Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

5200 euro për gardërobën e Kryeministrisë

| Ekonomi, Kosovë | 2 September 2011

Lavdim Hamidi – Për t’u dukur bukur para kamerave televizive dhe në takimet me zyrtarë ndërkombëtarë e vendorë, kryeministria është kujdesur t’ia bëjë zgjidhjen për garderobën stafit të vet.

Për t’i furnizuar me garderobë 8- 10 persona, kryesisht truproja dhe shoferë të kryeministrit, është lidhur kontratë me butikun “London Fashion” në Prishtinë.

Kontrata e nënshkruar në fund të muajit qershor të këtij viti kap vlerën prej rreth 5200 eurosh, përderisa procedura e kontratës është zgjedhur me kuotim çmimesh.

Në këtë butik që furnizohet stafi i kryeministrisë, çmimi i kompleteve sillet prej 110-150

euro, mirëpo aty nuk blen gardërobë kryeministri Hashim Thaçi e as zëvendësit e tij.

Fahri Sylejmani, pronar i këtij butiku, thotë për “Zërin” se gardëroba me të cilën furnizohet stafi i kryeministrisë nuk është shumë e shtrenjtë, prandaj është përzgjedhur që ta furnizojë kryeministrinë.

“Edhe me gardërobën më të lirë ata duken mirë. Është shumë me rëndësi të duken mirë, sepse ata e prezantojnë Kosovën, në takimet që i zhvillojnë me kryeministrin jashtë vendit”, shprehet Sylejmani.

Sipas tij, me gardërobë te butiku i tij furnizohen 8-10 veta, kryesisht shoferët dhe rojet e

kryeministrit, ndërsa çmimi i kompleteve sillet prej 110 deri në 150 euro.

Pavarësisht se emri i butikut është “London”, Sylejmani thotë se me gardërobë furnizohet nga Qipro, Turqia, e jo nga Anglia.

“Më herët kam blerë mall në Angli, mirëpo tash nuk kam mundësi, sepse janë shumë të shtrenjta. Unë furnizohem kryesisht me gardëroba nga Qipro, Turqia etj”, sqaron ai.

Sylejmani pohon se pavarësisht se çmimet nuk janë shumë të larta, gardëroba të cilën ua

shet stafit kryeministror është shumë cilësore dhe për këtë shkak e ka zgjedhur butikun “London Fashion”.

“Mallin që e shes është me çmime të tregut dhe shumë kualitativ”, potencon ai.

Nuk blen Thaçi

Përkundër deklaratave të pronarit të butikut “London Fashion” se gardëroba që e furnizon stafin e kryeministrisë është cilësore dhe e lirë, kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat furnizohen në butiqet më të shtrenjta, të cilët shesin gardërobë të markave të

njohura botërore.

Sipas kontratës së nënshkruar nga kryeministria për furnizim me gardërobë, numri i tenderëve të pranuar ka qenë 3, kurse vlera më e lartë ka qenë 5935 euro./zeri

1,282 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Shqipëri: Hartohet buxheti 2012

| Ekonomi, Shqipëri | 1 September 2011

Ministria e Financave të Shqipërisë tashmë e ka të qartë planin e shpërndarjes së fondeve për vitin 2012. Drejtoria e Buxhetit në ministri ka përgatitur paraprakisht tavanet e shpenzimeve, pasi kanë kryer konsultimet me institucionet e tjera.

Mësohet se në shtator do të nisin negociatat kokë më kokë mes ministrit të Financave të Shqipërisë, Ridvan Bode dhe ministrive për buxhetin e ri, ndërsa në tetor do t’i paraqitet Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha për miratim.

Paraprakisht, tashmë është vendosur sesa do të marrin ministritë dhe institucionet e tjera të pavarura. Duke i krahasuar me buxhetin e fundit, të ndryshuar në korrik, bie në sy fakti se diferencat nuk janë të mëdha, për të mos thënë gati të njëjta. Kështu, Ministria e Transporteve mendohet se do të marrë nga buxheti rreth 45.8 miliardë lekë, aq sa kishte këtë vit. Për dikasterin e Sokol Olldashit pritej të akordoheshin më shumë fonde, duke pasur parasysh numrin e madh të projekteve, si Rruga e Arbrit apo autostrada Tiranë-Elbasan. Sipas Financave, në planin e investimeve, Ministria e Punëve Publike do të mbështetet kryesisht te financimet e huaja me vlerë rreth 28 miliardë lekë, kurse shpenzimet e brendshme do të jenë 13 miliardë lekë.

Rritje të lehtë të shpenzimeve do të ketë Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, me rreth 500 milionë lekë, duke ia çuar buxhetin në total afër 7 miliardë lekëve. Kujtojmë se kësaj ministrie iu krye shkurtimi më i madh i fondeve në muajin korrik, me gati 26 për qind.

Tek institucionet e tjera kryesore, vihet re rritje modeste e buxhetit. Institucionit të Presidentit, i cili në 2012-n do të përfshihet nga gara për zgjedhjen e kreut të ri, i janë akorduar fonde me vlerë rreth 166 milionë lekë, ose 1.2 për qind më shumë se buxheti i këtij viti. Rritje të shpenzimeve do të ketë edhe zyra e Kryeministrit me 3.2 për qind.

Ndryshe nga sa pritej, buxheti i Kuvendit propozohet me shkurtime të tjera, pas atyre të vendosura në korrik. Pavarësisht projektit të madh për ndërtimin e Parlamentit të ri, Kryetares Jozefina Topalli i janë akorduar 848 milionë lekë, ose gati 26 për qind më pak nga sa shpenzoi këtë vit. Për Kuvendin priteshin shtesa të konsiderueshme në buxhet duke pasur parasysh vlerën e madhe të investimit prej mbi 10 miliardë lekësh, por Financat kanë vendosur që investimet të mos jenë më shumë se 100 milionë lekë.

Megjithatë, buxheti paraprak i vitit 2012 kërkon të paktën edhe 2 muaj kohë që të marrë formën plotë dhe deri atëherë Kuvendi mund të shfrytëzojë periudhën për realizimin e objektivit.

Për këtë çështje, ministri i Financave, Ridvan Bode, ka lëshuar një udhëzim, më 7 korrik, ku i bën të ditur institucioneve se nuk do ketë shtesa në buxhet në raundin e dytë të diskutimeve që përkojnë në muajin shtator./bota sot

1,133 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Reciprociteti, 5 milionë euro më shumë në buxhet

| Ekonomi, Kosovë | 25 August 2011

Rreth 5 milion euro janë më tepër të hyra doganore, vetëm për tri javët e para pas aplikimit të masave të reciprocitetit ndaj produkteve serbe, thonë zyrtarë të qeverisë.

Mimoza Kusari- Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, njëherësh zëvendëskryeministre e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se këto matje janë bërë në periudhën korrik –gusht të këtij viti dhe periudhës së njëjtë të vitit paraprak.

Në periudhën 20 korrik deri 8 gusht të vitit 2010, të hyrat doganore kanë qenë

48.9 milionë euro, kurse në të njëjtën periudhë të këtij vitit të hyrat doganore kanë arritur në 53.8 milionë euro, thotë Kusari- Lila.

“Është vërejtur një rritje e dukshme e të hyrave në dogana, si rrjedhojë e rritjes se importit formal dhe si rrjedhojë e mallrave që hyjnë nga vendet me të cilat nuk kemi marrëveshje të tregtisë së lirë, gjegjësisht që nuk janë anëtare të marrëveshjes CEFTA. Dukshëm ka rritje të të hyrave, vetëm në periudhën e parë, do të thotë për tri javët e para, ka pasur një ngritje prej 5 milion eurosh inkasim të të hyrave doganore, krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit të paraprak”, u shpreh Kusari- Lila.

Kjo rritje është realizuar për shkak se shumë mallra nga shtete tjera kanë hyrë në Kosovë si zëvendësim për produktet serbe, ndërsa kontrabanda e mallrave serbe që është zhvilluar nga pikat kufitare 1 dhe 31, që gjenden në pjesën veriore të Kosovës, është zvogëluar dukshëm, thotë Mimoza Kusari- Lila.

Ajo shpreson se ky trend i rritjes do të vazhdojë edhe në tri javorin e dytë, që nga aplikimi i masave të reciprocitetit, dhe rrjedhimisht këto të hyra do të rrisin buxhetin e Kosovës.

“Jemi në pritje të rezultateve për tri javorin e dytë, pasi tani kemi hyrë në gjashtë javorin që Kosova ka aplikuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe presim që ky trend të vazhdojë në raport me importin e produkteve të cilat formalisht tani zhdoganohen në pikat ku ka doganiere dhe janë pika funksionale në krahasim me periudhën, kur kanë hyrë mallrat pa u doganuar dhe pa u evidentuar nga pika 1 dhe 31 në veriun e Kosovës”, thekson Kusari- Lila.

Rritja e të hyrave doganore që nga bllokimi i mallrave serbe në Kosovë, do të forcojë arkën shtetërore, thotë edhe Ahmet Shala, ish ministër i Ekonomisë dhe Financave.

Shala është optimist se trendi i rritjes se të hyrave doganore do të vazhdojë edhe në të ardhmen, kështu që sipas tij, kjo do t’i mundësojë autoriteteve kompetente zbatimin e planit të qeverisë, çoftë për projekte zhvillimore, çoftë për ato sociale.

“Unë jam optimist se ky trend do të mbahet ashtu siç është planifikuar, këto masa do të ndikojnë pozitivisht edhe në rritjen e zhvillimit ekonomik”, thekson Shala.

Unë jam optimist se ky trend do të mbahet ashtu siç është planifikuar, këto masa do të ndikojnë pozitivisht edhe në rritjen e zhvillimit ekonomik.

Ai tregon se në bazë të të dhënave nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, deri në 60 milionë euro ka humbur buxheti i Kosovës, vetëm gjatë një viti, nga kontrabanda e zhvilluar në veriun e Kosovës.

Pikat kufitare 1 dhe 31 me vite të tëra janë vlerësuar të jenë “oazë” e krimit të organizuar dhe kontrabandës së mallrave të ndryshme.

Më 20 korrik Qeveria e Kosovës, ka vendosur masa reciprociteti ndaj produkteve serbe , ndërsa taksë doganore për mallrat e Bosnjës dhe Hercegovinës./bota sot

988 shikime gjithsej, 1 shikime sot