
Derisa para datës 25 korrik pronarët e pompave të benzinës në veri kanë mundur t’i shesin derivatet e naftës me çmim shumë më të volitshëm sesa në Serbi, pas vendosjes së masave të reciprocitetit dhe bllokadës nga ana e Serbisë, pothuajse të gjitha pompat e naftës kanë mbetur pa derivate. Ato pak karburante që kanë mbetur tashmë janë shtrenjtuar dhe ruhen kryesisht për nevoja të strukturave paralele.
Burime të Kosovapress-it nga veriu kanë bërë të ditur se në shumë pika të shitjes nuk ka më derivate, ndërsa aty-këtu nëse në ndonjë pikë ka mbetur diçka, atëherë bëhet fjalë për sasi të vogël e cila ruhet për spitale, komuna dhe prioritete të ngjashme të strukturave paralele serbe.
Sipas këtyre burimeve, mungesa ka reflektuar menjëherë edhe me ngritje të çmimeve për rreth 20 centë në litër dhe sipas të gjitha gjasave çmimet akoma do të ngriten.
“Përveç KFOR-it dhe Thaçit, embargo ndaj neve po aplikon edhe Beogradi, sepse policia serbe në Rudnicë dhe në të gjitha rrugët tjera alternative është duke ushtruar kontroll të rreptë ndaj automjeteve me derivate, ndërkohë që qeveria serbe ka anuluar urdhëresën sipas të cilës me vite kemi qenë të liruar nga TVSH-ja, gjë që na ka pamundësuar të jemi më të lirë sesa pikat e shitjes në Serbinë qendrore”, ka thënë një shitës i derivateve nga Zubin Potoku.
Edhe njëri nga shitësit e pompës së benzinës afër Zveçanit, thotë se është e pamundur futja e cisternave me derivate përmes rrugëve alternative nga Serbia për në Kosovë.
“Dje na kanë kthyer cisternën nga Rudnica ku kemi shkuar për ta evidentuar hyrjen, siç kemi bërë gjithmonë dhe pastaj të provojmë të hyjmë përmes rrugëve alternative. Nuk kanë lejuar në asnjë mënyrë që cisterna të hyjë fare në Kosovë, dhe për fat të keq edhe Serbia i është bashkëngjitur kësaj embargoje dhe trysnisë ndaj nesh”, ka thënë ai.
Burime të Kosovapress-it thonë se në Rashkë dhe Novi Pazar, deri në kohët e fundit, banorët e këtyre vendeve, por edhe nga Tutini, Kraleva dhe qytetet tjera të Serbisë, kanë shkuar në Leshak apo Zubin Potok për t’i mbushur autobusët dhe kamionët e tyre me derivate për çmim shumë më të lirë, ndërkohë që pompat e benzinës në këto qytete patën pësuar humbje atë kohë.
Tani gjithçka është kthyer në të kundërtën, sepse qindra pronarë të automjeteve, kamionëve dhe autobusëve me targa të Mitrovicës, tani po vijnë në Rashkë, Ribariq dhe Tutin për t’i mbushur rezervarët e tyre.
Burimet më tej kanë shtuar se tani pritet të fillojë kontrabanda në drejtim të kundërt. Sipas këtyre burimeve, deri para datës 25 korrik, pronarët e pompave të benzinës në veri kanë qenë në situatë që derivatet t’i shesin me çmim shumë më të volitshëm sesa në Serbi.
“Lirimi nga TVSH-ja pati mundësuar edhe kontrabandën. Në Kosovë shpesh kanë shkuar vetëm letrat, ndërsa nafta e liruar nga TVSH-ja ka përfunduar në Serbi. Pjesëmarrës në këtë lojë kanë qenë njerëz të fuqishëm nga Beogradi dhe vetëm nga një cisternë janë fituar dhjetëra-mijëra euro”, kanë thënë burimet, duke shtuar se tani në kuadër të marrëveshjes rreth Kosovës, është ushtruar trysni ndaj Beogradit që t’i ndalojë mekanizmat e saj me derivatet, nga të cilat më së shumti profit ka pasur mafia e naftës nga veriu i Kosovës dhe Serbia.
(KosovaPress)

Rreth 1.200 litra Coca Cola, në vlerë rreth 600 euro, janë konfiskuar të martën mbrëma në Mitrovicë, për shkak të dyshimit se janë të kontrabanduara. Rasti është konfirmuar edhe nga zyra për informim e Policisë së Kosovës në Mitrovicë.





