Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Reduktimet e energjisë, bizneset buzë falimentimit

| Ekonomi, Kosovë | 12 September 2011

Vendimi i Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës që ka quar në remont termocentralin “Kosova B”, e cila ka rikthyer planin A – B – C, ka shkaktuar avari te bizneset prodhuese. Ndërkohë që pas një muaji të vënies së masave të reciprocitetit ndaj Serbisë fabrikat prodhuese kishin shënuar rritje të prodhimit, shitjes dhe të të punësuarve rreth 50 për qind. Por, kjo situatë, si duket, për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike, nuk zgjati edhe shumë për kompaninë “Inter Company”. Kjo fabrikë, e cila merret me përpunimin e lulediellit dhe prodhimin e vajit ushqimor, nga Podujeva, që nga dita e premte e javës së kaluar, është duke u përballur me vështirësi, për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike. Menaxheri i kësaj kompanie, Sulejman Konushevci, ka thënë për “Kosova Sot” se nëse vazhdon kjo situatë ai do të detyrohet ta mbyllë kompaninë dhe me rreth 150 punëtorët e tij do të dalë në protestë para Qeverisë së Kosovës.

“Që tri ditë kemi reduktime të ashpra, tri me tri, edhe reduktimet mendoj se janë të qëllimshme. Nëse vazhdon kështu, unë bashkë me 148 punëtorët që i kam të punësuar do ta mbyllim fabrikën dhe do të dalim para Qeverisë”, ka thënë Konushevci. Ndërkaq, Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se furnizimi jo i rregullt me energji elektrike është bërë pengesë shumë e madhe për bizneset kosovare. Sipas tij, ndërprerjet e energjisë elektrike po shkaktojnë avari tek bizneset, e sidomos ato prodhuese, dhe se kjo do ta zvogëlojë fuqinë konkurruese në treg të prodhimeve vendore, karshi produkteve të huaja, e sidomos atyre nga Serbia, të cilat sipas Shahinit do të vërshojnë tregun pas heqjes së masave te reciprocitetit, më 16 shtator. (Më gjerësisht mund të lexoni në numrin e të hënës të “Kosova Sot”)/kosova sot

1,093 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Dështojnë planet për PTK-në dhe KEK-un

| Ekonomi, Kosovë | 2 September 2011

Enis Veliu – Qeverisë së Kosovës edhe me tej po vazhdojnë t’i dështojnë planet për privatizimin e dy kompanive publike më të mëdha në vend. Në planin e zhvillimit ekonomik, i cili u hartuar sivjet në Bullgari, nga një pjesë e kabinetit qeveritar, ishte paraparë që privatizimi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) të ndodhë deri në fund të muajit shtator, ndërkaq përmbyllja financiare të ndodhë më së voni deri në dhjetor të këtij viti.

Po ashtu, edhe për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) Qeveria ka paraparë që shpallja e fituesit të ndodhë gjatë muajit tetor të këtij viti, ndërkaq përmbyllja financiare të ndodhë deri në përfundim të vitit.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik thonë se në vazhdimësi janë duke punuar për të arritur dinamiken e paraparë për privatizimin e dy ndërmarrjeve më të mëdha.

Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, thotë se komisionet qeveritare të privatizimit, njësitë për implementimin e procesit të privatizimit të KEDS-it dhe PTK-së dhe këshilltarët e transaksionit i kanë kryer me kohë dhe sipas dinamikës së paraparë të gjitha obligimet.

Sipas tij, tash mbetet që kompanitë e kualifikuara për procesin e privatizimit të këtyre dy kompanive të realizojnë obligimet e veta dhe t’iu përgjigjen kërkesave të parashtruara nga Komisioni Qeveritar i Privatizimit.

“Për shkak të sezonit të pushimeve vjetore apo kërkesave eventuale për kohë shtesë për t’u përgjigjur kërkesave të KQP mund të ndodhë që përgjigjet e tyre të vonohen, gjë që do të ndikonte edhe në vonesën eventuale të procesit”, tha ai.

Nga ana tjetër, ekspertë të ekonomisë në vend thonë janë se janë pesimistë për implementim e planit për zhvillim ekonomik, të hartuar në Bullgari. Musa Limani, njohës i mirë i proceseve ekonomik në vend, thotë se i tërë plani që ka hartuar kabineti qeveritar në Bullgari, është më pak se një ligjëratë që ai e mban para studenteve të Fakultetit Ekonomik.

Profesor Limani thotë se i tërë ai plan që është hartuar në Bullgari, ka mbetur si i tillë dhe është vështirë të implementohet në dinamikën e paraparë.

“Ky plan është hartuar vetëm për t’ia mbyllur gojën opozitës, se Kosova ka plan për zhvillim ekonomik. Tash jemi në muajin shtator dhe nuk ka asnjë element të privatizimit të PTK-së dhe KEK-ut”, tha ai.

Profesor Limani thotë se Qeveria së bashku me Agjencinë Kosovare të Privatizimit duhet të gjejnë një metodë më të mirë për të shitur ndërmarrjet shoqërore në vend, ndërkaq ai këmbëngul se ndërmarrjet publike, siç është KEK-u e PTK-ja, duhet të mbeten në menaxhim të shtetit.

“Privatizimi deri më tash ka shkatërruar ekonominë e vendit, ka prodhuar papunësi. Me rastin e shitjes së KEK-ut dhe PTK-së kriza në vendin tonë do të thellohet edhe më shumë”, shtoi ai./zeri

1,202 shikime gjithsej, 2 shikime sot

AKB-ja akuzon KEK-un për dëmtim të bizneseve

| Ekonomi, Kosovë | 29 August 2011

Në kohën kur pas vendosjes së masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, bizneset vendore kanë filluar të kenë më shumë punë që në këtë rast do të ndikojë në rritjen e punësimit dhe mbushjes së buxhetit të shtetit, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka marrë një vendim me të cilin bizneseve u vendosen ngarkesa të papërballueshme financiare dhe i çon në humbje.

Në letrën që KEK-u e ka quajtur njoftuese, por që në fakt është vendim e që hyn në fuqi pas 30 ditësh nga data e dërgimit tek biznesi, thuhet se secili konsumator i kësaj kategorie duhet të sigurojë garancinë pagesës para te gatshme prej 25 për qind të shumës së vlerësuar vjetore të faturimit të energjisë elektrike.

KEK-u kërkon nga secili konsumator me prioritet që të plotësojë formularin për aplikim dhe që ai duhet të jetë i kyçur në daljen e veçantë të linjës 10 kilovolt pa ia mundësuar vetë KEK-u një gjë të tillë, që në fakt nuk ndodh në shumë vende tjera të rajonit.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, në një konferencë të jashtëzakonshme për media të shtunën, ka reaguar ndaj këtij vendimi, duke e quajtur të dëmshëm dhe si i tillë fut bizneset në humbje të mëdha. Shahini ka kërkuar nga KEK-u pezullimin e menjëhershëm të paralajmërimin për një vendim të tillë.

“Tash kur pas marrjes së vendimit për reciprocitete ndaj Serbisë dhe Bosnjës bizneset në vend kanë filluar të kenë më shumë punë e në këtë rast po ndikoj drejtpërdrejt në rritjen e punësimit dhe mbushjes së buxhetit të shtetit. KEK-u me vendimet e marra po i fut në ngarkesë të papërballueshme financiare dhe në humbje bizneset e Kosovës”, ka thënë Shahini.

Sipas Shahinit edhe më i çuditshëm është paralajmërimi se të gjithë konsumatorët e kategorisë me prioritet nuk duhet të kenë humbje komerciale në vlerë 1 për qind, andaj kërkon urgjentisht ndryshimin e këtij vendimi.

“Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) kërkon nga KEK-u që urgjentisht të ndryshoj këtë vendim dhe që vendimet t’i marrë në konsultim me Qeverinë, konsumatorin dhe përfaqësuesit e bizneseve, ndryshe ky vendim do të rrisë problemet edhe ashtu të shumta të bizneseve e në fakt KEK-u në këtë rast nuk po promovon partneritetet me bizneset tjera”, ka thënë ai. Ndërkaq, Përparim Hoxha, i cili përfaqëson 42 kompani në objektin e tij afarist, ka thënë se vendimi i paralajmëruar nga KEK-u dëmton tej mase bizneset.

“Në emër të anëtarëve tjerë të bizneseve në Prizren si prodhuese, po ashtu edhe shërbyesve e tregtarëve, protestojmë ashpër në njoftimin e KEK-ut, dhe kërkojmë nga Qeveria që t’i përmbushë premtimet që na i ka dhënë, sepse do të lehtësojë kushtet e bizneseve, përmes politikave fiskale apo ndihmave tjera”, ka thënë Hoxha.

Ndryshe, ndër tjerash në njoftimin e KEK-ut thuhet se konsumatori me prioritet nuk duhet të jetë i dënuar në të kaluarën për vjedhje të energjisë elektrike ose shkeljeve të ngjashme, gjithashtu konsumatori nuk duhet të ketë asnjë borxh paraprak në mënyrë që të fitojë statusin e konsumatorit me prioritet.

KEK kërkon që konsumatori të nënshkruajë Direkt Debitin, si dhe njehsori i secilit biznes duhet të mos jetë i figuruar tek KEK-u se ka borxhe.

Por, me kaq nuk përfundon ky vendim pasi që KEK-u si kusht i ka vënë bizneseve që të mos kenë qenë asnjëherë të dënuar për keqpërdorim të energjisë elektrike.

Madje KEK-u ka kërcënuar konsumatorët se në rast se vetëm një herë dështojnë të paguajnë energjinë përmes Direkt Debitit, atëherë ata përjashtohen automatikisht nga të qenit konsumator me prioritet./bota sot

1,069 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Rikthehen kufizimet

| Ekonomi, Kosovë | 25 August 2011

Remontet e planifikuara të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të sjellin kufizime të energjisë elektrike në vend, nga 9 shtatori, e deri me 28 nëntor të këtij viti.

Sipas një komunikate për medie të dërguar nga KEK, thuhet se korporata ka filluar përgatitjet për sezonin e dimrit 2011-2012, respektivisht mirëmbajtjen e planifikuar në njërën prej dy njësive të termocentralit “Kosova B”.

“Mirëmbajtja do të bëhet gjatë periudhës 9 shtator deri 28 nëntor 2011 dhe njësia në fjalë do të ndalet përkohësisht gjatë kësaj periudhe. Kryerja e kësaj mirëmbajtjeje do të sigurojë që KEK-u të ketë më shumë furnizim të qëndrueshëm të energjisë elektrike gjatë muajve të dimrit. Gjatë periudhës së planifikuar të mirëmbajtjes, KEK-u do të importojë energji shtesë për të kompensuar pjesën e zvogëluar të furnizimit në dispozicion”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se KEK-u gjatë periudhës shtator deri nëntor 2011, kur edhe do të kryhet mirëmbajtja, nuk do të jetë në gjendje të plotësojë tërë kërkesën e konsumatorëve për energji.

Sipas tyre, konsumatorët në kategorinë C mund të presin që të jenë të parët që do të preken nga kufizimet.

Po ashtu, fat i njëjtë do t’i gjejë edhe konsumatoret që gjenden në kategorinë B të KEK-ut.

Sipas zyrtareve të KEK-ut, i gjithë kufizimi do të bëhet në pajtim me planin e krijuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

“KEK-u përkujton publikun e gjerë se i trajton të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë dhe ata konsumatorë që nuk paguajnë për shpenzimin e energjisë elektrike do të shkyçen. /zeri

935 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Privatizimi i Distribucionit të KEK-ut, sipas agjendës së paraparë

| Ekonomi, Kosovë | 11 August 2011

Procesi për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit të KEK, është duke shkuar sipas agjendës së paraparë. Kjo është vlerësuar në mbledhjen e fundit të Komitetit Qeveritar për Privatizim (KQP), të mbajtur të martën me 9 gusht, thuhet në një komunikatë. Në këtë mbledhje ministrat anëtarë të KQP unanimisht janë pajtuar dhe e kanë proceduar draft dokumentin, Kërkesë për Propozime (KpP), i cili do t’i dorëzohet kompanive të para-kualifikuara për komente para se të aprovohet përfundimisht nga KQP.

Dokumenti në fjalë parasheh;

a) Udhëzimet për Ofertim për Investitorët;

që përfshihen; kërkesat, konditat, kriteret e përzgjedhjes dhe dokumentacionin e ofertimit.

b) Marrëveshjen për Shitblerjen e Aksioneve (MSA),

që përfshihen; shitja e biznesit të Distribucionit dhe Furnizimit (KEDS), kushtet për marrjen e licencave, dhe hapat që duhet ndërmarrë para përmbylljes së transaksionit.

c) Marrëveshjen e Blerjes së Energjisë me Shumicë (MBES),

që parasheh blerjen e energjisë me shumicë nga kompania e ardhshme private (KEDS) prej gjeneruesve publik, termocentralet A dhe B.

Kompanitë e parakualifikuara, Elsewedy, Çalik, Limak dhe TAIB Bank, janë duke i marrë këto dokumente dhe të dhënat nga sektori i Distribucionit dhe Furnizimit të KEK, nëpërmes Dhomës së të Dhënave (Dataroom). Në bazë të këtyre të dhënave këto kompani janë duke i zhvilluar studimet e tyre të nevojshme, mbi gjendjen e Distribucionit dhe Furnizimit të KEK dhe duke shkuar nëpër procesion që quhet “Due Dilligence”. Pas, procedimit nga KQP kompanitë e para-kualifikuara i kanë pranuar edhe dokumentet edhe udhëzimet për ofertim për t’i analizuar dhe komentuar, dhe në këtë mënyrë kompanitë e parakualifikuara krijojnë një bazë esenciale informative, dhe një ide më të qartë, që do të ju ndihmojë në përgatitjen më të detajshme dhe më cilësore të ofertave të tyre për blerje të KEDS. Vlen të theksohet se të gjitha dokumentet që ju dërgohen investitorëve për komentim dhe KQP’së për aprovim, përshkojnë një proces të debatit publik, në Grupin Qeveritar për Projekte të Energjisë (GQPE).

Ky grup i deleguar nga KQP, përbëhet nga përfaqësues kompetent nga KEK, KOSTT, Zyra e Rregullatorit Energjetik (ZRrE), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Njësia për Partneritet Publiko-Privat (PPP) dhe përfaqësues nga Ministritë që përbëjnë Komitetin Qeveritar të Privatizimit.

Komentet dhe vërejtjet e këtyre përfaqësuesve janë marrë parasysh dhe përfundimisht janë inkorporuar në dokumentet që ju është dërguar KQP’së për aprovim.

Gjithashtu e ritheksojmë se procesi për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit të KEK, është duke shkuar sipas agjendës së paraparë dhe pritet të përmbyllet deri në fund të këtij viti. / koha

1,291 shikime gjithsej, 1 shikime sot