Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Kosova eksporton në Kinë

| Ekonomi, Kosovë | 12 September 2011

Më shumë se në Mal të Zi e Zvicër, Kosova eksporton mallra në Kinën e largët. Kina së fundi është shndërruar ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës, ku për çdo muaj eksportohen miliona euro mallra. Sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Kosovës (ESK), muajin korrik nga Kosova në Kinë janë eksportuar mallra në vlerë prej mbi 2.3 milionë euro, krahas 29.3 milionë euro sa ka qenë eksporti i përgjithshëm i vendit në atë muaj.

Këto statistika të eksportit e radhisin Kinën në krye të listës së vendeve, ku Kosova eksporton më së shumti mallra. Sipas ESK-së, në muajin korrik 2011, përqindja më e madhe e mallrave është eksportuar në Itali (20 për qind), Shqipëri (12.2 për qind), Maqedoni (9.7 për qind), Kinë (7.9 për qind), Zvicër (5.5 për qind), Mal të Zi (5.1 për qind), etj.

Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit, 47.2 për qind të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 29.9 për qind, produktet minerale, 4.6 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 4.4 për qind plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, 3.3 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 3 për qind tekstil dhe artikuj tekstili etj, shkruan Zëri.

Përfaqësuesit kosovarë të biznesit konfirmojnë se Kina tashmë është shndërruar ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës. “Një ndër partnerët kryesorë tregtarë tashmë Kosova e ka Kinën”, shprehet Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK). Sipas tij, në këtë vend aziatik eksportohet kryesisht koncentrate minerare nga “Trepça” dhe nga “Ferronikeli”. Kreu i OEK-ut pohon se nga Kina importojmë kryesisht produkte finale, përderisa eksportojmë lëndë të parë.

Gjatë korrikut nga Kina janë importuar mallra në vlerë 16.2 milionë euro. “Në aspektin ekonomik do të ishte shumë më mirë që të eksportojmë produkte finale e jo lëndë të parë, pasi që përfitimet do të ishin më të mëdha për vendin”, potencon ai.

Pavarësisht se Kina kundërshton pavarësinë e Kosovës, kreu i OEK-ut thotë se nuk i bën pengesa eksportit vendor, marrë për bazë faktin se miliona euro mallra eksportohen çdo muaj atje. “Tregtia nuk njeh kufi, prandaj Kina i ka ndarë çështjet politike me ato ekonomike”, shprehet ai.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), thotë se deri tash Kosova ka importuar nga Kina mallra të ndryshëm, por nuk ka eksportuar asgjë.
“Një rritje në masë të madhe e eksportit me Kinën është shumë e mirëseardhur për ekonominë e Kosovës. Përmes këtij eksporti Kosova duhet të lobojë tek investitorët kinezë që të investojnë në Kosovë në sektorin e minierave”, tha Shahini. /Telegrafi/

1,130 shikime gjithsej, 3 shikime sot

Në 8 muaj eksportet arritën në 25 miliardë lekë

| Ekonomi, Shqipëri | 8 September 2011

Në fund të viti shënohet trefishimi ieksporteve në një hark kohor më pak se 6 vjeçar. Kryeministri Berisha njoftoi në mbledhjen e qeverisë se në 8 muajt e parë të këtij viti krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë eksportet arritën në 25 miliardë lekë ose në mbi 250 milionë dollarë.

“Rritje e rëndësishme që shpreh dinamizimin e admirueshëm të eksporteve shqiptare. Rritja eksporteve është tregues i rritjes së konkurueshmërisë në ekonomi, të interesit të investitorëve në ekonominë shqiptare. Tregues besnik i rritjes së investime dhe punësimit në Shqipëri. Shoqërohet nga një rritje e ndjeshme e manifakturës, ç’ka është më shumë se çdo gjë tjetër e lidhur me punësimin, shoqërohet me rritje të qëndrueshme të eksporteve bujqësore, dëshmi kjo e një përballjeje të suksesshme të fermerëve shqiptarë me ata të vendeve të tjera dhe prodhimet e tyre.”, tha Kryeministri, Berisha.

Duhet të bëjmë gjithçka tha kryeministri Berisha për të reduktuar edhe me tej burokracitë ndaj biznesit. Pavarësisht propagandës ogurzezë për dëmtimin e bankave dhe kundër rritjes së rrogave e pensioneve, sipas zotit Berisha, modeli ekonomik u dëshmua i qëndrueshëm falë masave që nisen para katër vitesh.

Kryeministri vlerësoi punën e ministrave dhe kërkoi transparencë, në ato që i cilësoi labirintet të demokracisë, sipas një projekti që po përgatit Ministria e Inovacionit, një portal transparent në internet të marrëdhënieve administratë –biznes.

Portali realitet i sukseshëm, në mënyrë që drita të përshkojë burokracinë tonë.

Sipas kryeministrit duhen shtuar përpjekjet sepse kriza e borxhit do të vazhdoje, por duhet kthyher në avantazh kriza që ka kapur fqinjët sipas kryeministrit, dhe kjo sëpari duke krijuara klimën e favorshme për emigrantët që po kthehen në vend./bota sot

1,009 shikime gjithsej, 2 shikime sot

INSTAT: Rriten eksportet e Shqipërisë

| Ekonomi, Shqipëri | 25 August 2011

Instituti i Statistikave (INSTAT) konfirmon të dhëna pozitive për tregtinë e jashtme të Shqipërisë. Sipas të dhënave, për muajin korrik nga Shqipëria u eksportuan rreth 18 miliardë lekë mallra, me rritje 7.7 për qind në krahasim me qershor 2011 dhe rritje me 32.4 për qind në krahasim me korrik 2010.

Po ashtu, gjatë këtij muaji u importuan rreth 48 miliardë lekë mallra me rritje 2.4 për qind në krahasim me qershorin.

Këto shifra çuan në ngushtimin e lehtë të deficitit tregtar. Tregtia me vendet e BE është 69.1 për qind, ku partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia.

Me Italinë eksporti është 56.4 për qind dhe importi 33.8 për qind, ndërsa me Greqinë, eksporti është 5.5 për qind dhe importi 11.2 për qind./bota sot

1,309 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Shqipëria rrit eksportet drejt Kosovës

| Ekonomi, Shqipëri | 11 August 2011

Shqipëria mund të përfitojë nga masat e reciprocitetit të vendosura nga Kosova ndaj Serbisë. Kjo e fundit është furnizuesi kryesor i tregut kosovar me mallra. Drejtuesit e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH) argumentojnë se është momenti i duhur që mangësitë që janë krijuar në këtë moment në tregun kosovar të plotësohen nga Shqipëria, raporton 24News.

“Ne jemi orientuar drejt Kosovës për të kapur këtë boshllëk, për të gjetur veten tonë atje me ato prodhimet e stinës, të cilat tashmë janë të eksportueshme në Kosovë, janë dyfishuar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me materialet e ndërtimit, që biznesi kosovar të mos e ndjejë mungesën”, u shpreh Enver Ferizaj, kryetar i KASH.

Shqipëria mund të eksportojë drejt Kosovës një gamë të gjerë mallrash, duke filluar nga produktet ushqimore e deri te materialet e shërbimet e sektorit të ndërtimit.

“Eksportojmë produkte të përpunuara, edhe nga mishi. Po tentohet të çojmë edhe produktet e qumështit, por edhe në fusha të tjera si ajo e ndërtimit”, shtoi Ferizaj.

Për të furnizuar këtë periudhë tregun kosovar me produkte ngaShqipëria, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar ka nënshkruar me Aleancën Kosovare të Biznesit edhe një marrëveshje, të përbërë nga 9 pika. Serbia furnizonte rreth 70 për qind të tregut kosovar me mallra, me një vlerë që kalon 300 milionë euro në vit. / koha

1,006 shikime gjithsej, 1 shikime sot