Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

5200 euro për gardërobën e Kryeministrisë

| Ekonomi, Kosovë | 2 September 2011

Lavdim Hamidi – Për t’u dukur bukur para kamerave televizive dhe në takimet me zyrtarë ndërkombëtarë e vendorë, kryeministria është kujdesur t’ia bëjë zgjidhjen për garderobën stafit të vet.

Për t’i furnizuar me garderobë 8- 10 persona, kryesisht truproja dhe shoferë të kryeministrit, është lidhur kontratë me butikun “London Fashion” në Prishtinë.

Kontrata e nënshkruar në fund të muajit qershor të këtij viti kap vlerën prej rreth 5200 eurosh, përderisa procedura e kontratës është zgjedhur me kuotim çmimesh.

Në këtë butik që furnizohet stafi i kryeministrisë, çmimi i kompleteve sillet prej 110-150

euro, mirëpo aty nuk blen gardërobë kryeministri Hashim Thaçi e as zëvendësit e tij.

Fahri Sylejmani, pronar i këtij butiku, thotë për “Zërin” se gardëroba me të cilën furnizohet stafi i kryeministrisë nuk është shumë e shtrenjtë, prandaj është përzgjedhur që ta furnizojë kryeministrinë.

“Edhe me gardërobën më të lirë ata duken mirë. Është shumë me rëndësi të duken mirë, sepse ata e prezantojnë Kosovën, në takimet që i zhvillojnë me kryeministrin jashtë vendit”, shprehet Sylejmani.

Sipas tij, me gardërobë te butiku i tij furnizohen 8-10 veta, kryesisht shoferët dhe rojet e

kryeministrit, ndërsa çmimi i kompleteve sillet prej 110 deri në 150 euro.

Pavarësisht se emri i butikut është “London”, Sylejmani thotë se me gardërobë furnizohet nga Qipro, Turqia, e jo nga Anglia.

“Më herët kam blerë mall në Angli, mirëpo tash nuk kam mundësi, sepse janë shumë të shtrenjta. Unë furnizohem kryesisht me gardëroba nga Qipro, Turqia etj”, sqaron ai.

Sylejmani pohon se pavarësisht se çmimet nuk janë shumë të larta, gardëroba të cilën ua

shet stafit kryeministror është shumë cilësore dhe për këtë shkak e ka zgjedhur butikun “London Fashion”.

“Mallin që e shes është me çmime të tregut dhe shumë kualitativ”, potencon ai.

Nuk blen Thaçi

Përkundër deklaratave të pronarit të butikut “London Fashion” se gardëroba që e furnizon stafin e kryeministrisë është cilësore dhe e lirë, kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat furnizohen në butiqet më të shtrenjta, të cilët shesin gardërobë të markave të

njohura botërore.

Sipas kontratës së nënshkruar nga kryeministria për furnizim me gardërobë, numri i tenderëve të pranuar ka qenë 3, kurse vlera më e lartë ka qenë 5935 euro./zeri

1,316 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Beqaj takoi ekspertë të Bankës Botërore

| Ekonomi, Kosovë | 26 August 2011

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besim Beqaj sot ka takuar përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe panelit të ekspertëve të pavarur të caktuar nga Banka Botërore për të shqyrtuar projektin “Kosova e Re” nga pikëpamja e Kornizës Strategjike për Zhvillim dhe Ndryshime Klimatike.

Gjatë takimit janë shqyrtuar temat që kanë të bëjnë me burimet e ripërtërishme, efiçiencën e energjisë, dhe bashkëpunimit më të madh rajonal në shkëmbimin e energjisë me qëllim të optimizmit të sistemeve elektro-energjetike. Roli i Panelit të Ekspertëve i përbërë nga tre ekspertë eminent ndërkombëtarë, është të shqyrtoj projektin krahas gjashtë kritereve të përcaktuara në Kornizën Strategjike për Zhvillim dhe Ndryshime Klimatike. Këto kritere përfshijnë ndikimin e demonstruar të projektit në zhvillim siç është përmirësimi në përgjithësi i sigurisë së furnizimit me energji, reduktimi i mungesës së energjisë dhe qasja në energji nga të varfrit.

Kriteret tjera janë edhe ofrimi i asistencës për identifikimin dhe përgatitjen e projekteve me emetim të ulët të karbonit, optimizimi i burimeve energjetike duke shqyrtuar mundësinë për të kënaqur nevojat e vendit për energji elektrike përmes efiçiencës (në furnizim dhe anën e kërkesës) dhe ruajtje.

Konsideratë mbi alternativat e arsyeshme me kosto më të ulët (përfshirë ndikimet mjedisore) dhe shtjerja e mundësive për financim nga donatorët, dizajni i projekteve të bazuara në djegie të linjiti bazuar në teknologjinë më të përshtatshme në dispozicion duke mundësuar për efiçiencë të lartë, dhe për këtë, intensitetin më të ulët të emetimeve të gazrave të efektit serë dhe përfshirjen e ndikimeve të jashtme mjedisore në analizën e projektit.

Paneli i ekspertëve do të qëndroj edhe disa ditë në Prishtinë ku do të takohet edhe me institucionet tjera që bashkëveprojnë në sektorin e energjisë. Me rekomandimet e panelit do të informohet Grupi i Bankës Botërore për mbështetjen e vazhdueshme të sektorit të energjisë në Kosovë./bota sot

959 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Astrit Haraqija emërohet zëvendësministër

| Ekonomi, Kosovë | 24 August 2011

Visar Duriqi – Qëkur e la karrigen e të parit të Kulturës, e deri tash, i shumëpërfoluri për skandale, Astrit Haraqija, nuk i kishte shijuar “bereqetet” e pushtetit. Ai madje nuk ishte futur as në listën për deputet të “Lisat dr. Ibrahim Rugova”, pjesë e së cilës është ende. Por tash, siç kishte bërë me dije kohë më parë “Zëri”, Astrit Haraqija është emëruar zyrtarisht zëvendësministër i Financave në qeverinë dytë të njeriut që e kishte quajtur të dështuar, Hashim Thaçit.

Në kohën sa ishte ministër i Kulturës kishte në dispozicion më pak se 10 milionë euro buxhet, kurse tash është zëvendësministër i Financave, nëpër të cilën kalojnë krejt financat e vendit.

Marrja e kësaj pozite nga Haraqija nuk e ka postuar as në llogarinë e tij në “Facebook”, ku ende si punëdhënës të vetëm e ka kompaninë “Make Up – auto-sistem”. As në uebfaqen e Ministrisë së Financave nuk është vendosur biografia e Haraqisë, dhe aty aktualisht janë biografi të e fotot vetëm të ministrit Bedri Hamza dhe zëvendësministrit tjetër, Ramadan Avdiu, të dy nga PDK-ja.

Ai nuk pranon të flasë për më shumë detaje rreth punës së tij të re. “Qe dy javë ia kam filluar punës”, është përgjigjur shkurt Haraqija. Ai i ka ikur edhe përgjigjes se cilat janë kompetencat e tij në këtë ministri.

“Ministria nuk është pronë private me i nda kush me cilin institucion me u marrë. Ne punojmë qato që naj jep ministri në mbledhje të mëngjesit, takojmë qata njerëz që na i cakton ai. Shkurt, i kryejmë qato detyra që na i cakton ministri gjatë ditës”, thotë për “Zërin” Haraqija.

Ai tha që do të jetë shërbyes besnik i ministrit Bedri Hamza. “Nuk është me rëndësi a jam zëvendësministër i parë, i dytë a i katërti. Unë punoj atë që më cakton ministri”, thotë Haraqija.

Astrit Haraqija u emërua si zëvendësministër i Financave më 12 gusht të këtij viti derisa për këtë të njëjtën pozitë ishte përfolur një anëtar tjetër i “Listës dr. Ibrahim Rugova”. Ishte ky kandidati për deputet i listës, Dardan Stublla, që pak kohë më parë, nga një komision intervistues, u shpall drejtor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por më vonë ky konkurs u anulua.

Ndryshe, Astrit Haraqija para kësaj pozite mbajti pozitën e ministrit të Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jorezidente, ku nga aty u largua me rënien e koalicionit LDK-AAK. Në këtë periudhë Ministria e Kulturës ishte pjesë e shumë publikimeve për keqpërdorime me buxhetin, emërimeve politike të njerëzve pa kualifikim dhe skandale të tjera.

Edhe raportet e auditimt të kësaj periudhe flasin për keqpërdorime me paratë e dhëna si avanse. “Kemi konstatuar se në tre vjetët e fundit (2005, 2006, 2007) shumë llogari të pagesave avans nuk janë mbyllur në tërësi dhe për këtë arsye ende mbeten të hapura dhe aktive. Kemi identifikuar se rreth 2.5 milionë euro të llogarive janë ende aktive dhe të pambyllura në regjistrat e MKRS-së”, thuhet në raportin e ZAP për këtë ministri për vitin 2007, kur kjo ministri ishte ende në duart e Haraqisë.

Për skandale e pati kritikuar atëherë edhe udhëheqësi i Departamentit të Kulturës në Kabinetin për Qeverisje të Mirë sa PDK-ja ishte opozitë, Lirak Çelaj. Çelaj, që tash është këshilltar i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, pati kërkuar që Haraqija të shkarkohej nga detyra e ministrit të Kulturës, duke e akuzuar se ai ka menaxhuar keq mjetet financiare, ka politizuar kulturën, duke ia kujtuar se për drejtor të Qendrës Kinematografi ke të Kosovës zgjodhi vëllanë e deputeti të LDK-së, Sabri Hamiti, Zeqirin.

Çelaj kishte përmendur një skandal me çmimin letrar “Azem Shkreli”, financimin me 150 mijë euro të festivali “Kënga Magjike”, me 10 mijë euro për videoklipin “Loçka jeme” të Arbërie Hadërgjonajt, blerja e një veture në vlerë 90 mijë euro, deklaratat e tij skandaloze “Unë i kam harxhuar edhe paratë e babës tim, pse jo edhe të ministrisë” etj.

Haraqija para se të bëhej ministër i Kulturës, ka ushtruar funksionin e kryeshefit ekzekutiv të komunë së Gjakovës, ku pati shpallur këtë qytet “Krahinë Autonome” si një formë e fushatës drejtuar ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit pasi që kishte lënë mbrapa procesin e privatizimit të ndërmarrjeve të këtij qyteti.

N të kaluarën politike, Haraqija ka qenë kryetar i degës së LDK-së për Gjakovën.

Haraqija dikur akuzonte Thaçin

Tash e ka shef kryeministrin Hashim Thaçit, si zëvendësministër i Financave, por sa ishte ministër i Kulturës, Astrit Haraqija kishte ngritur dyshime për keqpërdorime të fondit “Vendlindja thërret” nga Thaçi.

“Hashim Thaçi i ka humbur katër palë zgjedhje në Kosove. Ai më akuzon mua për orrupsion, për krijimin e do farë strukturash parapolitike, për shfrytëzim të fondeve publike! Ani kush, Hashim Thaçi!? Ai duhet të japë llogari para popullit për shfrytëzimin e fondit ‘Vendlindja thërret’. Ku janë paret e këtij fondi, sa para janë mbledhur për këtë fond, sa janë shfrytëzuar për nevoja të luftës, sa kanë mbetur, ku janë tretur?”, kishte deklaruar Haraqija./zeri

1,131 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Për rritje të bashkëpunimit ekonomik

| Ekonomi, Kosovë, Shqipëri | 23 August 2011

Një plan zhvillimi dhe bashkëpunimi ekonomik në rritje midis dy vendeve ishte në qendër të një takimi mes kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Qeverisë së Kosovës, Besim Beqaj.

Beqaj shprehu besimin se me kushtet e reja të krijuara në Kosovë, bashkëpunimi i sektorit privat të dy vendeve ka mundësi të rritet edhe më shumë, nga shfrytëzimi i hapësirës së krijuar nga ndalimi i produkteve serbe. Sipas tij, nxitja e bashkëpunimit mes dy vendeve duhet të synojë si fushën e investimeve ashtu edhe atë tregtare.

Nga ana e tij, kryeministri Sali Berisha shprehu kënaqësinë e tij për vendimet e rëndësishme të qeverisë së Kosovës, në lidhje me privatizimet në fushat strategjike, të cilat përbëjnë dhe bazën e reformave themelore ekonomike.

Duke iu referuar shembullit të Shqipërisë e cila, sipas kryeministrit, falë privatizimeve arriti të rriste të ardhurat për frymë, ai i quajti vendimet e qeverisë së Kosovës, të guximshme.

“Synimi final i të dy vendeve është dhe duhet të jetë rritja e të ardhurave për frymë dhe përmirësimi i standarteve të jetesës. Bashkëpunimet tregtare, në fushën e energjisë, si dhe në fushën e bujqësisë dhe agro-biznesit”- tha kryeministri Berisha

Në fushën e energjisë, ndërtimi i linjave të transmetimit si ajo Tiranë-Prishtinë , jo vetëm forcon integrimin e sistemeve energjetike, por rrit edhe efiçencën e funksionimit të tyre, duke kursyer 20% të burimeve energjitike, u theksua në takim./zeri

1,070 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Qeveritarët i maskojnë veturat zyrtare

| Ekonomi, Kosovë | 23 August 2011

Enis Veliu & Lavdim Hamidi – Veturat e zyrtarëve të lartë qeveritarë është vështirë të dallohen nga veturat luksoze të biznesmenëve kosovarë, pasi që një pjesë e konsiderueshme e tyre qarkullojnë me targa jozyrtare.

Po ashtu, veturat zyrtare jo rrallë përdoren nga ministrat, por edhe nga zyrtarë të tjerë të lartë edhe gjatë vikendit, gjatë dasmave, por edhe gjatë verës për pushime verore në vende të rajonit, por edhe më larg.

Vetura e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, vetura e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, por edhe shumë vetura të zyrtarëve të lartë qeveritarë, edhe më tej vazhdojnë të ecin rrugëve të Kosovës pa u vërejtur fare.

Brenda territorit të Kosovës këto vetura qarkullojnë me tabela civile. Ndërkaq për udhëtime zyrtare jashtë vendit, këto vetura i shfrytëzojnë tabelat zyrtare të Qeverisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se regjistrimi i veturave zyrtare është përgjegjësi ekskluzive e Ministrisë së Punëve të Brendshëm të Kosovës.

Madje, për këtë çështje ai tha se nuk ka asnjë informacion.

“Unë lidhje s’kam me këtë punë, për këtë çështje kontaktojeni Ministrinë e Punëve të Brendshme, sepse ata janë kompetentë”, tha Kuçi. Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, nuk ka dashur të flasë për gazetën në lidhje me regjistrimet e veturave të ministrave.

Ai madje ka vendosur t’i bëjë bllokadë të fortë informative njëvjeçare gazetës “Zëri”, përkatësisht nga 21 gushti i vitit 2011 e deri më 21 gusht të vitit 2012, duke shkëputur kështu të gjitha kontaktet me gazetën.

“Unë kam vendosur ta bëj një gjë të tillë. Edhe pse jam ministër është e drejtë e ime të flas apo të mos flas me ju”, tha të dielën ministri Rexhepi nëpërmes telefonit.

Sipas tij, kohëve të fundit gazeta “Zëri” ka zhvilluar fushatë kundër tij, e cila, siç thotë ai, ka filluar nga zgjedhjet e fundit parlamentare në vend.

Ministri Rexhepi tha se do të jetë i gatshëm të bisedojë me gazetarët e gazetës “Zëri” vetëm pas skadimit të kësaj embargoje informative kundër gazetës.

Gazeta “Zëri” për këtë çështje ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, por asnjëri nga ta nuk kanë qenë të gatshëm të bisedojnë për këtë çështje.

Burime të gazetës brenda kësaj ministrie, të cilët kanë pranuar të flasin në kushte anonimiteti, thonë se vetura zyrtare e ministrit Besim Beqaj i ka dy regjistrime, atë zyrtar, si dhe regjistrimin tjetër, i cili është i zakonshëm si i të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Kur ministri udhëton jashtë vendit përdor regjistrimin zyrtar, ndërkaq brenda Kosovës ai lëviz me regjistrim tjetër për të mos u vërejtur”, tha burimi i gazetës. Ndërkaq, në anën tjetër përfaqësues të organizatave joqeveritare në vend thonë se veturat zyrtare nga ministrat e Qeverisë së Kosovës konsiderohen si private dhe ato përdoren në vazhdimësi nga ta.

Avni Zogiani nga organizata për dinjitet dhe antikorrupsion “Çohu” thotë se

fshehja mbrapa tabelave të zakonshme ka të bëjë edhe me vendndodhjet shumë shpesh krejt të papritura të zyrtarëve.

Zogiani thotë se një gjë e tillë i ka ndodhur kryeministrit të Kosovës në Maqedoni kur është regjistruar me kamera nga televizioni maqedonas “A1”, ku më vonë u mor vesh se takimi, siç thotë ai, ka pasur të bëjë me çështje biznesi.

Rexhepi: “Zëri”, një vit harroni numrin tim!

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, nuk ka dashur të flasë për gazetën “Zëri” në lidhje me regjistrimet e veturave të ministrave.

Ministri Rexhepi thotë se nga 21 gushti i vitit 2011 e deri më 21 gusht të vitit 2012 ka shkëputur të gjitha raportet me gazetën “Zëri”.

“Unë kam vendosur ta bëj një gjë të tillë. Edhe pse jam ministër është e drejte e ime të flas apo të mos flas me ju”, tha të dielën ministri Rexhepi nëpërmes telefonit.

Sipas tij, kohëve të fundit gazeta “Zëri” ka shkruar shkrime të pabazuara në fakte. Ministri Rexhepi tha se do të jetë i gatshëm të bisedojë me gazetarët e gazetës “Zëri” vetëm pas skadimit të kësaj embargoje informative njëvjeçare kundër gazetës./zeri

2,098 shikime gjithsej, 7 shikime sot

Ministria e Bujqësisë rrezikon të dënohet për tender

| Ekonomi, Kosovë | 23 August 2011

Foto: Petrit Rrahmani

Ministria e Bujqësisë rrezikon të dënohet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) për shkeljet që ka bërë me tenderin për punën e bashkimit të tokave bujqësore në Gjakovë. OSHP-ja ka lëshuar një urdhër për këtë çështje, ku i bën me dije kësaj Ministrie, që nëse nuk zbatohet vendimi i saj i mëhershëm, që tenderi në fjalë të rivlerësohet pa bërë shkelje ligjore, pos dënimit me 5 mijë euro, duhet të shqyrtohet edhe marrja e masave ndaj zyrtarëve të prokurimit në këtë ministri.

Por, ky tender tashmë është anuluar nga Ministria, dhe sipas urdhrit më të fundit të OSHP- së, ky veprim është marrë kundërligjshëm, pasi që rivlerësimi që çoi deri tek anulimi është bërë duke shkelur së paku dy nene të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP). OSHP-ja po ashtu ka konstatuar se të dy komisionet që kishte formuar Ministria e Bujqësisë, të parin për të vlerësuar oferta e kompanive që garuan për këtë tender, e të dytin për t’i rivlerësuar ato, kishin vlerësime komplet kundërthënëse.

I pari, që edhe kishte arritur të zgjidhte si fitues kompaninë “N.P Geo-Info” nga Prishtina, kishte konstatuar se në garën për këtë tender ofertuan 6 kompani të përgjegjshme, kurse komisionit të dytë i “humbën” pesë kompani. Komisioni i dytë, që ishte formuar po ashtu pas një vendimi të OSHP-së, që gjeti shkelje në punën e komisionit të parë dhe e ktheu tenderin në rivlerësim, thotë se ka gjetur që vetëm një kompani të përgjegjshme.

Kjo kompani, sipas komisionit të dytë, ishte NPN “Lori” nga Vushtrria. Pasi që Ligji i Prokurimit Publik (LPP) nuk lejon që të vazhdohet një tender me vetëm një kompani të përgjegjshme në garë, komisioni i dytë merr vendim që tenderi të anulohet, por prapë u shfaqën pakënaqësitë. Tash, jo kompania e parë fi – tues e këtij tenderi, por kompania tjetër private, “Intershped” nga Ferizaj, ankohet se vendimi është i paligjshëm.

Pasi që shqyrtoi krejt këtë situatë, Organi Shqyrtues i Prokurimi, në urdhrin e fundit që ka lëshuar për Ministrinë e Bujqësisë, thotë se edhe vendimi për anulim, sikurse vendimi i pare që të zgjidhej “N.P Geo-Info” nga Prishtina, është i pa qëndrueshëm. Arsyeja, sipas OSHP-së, pse edhe konstatimi i komisionit të dytë është i paqëndrueshëm është për faktin se gjatë punës së tij ky komision ka bërë shkelje të dyfi shtë të LPP-së.

“Autoriteti Kontraktues (Ministria e Bujqësisë), gjatë procesit të rivlerësimit nuk ka respektuar neni 7 dhe 59 të LPPsë”, thuhet në raportin e ekspertit shqyrtues të këtij rasti. Tash, sipas urdhrit të OSHP-së, Ministria e Bujqësisë duhet të zbatoi vendimin e më hershëm, atë për ri-vlerësim prej fillimit të këtij tenderi, ani pse Ministria veç e ka bërë një herë këtë punë, por i doli që duhet ta anuloi këtë tender.

Megjithëkëtë, OSHP-ja këmbëngul që vendimi duhet të zbatohet, dhe kërcënon Ministrinë e Bujqësisë se do të ndëshkohet deri në 5 mijë euro, dhe të kërkohet nga “shefat” e Ministrisë që të marrin masa ndaj personave që i bënë këto shkelje. Megjithëse njoftimi që është anuluar ky tender tashmë është publikuar, në Ministrinë e Bujqësisë thonë se nuk do të ketë nevojë për ndëshkim nga OSHP- ja. “Vendimin do ta zbatojmë, të plotë ashtu siç kërkohet në urdhrin e OSHP-së.

Kurse, për hapat e mëtutjeshëm në këtë lëndë do të bëjmë konsulta brenda institucionit dhe do të veprojmë konform situatës, gjithherë duke e zbatuar ligjin”, ka thënë për “Zërin”, Adil Behramaj, Zëdhënësi i kësaj ministrie./zeri

1,293 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Si të rritet eksporti?

| Ekonomi, Kosovë | 23 August 2011

Për të qenë produktet kosovare më konkurruese në raport me produktet e shteteve tjera, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike dhe përfaqësuesve të bizneseve kosovare, Kosova duhet të ketë një treg më të favorshëm në aspektin e klimës biznesore dhe të ketë investime më të mëdha të huaja.

Alban Zogaj nga Instituti “Riinvest” thotë se pa përmirësimin e politikave fiskale, produktet kosovare nuk do të mund të jenë konkurruese, dhe në këtë mënyrë nuk do të mund të eksportohen.

“Çka duhet bëhet që të kemi një rritje në eksportit t tonë e që pastaj e rregullon bilancin tregtar tepër të disfavorshëm të Kosovës. Çështje kyçe në rritjen e eksportit është rritja e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve kosovare. Ndërmarrjet kosovare duhet të jenë më konkurruese në tregun ballkanik dhe në atë evropian, në mënyrë që produktet kosovare të shiten ne tregjet e rajonit, por edhe ne tregjet e Evropës”, thekson Zogaj.

Në gjysmën e parë të këtij viti, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, eksportet shënuan normë vjetore të rritjes prej 18.6 për qind, duke arritur vlerën prej 168.1 milionë euro, ndërsa importet shënuan rritje vjetore prej 16.5 për qind dhe arritën vlerën prej 1.09 miliardë euro.

Sipas raportit të BQK-së, efekti i rritjes së eksporteve vazhdon të eliminohet nga rritja e importeve për sa i përket ndikimit në vlerën e bilancit tregtar, duke pasur parasysh se importet janë rreth 6.5 herë më të larta sesa importet.

Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, thotë se një masë që do të ndihmonte në promovimin e eksportit është futja e pakove stimuluese, siç është lirimi i pagesave nga tatimet për ato biznese të cilat kanë një plan të mirë të biznesit, dhe bizneset që bëjnë pjesë në sektorin e prodhimtarisë

“Qeveria do të ishte në gjendje të dilte me një pako të mirë që do të stimulonte zhvillimin e eksportit privat dhe sektorin e prodhimtarisë në vend. Kemi marrë paralajmërime nga qeveria se shumë shpejt do të hyjë në fuqi një pako e re fiskale, e cila përfshinë masa të tilla stimuluese, një prej tyre është që Oda Ekonomike Amerikane e ka kërkuar tash e sa kohë, e kjo është heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar për produktet e makinerisë për markat që përdoren për prodhim”, thotë Zeka.

Zeka thekson se kanë pritur që pas raportit “Të bësh biznes” të Bankës Botërore, institucionet e vendit do të punonin më shumë në përmirësimin e ambientit afarist, por siç thotë ai, një gjë e tillë nuk ndodhi, dhe sipas tij, Kosova vazhdon të ketë deficit të lartë tregtarë.

“Çfarë mund të bëjë qeveria e vendit për të përmirësuar ambientin afarist? Mendoj që këto janë indikatorë shumë të qartë. Nuk ka nevojë që qeveria të drejtohet diku tjetër. Mjafton raportin ‘Të bësh biznes’ që publikohet çdo vit nga Banka Botërore. Në bazë të atij raporti, qeveria duhet të merr masa të cilat do të ndikonin në përmirësimin e ambientit afarist”, thotë ai.

Për të ngritur eksportin, edhe Alban Zogaj nga Instituti “Riinvest”, thotë se autoritetet kosovare duhet të bëjnë më shumë në stimulimin e bizneseve vendore.

Ne po e shohim që nuk është punuar shumë në aspektin e klimës biznesore në Kosovë.

Deri më tani, sipas tij, është bërë shumë pak në sektorin privat.

“Ne po e shohim që nuk është punuar shumë në aspektin e klimës biznesore në Kosovë. Kosova renditet shumë poshtë në listën e Bankës Botërore dhe institucioneve tjera ndërkombëtare sa i përket atyre elementeve të bërit biznes në Kosovë”, sqaron ai.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, që nga fillimi i këtij viti deri më tani, Kosova importoi mallra në vlerë prej 1.09 miliardë euro krahasuar me 938.8 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit paraprak/bota sot

1,066 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Përplasen për tenderin 10-milionësh

| Ekonomi, Kosovë | 18 August 2011

Foto: Ridvan Slivova

Anulimi i tenderit mbi 10-milionësh, për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve rajonale, i Ministrisë së Infrastrukturës, ka nxjerrë në pah abuzime të rënda me tenderë brenda Ministrisë së Infrastrukturës, e cila drejtohet nga Fehmi Mujota.

Përmes një vendimi sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Skënder Gashi, kishte anuluar këtë tender, por vendimi i sekretarit ishte kundërshtuar fuqishëm nga shefi i prokurimit në këtë ministri, Nexhat Krasniqi.

Ky i fundit akuzon sekretarin Gashi për dallavere, korrupsion dhe favorizim të kompanive të caktuara.

Në anën tjetër, sipas një letre që e ka siguruar gazeta “Zëri”, sekretari Gashi shkruan se komisioni i formuar për këtë tender nga Rexhë Osmanaj, Betim Reqica, Ismet Hoxha, Hysen Doberqani dhe Erëza Arifi, nuk i ka kryer detyrat e veta si duhet.

Sipas Gashit, në një apo më shumë raste, anëtarët e komisionit nuk janë në gjendje të marrin pjesë në takimin e komisionit për shkaqe objektive.

Gashi po ashtu thotë se anëtarët e komisionit nuk kanë punuar në përbërje të plotë, pasi që anëtari i komisionit Ismet Hoxha ka qenë në pushim vjetor prej datës 27.06.2011 deri më 08.07.2011, ndërkaq sipas sekretarit ai në punë është kthyer më 11.07.2011.

“Komisioni e ka përfunduar punën më datën 21.07.2011 duke i dhënë zyrtarit të prokurimit raportin e punës dhe rekomandimin. Anëtarja e komisionit, Erëza Arifi, nuk ka marrë pjesë në punën e komisionit nga 15.07.2011, kur ka qenë dita e fundit e punës së saj para shkuarjes në pushim të lehonisë e deri në ditën e nënshkrimit të raportit të komisionit më 21.07.2011”, thuhet në letrën e sekretarit Gashi, drejtuar ministrit Mujota.

Më tej thuhet se anëtarja e komisionit nuk ka pasur të drejtë të nënshkruajë raportin, pasi që nga data 15 korrik nuk ka marrë pjesë në takimet e komisionit.

Sekretari Gashi në letrën e tij drejtuar ministrit ka thënë se në këtë tender ka verifikuar shkelje serioze të nenit 62 të paragrafit 1.1 të Ligjit për Prokurimin Publik.

“Duhet cekur faktin që njoftimi për dhënien e kontratës është bërë publik me datën 29.07.2011, do të thotë pas plot gjashtë ditë kalendarike pas vendimit final të Departamentit të Prokurimit, që është një vonesë e pajustifikueshme duke pasur parasysh që kemi të bëjmë me ritenderim”, thuhet në letër.

Sipas Gashit, drejtori i prokurimit e ka marrë vendimin final në kundërshtim me Ligjin e Prokurim Publik, duke pasur parasysh se Erza Arifi është shërbyese civile e Departamentit të Prokurimit dhe ai ka pasur njohuri se e njëjta është në pushim lehonie.

Sekretari Gashi ka thënë se drejtori i prokurimit është dashur ta refuzojë rekomandimin e komisionit, si të paligjshëm pasi që nuk ka punuar në përbërje të plotë.

Por, në anën tjetër, drejtori i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi, thotë se sekretari i ministrisë, Skënder Gashi, është shkelësi më i madh i ligjeve në Ministrinë e Infrastrukturës.

Krasniqi thotë se në letrën që Gashi ia ka dërguar ministrit Mujota ka shumë gjëra të pavërteta, të cilat, sipas tij, verifikohen fare lehtë.

“Ne e kemi dorëzuar dosjen kundër tij në Prokurorinë Speciale, sepse ai ka bërë shumë veprime antiligjore, ai ka favorizuar kompani të caktuara përmes të cilave dëmton rëndë buxhetin e shtetit”, tha ai.

Krasniqi më tej akuzon sekretarin Gashi se çdoherë është i pranishëm nëpër kafene të Prishtinës me persona që qëndrojnë mbrapa kompanive që përmes shantazheve tentojnë të marrin tenderë në Ministrinë e Infrastrukturës./zeri

1,454 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Deficit i lartë tregtar

| Ekonomi, Kosovë | 18 August 2011

Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, ku thuhet se deficiti tregtar ka arritur vlerën prej 925.4 milionë euro, ka ngritur shqetësim tek ekspertët e çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Sipas tyre, ky deficit i lartë tregtar po ndikon negativisht në trendin e rritjes ekonomike të vendit

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se me këtë shkallë të deficitit tregtar, nuk mund të vazhdohet, por duhet urgjentisht të dizajnohen politika mbështeste që e favorizojnë eksportin, dhe në të njëjtën kohë ndikojnë në zhvillimin e sektorëve ku Kosova mund të zëvendësojë importin.

“Vendet e rajonit të gjithë kanë deficit tregtar, por në një shkallë shumë të vogël, 20 deri në 30 për qind, por në rastin e Kosovës është një dallim i madh në raport të mbulimit të eksportit me import, dhe kjo ka shkaktuar telashe të mëdha pasi që pjesa më e madhe e parave të gatshme nuk janë pjesë e tregut të Kosovës, por janë pjesë e vendeve tjera ku ne importojmë”, shprehet Rukiqi.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, në gjysmën e parë të këtij viti,

eksportet shënuan normë vjetore të rritjes prej 18.6 për qind, duke arritur vlerën prej 168.1 milionë euro, ndërsa importet shënuan rritje vjetore prej 16.5 për qind dhe arritën vlerën prej 1.09 miliardë euro.

Sipas raportit të BQK-së, efekti i rritjes së eksporteve vazhdon të eliminohet nga rritja e importeve për sa i përket ndikimit në vlerën e bilancit tregtar, duke pasur parasysh se importet janë rreth 6.5 herë më të larta sesa importet.

Lidhur më këto të dhëna, analisti i çështjeve ekonomike Fisnik Reçica, thotë se deficiti i lartë tregtar po rrezikon qëndrueshmërinë ekonomike të vendit, dhe ky deficit i lartë tregtar ndodh për shkak të nivelit të ultë të prodhimit vendor edhe nivelit të lartë të importit i cili po vazhdon.

“Edhe pse në periudhën e fundit, sipas raportit të BQK-së ka pasur një ngritje të raportit eksport – import, mirëpo ky raport është i vogël për shkak të rritjes së konsumit. Mendoj se stimulimi i prodhimeve vendore në radhë të parë, që besoj se duhet bërë tek procesimi i produkteve ushqimore të cilët pastaj do të stimulonin edhe prodhimet tjera vendore dhe lëndën e parë sidomos në fushën e bujqësisë, blegtorisë dhe hortikulturës, të cilat mandej do të ndikonin në zhvillimin e bizneseve vendore”, thekson Reçica.

Masat e reciprocitetit ndaj produkteve të Serbisë, sipas Fisnik Reçicës do të kenë ndikuar në uljen e deficitit tregtar, për arsye, siç thotë ai, është rritur prodhimi vendor, dhe ky prodhim do të balancon deficitin tregtar.

Por, Reçica thekson se deficiti tregtar aktual i cili është deri në 90 për qind është vështirë të ulet.

“Raporti, import me eksport do të ulet aq sa mundet të ulet, për shkak se kapacitetet e prodhimeve në Kosovë janë të kufizuara. Fillimisht duhet të shkohet me zëvendësim të importit. Ky zëvendësim i importit do ta ulë nivelin e deficitit mandej gjitha ato mjete që hyjnë nga jashtë si dërgesat nga bashkatdhetarët apo mjete tjera që vinë nga jashtë, do të mbeteshin brenda , për shkak se deri më tani ashtu si hynë brenda dalin jashtë përmes mallrave të importit”, thekson Reçica.

Ekspertët e ekonomisë thonë se instrumente që janë përdorur në 10 vjetët e fundit të pas luftës për stimulimin e bizneseve vendore është i vogël.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se autoritetet kosovare duhet të mendojnë forma tjera pro-aktive në përkrahjen e bizneseve.

Duhet gjetur politika në nxitjen e eksportit, në nxitjen e prodhimit Tani është një moment i ri në Kosovë, sidomos pas ri-dizajnimit të raporteve tregtare me vendet e rajonit duke pasur parasysh reciprocitetin që po zbatohet me Serbinë dhe Bosnjën. Serbia ka qenë një ekspertues i madh në Kosovë dhje kjo ka krijuar një zbrazëtirë të madhe, dhe kjo zbrazëtirë duhet të plotësohet me produktet vendit”, shprehet Rukiqi.

Struktura e eksporteve të Kosovës vazhdon të dominohet nga metalet bazë, të cilat përbëjnë 63.6 për qind të gjithsej eksporteve të Kosovës.

Deri në fund të qershorit 2011, eksporti i metaleve bazë shënoi rritje vjetore prej 16.9 për qind. Një kategori tjetër me pjesëmarrje më të theksuar në gjithsej eksportet janë edhe produktet minerale, të cilat përbëjnë 11.7 për qind të gjithsej eksporteve.

Deri në qershor 2011, Kosova importoi mallra në vlerë prej 1.09 miliardë euro krahasuar me 938.8 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit paraprak./nota sot

1,184 shikime gjithsej, 3 shikime sot

Kosova del nga vendi i fundit për pagat

| Ekonomi, Kosovë | 16 August 2011

Enti i Statistikave të Kosovës, në raportin e fundin për zhvillimet deri në fund të qershorit, dëshmon se është përmbushur vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave, ndonëse jo deri në përqindjen e thënë. Megjithatë, ndryshimi është i kuptueshëm, meqenëse bëhet fjalë për mesataret e pagave për një të punësuar në sektorët buxhetorë. Paga mesatare në Kosovë në fund të qershorit ishte 374 euro. Krahasuar me qershorin e vitit të kaluar ato janë 28,5 për qind më të larta, ndërkaq 34,5 për qind më të larta se në janar të këtij viti, raporton Qendra.info.Sipas ESK-së pagat më të larta janë në shërbimet e përgjithshme- 428 euro, ose 71 euro më të larta se para një viti, siguri e rendi – 403 euro, ose 22 për qind më të larta, pastaj në sektorin ambientit – 360 euro, në shëndetësi 374 euro, me një rritje 30,7 për qind, në arsim 347 , ose 36,6 për qind më të larta,po aq edhe në sektorin argëtimit dhe të kulturës, me një rritje 24,8 për qind, ekonomia -319 euro, krahasuar me 289 euro sa ishin para një viti dhe në fund është strehimi, ku paga mesatare është 309 euro, ose 27,2 për qind më shumë se një vit më parë.

Krahasuar me disa vende të tjera të rajonit Kosova tash nuk është në vendin e fundit. Pas saj janë Serbia, ku në fund të majit paga mesatare ishte 353 euro dhe Maqedonia -330 euro. Paga mesatare në Shqipëri është afër 400 euro, në Slloveni – 970 euro, Kroaci – 736 euro, Mal të Zi – 581 euro dhe në Bosnjë e Hercegovinë – 400 euro. Sipas ESK-së pagë nga buxheti i Kosovës marrin 77.602 punëtorë, kurse në fund të qershorit të vjetëm ishin 76.335 veta./kosova sot

1,062 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Faqja 1 of 41234