundër kompanisë Cez

| Ekonomi, Shqipëri | 7 August 2011

Në Shqipëri, ministria e ekonomisë sulmoi sot me tone të ashpra kompanine ceke Cez e cila ka në administrim sitemin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Për shkak të mospagimit të detyrimeve ndaj saj, Cez ka ndërprerë furnizimin e energjisë për disa ujesjellësa duke shkatuar kështu mungesën e furnizimit me uje në disa zona të vendit.

Ministria e Ekonomisë e quajti të papranueshem vendimi e Cez-it sidomos në këtë periudhë sezoni turistik duke i kujtuar asaj se detyrimet që kjo kompani ka ndaj dy shoqërive të tjera shtetërore të energjisë janë disa herë më të mëdha se ato të ujësjellësave e duke e akuzuar për keqadministrim. Ministria madje saktësonte në njoftimin e saj se po punonte për liberalizimin e tregut të shpërndarjes i cili aktalisht kontrollohet vetëm nga CEZ-i.

Kompania ceke në reagimin e saj tha se nuk mund të tolerojë detyrimet e ujësjellësave që arijnë në 11 milion dollarë dhe se ajo është detyruar të vendosë ndërprerjen pasi ka konsumuar ndërkohë pa sukses shumë hapa të tjerë për zgjidhjen e problemit/ bota sot

935 shikime gjithsej, 1 shikime sot