Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Edhe dy javë shtesë për ofertuesit e PTK-së

| Ekonomi, Kosovë | 3 September 2011

Komisioni Qeveritar për Privatizimin (KQP) e Postë-Telekomit të Kosovës, të premten, ka marrë vendim, pasi i ka analizuar rrjedhat dhe zhvillimin e deritanishëm të procesit të privatizimit të 75 për qind të aksioneve të kësaj ndërmarrjeje publike, që ta shtyjë edhe për dy javë afatin për tenderin e privatizimit të kësaj ndërmarrjeje publike. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së ka konstatuar se procesi është duke vazhduar në bazë të vendimeve të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës dhe me dinamikën e paraparë dhe janë kryer përgatitjet e duhura për shpalljen e tenderit për privatizimin e saj. Zyrtarët e Ministrisë për Zhvillim Ekonomik thonë se arsyeja pse u është dhënë afat shtesë dy kompanive të parakualifikuara ka qenë që ata të vendosin seriozisht nëse janë të interesuar të marrin pjesë në procesin e mëtutjeshëm të privatizimit, apo jo. Kështu kanë bërë të ditur burime brenda MZHE-së. Burimi i gazetës “Kosova Sot” ka theksuar se kërkesa për afat shtesë ka ardhur nga kompania “Deutche Telecom” , nëpërmjet “Hrvatski Telekom”, kompani e cila është parakualifikuar në fazën e parë në procesin e privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës. Në garë për blerjen e PTK-së është edhe kompania austriake, “Austria Telekomi”. “Telekomi kroat ka kërkuar dy javë kohë shtesë për dokumentacionet, të cilat njësia për implementimin e procesit të privatizimit i ka kërkuar nga ofertuesit, ku janë disa kushte për të cilat kompanitë duhet të deklarohen rreth tyre”, tha ky burim. Sipas tij, ata me këtë konfirmojnë nëse janë seriozisht të interesuar të marrin pjesë në privatizimin e PTK-së. Pas marrjes së këtyre përgjigjeve, kompanitë do t’i paraqesin ofertat teknike dhe financiare./kosova sot

845 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Dështojnë planet për PTK-në dhe KEK-un

| Ekonomi, Kosovë | 2 September 2011

Enis Veliu – Qeverisë së Kosovës edhe me tej po vazhdojnë t’i dështojnë planet për privatizimin e dy kompanive publike më të mëdha në vend. Në planin e zhvillimit ekonomik, i cili u hartuar sivjet në Bullgari, nga një pjesë e kabinetit qeveritar, ishte paraparë që privatizimi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) të ndodhë deri në fund të muajit shtator, ndërkaq përmbyllja financiare të ndodhë më së voni deri në dhjetor të këtij viti.

Po ashtu, edhe për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) Qeveria ka paraparë që shpallja e fituesit të ndodhë gjatë muajit tetor të këtij viti, ndërkaq përmbyllja financiare të ndodhë deri në përfundim të vitit.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik thonë se në vazhdimësi janë duke punuar për të arritur dinamiken e paraparë për privatizimin e dy ndërmarrjeve më të mëdha.

Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, thotë se komisionet qeveritare të privatizimit, njësitë për implementimin e procesit të privatizimit të KEDS-it dhe PTK-së dhe këshilltarët e transaksionit i kanë kryer me kohë dhe sipas dinamikës së paraparë të gjitha obligimet.

Sipas tij, tash mbetet që kompanitë e kualifikuara për procesin e privatizimit të këtyre dy kompanive të realizojnë obligimet e veta dhe t’iu përgjigjen kërkesave të parashtruara nga Komisioni Qeveritar i Privatizimit.

“Për shkak të sezonit të pushimeve vjetore apo kërkesave eventuale për kohë shtesë për t’u përgjigjur kërkesave të KQP mund të ndodhë që përgjigjet e tyre të vonohen, gjë që do të ndikonte edhe në vonesën eventuale të procesit”, tha ai.

Nga ana tjetër, ekspertë të ekonomisë në vend thonë janë se janë pesimistë për implementim e planit për zhvillim ekonomik, të hartuar në Bullgari. Musa Limani, njohës i mirë i proceseve ekonomik në vend, thotë se i tërë plani që ka hartuar kabineti qeveritar në Bullgari, është më pak se një ligjëratë që ai e mban para studenteve të Fakultetit Ekonomik.

Profesor Limani thotë se i tërë ai plan që është hartuar në Bullgari, ka mbetur si i tillë dhe është vështirë të implementohet në dinamikën e paraparë.

“Ky plan është hartuar vetëm për t’ia mbyllur gojën opozitës, se Kosova ka plan për zhvillim ekonomik. Tash jemi në muajin shtator dhe nuk ka asnjë element të privatizimit të PTK-së dhe KEK-ut”, tha ai.

Profesor Limani thotë se Qeveria së bashku me Agjencinë Kosovare të Privatizimit duhet të gjejnë një metodë më të mirë për të shitur ndërmarrjet shoqërore në vend, ndërkaq ai këmbëngul se ndërmarrjet publike, siç është KEK-u e PTK-ja, duhet të mbeten në menaxhim të shtetit.

“Privatizimi deri më tash ka shkatërruar ekonominë e vendit, ka prodhuar papunësi. Me rastin e shitjes së KEK-ut dhe PTK-së kriza në vendin tonë do të thellohet edhe më shumë”, shtoi ai./zeri

1,137 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Sivjet kodi

| Ekonomi, Kosovë | 29 August 2011

Agon Sinanaj – Kosova mund ta këtë sivjet kodin telefonik, nëse për këtë arrihet një marrëveshje në bisedimet me Serbinë. Expressi ka mësuar se bëhet fjalë për një kod të veçantë, jashtë atij të Serbisë, si masë e përkohshme derisa Kosova të anëtarësohet në OKB. Marrëveshja pritet të arrihet në tetor.

Humbjet milionëshe nga mungesa e kodit telefonik pritet të marrin fund sivjet. Së paku, nëse bisedimet me Serbinë shkojnë siç është planifikuar, atëherë Kosova mund ta ketë sivjet kodin e saj telefonik dhe të internetit.

Burime të sigurta i kanë thënë Expressit se kjo çështje do të jetë temë e bisedimeve me Serbinë dhe kah tetori mund të arrihet një marrëveshje.
Bëhet fjalë për një kod të veçantë, jashtë atij të Serbisë, si masë e përkohshme derisa Kosova të anëtarësohet në OKB.

“Kjo i bie që ‘switch-at’ do të jenë në Kosovë. Thirrjet ndërkombëtare regjistrohen direkt në Kosovë, që i bie se krejt paret mbesin në Kosovë. Terminimi do të bëhet prej së jashtmi në Kosovë”, ka sqaruar i njëjti burim.
Sipas tij, marrëveshja pritet të arrihet kah tetori i këtij viti.

Aktualisht, pasi Kosova nuk ka kod të vetin telefonik, atëherë operatorëve të licencuar iu është lënë mundësia që ata të bëjnë marrëveshje me shtete të tjera për shfrytëzimin e kodeve të tyre telefonike, çka nënkupton se operatorët paguajnë shuma të caktuara, sipas marrëveshjeve përkatëse për shfrytëzimin e këtyre kodeve për bartjen e trafikut përmes këtyre shteteve. Siç dihet, aktualisht Kosova i shfrytëzon 3 kode për shërbime telefonike +377, +386 për shërbime të telefonisë mobile dhe +381 për shërbime të telefonisë fikse. /express

992 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Haxha në “luftë” me Tiborin

| Ekonomi, Kosovë | 25 August 2011

Foto: Laura Hasani

Lavdim Hamidi – Deklaratat e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, Shyqri Haxha, në mediet kosovare dhe publikimi i raporteve konfidenciale, kanë ngritur gjakrat e anëtarit të Bordit të kompanisë “Telco AG”, Tibor Kartik, e cila është përzgjedhur nga Qeveria e Kosovës si këshilltare e transaksionit për privatizimin e kompanisë më profitabile në Kosovë.

Kartik për këto shqetësime më 22 gusht 2011 i ka shkruar letër Haxhës, të cilën letër ia ka dërguar edhe zyrtarëve më të lartë qeveritarë në vend. Sipas kësaj letre, të cilën e posedon edhe gazeta “Zëri”, Kartik i shkruan Haxhës se ky i fundit duhet ta ketë parasysh se bëhet fjalë për një transaksion kompleks, në një mjedis investues sfidues evropian dhe ky transaksion është urgjent për stabilitetin buxhetor të Kosovës.

Përderisa, sipas tij, iniciativat e Haxhës të përshkruara më poshtë nuk e mbështesin këtë proces.

“Gjatë disa javëve të fundit, ne kemi parë disa deklarata në medie lidhur me performancën tonë të perceptuar, publikimin e raporteve konfidenciale në medie dhe dyshimet lidhur me motivet tona. Artikujt në medie nuk përmbajnë faktet dhe substancën dhe janë shumë të dëshmshme për reputacionin dhe qëndrimin tonë në opinionin publik”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kartikut dërguar Haxhës.

Kartik ndër të tjera thotë se qëllimi i Haxhës është që ta dëmtojë këshilltarin e transaksionit në procesin e privatizimit të PTK-së. “Telefonata juaj kërcënuese që ma keni bërë drejtpërdrejt mua, është një shembull i qëllimit tuaj të pastër për të na dëmtuar neve si këshilltarë të transaksionit dhe procesin si të tillë”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kartikut, duke shtuar se si këshilltar i transaksionit të Qeverisë, i raportojnë kësaj të fundit, përkatësisht Ministrisë së Ekonomisë, e jo PTK-së.

Kartik pohon se Haxha e ka thirr ne telefon dhe e ka kërcënuar se do ta publikoj raportin skandaloz të “Telco Ag” në media, i cili raport sipas anëtarit të bordit të kompanisë austriake tashmë ka arritur në media.

Kartik në fund të letrës i kërkon Haxhës që të përmbahet nga dhënia e deklarimeve të tjera publike lidhur me “Telco Ag” dhe procesin e privatizimit pa aprovim paraprak nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe “Telco AG”.

“Nëse situata keqësohet, nuk na mbeten alternativa të tjera, por mund të jemi të detyruar t’i informojmë autoritetet dhe palët e tjera në Kosovë për ta mbrojtur këtë transaksion shumë të rëndësishëm dhe me interes kombëtar, reputacionin e kompanisë sonë në sektorin e telekomit dhe të iniciojmë procedura ligjore nëse është e nevojshme”, përfundon kështu letrën Kartik, të cilën ia ka dërguar dy ditë më parë Haxhës dhe zyrtarëve të lartë qeveritarë.

Në anën tjetër, kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqri Haxha, nuk ka dashur ta komentojë letrën e Kartikut, të cilën e ka marrë më 22 gusht. Mirëpo, më 13 korrik 2011, Haxha i ka shkruar letër ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, në lidhje me raportin e prezantuar nga “Telco AG”.

Në këtë letër Haxha është shprehur i shqetësuar me mënyrën dhe procedurën e prezantimit të këtij raporti. “Menaxhmenti i PTK-së konsideron se raporti i prezantuar nga Telco Ag ka dëmtuar rëndë vlerën financiare të kompanisë. Ky raport është joprofesional, i paargumentuar, tendencioz dhe skandaloz në formën dhe përmbajtjen e prezantuar para menaxhmentit të PTK-së”, thuhej në letrën e Haxhës dërguar Beqajt.

Përmend tekstet e botuara në “Zëri”

Në letrën e Kartikut dërguar Haxhës përmenden disa shkrime të gazetës “Zëri”, ku flitet për raportin e këshilltarit të transaksionit. Sipas këtij artikulli, të botuar më 26 korrik 2011, thuhet se “Telco Ag” ka vlerësuar të gjitha pasuritë e PTK-së 110 milionë euro.

Përmendet edhe artikulli tjetër i botuar në gazetë për 31 korrik 2011, ku citohet kryeshefi i PTK-së të ketë thënë se kompania e menaxhuar nga ai është duke u zhvleftësuar me qëllim dhe shqetësimet e tij ndërlidhen me raporte të ndryshme që janë përgatitur nga këshilltari i transaksionit “Telco AG” dhe “Wolf Theiss”./zeri

1,820 shikime gjithsej, 1 shikime sot

PTK-ja: Kontrata me Z-Mobile nuk është e dëmshme

| Ekonomi, Kosovë | 7 August 2011

Privatizimi i PTK-së, si njëra nga kompanitë më dobiprurëse në Kosovë, mblodhi sot në një tryezë debati, të organizuar nga Universiteti AAB-Riinvest, udhëheqësit më të lartë të PTK-së, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave biznesore në Kosovë.Për herë të parë në këtë debat u fol edhe për kontratën e PTK-së me operatorin mobil virtual Z-Mobile.

Sipas njoftimit të PTK-së, kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrje publike, Shyqyri Haxha paraqiti detaje nga kjo kontratë.

Sipas Haxhës, PTK-ja me këtë marrëveshje ka përfituar mbi 1 milionë e 200 mijë euro. “Duhet cekur se të gjitha kostot dhe shpenzimet i bartë Z-Mobile, ndërkohë që PTK nuk participon në këto kosto”, ka shpjeguar gjatë prezantimit të tij Haxha.

Edhe kryetari i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj ka thënë se një projekt i tillë nuk është i dëmshëm për PTK-në. Sipas tij, në këtë projekt PTK investon zero mjete, ndërkohë që përfiton miliona, duke shfrytëzuar kapacitetet e PTK-së.

“Kjo kontratë nuk është e dëmshme për PTK, një gjë e tillë do të dëshmohet”, ka deklaruar Gjonbalaj.

Ai gjithashtu e ka përkrahur vendimin e Qeverisë për privatizimin e PTK-së, të cilin vendim pohon ta ketë mbështetur edhe menaxhmenti i PTK-së.

Edhe panelistët e tjerë e kanë vlerësuar si të domosdoshëm privatizimin e PTK-së.

Lekë Musa, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, privatizimin e PTK-së e sheh si një shpëtim të kompanisë, sidomos kur përmendet ligji i prokurimit publik, me të cilin PTK-ja përballet në vazhdimësi e që është një pengesë shumë e madhe në realizimin e projekteve të kompanisë.

“Operimi i një kompanie në fushën e telekomunikacionit në sektorin publik është pothuajse i pamundur . Në këtë lëmi një kompani duhet të jetë dinamike dhe t’i përshtatet kërkesave të tregut, gjë që është e pamundur për shkak të procedurave të kërkuara me ligjin për Prokurimin Publik”, ka vlerësuar Musa.

Ndërsa Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, vlerësoi se menaxhimi i mirë i PTK-së në këta tre vjet të fundit, na ka bërë që të mburremi të gjithë me sukseset e kësaj kompanie dhe ndikimin e saj në ekonominë e vendit.

“Janë mbi 300 milionë euro që nga kjo kompani i janë ndarë Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ndërkohë vetëm nga profiti i tri viteve të kaluara, janë mbi 130 milionë dhe ky është treguesi më i mirë i punës së këtij menaxhmenti”, tha Shahini, i cili gjithashtu u angazhua për privatizim të kësaj ndërmarrje publike.

Në tryezë është konkluduar se privatizimi i PTK-së, pavarësisht nga kompania fituese, do të ketë ndikim në rifreskimin e tregut dhe do të ndryshojë perceptimin për ekonominë e Kosovës, thuhet në njoftimin për medie të departamentit për komunikim me publikun të PTK-së. / koha

1,009 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Privatizimi i PTK-së nuk shtyhet

| Ekonomi, Kosovë | 7 August 2011

Procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, nuk do të shtyhet dhe procesi është duke vazhduar sipas agjendës. Po ashtu, nuk ka prishje të kontratës me këshilltarin e transaksionit “Tel Algo”, ka bërë të ditur për gazetën “Kosova Sot”, Gëzim Baxhaku , këshilltar për media në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. “Procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës është duke u zhvilluar konform ligjeve në fuqi dhe vendimeve të Kuvendit, Qeverisë së Kosovës dhe është duke u realizuar sipas agjendës së përcaktuar më parë”, tha Baxhaku. Ai po ashtu ka thënë se bazuar në ligjet në fuqi, Qeveria e kaluar ka bërë përzgjedhjen e këshilltarit të Transaksionit në bazë të konkursit ndërkombëtar. Baxhaku shton se me qëllim të marrjes së mendimeve të tjera të pavarura, Qeveria ka angazhuar edhe një këshilltar strategjik, i cili ka për detyrë të japë mendime te pavarura lidhur me procesin e privatizimit, si dhe mendimet dhe vlerësimit të këshilltarit të transaksionit. “Procedura e përgatitjes së raporteve dhe propozimeve është e tillë që këshilltari i transaksionit propozimet dhe mendimet fillimisht i adreson në Njësinë për implementimin e projektit të privatizimit të PTK-së, e cila është Sekretaria koordinuese e KQP-së. Për të gjitha aspektet strategjike të projektit kërkohet edhe mendimi i këshilltarin strategjik”, tha Baxhaku. Lidhur me dokumentet, të cilat kanë karakter pune kërkohen mendimet dhe sugjerimet e menaxhmentit të PTK-së.

110 milionë euro, vlera e aseteve fizike

“Raporti aktual i KT-së është bazuar në raportet e auditimit dhe të dhënat nga menaxhmenti i PTK-së dhe është për vlerësim e gjendjes së brendshme në PTK”, tha Baxhaku. Sipas tij, pas shqyrtimit të raporti te KT-ja në KQP, Njësia për implementimin e privatizimit të PTK-së është autorizuar që me disa ndryshime, raportin e KT-së t’ia prezantojë Bordit dhe Menaxhmentit të PTK-së, të cilët, sikurse edhe KQP kanë obligim ligjor që ta ruajnë konfidencialitetin e prezantimit. Ndërsa, sa i përket vlerësimit të aseteve që ka bërë këshilltari i transaksionit “Tel Algo” e që ka vlerësuar se asetet e PTK-së vlejnë 110 milionë euro Baxhaku thotë se: “Vlera prej 110 milionë eurove ka të bëjë vetëm me asetet fizike, të cilat aktualisht i ka PTK-ja, e jo me vlerën e tërësishme të PTK-së. Të gjitha asetet e paluajtshme do të mbesin në pronësi publike. Vlera e PTK-së ka më shumë për bazë tregun dhe biznesin e PTK-së dhe më pak asetet fizike. Çmimin e PTK-së do ta përcaktojë tregu”, tha Baxhaku.

Nga fillimi i procesit të privatizimit, Qeveria ka kontraktuar këshilltarin e transaksionit kompaninë “Tel Algo” dhe kjo sipas kontratës që ka me Qeverinë bënë vlerësimin e PTK-së dhe i raporton Qeverisë për vlerësim dhe e këshillon për procesin. Ndërsa, vitin e kaluar, Qeveria ka kontraktuar edhe një kompani konsulente ligjore “Hunton & Williams”, e cila jep opinione mbi raportet dhe vlerësimet e kompanisë “Tel Algo”./ kosova sot

1,019 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Haxha mohon presionin e Thaçit për kontratën me “Dardafone”-in

| Ekonomi, Kosovë | 7 August 2011

Drejtori ekzekutiv i PTK-së, Shyqri Haxha, ka pohuar se nuk i ka bërë presion kryeministri Hashim Thaçi që të nënshkruajë kontratën me operatorin “Dardafon” dhe se nënshkrimi i saj nuk i ka bërë dëm PTK-së. Akuzat e bëra ndaj tij, sipas Haxhës, janë të pabaza dhe të paargumentuara. Këto pohime Haxha i ka bërë në një konferencë për media, ku ai i bëri publike të arriturat e PTK-së për 6-mujorin e parë të këtij viti. Rritja prej 7 për qind e të hyrave operative në vitin 2011, në krahasim me vitin 2010, vjen si rrjedhojë e afarizmit të suksesshëm të PTK-së në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, të cilën sukses e prezantoi Haxha.“Të hyrat financiare gjatë gjashtëmujorit të vitit 2011 janë për 7 për qind më të larta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2010. Në shifra, në fund të qershorit 2011, ato kanë qenë 75.122.000 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur kanë qenë 70.208.000”, ka deklaruar dr. Shyqyri Haxha në prezantimin e tij. Përpos të arriturave të pakontestueshme në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, ndarjes së shumës në vlerë prej 15 milionë eurosh për Qeverinë e Republikës së Kosovës, kryeshefi ekzekutiv i PTK-së ka njoftuar së ka ndarë edhe 6.500 euro për familjen e heroit të Kosovës, Enver Zymberit. Përmes kësaj ndihme modeste, PTK-ja solidarizohet me dhimbjen e madhe të familjes Zymberi për humbjen e birit të tyre në krye të detyrës./ kosova sot

1,086 shikime gjithsej, 3 shikime sot