Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Urbanizmi mbyll dyert në pikun e ndërtimeve

| Ekonomi, Kosovë | 13 August 2011

Në vlugun e punës në ndërtimtari, kur bizneset kanë më së tepërmi nevojë për shërbimet e Departamentit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, zyrtarët ua kanë vënë drynin zyrave dhe kanë shkuar të pushojnë. Askush nuk përgjigjet për këtë neglizhencë në komunën e kryeqytetit, e cila nga Banka Botërore vlerësohet se është më e keqja për të bërë biznes në mesin e 22 qyteteve të tjera, shkruan “Kosova Sot”.

Një punonjëse, tek informatat në katin ku janë të vendosura zyrat e Departamentit të Urbanizimit thotë se i gjithë stafi drejtues kanë shkuar në pushim. “Nuk është këtu askush, të gjithë kanë shkuar në pushim, janë disa referentë, besoj që gjatë kësaj jave do të kthehen në punë’, tha një punëtore nga sporteli informatave. Zyrtarët e komunës së Prishtinës, me gjithë premtimet se do të na kthejnë një përgjigje, nuk kanë folur për këtë pushim kolektiv. “Nuk e di që janë në pushim Departamenti i Urbanizmit, s’kam unë njohuri, ata janë duke punuar, por do ta verifikoj dhe të lajmëroj“, ka thënë përmes telefonit, Muhamet Gashi, zyrtar për informim në Komunë e Prishtinës. Vera është stina e punëve në sektorin e ndërtimtarisë dhe dhjetëra biznese kanë nevojë të adresojnë kërkesat dhe shqetësimet e tyre në këtë departament të komunës. Berat Rukiqi, Sekretar i Përgjithshëm në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se çdo institucion që nuk punon çdo ditë pune së paku 8 orë në dispozicion të qytetarëve dhe të biznesit nuk është serioz. “Duke pasur parasysh raportin e Bankës Botërore, e cila vlerëson se procedurat për leje ndërtimi dhe procedurat urbanistike në Komunën e Prishtinës që zgjasin mbi 200 ditë pune, kjo tregon që Prishtina vazhdon të mbetet në vendin e fundit në rajon”, tha Rukiqi. Sipas tij, nëse kësaj i shtohet edhe pjesa e pushimeve, atëherë kjo definitivisht e dëmton jo vetëm pjesën e Prishtinës në këtë raport, por në përgjithësi gjithë Kosovën. “Kjo i vonon shumë investime, duke pasur parasysh se tash është sezoni i verës dhe shumë firma janë në vlugun e punëve dhe kanë nevojë për me i kryer procedurat administrative sa më shpejt atëherë nuk është e qëlluar”, thotë Rukiqi. Ai shton se në shumë vende të rajonit institucionet punojnë me dy ndërrime, në mënyrë që t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve dhe të biznesit.

Lekë Musa, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane, thotë se zyrtarët e komunës së Prishtinës, sidomos Departamenti i Urbanizimit është dashur të jenë në shërbim të bizneseve, me qëllim të përmirësimit të imazhit, ku Prishtina në raportet e fundit të Bankës Botërore ku është radhitur e fundit për bërje biznes dhe marrje të lejes. Pikërisht për këtë komunarët është dashur të punojnë shumë më seriozisht. “Kjo zyre nuk është dashur të mbyllet dhe në të njëjtën kohë është dashur që ti shërbejnë biznesit për shkak se është koha kur duhet të përmirësohen indikatorët të cilët janë identifikuar nga raporti i BB-së”, tha Musa. / kosova sot

1,042 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Rritet numri i të punësuarve në ndërtimtarinë kosovare

| Ekonomi, Kosovë | 11 August 2011

ekonomi101

Rreth 40 për qind është rritur numri i të punësuarave vetëm në sektorin e ndërtimtarisë, ndërsa 55 për qind është rritur kapaciteti prodhues në këtë sektor, që nga zbatimi i masave të reciprocitetit. Kështu thuhet në një hulumtim të zhvilluar nga Aleanca Kosovare e Biznesit, por edhe nga përfaqësues të kompanive prodhuese dhe ndërtimore, raporton Radio Evropa e Lirë. Parimi i reciprocitetit apo ndalimi i hyrjes se mallrave serbe në tregun kosovar, ka ndikuar në rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e numrit të të punësuarve.

Kështu thuhet në një hulumtimi që ka përgatitur Aleanca Kosovare e Biznesit, të quajtur “ndikimi i masave të reciprocitetit në ekonominë kosovare në periudhën 21 korrik – 05 gusht të këtij viti”.

Kjo periudhë është kur Qeveria e Kosovës vendosi masa të plota reciprociteti ndaj produkteve të Serbisë, ndërsa taksë doganore prej 10 për qind për produktet e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, tregon se hulumtimi është zhvilluar në 8 komuna të Kosovës, me 500 përfaqësues të bizneseve dhe 200 konsumatorë.

“Nëse merret parasysh përgjigjja e bizneseve prodhuese dhe tregtare, të gjitha përgjigjet janë pozitive. Është rritur shkalla e kërkesës së prodhimeve kosovare, është rritur numri i të punësuarve. Arsyeja kryesore është se mallrat nga Serbia nuk vijnë. Kjo del se këto masa janë të mirëpritura nga bizneset dhe qytetarët dhe këto masa kanë rimëkëmbur ekonominë, sidomos ato prodhuese në Kosovë”, thotë Shahini.

Sektori i prodhimit të ndërtimtarisë është sektori që më së shumti ka përfituar nga ndalimi i futjes së mallrave serbe në Kosovë, thotë Shahini, për të shtuar se ky sektor vetëm gjatë 20 ditëve, ka rritur numrin e të punësuarve deri në 40 për qind.

“Sektori i ndërtimtarisë është më i godituri, por njëkohësisht është një ndër sektorët që më se shumti ka rritur prodhimin dhe punësimin. Mbi 55 për qind është rritur prodhimi ndërtimor, ndërsa vetëm gjatë këtyre ditëve, për 40 për qind është rritur numri i të punësuarve në këtë sektor”, shprehet Shahini.

Një ndër kompanitë vendore e cila bën prodhimin e blloqeve ndërtimore, është “Muqa Company’ në Suhareke.

Xhevat Muqa, menaxher në këtë ndërmarrje, tregon se që nga zbatimi i masave të reciprocitetit, rreth 20 për qind është rritur kërkesa për këtë produkt, pasi që, siç thotë ai, më herët një sasi e madhe e blloqeve janë importuar nga shteti i Serbisë.

Muqa, ndërkaq thotë se tashmë janë duke shikuar mundësitë për rritjen e numrit të të punësuarve.

“Po është rritur dukshëm kërkesa e blloqeve, për arsye se është bërë bllokomi i kufirit atje, dhe kështu që ne kemi kërkesa më të mëdha se sa kemi pasur”, tregon Muqa.

Ndërsa, Jahir Morina, udhëheqës i kompanisë ndërtimore “Princesha”, thotë se pas zbatimit të këtyre masave, ka lidhur kontrata me kompani kosovare për prodhimin e produkteve ndërtimore.

Duke e quajtur të suksesshëm veprimin e qeverisë për parimin e reciprocitetit, Morina thotë se gjatë këtij muaji ka rritur numrin e punëtorëve deri në 50 për qind.

“Sepse masat e reciprocitet na kanë dhënë mundësinë që të lidhemi më kompanitë vendore dhe këto kompani kanë shtuar prodhimin dhe bashkëpunimin me kompanitë ndërtimore, siç jemi edhe ne. Dhe kjo ka një sukses të madh sepse të gjitha kompanitë vendore kanë shtuar prodhimin dhe numrin e punëtorëve”, thotë Morina.

Ndryshe, Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë se ky punësim nuk mund të jetë i qëndrueshëm nëse masat e reciprocitetit do të ndërpriten./ koha

1,193 shikime gjithsej, 2 shikime sot