Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Antena e PTK-së në arat e Bujës

| Ekonomi, Kosovë | 10 September 2011

Foto: Ridvan Slivova

Petrit Sherifi & Visar Duriqi – Përveç rrogës që merr nga komuna, në vlerë prej 13 mijë e 200 eurosh, dhe 31 mijë e 200 euro nga qiratë e ndryshme e po ashtu edhe një rrogë nga klubi i futbollit “Ulpiana”, në vlerë prej 9600 euro, Shukri Buja, kryetar i Komunës së Lipjanit, merr edhe një qira prej 3240 euro në vit nga PTK-ja për vendosjen e një antene në pronën e tij.

Kjo antenë është e vendosur në fshatin e tij të lindjes në Bujan, që të njëjtën e ka deklaruar edhe në Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) në deklarimin e pasurisë.

Mirëpo, në PTK mohojnë që të kenë kontratën me të parin e Lipjanit, Shukri Bujën. Zyrtarë të PTK-së thonë se kontrata është nënshkruar me një qytetarë tjetër dhe e njëjta ende nuk u është zyrtarizuar se është pronë e Bujës.

“PTK posedon një antenë të VALA-s në fshatin Bujan të komunës së Lipjanit në pronën e Sadri Lumës, me të cilën ka lidhur kontratë për pronën e tij me fletën poseduese nr. 315, kopja e planit 323/1 dhe deri më tani PTK nuk ka asnjë informatë zyrtare me të cilën e njëjta pronë ka kaluar në pronësi të Shukri Bujës”, ka thënë për “Zërin”, Arsim Bilalli, zyrtarë për informim në PTK.

Ndërkaq, Shukri Buja nuk ka dashur të prononcohet lidhur me këtë temë, duke thënë se pyetni në PTK lidhur me këtë çështje.

Edhe pse kryetari i Komunës së Lipjanit vetë kishte deklaruar se antena është e vendosur në pronë të tij, zyrtarë të PTK-së e mohojnë këtë. Mirëpo, Buja nuk qëndron dobët me pasuri, ku ai ka deklaruar për këtë vit në AKK se banesa e tij me 134 m2, kushton hiq më pakë se 104 mijë euro, e ai po ashtu është në pronësi të një lokali afarist, i cili është 34 m2, e që sipas Bujës, kushton 60 mijë euro.

Gjithashtu ka deklaruar se ka 15 hektarë tokë bujqësore, e privatizuar në vitin 2006, nga tregtia me material ndërtimor dhe kredia në NLB, që e ka vlerësuar 48 mijë euro edhe depo të materialit ndërtimor, e cila është 18 arë, që sipas tij, është trashëgimi, vlera e së cilës është vlerësuar të jetë 50 mijë euro.

Buja po ashtu ka deklaruar se ka tokë bujqësore me sipërfaqe prej 95 ari, e përfituar nga tregtia me material ndërtimor dhe kafi teria në Ferizaj, është vlerësuar të jetë hiq më pakë se 64 mijë euro dhe një truall prej 13 ari edhe kjo trashëgimi, që vlerësohet të kushtojë 13 mijë euro.

Edhe për kundër kësaj pasurie të patundshme, Buja nuk ka deklaruar shumë para në institucionet financiare. Ai ka deklaruar se ka vetëm 11 mijë euro në “Reiffeisen Bank” dhe “Stublla”, t’ia ketë borxh këtij të fundit për deponim të grurit 13 mijë euro./zeri

1,200 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Manipulime me tenderin e PTK-së

| Ekonomi, Kosovë | 8 September 2011

Foto: Laura Hasani

Arbana Xharra & Petrit Sherifi – (E plotësuar) Dy muaj pasi që ka përfunduar procesi i parakualifikimit për privatizimin e PTK-së, ku në garë kanë mbetur dy kompani: “Hrvatski Telekom d.d.”, Kroaci, e privatizuar nga “Deutche Telecomi” Gjermani, dhe “Telekom Austria AG”, Austri, Qeveria merr një vendim që të shtyhet edhe dy javë procesi i njëjtë i parakualifikimit, i cili tashmë ka përfunduar. Qeveria është arsyetuar se ka marr këtë vendim që të rritet konkurrenca. Ndërkohë që kemi të bëjmë me kompanitë e njëjta që nuk i kanë plotësuar kriteret, të cilave qeveria arsyetohet se do të ju jap edhe një mundësi.

Në procedurat normale të tenderimit, kthimi prapa me këto arsyetime ndërmerret kur rishpallet tenderi që t’iu jepet mundësi kompanive të tjera për të rritur konkurrencën dhe ajo atyre që tashmë kanë konkurruar dhe nuk i kanë plotësuar kushtet.

Burime të gazetës brenda qeverisë kanë bërë me dije se do t’i jepet mundësi sërish kompanisë nga Egjipti “Orascom Telecom Holding S.A.E.” që t’i kthehet garës që në fund të procesit të konsiderohet si garë ku kanë marrë pjesë tri kompani dhe jo vetëm dy. Kurse kompania nga Egjipti në qershor nuk ka arritur që të kalojë të njëjtën fazë, këtë të parakualifikimit, për shkak se nuk i ka plotësuar kushtet të vazhdojë më tej.

Shtyhet sa për “sy e faqe”

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka thënë për gazetën “Zëri” se “ky vendim është marrë me qëllim të arritjes së një niveli më të lartë të konkurrencës në proces, duke pasur kujdes gjithnjë sigurimin e një trajtimi të barabartë dhe fer të të gjitha kompanive pjesëmarrëse në këtë proces”.

Sipas tyre, Komisioni Qeveritar për Privatizim (KQP) ka vendosur që të gjitha kompanive që kanë shprehur interesin e tyre për privatizimin e aksioneve të PTK-së t’u jepen edhe 2 javë afat shtesë kohe për të shprehur interesimin e tyre për pjesëmarrje në tender, në përputhshmëri të plotë me kushtet e parapara në kërkesën për para-kualifikim (bashkangjitur gjeni edhe udhëzimet për parakualifikim).

E njëjta ministri në fillim të qershorit të këtij viti ka dalë me komunikatë për shtyp, e cila ka bërë me dije se ka kryer procesin e parakualifikimit të kompanive të interesuara për privatizimin e PTK-së, ku nga pesë kompani që ishin në garë, u përzgjodhën vetëm “Hrvatski Telekom d.d.”, Kroaci, e privatizuar nga “Deutche Telecom-i” Gjermani, dhe “Telekom Austria AG”, Austri.

Në njoftimin e MZHE-së dy muaj më parë është thënë se procesi i vlerësimit të aplikacioneve është kryer nga një panel profesional i përbërë nga përfaqësuesit e pesë ministrive pjesëmarrëse në Komisionin Qeveritar për Privatizimin e PTK-së, dhe se kriteret kanë qenë identike për të gjithë pjesëmarrësit duke u ofruar qasje të barabartë e të plotë në çdo informacion të dhënë nga autoriteti kontraktues.

Vetë komisioni e pati vlerësuar punën e vet si shumë të suksesshme. Kurse tash dalin me vendim, arsyetimi i të cilit është shkelje me dy këmbë e tenderit të privatizimit të PTK-së.

Opozita hap dyshimet

Visar Ymeri, nga “Vetëvendosje”, ka thënë se arsyet e vërteta prapa këtij vendimi të qeverisë mbeten të paqarta, sikur çdo gjë tjetër rreth këtij privatizimi.

“Afati është shtyrë me kërkesë të dy kompanive të cilat kanë mbetur në garën për blerjen e PTK-së. Kjo tregon se këtu në fakt blerësit potencialë janë ata që e diktojnë

qeverinë e jo anasjelltas”, ka thënë ai.

Sipas tij, arsyetimi i grupit ndërministror se kështu do të rritet konkurrenca është jashtëzakonisht i pasaktë, meqenëse këto dy javë nuk do të sjellin ndonjë kompani të re në këtë garë, e as që do të nxisin ndonjë përmirësim të dukshëm të ofertës së kompanive ekzistuese.

Avdullah Hoti, anëtar i kryesisë së LDK-së, thekson se shtyrja e afatit për ofertim është kundërligjore. Ai thotë se kjo është indikacion i qartë se interesimi për këtë privatizim është i ulët dhe se çmimi që mund të ofrohet nga ofertuesit privatë mund të jetë edhe më i ulët nga ai i pritur nga qeveria i paraparë në buxhetin e vitit 2011.

Donika Kada-Bujupi nga AAK vlerëson se i tërë procesi në përgjithësi i privatizimit të ndërmarrjeve publike është jotransparent dhe po mbahet larg publikut.

Myzejene Selmani, nga AKR-ja, e cila ka qenë shumë më kritike kësaj herë, e ka arsyetuar Qeverinë duke thënë se vlerëson se tani është shtruar problemi se si qeveria do t’ua bëjë ofertën investitorëve. “Ky vendim për shtyrjen edhe për dy javë për pjesëmarrje në tenderin e PTK-së, mund të jetë një mundësi që të ofrohet ndonjë investitor më i favorshëm”, ka thënë Selmani.

Në garë, kompani me kontest gjyqësor

Kreu i organizatës kundërkorrupsion “Çohu”, Avni Zogiani, ka thënë se kriteret e këtij tenderi janë shkelur qysh në fillim kur në garë është lejuar që të futet Telekom Austria.

“Me kriteret e tenderit nuk lejohet që të jenë pjesë kompanitë që kanë konteste gjyqësore, apo të përfshira në konteste ligjore të administruara nga ndonjë gjykatë, e Telekom Austria e ka padinë qysh nga tenderi për operatorë të dytë të telefonisë mobile në Kosovë”, ka thënë Zogiani.

Ky proces që nga fillimi i tij është kritikuar duke përplasur Qeverinë me opozitën, shoqërinë civile, por edhe vetë punëtorët e PTK-së. Në këtë proces të garimit që ishte i hapur, pjesëmarrës në parakualifikim, që nuk janë futur në garë, janë edhe “Albtelekom Sh.A.” nga Shqipëria, “Orascom Telecom Holding S.A.E.” nga Egjipti dhe “SabaFon” nga Jemeni”./zeri

1,096 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Tenderi i rrugëve suspendon Krasniqin

| Ekonomi, Kosovë | 8 September 2011

Selvije Bajrami – I dyshuar për korrupsion dhe si i tillë nën hetime nga prokurorët e Misionit evropian EULEX në Kosovë, shefi i prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi, është suspenduar nga puna.

Ai nuk është suspenduar për shkak të hetimeve që po zhvillohen ndaj tij, por për shkak të shkeljeve disiplinore që ka bërë gjatë ushtrimit të kësaj pozite.

Burime të gazetës sqarojnë se Krasniqi është suspenduar për shkak të përplasjeve mes tij e sekretarit, përplasje këto që kanë ngjarë gjatë procesit të tenderit mbi 10-milionësh për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve.

Nexhat Krasniqi është suspenduar nga puna të martën pasdite me një vendim të shefit të personelit të Ministrisë që tashmë udhëhiqet nga Fehmi Mujota.

Shefi i personelit të MI-së e ka marrë këtë vendim ngase një gjë të tillë sipas burimeve të gazetës, përmes një letre e ka kërkuar sekretari permanent i kësaj ministrie, Skënder Gashi.

Ky i fundit nuk ka komentuar të mërkurën në lidhje me kërkesën për të suspenduar kolegun e punës duke rekomanduar gazetën që të kontaktojë me zyrën për informim.

Saranda Jusufi , shefe e zyrës për informim në këtë ministri, ka njoftuar se Krasniqi është suspenduar për shkak se ka shkelur paragrafë nga neni 8 dhe 67 të ligjit për shërbimin civil të republikës së Kosovës.

“Nexhat Krasniqi është pezulluar përkohësisht nga puna, për tre muaj dhe atë me kërkesë

të sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë për shkak të shkeljeve disiplinore që janë në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes së nëpunësve civil si dhe për shkak të shkeljes së dispozitave të ligjit për shërbimin civil të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Jusufi.

Me gjithë përpjekjet e gazetës, Krasniqi të mërkurën ka qenë e pamundur të kontaktohet. Zyrtarisht nuk është sqaruar as nga ministria se pse është shkarkuar, por ajo që dihet është se EULEX, i cili heton Nexhat Krasniqin e ish-shefin e tij ministrin Fatmir Limaj për dyshime për korrupsion, nuk e ka bërë ndonjë kërkesë për shkarkimin e tij.

“Hetimet janë duke vazhduar por EULEX nuk ka bërë ndonjë kërkesë të tillë. Shkarkimi i

tij mund të jetë çështje e ministrisë”, ka thënë Nicholas Hawton, shef për informim në EULEX.

Sido që të jetë me rastin e Krasniqit tash pos EULEX-it do të merret edhe komisioni disiplinor. Por jo vetëm me Krasniqin por edhe me një zyrtar tjetër të prokurimit të MI-së, Betim Reqica.

Ky i fundit është suspenduar më 22 gusht të këtij viti e tek të mërkurën Saranda Jusufi, nga zyra për informim në MI ka komentuar për një gjë të tillë.

Reqica sipas Jusufit është pezulluar për dy muaj me një vendim me të cilin i ndalet 1/3 e rrogës dhe atë për shkelje të rëndë të detyrave të punës dhe dispozitat e kodit të mirësjelljes për nëpunësit civilë.

Ajo nuk ka ofruar detaje të tjera lidhur me dy suspendimet në MI, ngase ka shtuar se për këto raste duhet të vendosë komisioni disiplinor.

Jusufi nuk ka sqaruar se në çfarë rastesh, dy personat kanë shkelur ligjin, por burime jozyrtare kanë sqaruar se “sherri” mes zyrtarëve në MI ka hyrë për shkak të tenderit të fundit për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve në tërë territorin e Kosovës.

Tenderi i cili kap shumën mbi 10 milionë euro ishte anuluar fillimisht për shkak të ankesave të katër kompanive. Kompanitë ishin ankuar duke ofruar prova për shkelje ligjore gjatë procedurës së tenderimit nga zyra e prokurimit dhe nga disa nga kompanitë.

Të njëjtat kompani që ishin shpallur fituese në tenderin e anuluar, të njëjtat janë shpallur fituese edhe në tenderin e fundit, i cili sipas burimeve të gazetës është shpallur por nuk është nënshkruar nga ministri Fehmi Mujota./zeri

1,029 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Korrupsioni ngufat ekonominë

| Ekonomi, Kosovë | 29 August 2011

Niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit ekonomik në Kosovë po pengon zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, thonë njohës të fushës së ekonomisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Sipas tyre, kjo dukuri ka ndikuar edhe në zbehjen e imazhit të vendit karshi investitorëve ndërkombëtarë.

Ismail Kastrati, ekspert për çështje ekonomike, konsideron se prania e krimit ekonomik dhe e korrupsionit në vend zvogëlon efektet ekonomike, pasi, siç thotë ai, paratë e fituara nga këto dukuri, shkojnë kanaleve të errëta dhe nuk sjellin efekte pozitive.

“Në një vend ku lulëzon korrupsioni dhe krimi ekonomik, investitorët e huaj nuk vijnë; ata vështirë vendosin që të investojnë në Kosovë, për shkak se ballafaqohen me barriera që në fillim”.

“Në anën tjetër, të gjitha tendencat korruptive dhe të krimit ekonomik e zvogëlojnë edhe buxhetin e Kosovës”, thotë Kastrati.

Avni Zogiani, nga Organizata Joqeveritare “Çohu”, thotë se korrupsioni dhe keqmenaxhimi janë faktorët kryesorë që e bëjnë Kosovën të ballafaqohet me gjendje të vështirë ekonomike.

“Nuk mund të flitet për një zhvillim ekonomik në një vend ku sektori publik është punëdhënësi më i madh, ku njëkohësisht ka prani enorme të korrupsionit dhe mungesë të praktikave të mirëmenaxhimit”.

“Nuk mund të flitet për zhvillim ekonomik në një vend të përfshirë në keqmenaxhim dhe korrupsion. Unë mendoj se Kosova është një vend i tillë”, thotë Zogiani.

Edhe zyrtarët qeveritarë pajtohen se korrupsioni ndikon në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, pasi, sipas tyre, prania e kësaj dukurie krijon pasiguri te kompanitë që veprimtarinë e tyre e zhvillojnë në mënyrë ligjore, pastaj zvogëlon të ardhurat buxhetore dhe njëherësh dëmton imazhin e vendit.

Arbnor Kastrati, këshilltar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, thotë se ekzekutivi po bën përpjekje të vazhdueshme për eliminimin e dukurive, të cilat pengojnë rigjallërimin ekonomik të vendit.

“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar fuqimisht për të luftuar krimin. Me qëllim të luftimit të këtyre dukurive janë ndërmarrë disa masa, siç janë: hartimi i ligjeve, përkrahja e institucioneve të ndjekjes dhe përcaktimi i qartë për zero tolerancë ndaj krimit”.

“Duhet theksuar se në institucionet e vendit ka gatishmëri shumë të fuqishme politike për luftën kundër korrupsionit”, thotë Arbnor Kastrati.

Por, eksperti i ekonomisë, Ismail Kastrati, thotë se përderisa këto deklarata nuk përcillen me vepra konkrete, ato mbeten vetëm “deklarata politike”.

“Qeveria gjithnjë është deklaruar se ka zero tolerancë ndaj korrupsionit, mirëpo realiteti është pak më ndryshe. E, patjetër që duhet një koncentrim më i madh në luftën kundër korrupsionit dhe për të krijuar një ambient më të qëndrueshëm dhe më të shëndoshë për të bërë biznes në Kosovë”, thotë ai.

Ekspertët pajtohen se zhvillimi ekonomik në Kosovë vazhdon të mbetet një nga sfidat më të rënda përballë institucioneve vendore.(rel)/bota sot

1,348 shikime gjithsej, 3 shikime sot

Përplasen për tenderin 10-milionësh

| Ekonomi, Kosovë | 18 August 2011

Foto: Ridvan Slivova

Anulimi i tenderit mbi 10-milionësh, për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve rajonale, i Ministrisë së Infrastrukturës, ka nxjerrë në pah abuzime të rënda me tenderë brenda Ministrisë së Infrastrukturës, e cila drejtohet nga Fehmi Mujota.

Përmes një vendimi sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Skënder Gashi, kishte anuluar këtë tender, por vendimi i sekretarit ishte kundërshtuar fuqishëm nga shefi i prokurimit në këtë ministri, Nexhat Krasniqi.

Ky i fundit akuzon sekretarin Gashi për dallavere, korrupsion dhe favorizim të kompanive të caktuara.

Në anën tjetër, sipas një letre që e ka siguruar gazeta “Zëri”, sekretari Gashi shkruan se komisioni i formuar për këtë tender nga Rexhë Osmanaj, Betim Reqica, Ismet Hoxha, Hysen Doberqani dhe Erëza Arifi, nuk i ka kryer detyrat e veta si duhet.

Sipas Gashit, në një apo më shumë raste, anëtarët e komisionit nuk janë në gjendje të marrin pjesë në takimin e komisionit për shkaqe objektive.

Gashi po ashtu thotë se anëtarët e komisionit nuk kanë punuar në përbërje të plotë, pasi që anëtari i komisionit Ismet Hoxha ka qenë në pushim vjetor prej datës 27.06.2011 deri më 08.07.2011, ndërkaq sipas sekretarit ai në punë është kthyer më 11.07.2011.

“Komisioni e ka përfunduar punën më datën 21.07.2011 duke i dhënë zyrtarit të prokurimit raportin e punës dhe rekomandimin. Anëtarja e komisionit, Erëza Arifi, nuk ka marrë pjesë në punën e komisionit nga 15.07.2011, kur ka qenë dita e fundit e punës së saj para shkuarjes në pushim të lehonisë e deri në ditën e nënshkrimit të raportit të komisionit më 21.07.2011”, thuhet në letrën e sekretarit Gashi, drejtuar ministrit Mujota.

Më tej thuhet se anëtarja e komisionit nuk ka pasur të drejtë të nënshkruajë raportin, pasi që nga data 15 korrik nuk ka marrë pjesë në takimet e komisionit.

Sekretari Gashi në letrën e tij drejtuar ministrit ka thënë se në këtë tender ka verifikuar shkelje serioze të nenit 62 të paragrafit 1.1 të Ligjit për Prokurimin Publik.

“Duhet cekur faktin që njoftimi për dhënien e kontratës është bërë publik me datën 29.07.2011, do të thotë pas plot gjashtë ditë kalendarike pas vendimit final të Departamentit të Prokurimit, që është një vonesë e pajustifikueshme duke pasur parasysh që kemi të bëjmë me ritenderim”, thuhet në letër.

Sipas Gashit, drejtori i prokurimit e ka marrë vendimin final në kundërshtim me Ligjin e Prokurim Publik, duke pasur parasysh se Erza Arifi është shërbyese civile e Departamentit të Prokurimit dhe ai ka pasur njohuri se e njëjta është në pushim lehonie.

Sekretari Gashi ka thënë se drejtori i prokurimit është dashur ta refuzojë rekomandimin e komisionit, si të paligjshëm pasi që nuk ka punuar në përbërje të plotë.

Por, në anën tjetër, drejtori i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi, thotë se sekretari i ministrisë, Skënder Gashi, është shkelësi më i madh i ligjeve në Ministrinë e Infrastrukturës.

Krasniqi thotë se në letrën që Gashi ia ka dërguar ministrit Mujota ka shumë gjëra të pavërteta, të cilat, sipas tij, verifikohen fare lehtë.

“Ne e kemi dorëzuar dosjen kundër tij në Prokurorinë Speciale, sepse ai ka bërë shumë veprime antiligjore, ai ka favorizuar kompani të caktuara përmes të cilave dëmton rëndë buxhetin e shtetit”, tha ai.

Krasniqi më tej akuzon sekretarin Gashi se çdoherë është i pranishëm nëpër kafene të Prishtinës me persona që qëndrojnë mbrapa kompanive që përmes shantazheve tentojnë të marrin tenderë në Ministrinë e Infrastrukturës./zeri

1,454 shikime gjithsej, 1 shikime sot