
Zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit i kanë hedhur poshtë pretendimet, se kompania angleze “Coresteel”, e cila e ka blerë ndërmarrjen “Llamkos” është në procedurat e likuidimit. AKP-ja është e kënaqur që tashmë ka finalizuar marrëveshjen e shitblerjes me blerësin e ndërmarrjes ‘NEW CO Llamkos Steel LLC’. “Ofertuesi fitues ka pasur mbështetjen e bankës me renome “Standard Bank” dhe asaj “Raiffeisen Bank”, me të cilat AKP-ja ka pasur takime të veçanta”, ka thënë Arta Gosalci, zyrtare për informim në AKP. “AKP-ja e ka shpallur fituesin për ndërmarrjen “Llamkos”, përmes tenderit të hapur, konkurrues dhe transparent. AKP-ja ka bërë hulumtime mbi ligjshmërinë, kualifikimin, qëndrueshmërinë financiare dhe hulumtime të tjera para se Bordi i Drejtorëve të AKP-së të marrë vendimin për shpalljen e fituesit të tenderit. Ofertuesi, tani fitues, me kërkesë të menaxhmentit të AKP-së, i ka dërguar pasqyrat e audituara financiare, të bëra nga kompani me renome”, tha Gosalci.
Gosalci ka thënë se palët e pakënaqura kanë pasur të drejtë të ankohet në Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës, apo në instanca të tjera dhe këtë të drejtë e kanë ushtruar disa nga ofertuesit në tender. Por, këto ankesa, sipas saj nuk kanë gjetur mbështetje në Odën e Veçantë. “AKP-ja është e kënaqur që tashmë ka finalizuar marrëveshjen e shitblerjes me blerësin e ndërmarrjes “NEWCO Llamkos Steel LLC”, kompaninë angleze “Coresteel”.Sh. p. k. Marrëveshja e shitblerjes, që ka vlerën 6.5 milionë euro, u nënshkrua pas kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm, ndërsa blerësit është zotuar se brenda një periudhe gjashtë mujore të punësojë në ndërmarrje 437 punëtorët ekzistues sipas biznes planit të ofruar, tha Gosalci. Ajo ka shtuar se njëkohësish, blerësi është zotuar se do ta vazhdojë aktivitetin e njëjtë biznesor për një periudhë së paku 5-vjeçare, si dhe është zotuar që të mos zhvendosë makineritë / asetet nga hapësirat e ndërmarrjes. Ndërsa, sa u përket investimeve, Gosalci ka thënë se blerësi, përmes kontratës së nënshkruar, ka marrë obligime të investojë në ndërmarrje një shumë të konsiderueshme të kapitalit punues dhe investues. “Nënshkrimi i marrëveshjes së shitblerjes me blerësin i mundëson atij të fillojë me aktivitetet dhe investimet e premtuara në ndërmarrje, gjë që ka një rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik, si dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, në veçanti për Komunën e Vushtrrisë, e cila do të ketë përfitime të drejtpërdrejta nga investimet e blerësit, si dhe në punësimin e qytetarëve të saj”, tha Gosalci./kosova sot













