Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Doganierët kosovarë së shpejti në pikat kufitare me Serbinë?

| Ekonomi, Kosovë | 1 September 2011

Foto: Laura Hasani

Drejtori i doganave të Kosovës, Naim Huruglica, në një intervistë për Radion Deutche Welle ka thënë se beson se, shumë shpejtë në dy pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës, do të vendosen doganierët kosovarë. Deri tani ata nuk kanë pasur kushte sigurie në këto pika.

DW: Sa ka qenë pengesë veriu i Kosovës për realizimin e objektivave të doganave të Kosovës, kur kemi parasysh se buxheti i Kosovës në përgjithësi mbushet nga doganat e Kosovës?

Huruglica: Që nga djegia e dy pikave kufitare në veri të Kosovës me 19 shkurt të vitit 2008 kjo pjesë ka qenë jashtë kontrollit doganor. Vetë fakti që ne nuk kemi qenë prezent në këto dy pika, ka nënkuptuar se kontrabandistë të ndryshëm kanë arritur të fusin mallra në teritorin e Kosovës pa zhdoganimin e tyre. Një pjesë e këtyre mallrave ka vazhduar të zhdoganohet në terminalin doganor në Mitrovicë mirëpo, kjo ka qenë mbi baza vullnetare, mirëpo pjesa më e madhe e mallrave mbetej në pjesën veriore të Mitroviës dhe pastaj përmes rrugëve ilegale bartej në pjesë tjera të Kosovës. EULEX-i ka qenë prezentë në këto dy pika, mirëpo vetëm ka regjistruar mallrat që hyjnë në Kosovë dhe nuk ka pasur një aktivitet për zhdoganimin e tyre. Në bazë të të dhënave të misionit EULEX dhe të dhënave tona, ne kemi konstatuar se humbjet për buxhetin e Kosovës gjatë tri viteve kanë qenë afro 120 milion euro. 120 milion euro janë para të mëdha për Kosovën dhe Kosova nuk e ka luksin që t’i humbë këto të holla. Pas datës 25 korrik të vitit 2011 dhe vendosjes së masave të reciprocitetit me Serbinë ne tashmë kemi filluar të shohim një stabilizim të të hyrave doganore dhe një import më të shtuar përmes pikave tjera doganore.

DW: Zoti Huruglica pas ndalimit të mallrave serbe që të hyjnë në territorin e Kosovës, ku është orientuar importi kosovar?

Huruglica: Importi është orientuar kryesisht në rajon, vërehet një rritje e mirë e importit nga Shqipëria. Për shembull për herë të parë kemi në Kosovë material ndërtimor nga Shqipëria, gjithashtu kanë filluar të vijnë në Kosovë prodhimet kroate, nga maqedonia, Turqia, por ka edhe nga vendet e Bashkimit Evropian.

DW: Zoti Huruglica, pse nuk po vendosen doganierët e Kosovës në dy pikat kufitare me Serbinë pasi tashmë këto dy pika kufitare janë nën kontroll të KFOR-it, dhe organeve kosovare të rendit?

Huruglica: Besoj se për të gjithë është e qartë se është një problem sigurie pse nuk po vendosen doganierët e Kosovës në këto dy pika kufitare. Unë besoj se doganierët do të vendosen shpejt sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Unë nuk jam ai person që vendos se në cilën ditë do të ndodhë kjo, por unë besoj se shumë shpejtë kjo do të ndodhë gjithmonë pas një vlerësimi të situatës së sigurisë nga ana e forcave të rendit.

DW: Mosvendosja ende e doganierëve në dy pikat kufitare me Serbinë, ka të bëjë vetëm me çështjen e sigurisë së tyre, apo këtu kemi të bëjmë me një problem me të thellë edhe në raport me veprimet e bashkësisë ndërkombëtare, konkretisht me misionin EULEX.

Hurugica: E kam pak vështirë të përgjigjem në këtë pyetje sepse del jashtë autorizimeve të mia. Por ajo që unë mendoj është se këtu kemi të bëjmë me një situatë ku aty ka pasur interesa të grupeve kriminale për të përfituar nga mospagesa e taksave dhe shpesh herë është para se ato grupe kriminale ka qenë në një linjë me institucionet paralele serbe që janë të instaluara në veri. Gjithmonë në veri është përdorur karta e nacionalizimit e në fakt kanë qenë interesat për përfitime ekonomike.

DW: Kanë bërë doganat e Kosovës presion mbi misionin EULEX që të vendosen doganierët në dy pikat kufitare me Serbinë?

Huruglica: Ne nuk jemi në pozicion që të bëjmë presion, por kemi takime të rregullta me misionin EULEX dhe vazhdimisht kemi kërkuar që të na ndihmojnë për të vendosur kontroll në këto dy pika.

DW: Ka pasur një vendim të prerë për mosvendosjen e doganierëve në veri të Kosovës, apo kjo jo ka ndodhur në bazë të një vlerësimi se atje nuk ka kushte sigurie për vendosjen e doganerëve?

Huruglica: Nuk ka pasur një vendim të natyrës formale, por pas datës 19 shkurt të vitit 2008, pjesa më e madhe e doganierëve që punonin në ato pika që i takonin komunitetit serb dhe boshnjak e lëshuan punën. Unë besoj se ata kanë qenë të detyruar ta lëshojnë punën nga strukturat kriminale që veprojnë në veri të Kosovës. Ne gjatë tri viteve të shkuara patëm bërë investime në ato dy pika kufitare duke i ndihmuar misionit EULEX që ta kryejë më lehtë punën e oficerëve tanë doganor, dhe gjithmonë me shpresën që një ditë do të kthehemi edhe në ato dy pika doganore, mirëpo, kjo akoma nuk ka ndodhur. Shpresoj sedo të ndodhë së shpejti./zeri

1,095 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Muaji gusht, rritje e të hyrave për 67.7 mln euro

| Ekonomi, Kosovë | 27 August 2011

Dogana e Kosovës ka arritur shifrën rekorde në mbledhjen e të hyrave në fund të muajit gusht, duke kapur vlerën prej 500 milionë eurosh.

“Krahasuar me vitin e kaluar, kjo paraqet një rritje të të hyrave, sepse në periudhën e njëjtë të vitit 2010, Dogana kishte mbledhur 432,5 milionë euro. Pra, ka rritje prej 67.7 milionë eurosh”, thuhet në kumtesën për media të Doganës së Kosovës.

Sipas së njëjtës, arsyet e kësaj rritjeje janë të ndryshme, “duke filluar nga ngritja e kontrollit të qarkullimit të mallrave, luftimi i kontrabandës, aplikimi i metodave moderne të selektivitetit dhe analizës së riskut, bashkëpunimi ndërkombëtar etj.”./bota sot

968 shikime gjithsej, 2 shikime sot

UNMIK-u i njeh Doganat e Kosovës

| Ekonomi, Kosovë | 17 August 2011

Misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK-u, ka thënë se i njeh vulat e Doganës së Kosovës. “Përdorimi i këtyre vulave është në përputhje me politkën neutrale, dhe konfirmohet kjo edhe në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, dërguar për Këshillin e Sigurimit”, ka thënë zëdhënës Olivie Salgado. Ai ka thënë se vulat doganore të Kosovës duhet të pranohen dhe të gjithë duhet ta respektojnë marrëveshjen e CEFTA-s, raporton Indeksonline. Zëdhënësi i UNMIK-ut ka shprehur besimin se kjo çështje do të zgjidhet në rundin e ardhshëm të negociatave./kosova sot

1,081 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Dy pikat në veri pa doganierë kosovarë

| Ekonomi, Kosovë | 7 August 2011

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica konfirmoi se doganierët e Kosovës nuk asistuar mbrëmë gjatë hyrjes së ndihmave humanitare nga Serbia në veri. Nuk ka prani të doganierëve të Kosovës, pasi ato pika janë mbyllur për qarkullim komercial dhe KFOR-i po e mbikëqyr futjen e mallrave”, tha Huruglica për Radio Kosovën./ kosova sot

993 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Komuniteti i biznesit: Të eliminohet taksa doganore

| Ekonomi, Kosovë | 7 August 2011

Komuniteti i biznesit në Kosovë ka kërkuar nga ekzekutivi i vendit të përgatisë politika të favorshme për stimulimin e prodhimeve të vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian, të cilat nuk janë anëtare të CEFTA-s. Lidhur me këtë, sipas tij, është i nevojshëm eliminimi i taksës doganore prej 10%.

Situata e krijuar pas fuqizimit të masave reciproke ndaj produkteve serbe dhe vënies së taksave doganore prej 10% për mallrat boshnjake, ka shtyrë komunitetin e biznesit që t’i propozojë ekzekutivit të vendit ndryshimin e politikave fiskale – me theks të veçantë uljen e taksave doganore për produktet bazike të vendeve të Bashkimit Evropian.

Të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, të cilat dëshirojnë të hyjnë në tregun e Kosovës, duhet të paguajnë taksë doganore prej 10%. Ndërsa, shtetet që janë nënshkruese të Marrëveshjes për Tregti të Lirë, CEFTA, janë të liruara nga kjo pagesë.

Kroacia, Maqedonia, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Moldavia, Mali i Zi dhe Serbia janë anëtare të marrëveshjes CEFTA. Por, në tregun kosovar janë të pranishme edhe produkte të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, konsideron se Qeveria e Kosovës duhet aplikojë masa të përkohshme, duke eliminuar taksën doganore vetëm për produktet bazike, të cilat në mënyrë zinxhirore mund të ndikojnë në ngritjen e çmimeve të artikujve të tjerë.

“Realisht, një veprim i tillë duhet të pritet kur Kosova do të kishte ndonjë marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian dhe kjo do të duhej të bëhej gradualisht”.

“Por, në situatën e re të krijuar, qeveria duhet të mendojë që në disa produkte bazike, të cilat janë të rëndësishme për tregun, të aplikojë masë të përkohshme të uljes së taksës doganore në zero për qind”, thotë Rukiqi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) u rekomandon autoriteteve kompetente që të veprojnë në këtë drejtim. Agim Shahini, udhëheqës i këtij subjekti, shpreh nevojën për uljen e taksave doganore, për shkak se, siç thotë ai, Kosovës i duhen edhe prodhime nga shtetet evropiane.

“Të gjitha shtetet që nuk janë në marrëveshje me CEFTA-n – shtetet e Bashkimit Evropian dhe vendet e treta, të gjitha i nënshtrohen taksës doganore”.

“Prandaj, ne si AKB kemi kërkuar që Qeveria e Kosovës të marrë edhe një hap tjetër për të liruar nga taksat doganore mallrat esenciale, siç janë: mielli, sheqeri, vaji, kripa dhe produktet tjera, derisa të vazhdojë të jetë i bllokuar tregu i Serbisë”, thekson Shahini.

Një intervenim i mundshëm në politikat fiskale mund të ndodhë vetëm në fillim të vitit 2012, thotë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila. Sipas saj, një masë e tillë nuk mund të fuqizohet në pjesën e dytë të vitit, ashtu siç kërkohet nga komuniteti i biznesit.

“Ne jemi duke shikuar reformimin e politikës fiskale – e cila do të hyjë në fuqi që nga janari i vitit 2012 – nga e cila Kosova do të ketë një politikë të re në raport me importin e lëndës së parë, makinerisë dhe produkteve të tjera, të cilat vijnë nga vendet e ndryshme, por edhe nga vendet e Bashkimit e Evropian”, thotë Kusari Lila.

Përveç taksës doganore prej 10% që duhet t’i nënshtrohen produktet e importuara, tatimi kryesor në Kosovë është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, çfarë është 16 për qind për të gjitha mallrat, pa marrë parasysh origjinën e tyre, dhe zero për qind për mallrat, të cilat i dedikohen eksportit./ bota sot

1,049 shikime gjithsej, 1 shikime sot