Greqia ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet, megjithëse politika helene deri më tash konsiderohet si më pozitivja në krahasim me katër anëtaret tjerë të BE-së, Spanjës, Qipros, Rumanisë dhe Sllovakisë që nuk e pranojnë pavarësinë, disa prej të cilave as që pranojnë të kontaktojnë me zyrtarë të shtetit kosovar.
Kjo politikë do të konfirmohet edhe të enjten më 8 shtator kur shefi i diplomacisë greke, Stavros Lambrinidis, do e vizitojë kryeqytetin kosovar. Gazeta Zëri merr vesh jozyrtarisht nga një burim diplomatik ndërkombëtar se atë ditë kryediplomati helen, gjatë takimeve me zyrtarët më të lartë të shtetit të Kosovës, pritet ta zyrtarizojë edhe përkrahjen greke për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Pas anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, Kosova ka bërë pandërprerë përpjekje për anëtarësim edhe në BERZH.
Ministria e Jashtme e Kosovës, ndonëse nuk ka pranuar ta komentojë zyrtarisht këtë vizitë, një zyrtar i kësaj ministrie i ka thënë “Zërit” se Greqia “jo vetëm që e përkrah anëtarësimin e Kosovës në BERZH, por edhe është duke lobuar edhe te shtetet tjera për të njëjtën gjë”. /Telegrafi/









