Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Institucionet kanë tri javë afat për kërkesa buxhetore

| Ekonomi, Kosovë | 11 August 2011

Ministria e Administratës Publike do të hapë seancën e dëgjimeve buxhetore për ndarjet financiare të vitit 2012 në mëngjesin e 22 gushtit. Me ftesë të Ministrisë së Financave, të gjitha organizatat buxhetore, përfshirë edhe ministritë dhe agjencitë e pavarura, do të mbështesin kërkesat e tyre të paraqitura në Ministrinë e Financave deri këtë të hënë.

“Dëgjimet buxhetore do të mbahen prej datës 22 gusht deri më 2 shtator 2011. Çdo organizatë buxhetore duhet t’i përgjigjet me saktësi këtij orari. Pjesëmarrës në këto dëgjime do të jenë zyrtarët më të lartë të organizatave buxhetore, agjencive, stafi i Ministrisë së Financave, Zyra e kryeministrit, Komisioni për buxhet i Kuvendit të

Kosovës, (dhe) përfaqësues të Ministrisë për Integrime Evropiane”, thuhet në qarkoren finale të hartuar nga Ministria e Financave gjatë muajit korrik dhe fillimit të muajit gusht.

Sipas këtij dokumenti të firmosur nga ministri i Financave, Bedri Hamza, analistët e Ministrisë do të këshillohen me organizatat buxhetore për një mori çështjesh, para mbajtjes së dëgjimeve buxhetore.

“Nga organizatat buxhetore pritet të ofrojnë një pasqyrë të gjithëmbarshme të

kërkesave të tyre për vitin 2012, që nuk zgjasin më tepër se 15 minuta, përfshirë këtu

indikatorët e performancës sipas programeve dhe projekteve”, thuhet më tej në dokument.

Sipas letrës, është e rëndësishme që kërkesa buxhetore të demonstrohet me lidhjen e prioriteteve strategjike të Qeverisë ashtu siç janë paraqitur në “deklaratën e prioriteteve strategjike për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2012 – 2014”, të lëshuar nga Zyra e kryeministrit dhe të paraqitura në Kornizën afatmesme të shpenzimeve për projekte të reja kapitale.

”Organizata duhet të sjellë informatat relevante në dëgjimet buxhetore, përfshirë këtu

dhe informatat rreth shpenzimeve të vitit 2011 deri në atë datë. Gjatë këtyre dëgjimeve do të synohet arritja e marrëveshjes për shumat totale buxhetore të organizatës suaj”, u është drejtuar ministri Hamza në qarkoren buxhetore për vitin 2012 institucioneve që financohen nga buxheti.

Ministria e Financave nëpërmjet qarkores buxhetore ka kërkuar “kujdes maksimal nga organizatat buxhetore që me kufijtë aktualë të mbulojnë të gjitha obligimet ligjore që rrjedhin nga bashkëfinancimet me donatorët”.

“Kjo kërkon që renditja e prioriteteve për financim të jetë shumë e kujdesshme dhe brenda mundësive buxhetore”, thuhet në letrën e ministrit Hamza. / koha

999 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Qeveria vë kufijtë e shpenzimeve për vitin e ardhshëm

| Ekonomi, Kosovë | 11 August 2011

ekonomi98

Qeveria e Kosovës i ka tkurrur shpenzimet për ministritë dhe institucionet që financohen nga buxheti i shtetit për vitin 2012 gjatë përcaktimit të kufijve të lejuar për shpenzime. Dokumenti i hartuar nga Ministria e Financave nuk lejon asnjë cent më tepër shpenzime për vitin 2012 sesa 1 miliard e 82.7 milionë euro në nivelin qendror, dhe 361.4 milionë euro për komunat. Në total, në bazë të qarkores buxhetore të firmosur nga ministri i Financave, Bedri Hamza, institucionet e Kosovës që financohen nga buxheti nuk guxojnë të shpenzojnë më shumë se 1 miliard e 444 milionë euro për gjatë tërë vitit 2012. Po që se kjo vlerë e shpenzimeve tejkalohet, atëherë Qeveria do të shkelë edhe marrëveshjen e sivjetme të nënshkruar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, derisa do ta humbë edhe mundësinë për qasje në kredi për vitin që vjen.“Programi me FMN-në ndikon në madhësinë dhe strukturën e buxhetit, prandaj financimet shtesë kryesisht do të rrisin fondet për programe specifike duke shkurtuar programe tjera të organizatave buxhetore”, thuhet në dokumentin e hartuar nga Ministria e Financave.

Kufizimet e vëna për shpenzime ndaj ministrive dhe institucioneve që financohen nga buxheti, Qeveria i quan kufij të “fortë”.

“Kufijtë e ‘fortë’ të dhënë në këtë qarkore mund të lëvizin përbrenda kufirit të përcaktuar vetëm atëherë kur ofrohen argumente të qëndrueshme në arritjen e objektivave strategjike të Qeverisë për realizimin e vizionit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit”, thuhet në dokument.

Kufijtë e përcaktuar nga Qeveria kanë zvogëluar ndarjet financiare për disa ministri dhe institucione tjera buxhetore.

Për paga dhe mëditje Qeveria ka kufizuar shpenzimet në 407 milionë euro për të gjitha institucionet që financohen nga buxhet, përfshirë edhe pagat e deputetëve dhe kabinetit qeveritar. Shpenzimet kapitale në bazë të kufizimeve të Qeverisë nuk bën të jenë më të larta sesa 564 milionë euro, derisa me buxhetin e sivjetmë këto shpenzimet ishin më të larta për 8 milionë euro.

Për vitin 2012 është paraparë që në vazhdimin e punimeve në ndërtimin e autostradës “Ibrahim Rugova” të mos shpenzohen më shumë se 229 milionë euro. Zyrës së kryeministrit Hashim Thaçi është përcaktuar që t’i rritet buxheti për 1 milion euro për vitin që vjen, derisa Ministrisë së Infrastrukturës do t’i zvogëlohen të ardhurat për 11 milionë euro. Kjo ministri do të ketë në dispozicion 265 milionë euro bazuar në tabelat preliminare të buxhetit me kufizimet e fuqishme të Qeverisë derisa me buxhetin e vitit 2011 në arkë kishte 276 milionë euro.

Ministria e Shëndetësisë nuk guxon të shpenzojë më tepër se 88 milionë euro për tërë vitin që vjen. Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale do të ketë në arkë 211 milionë, deri më 2011 kishte në dispozicion 201 milionë euro.

Ministrisë së Tregtisë në bazë të kufijve të Qeverisë do t’i zvogëlohet buxheti për afro gjysmë milioni euro në krahasim me vitin 2011 kur kishte përfituar 7.2 milionë euro. Ministria e Bujqësisë do të ketë në dispozicion 21 milionë euro, apo 7 milionë euro më tepër sesa këtë vit.

Ministritë dhe institucionet tjera që financohen nga buxheti kanë pasur afati që deri të hënën më datë 8 gusht t’i dorëzojnë kërkesat për shpenzime operative dhe ato kapitale në Ministrinë e Financave.

“Organizata juaj buxhetore është e obliguar ta respektojë këtë afat, në të kundërtën ministri i Ministrisë së Financave do të propozojë buxhetin final për Organizatën tuaj buxhetore”, u është drejtuar Bedri Hamza, institucioneve shtetërore që financohen nga buxheti.

Në bazë të kufizimeve për ndarjet financiare nga buxheti i vitit 2012, më së keqi do ta pësojë Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Ndonëse kjo ministri është vartëse e proceseve për zhvillimin e hovshëm të vendit në aspektin ekonomik, Qeveria ia ka përgjysmuar ndarjet nëpërmjet dokumentit me kufizimet financiare. Për vitin 2012 Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të ketë në arkë vetëm 37 milionë e 777 mijë euro, derisa me buxhetin e vitit 2011 kjo ministri që udhëhiqet nga Besim Beqaj, kishte përfituar buxhet në vlerë prej 56 milionë e 215 mijë eurove. Kryesisht do të jenë subvencionet ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës të cilat kanë pësuar nga shkurtimet financiare për vitin që vjen. Subvencionet për KEK-un janë kufizuar në 13 milionë euro nga 27 milionë euro sa janë ndarë sivjet. Për Operatorin e Sistemit, Transminisionit dhe Tregut (KOSTT) është paraparë të ndahen vetëm 5.3 milionë euro derisa me buxhetin e sivjetmë janë ndarë 8.2 milionë euro. Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në bazë të kufijve të përcaktuar nga Qeveria, do t’i shkurtohen ndarjet financiare për vitin 2012 për rreth 3 milionë euro.

Agjencisë Kundër Korrupsionit do të t’i ndahen 30 mijë euro më pak për vitin 2012, derisa, Autoritetit Rregullativ për Telekomunikacion do t’i zvogëlohen ndarjet financiare nga buxheti për vitin 2012 për rreth 400 mijë euro. Po ashtu, për afro 1 milion euro janë shkurtuar edhe ndarjet financiare për Ministrinë e Drejtësisë aq sa edhe Ministrisë së Jashtme.

Edhe në vitin e ardhshëm, Qeveria ka paraparë të ndajë një fond prej 5 milionë eurove të cilësuar si shpenzime të paparashikueshme. / koha

1,005 shikime gjithsej, 1 shikime sot