Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Harrohet promovimi i investimeve

| Ekonomi, Kosovë | 13 August 2011

Të fokusuar në zbatimin e reciprocitetit tregtar ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) e kanë lënë si duket në rend të dytë çështjen e promovimit të investimeve të huaja në Kosovë.

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit thonë se Agjencia për Promovim të Investimeve, e cila funksionon në kuadër të MTI-së, ka mbetur anash, me ç’rast edhe është shpallur konkursi për kryeshef ekzekutiv të kësaj agjencie.

“Kjo agjenci është lënë anash, me ç’rast po bëhet edhe ndryshimi i strukturës drejtuese të agjencisë”, ka thënë për “Zërin” Berat Rukiqi, sekretar i përgjithshëm i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).

Rukiqi pohon se ende ka probleme të mëdha sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja në vend, përderisa agjencionet përkatëse nuk janë proaktive në këtë drejtim.

Sipas tij, muajve të fundit ka pasur një trend të rënies së aktiviteteve promovuese të investimeve, e cila, siç thotë ai, ka ndikuar të mos kemi investime konkrete. Numri dy i OEK-ut potencon se duhet punuar në përmirësimin e imazhit të Kosovës karshi investitorëve të huaj, pasi që raporte të ndryshme, duke e përfshirë edhe atë të Bankës Botërore, po e godasin vendin në aspektin e të bërit biznes.

“Deri më tash ka pasur një proces të ngadalshëm në përmirësimin e imazhit të vendit, përderisa shumë raporte po e godasin Kosovës sa i përket të vështirësisë në të bërit biznes”, ka nënvizuar ai.

Nga ana tjetër, Mustafë Hasani, thotë se prej sot nuk është më kryeshef ekzekutiv i APIK-ut, pasi që struktura drejtuese e këtij agjencioni tashmë ka ndryshuar, ku ministrja Kusari-Lila ka zgjedhur kryeshefin e ri të APIK-ut.

Ai thotë se gjatë muajve të fundit nuk ka pasur investime konkrete në vend, duke e arsyetuar këtë me kohën e pushimeve verore.

“Ndoshta ka pasur interesime për investime, mirëpo në dy muajt e fundit nuk ka pasur investime konkrete. Kjo ka ndodhur për shkak të sezonës së pushimeve”, pohon Hasani./zeri

1,077 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Bashkëpartiakun drejtor

| Ekonomi, Kosovë | 13 August 2011

Për ta udhëhequr Agjencinë për Promovimin e Investimeve të Kosovës(APIK), ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka zgjedhur bashkëpartiakun, Valdrin Lluka. Kjo agjenci e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit deri të martën (dje) është udhëhequr nga Mustafë Hasani.

Pas zgjedhjes së Llukës në kuadër të APIK-ut, Hasani ka vendosur që të mos punojë më në kuadër të Ministrisë.

“Unë kam vendosur që të mos punoj më në kuadër të APIK-ut e as të Ministrisë”, ka thënë për “Zërin” Hasani, pa dhënë ndonjë sqarim pse nuk dëshiron të jetë më pjesë e stafit për promovim të investimeve.

Edhe Dardana Halimi, këshilltare për medie e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka konfirmuar të martën për “Zërin” se Valdrin Lluka e ka marrë detyrën e re si kryeshef i Agjencisë Kosovare për Promovim të Investimeve në Kosovë (APIK).

Halimi pohon se kryeshefi i mëparshëm Mustafë Hasani e ka ushtruar vetëm detyrën e kryeshefit.

“Mustafë Hasani ka qenë vetëm ushtrues detyre i kryeshefit. Për këtë çështje është shpallur konkursi dhe kandidati Valdrin Lluka ka qenë më i miri, andaj është zgjedhur kryeshef”, ka potencuar Halimi.

Në anën tjetër, deputetët opozitarë në Kuvendin e Kosovës thonë se në kohën kur ekziston një situatë dinamike në vend për shkak të reciprocitetit ndaj Serbisë dhe Bosnjës, MTI-ja nuk është dashur të ngutet me emërime politike në kuadër të një agjencie aq të rëndësishme, siç është ajo e promovimit të investimeve.

“Nuk ka qenë koha për avancimin e njerëzve që kanë ambicie politike e largimin nga puna të atyre që kanë punuar deri tani”, thotë Ramiz Kelmendi, deputet i AAK-së në Kuvendin e Kosovës.

Edhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në vend thonë se Kosova ka probleme të mëdha sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja në vend, përderisa agjencitë përkatëse nuk janë proaktive në këtë drejtim. Sipas tyre, muajve të fundit ka pasur një trend të rënies së aktiviteteve promovuese të investimeve, e cila, siç thotë ai, ka ndikuar të mos kemi investime konkrete.

Ata kanë kritikuar MTI-në se është fokusuar në zbatimin e reciprocitetit tregtar ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës dhe e kanë lënë në rend të dytë çështjen e promovimit të investimeve të huaja në Kosovë. Ndërkaq, raportet e ndryshme të Bankës Botërore vazhdojnë ta rangojnë Kosovën poshtë në listë sa i përket ambientit biznesor, ndonëse vendet e rajonit si Maqedonia kanë bërë përparime të dukshme në këtë drejtim.

Përndryshe, ministrja Kusari-Lila pas ardhjes së saj në krye të MTI-së ka larguar sekretarin permanent, të cilën pozitë tashmë ia ka besuar Eljana Nakës dhe disa zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie./zeri

1,349 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Rrena me pensione

| Ekonomi, Kosovë | 13 August 2011

Foto: Driton Bublaku

Paralajmërimi për rritje të pensioneve duke filluar nga një janari i këtij viti po rezulton të jetë vetëm një gënjeshtër qeveritare. Përkundër premtimeve për rritje të pensioneve, e cila u konfirmua edhe me një komunikatë për shtyp të lëshuar më 6 janar 2011 nga Ministria e Financave, pensionistët vazhdojnë t’i marrin pensionet e tyre si më parë, ku me ato mjete vazhdojnë të ketë vështirësi për sigurim të barnave, e për gjëra të tjera të nevojshme as që bëhet fjalë.

Aktualisht qytetarët që kanë mbushur 65 vjeç dhe nuk kanë punuar kurrë, nga Ministria e Punës marrin një pension 45 euro, ndërkaq ata që kanë kontribuar në fondin pensional para dhe pas mbarimit të luftës marrin nga 80 euro.

Në janar të këtij viti në një komunikatë, e cila ende mund të gjendet në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë së Financave thuhet se duke filluar nga muaji janar 2011 pensionistët do t’i marrin në mënyrë retroaktive pensionet.

“Kjo rritje është bërë me qëllim të avancimit të pozitës materiale për këtë kategori. Gjatë vitit 2010 është punuar intensivisht në avancimin e ligjit dhe rregullimin e statusit të pensionistëve, që njëherazi përcakton edhe përfitimet për këtë kategori. Kostoja e këtij ligji është pjesë e planifikimeve buxhetore për vitin 2011 dhe do të fillojë së zbatuari nga 1 janari i vitit 2011, kosto kjo e përfshirë në marrëveshjen e nënshkruar me FMN-në në qershor të vitit 2010”, thuhej ndër të tjera në këtë komunikatë.

Por, pas prishjes së raporteve me Fondin Monetar Ndërkombëtar gjërat kanë filluar të rrjedhin ndryshe, ku përmes zvarritjes së procedurave Qeveria po mundohet ta kalojë këtë vit pa rritje të pensioneve.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, thotë se rritja e pensioneve ka qenë e paraparë të ndodhë prej fillimit të vitit.

Sipas tij, për një ngritje të tillë kanë biseduar edhe me FMN-në dhe Bankën Botërore. Ai thotë se një ngritje të pensioneve duhet të ndodhë gjithsesi, mirëpo Ligji për pensionet ende nuk është miratuar nga Parlamenti dhe kjo është pengesa pse nuk janë ngritur ato.

“Një pjesë e parave për rritje të pensioneve janë gati, por në asnjë mënyrë nuk mund t‘ua rrisim pensionet pa u miratuar ligji. Qeveria ka premtuar se do të rriten pensionet dhe një gjë e tillë do të ndodhë menjëherë sapo të miratohet ligji”, tha ai.

Ministri Nenad Rashiq ka thënë se është paraparë që pensionet për ata që kanë punuar të ngrihen nga 80 euro në 100 euro, ndërsa pensionet bazë prej 45 euro të ngrihen për 10-15 për qind.

Edhe Haxhi Arifi nga Bashkimi i Sindikatave të Kosovës thotë se kohë më parë se bashku me Shoqatën e Pensionisteve të Kosovës që ka vepruar në kuadër të BSPK-së kanë diskutuar rreth mos implementimit të vendimit për rritje të pensioneve, por nuk kanë arritur ndonjë rezultat konkret.

“Unë nuk e kuptoj kur Qeveria dërgon komunikatë se është marrë vendim dhe në anën tjetër nuk e zbaton”, tha ai.

Sigurohet një pjesë e mjeteve

Ministri Rashiq zotohet se një pjesë e fondeve për rritje të pensioneve janë gati, por ai nuk deshi të tregojë se sa është shuma e mjeteve dhe sa të tjera duhet të sigurohen në momentin kur ligjin hyn në fuqi.

Rashiq po ashtu tha se nuk ka informacione nëse pagesa do të bëhet në mënyrë retroatikve, apo në momentin kur ligji hyn në fuqi, pas miratimit nga Kuvendi dhe dekretimi nga presidentja e shtetit./zeri

1,405 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Qeveria e Kosovës nuk ishte ankuar në CEFTA

| Ekonomi, Kosovë | 13 August 2011

Serbia ka kërkuar mbledhje urgjente të sekretariatit të CEFTA-s për të kërkuar sqarime pas bllokadës që u ka vënë Qeveria e Kosovës produkteve me vulë doganore nga ky shtet. Për këtë ankesë do të mblidhen urgjentisht anëtarët e CEFTA-s.

Kjo ankesë është bërë në bazë të të drejtave të shteteve anëtare të CEFTA-s. Ankesa është bërë pak ditë pasi Kosova kishte thyer marrëveshjen e CEFTA-s për tregti të lirë mes shteteve anëtare, edhe pse vetë Serbia kishte thyer marrëveshjen gati katër vjet më parë.

Por ndaj saj nuk ishte ankuar askush deri më tani.

Kosova përgjatë këtyre viteve, edhe pse ishte përjashtuar nga tregtia e lirë me Serbinë dhe Bosnjën, kurrë nuk ishte ankuar. Të vetmet ankesa në CEFTA ishin deleguar nga dy kompani kosovare.

“Badea Trading Company” nga Klina dhe “Inter Company” nga Podujeva janë bizneset e vetme që patën paraqitur ankesa gjatë vitit 2008 dhe madje në nënkomitetin për Barriera Tarifore dhe Jotarifore të CEFTA-s.

Udhëheqësit e tanishëm të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë nuk i dinë arsyet e sakta pse Kosova nuk ka adresuar ankesa në sekretariatin e CEFTA-s kundër Serbisë dhe Bosnjës që kishin vendosur embargo ndaj produkteve kosovare.

Qeveria e Kosovës që nga viti 2008, ka pritur që institucionet ndërkombëtare do ta rregullonin problemin e eksportimit të produkteve lirshëm ndërmjet vendeve anëtare të CEFTA-s. /qik/

1,055 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Më 31 tetor, lëshohen në qarkullim 34 kilometrat e autostradës

| Ekonomi, Kosovë | 13 August 2011

Ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota, të enjtën, vëzhgoi nga afër zhvillimin e punimeve të autostradës, Vërmicë-Merdar.Gjatë kësaj vizite, për zhvillimin dhe dinamikën e këtyre punimeve ministri Mujota u njoftua nga menaxheri i këtij projekti Darren Mort.

“Sot jemi në vizitë pune në rrugën e kombit dhe është arritur një progres i madh brenda një muaji. Tani punojnë më tepër se 3600 punëtorë dhe më shumë se 2000 makina pune në gjithë segmentin e punës për gjatë 34 kilometrave. Dhe, suksesi i arritur për këtë periudhë kohore garanton që zotimi i dhënë në mënyrë publike nga ana e kompanisë dhe nga ana e Qeverisë, se deri më 31 tetor do të mund të lëshohen në qarkullim 34 kilometrat e para të autostradës”, tha Mujota./ kosova sot

1,314 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Reciprociteti i shton të punësuarit në Kosovë

| Ekonomi, Kosovë | 13 August 2011

Parimi i reciprocitetit apo ndalimi i hyrjes se mallrave serbe në tregun kosovar, ka ndikuar në rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e numrit të të punësuarve. Kështu thuhet në një hulumtimi që ka përgatitur Aleanca Kosovare e Biznesit, të quajtur “ndikimi i masave të reciprocitetit në ekonominë kosovare në periudhën 21 korrik – 05 gusht të këtij viti”. Kjo periudhë është kur Qeveria e Kosovës vendosi masa të plota reciprociteti ndaj produkteve të Serbisë, ndërsa taksë doganore prej 10 për qind për produktet e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, tregon se hulumtimi është zhvilluar në 8 komuna të Kosovës, me 500 përfaqësues të bizneseve dhe 200 konsumatorë. Sektori i prodhimit të ndërtimtarisë është sektori që më së shumti ka përfituar nga ndalimi i futjes së mallrave serbe në Kosovë, thotë Shahini, për të shtuar se ky sektor vetëm gjatë 20 ditëve, ka rritur numrin e të punësuarve deri në 40 për qind. “Sektori i ndërtimtarisë është më i godituri, por njëkohësisht është një ndër sektorët që më se shumti ka rritur prodhimin dhe punësimin. Mbi 55 për qind është rritur prodhimi ndërtimor, ndërsa vetëm gjatë këtyre ditëve, për 40 për qind është rritur numri i të punësuarve në këtë sektor”, shprehet Shahini./ kosova sot

1,254 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Reciprociteti mund të shkelet deri më 15 shtator

| Ekonomi, Kosovë | 13 August 2011

Moskontrollimi i trenit në relacionin Beograd-Mitrovicë nga dogana e vë në dyshim respektimin e plotë të reciprocitetit me Serbinë. Sipas marrëveshjes në mes të Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it, vendkalimet kufitare me Serbinë në veriun e Kosovës do të mbeten nën kontrollin e KFOR-it deri nga mesi i muajit shtator, kur pritet rifillimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimin Evropian. Ndërsa, sipas pikës 9 të kësaj marrëveshje, treni Beograd-Mitrovicë do të kontrollohet nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës, si dhe do të ndihmohet nga KFOR-i.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, lejimi i qarkullimit të trenit nga Beogradi në Mitrovicë dhe moskontrollimi i tij nga ana e Doganave të Kosovës, por vetëm kontrollet nga ana e EULEX-it, Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, të cilët nuk janë të thirrur për të bërë kontrolle të mallrave, do të thotë se në këtë pjesë nuk po zbatohet në tërësi reciprociteti ndaj Serbisë. Për kryetarin e Odës Amerikane, Lekë Musën, moskontrollimi i trenit nga ana e Doganave të Kosovës tregon qartë se nuk ka zbatim të reciprocitetit. “Është qartë se nuk mund të ketë zbatim të reciprocitetit, përkatësisht aplikim të vendimeve të Qeverisë së Kosovës edhe në qarkullimin hekurudhor, meqenëse KFOR-i nuk është një institucion i cili ka përgjegjësi apo thirrje për të zbatuar rregulla dhe legjislacionin doganor”, shprehet Musa. Ndërsa, sa i përket zgjedhjes, e cila do të duhej të gjendet pas datës 15 shtator deri kur përfundon marrëveshja e Qeverisë me KFOR-in, sipas Musës, do të duhej t’u jepen shanse autoriteteve vendore që ta shtrijnë pushtetin në atë pjesë.“Për shkaqe të stabilitetit politik do të duhej dhënë shanse autoriteteve që të arrijnë një marrëveshje pas datës 15 shtator për shtrirjen apo kthimin e doganierëve në të gjithë kufijtë dhe portat e mundshme të hyrjes së mallrave”, potencon Musa./ kosova sot

1,162 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Ekspertët: Të zhvillohet prodhimi në sektorin privat

| Ekonomi, Kosovë | 13 August 2011

Industria e prodhimit në Kosovë vazhdon të mbetet në nivel të ulët, dhe kjo çështje shqetëson ekspertët e ekonomisë, pasi që, sipas tyre, vetëm sektori prodhues mund të ndikojë në përmirësimin e zhvillimit ekonomik dhe në rritjen e numrit të të punësuarve.

Autoritetet kompetente duhet të angazhohen që të krijojnë kushte më të volitshme për sektorin privat, e konkretisht për industrinë e prodhimit, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Sipas tyre, vetëm prodhimi mund të ndikojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe në rritjen e numrit të të punësuarve.

Bedri Selmani, ekspert për çështje ekonomike, thotë se gjatë luftës se fundit në Kosovë e tërë industria përpunuese është shkatërruar, ndërsa pas përfundimit të saj, investimet nuk janë orientuar në këtë sektor.

Kjo periudhë e ka amortizuar sektorin e prodhimit, si në aspektin moral po ashtu edhe atë fizik, thotë Selmani.

“Gjatë këtyre dhjetë vjetëve, ekonomia kosovare fare nuk është mbrojtur me masa doganore dhe masa tjera administrative. Çdo shtet dhe ekonomi nacionale e mbron prodhimtarinë e vet, duke e nxitur atë për prodhim më të lartë dhe ngritje të kapaciteteve. Përveç disa artikujve që mund të numërohen dhe janë nën numrin 10, të gjitha prodhimet tjera nuk plotësojnë kërkesat e tregut vendor”, thotë Selmani.

Edhe Ymer Havolli thotë se mbi 80 për qind e bizneseve në Kosovë merren me tregti dhe shërbime tjera, ndërsa një përqindje e vogël është e fokusuar në prodhim.

“Rrethina institucionale nuk është e dizajnuar ashtu siç duhet, që të shkojë në favor të bërjes se biznesit. Kjo ka ndikuar që shumë ndërmarrje të vogla dhe të mesme të kalojnë nga sfera e prodhimit në sferën e shërbimeve dhe atë të tregtisë. Mjafton të them që kjo strukturë është 53 për qind e përbërë prej ndërmarrjeve që merren me tregti, kurse 26 për qind janë në shërbime tjera, dhe shumë më pak në prodhim”, thotë Havolli.

Në këtë aspekt, Bedri Selmani thotë se ka ndikuar edhe importi nga shtetet tjera të rajonit, sidomos nga Serbia.

Ky import, siç thotë ai, ka ngulfatur mundësinë e prodhimit kosovar.

“Vetëm prodhimtaria serbe, gjatë këtyre 10 vjetëve, ka importuar në Kosovë, në mënyrë zyrtare dhe jozyrtare, mbi 10 miliardë dollarë. Dhe e tërë kjo ia ka zënë frymën një prodhimtarie e cila është dashur të rifillojë”, shprehet Selmani.

Selmani, vlerëson se institucionet kosovare duhet të krijojnë politika të reja fiskale dhe legjislative në favor të sektorit të prodhimit.

“Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka nxjerrë ligjin për nxitjen e investimeve, që mund të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e prodhimit dhe eksportit. Vetëm ato vende, ku sot është kauza kryesore në ekonominë globale, që është një turbulencë e gjithëmbarshme. Mund të mbijetojnë vetëm ato shtete që kanë eksport, ndërsa të gjitha vendet që nuk kanë eksport janë të detyruara të mbesin në varfëri”, thekson Selmani.

Ndryshe, autoritetet kompetente, vazhdimisht kanë theksuar përpjekjet për përmirësim dhe zhvillim të sektorit privat, e konkretisht industrisë se prodhimit.

Por, një gjë e tillë, gjithnjë është kundërshtuar nga komuniteti i biznesit./ bota sot

1,044 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Kosova pa asnjë produkt serb prej 3 javësh

| Ekonomi, Kosovë | 13 August 2011

Tre javë që nga zbatimi i masave të reciprocitetit, autoritetet përgjegjëse nuk kanë lejuar asnjë produkt serb të hyjë në tregun kosovar. Mallrat me origjinë nga Serbia nuk po lejohen të hyjnë në Kosovë as nga vendet tjera të rajonit.

Autoritetet kosovare janë të vendosura që të zbatojnë në përpikëri masat e reciprocitetit. Edhe tri javë që nga aplikimi i këtyre masave, përfaqësues të doganave nuk kanë lejuar asnjë mall me origjinë nga Serbia të futet në tregun kosovar.

Me gjithë përpjekjet e shtetit serb që t’i shfrytëzojë vendet tjera të rajonit për futjen e mallit të tij në Kosovë, çdo gjë ka rezultuar pa sukses.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, thotë se në ditët e para të aplikimit të këtyre masave, ka pasur disa tentime, por jo edhe më vonë.

“Të gjitha degët doganore janë udhëzuar që të kenë kujdes në këtë qasje. Faktikisht, për secilin mall që ka dyshime, bëhet edhe verifikimi fizik i tij”, thotë Stavileci.

Menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e futjes së mallrave serbe, kompanitë e Serbisë janë angazhuar që Maqedoninë ta shfrytëzojnë për eksportin e mallrave të tyre në territorin e Republikës së Kosovës.

Por, të gjitha këto mallra me origjinë nga Serbia janë kthyer mbrapsht, thotë Stavileci.

Më 20 korrik, Qeveria e Kosovës ka vendosur masa reciproke ndaj produkteve serbe, ndërsa taksë doganore prej 10% për produktet e Bosnjë e Hercegovinës/ koha

1,144 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Përfiton Kosova e Shqipëria humb Serbia

| Ekonomi, Kosovë | 12 August 2011

“Rritja e shkëmbimeve ekonomike tregtare Shqipëri-Kosovë në kushtet aktuale”, ishte tema e forumit të biznesit Shqipëri Kosovë, e organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), Dhoma e Tregtisë dhe Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve nënshkruan edhe marrëveshjen e bashkëpunimit. Agim Shahini, kryetar i AKB tha se ky forum ka për qëllim rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe lehtësirat e bashkëpunimit. Bizneset duhet të mendojnë për interesat ekonomike.

“AKB-ja, me aleatët po mundohen që prodhimet serbe të zëvendësohen me ato shqiptare. Shkëmbimet janë rritur prej 25 korrikut. Konsumatorët dhe qytetarët e Kosovë po furnizohen me prodhime shqiptare. Prodhuesit e Kosovës kanë rritur prodhimin për 50 për qind në disa sektor po ashtu edhe punësimin. Ekonomia e Kosovës dhe Shqipërisë janë të vogla, por të shëndetshme dhe janë duke shkuar drejt rimëkëmbjes duke iu bërë konkurrencë ekonomive global dhe kjo tregon sesa fleksibël janë bizneset e dy shteteve tona”, tha Shahini dhe kërkoi nga bizneset shqiptare të shtrihen në Kosovë pas marrjes së masave të reciprocitetit ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.

Ai apeloi që ky forum do të dërgojë një mesazh të drejtë tek dy qeveritë që të krijojnë kushte më të mira për zhvillim të bizneseve dhe këto të ofrojnë më shumë prodhime dhe në këtë mënyrë që t’i ndërtojmë e zhvillojmë dy shtetet tona. Ndërkaq Anastas Angjeli, rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, tha se ky takim po zhvillohet në kushte tjera pas situatës në veri të Kosovës dhe pas marrjes së masave të reciprocitetit që kanë qëllimin e vetë shtetëror e politik.

Ai shtoi se politika jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri kanë mbështetur masat e Qeverisë së Kosovës dhe mbështetjes së aspektit ekonomik të Shqipërisë me Kosovën.

“Marrëdhëniet në mes dy vendeve zhvillohen në kushte të tregut të lirë dhe marrëveshjeve. Padyshim këto kushte specifike të krijuara tashmë në Kosovë diktojnë një zhvillim ekonomik edhe të Shqipërisë”, theksoi Angjeli. Ai kërkon rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, ndërsa shoqatat e biznesit duhet të nxisin orientimin e biznesit dhe roli i tyre është shumë pozitiv dhe motivues.

“Bizneset shqiptare duhet të bëjnë plotësimin e prodhimeve që mungojnë në Kosovë dhe kanë mbështetjen e shtetit shqiptar”, tha Anastas Angjeli. Ndërsa Nikolin Jaka, kryetar i Odës së Tregtisë së Tiranës, tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë shumë të mira. “Është momenti i duhur që të bashkëpunojmë edhe më shumë dhe të zgjerojmë marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve tona dhe që janë përfshirë në reforma të zhvillimit dhe kanë intensifikuar bashkëpunimin dhe internimin”, tha Jakaj.

Ai kërkoi nga bizneset e dy vendeve që të rrisin shkëmbimet tregtare dhe për këtë duhet të krijohen edhe lehtësira. Berat Rukiqi, sekretar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se tash është një moment tjetër, ku Kosova ka mundësi të ketë orientime të tjera ekonomike e tregtare dhe kjo është Shqipëria. Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, tha se ky forum ka rëndësi jashtëzkonishme. Kosova dhe Shqipëria, kanë marrëdhënie të shkëlqyera politike dhe ekonomike. Sipas tij, hapat të cilat Qeveria e Kosovës i ka marrë ndaj Serbisë kanë ndodhur pas shumë diskutimeve dhe sakrificës që ka bërë ekonomia e Kosovës./ bota sot

1,521 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Faqja 3 of 41234