Reciprociteti me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën ka shtuar kërkesat e bizneseve kosovare në tregun vendor dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese. Kështu i kanë thënë drejtuesit e biznesve vendore kryeministrit Hashim Thaçi, përderisa ky i fundit është shprehur se me rritjen e prodhimtarisë do të ketë më shumë vende të reja të punës.
“Ndihem mirë nga ajo që pashë dhe dëgjova në këtë fabrikë të përpunimit të prodhimeve vendore bujqësore”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi gjatë vizitës që ka zhvilluar të enjten në fabrikën “ASK Foods”.
Ai po ashtu ka shtuar se ndihet mirë që masat dhe vendimet e Qeverisë së Kosovës po ndikojnë pozitivisht në rritjen e prodhimtarisë vendore. “Me rritjen e prodhimtarisë, me rritjen e tregut do të rriten vendet e reja të punës dhe kjo do të ndikojë në rritjen e mirëqenies dhe standardit të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka potencuar Thaçi.
Sipas kreut të ekzekutivit të vendit, kompania “ASK Foods” është një shembull i mirë i zhvillimit të agrobiznesit në Kosovë dhe, siç ka thënë ai, zhvillimi i këtij sektori ndikon drejtpërdrejt edhe në zhvillimin e prodhimtarisë vendore.
Kryeministri Thaçi ka shprehur angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të vazhdojë të qëndrojë afër biznesit kosovar dhe të gjejë mundësitë më të mira për subvencionimin e zhvillimit të tij.
“Sektori privat është çelësi i zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës dhe i rritjes së mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi.
Ndërsa ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se kjo situatë ka krijuar një mjedis të ri për agrobizneset vendore dhe si institucione do të mundohen ta përcjellin në të njëjtin hap trendin e zhvillimit të tyre.
“Ne kemi bërë skemat tona të granteve dhe subvencioneve në përkrahje të prodhuesve dhe komuniteti i agrobiznesit, sidomos ata të industrisë përpunuese, kanë pasur mundësinë të përfitojnë edhe nga grantet e ndryshme të donatorëve”, ka thënë Stavileci.
Sipas tij, kjo situatë e re, përveçse që ka ndikuar në rritjen e kërkesës për konsum dhe rritjen e prodhimtarisë vendore, krijon edhe mundësi të reja eksportuese për vendin tonë, si dhe detyrime shtesë edhe për ne si ministri, që t’i përcjellim të gjitha këto në hap me agrobizneset.
Ai ka shtuar se është duke u përgatitur edhe një pako e re fiskale për bizneset dhe agrobizneset në përgjithësi. Përndryshe, kompania “ASK Foods” ka në pronësi 185 hektarë tokë bujqësore dhe në plantacionet e saj kryesisht prodhon fruta të freskëta, të cilat duke filluar nga java e ardhshme do të fillojë t’i eksportojë edhe në tregun e Kroacisë.
Ajo ka gjithsej 105 punëtorë të rregullt dhe në fabrikën e saj të prodhimit, produktet e tyre i shesin edhe rreth 300 fermerë të kësaj ane. /zeri








