Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Në pritje të investimeve

| Ekonomi, Kosovë | 1 September 2011

Masat e reciprocitetit ndaj produkteve të Serbisë, sipas autoriteteve kosovare, patën efekte pozitive edhe në interesimin e investitorëve të huaj që të vinë në Kosovë.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, thotë se së shpejti pritet që të ketë diçka konkrete nga ardhja e investitorëve të huaj në Kosovë.

Ajo tregon se javëve të fundit kanë qenë të pranishëm delegacione të shumta nga vendet e rajonit dhe botës për të shikuar mundësinë e tregtisë me Kosovën.

“Ata përveç që i shikojnë mundësitë e plasimit të mallrave të tyre në tregun e Kosovës, gjithashtu janë duke i shikuar mundësitë e bashkëpunimit, transferit të teknologjisë, përvojave dhe linjave të tyre të prodhimit”, thotë Kusari – Lila.

Sidoqoftë, në një periudhë kur prezenca e investimeve ndërkombëtare është e domosdoshme për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar rënie.

Megjithatë, ministrja Kusari – Lila, thotë se Kosova tani po bëhet një vend ku investitorët janë të interesuar të vinë dhe t’i shohin mundësitë prodhuese.

“Në tërësi, ekonomia e Kosovës çdo ditë po bëhet më atraktive. Vetëm brenda një periudhe një javore kemi pasur delegacione nga Bullgaria e nga Kroacia, ndërkaq edhe në ditët e ardhshme presim delegacione edhe nga vendet tjera”, shprehet ajo.

Edhe pse deri më tani nuk ka pasur ndonjë shifër zyrtare se sa kanë qenë shumat e investimeve ndërkombëtare, megjithatë thuhet se në tre mujorin e parë ka pasur një rënie të lehtë në krahasim më vitin paraprak.

Sipas statistikave zyrtare, në vitin 2007, investimet e huaja të drejtpërdrejta në vend kanë qenë 421 milion euro, në 2008- vit ky kur është shpallur pavarësia, investimet kanë qenë 355 milion euro, në 2009-ën investimet ishin 310 milion euro, ndërsa vitin e kaluar investimet kanë rënë në 265 milion euro.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, shprehet skeptik sa i përket ardhjes së investitorëve në Kosovë.

Ai thotë se investitorët e huaj mund të jenë të interesuar, por kjo mund të merr kohë.

“Tash është një moment i ri në Kosovë, para së gjithash kur janë krijuar disa kushte të reja, kur tregu i Kosovës është më atraktiv për shkak të një boshllëku që është krijuar, kjo nuk do të thotë që automatikisht do të ketë investime, por interesimi për të vlerësuar tregun e Kosovës, mund të sjellë deri tek investimet”, thekson Rukiqi.

Rukiqi thekson se nëse investitorët e huaj interesohen që të investojnë në Kosovë, ata do të duhej të fokusoheshin në sektorin e agrobiznesit, para së gjithash, në përpunimin e ushqimit në industrinë e qumështit si dhe në sektorin e prodhimit të materialeve ndërtimore.

Ai thotë se investimet në këtë fushë do të ndihmonin zhvillimin ekonomik si dhe do krijoheshin edhe vende të reja të punës.

“Fazën që ne jemi tani, të zhvillimit, ne pretendojmë ta zbusim deficitin tregtar. Vendet, zakonisht orientohen drejt rritjes së eksporteve, mirëpo në mungesë të kapaciteteve dhe tregjeve realisht edhe zëvendësimi i importeve do të kryente punë në rastin e Kosovës dhe do të ishte mjaft e nevojshëm”, thekson Rukiqi.

Ndryshe në disa raporte të Bankës Botërore, Kosova ishte radhitur e 11-ta nga 15 destinacionet e mundshme, në mesin e vendeve ku jo stabiliteti politik ndikon në investimet e huaja potenciale.

Ndërsa në raportin tjetër, po të Bankës Botërore, të quajtur “Të bërit biznes” për vitin 2011, Kosova ishte radhitur në vendin e 173-të, sa i përket mbrojtjes së investitorëve, në mesin e 183 shteteve./bota sot

846 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Turqia e interesuar të ndihmoj zhvillimin ekonomik të Kosovës

| Botë, Ekonomi, Kosovë | 23 August 2011

Një delegacion nga Turqia, në mesin e të cilëve kishte deputetë, mandej kryetari i Komunës së Inegolit, biznesmenë dhe shqiptarë që jetojnë në Turqi për dy ditë kanë qëndruar në Mitrovicë. Ata të shoqëruar nga kryetari i Komunës, Avni Kastrati, kanë vizituar projektet që janë duke u financuar nga biznesmenë turq.

Kryetari Kastrati, ka njoftuar mysafirët me gjendjen në Mitrovicë, rrethanat specifike në aspektin politik, si dhe për problemet ekonomike dhe papunësinë e madhe në këtë komunë, si pasojë e rrethanave të pasluftës.

Ai ka falënderuar delegacionin nga Turqia për ndihmën që shteti i tyre po jep për Kosovën.

“Si para luftës, ashtu edhe pas luftës Turqia ka ndihmuar Kosovën në të gjitha aspektet, andaj ne jemi shumë mirënjohës për popullin dhe qeverinë turke”, ka thënë Kastrati./bota sot

917 shikime gjithsej, 2 shikime sot

WSJ: Investimet në Shqipëri, janë rritur deri 300%

| Ekonomi, Shqipëri | 20 August 2011

Investimet në Shqipëri, janë rritur deri në 300 për qind, falë implementimit të taksës së sheshtë, prej 10 për qind.

Kështu, nis një prej artikujve të botuar së fundmi në faqen elektronike të sitit prestigjioz Wall Street Journal (WSJ).

Në artikull theksohet se qeveria shqiptare thjeshtoi sistemin fiskal, me qëllim për të krijuar një klimë të mirë për investitorët, për të krijuar vende të reja pune si dhe duke synuar ta kthejë ekonominë shqiptare në një ekonomi konkurruese në tregje.

Sipas konstatimeve në këtë artikull, “qeveria shqiptare, e udhëhequr nga kryeministri Sali Berisha miratoi një paketë fiskale në vitin 2007, që përfshinte zbatimin e një takse të sheshtë prej 10% si për të ardhurat e korporatave dhe ato personale”.

“Ky është një nga nivelet më të ulëta të taksave në botë e pikërisht falë kësaj, nga viti 2007 deri në vitin 2011 Shqipëria ka një rritje të mirë ekonomike në Evropë”, vijon artikulli.

Sipas të dhënave, të reflektuara në këtë raport, investimet në Shqipëri janë rritur 300% nga viti 2007 deri në vitin 2010 , rritje kjo më e madhja në botë.

Po ashtu, edhe turizmi në Shqipëri ka pasur rritjen më të mirë në botë, me më shumë se 500% që nga viti 2007.

Në artikull theksohet gjithashtu edhe prirja e Shqipërisë për t’u bërë, vendi i parë në botë për prodhimin e 100% të rrymës nga energjia e rinovueshme, duke theksuar faktin se vendi ynë ka potencial të jetë laboratori më i rëndësishëm në botë të energjisë së gjelbër.

“Qeveria shqiptare ka hapur rrugën për shumë kompani që të investojnë në energjinë e gjelbër. Shqipëria ka potencial për të ndërtuar 2000 hidrocentrale”, theksohet ndër të tjera në artikullin e huaj.

Sipas tij, era dhe burimet e energjisë diellore kanë potencialin më të madh në fushën hidrike. Po ashtu, e veçantë është edhe fuqia e madh që krijohet nga nivelet e ulëta të detit deri në ato të larta të Alpeve.

“Shqipëria ka një nga erërat e forta në Evropë. Ajo ka një potencial të jashtëzakonshëm në fushën e energjisë diellore. Ai është një nga vendet mesdhetar në botë, që i ka shumicat e ditëve të vitit, të mbushura me diell”, përfundon artikulli i Wall Street Journal (WSJ), mbi Shqipërinë. /bota sot

1,383 shikime gjithsej, 2 shikime sot