
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila në kuadër të vizitës së saj bërë Bullgarisë, është takuar me Ministrin e Bujqësisë dhe Ushqimit të Bullgarisë Dr. Miroslav Naidenov. Qëllimi i takimit ka qenë thellimi i rrugëve të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve posaçërisht në kuadër të sektorit të produkteve bujqësore pasi Bullgaria konsiderohet si njëri ndër prodhuesit kryesor të produkteve të industrisë ushqimore në rajon, me fokus të veçantë në sektorin e shpeztarisë, grurit dhe produkteve të procesuara ushqimore, thuhet në në kumtesë dërguar medieve mha MTI –ja . “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të thellojë edhe më tepër bashkëpunimin tregtar në fushën e bujqësisë me të gjitha vendet që kanë kapacitete prodhuese. Kjo vlen posaçërisht në këtë kohë kur kemi vendosur masat e reciprocitetit me Serbinë dhe Bosnjen e Hercegovinën dhe kemi një treg potencial prej 400 milion euro në vit i cili duhet zëvendësuar me produkte të vendeve tjera” – tha Ministrja Kusari Lila gjatë takimit.
“Bullgaria ka përkrahur Kosovën edhe në kohën e shpalljes së pavarësisë dhe e përkrah fuqimisht edhe sa i përket masave të reciprocitetit”, tha Ministri Naidenov. Ai më tej shtoi se “ne kemi kapacitete prodhuese që i tejkalojnë nevojat tona dhe mund të ndihmojmë në plotësimin e kërkesave të Kosovës për produkte të industrisë ushqimore, sidomos me grurë, ku ka sasi të konsiderueshme për eksport”.
Ministrat Kusari-Lila dhe Naidenov diskutuan edhe për mundësitë e investimeve të përbashkëta të bizneseve bullgare dhe atyre kosovare, për shkëmbimin e përvojave dhe teknologjisë, për faktin se Bullgaria si anëtare e re e Bashkimit Evropian ka kaluar nëpër procesin e ristrukturimit të ekonomisë dhe ngritjen e konkurueshmërisë së sektoreve bujqësor, proces ky të cilin Kosova vetëm e ka filluar.
Ministrja Kusari-Lila gjithashtu ka kërkuar që Ministri Naidenov të përcjellë tek Qeveria interesimin e Kosovës për nënshkrimin sa më të shpejtë të Marrëveshjes për Mbrojtje të Investimeve.
Në fund ministrat Kusari-Lila dhe Naidenov u dakorduan që një delegacion i Ministrisë Bullgare të Bujqësisë dhe Ushqimit të vizitojë Kosovën së shpejti për të parë hapat konkret të thellimit të bashkëpunimit./ bota sot










