Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Eurozona, super-fuqi apo eksperiment i dështuar?!

| Botë, Ekonomi | 8 September 2011

Derisa euro lufton të ruajë vlerën e saj në mes të krizës së borxhit që ka goditur vendet si Greqia, Italia dhe Spanja, problemet e monedhës së vetme po shndërrohen në një krizë të identitetit për Bashkimin Evropian.

Për vite të tëra, ekonomistët kanë paralajmëruar se një monedhë e vetme për shtetet, pa një politikë të vetme fiskale, paraqet të njëjtin rrezik sikur t’i jepej një grupi njerëzish një kartelë e përbashkët krediti.

Derisa të gjithë të dakordohen se si dhe kur do ta përdorin kartelën e tyre të përbashkët, dalin disa që do ta keqpërdorin atë dhe do t’ua lënë të tjerëve t’i paguajnë borxhet e tyre.

Kjo është në fakt ajo që ka ndodhur me euron dhe 17 vendet anëtare të Eurozonës. Andaj, nuk është e çuditshme që liderët e vendeve kursimtare, si Gjermania dhe Franca, janë zemëruar me partnerët dorëdhënës dhe duan të vënë kontroll mbi sjelljet e tyre.

Por, për çfarë lloj kontrolli bëhet fjalë?

Rëndom, thirrjet për kontroll marrin formën e nxitjes së vendeve të dobëta për të kryer reformat e tyre ekonomike, nëse duan ndihmë.

Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Zhan Klod Trihet, shpjegon më shumë:

“Pakti për stabilitet dhe rritje është i domosdoshëm në zonën e euros. Ne nuk kemi federatë politikë apo federatë monetare. Andaj, duhet të bëjmë një kontroll të hollësishëm të sistemit mbi të cilin funksionon politika buxhetore”.

Por, thirrjet e tilla për përgjegjësi fiskale gjithnjë e më shumë po shoqërohen me kërkesat për atë që Trihet thotë se mungon.

Bëhet fjalë për një lloj integrimi më të afërt ekonomik dhe politik që do ta shtynte BE-në në drejtim të një super-fuqie, të aftë për t’iu imponuar politika anëtarëve të saj.

Gjatë takimit të tyre të fundit, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Nikolas Sarkozi, nuk e kanë mbështetur idenë që Eurozona të veprojë si shtet, duke lëshuar madje bono të përbashkëta, të quajtura euro-bono.

Euro-bonot mund të imagjinohen një ditë, por në fund të procesit të integrimit evropian, e jo në fillim.

“Euro-bonot mund të imagjinohen një ditë, por në fund të procesit të integrimit evropian, e jo në fillim”, kishte thënë Sarkozi.

Euro-bonot do të ishin bono të mbështetura nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe shtetet e goditura nga kriza do të mund t’i përdornin ato për të marrë hua me norma të favorshme të interesit.

Aktualisht, qeveritë e dobëta si Greqia duhet të paguajnë interes të madh për të marrë hua, ndërsa shtetet e forta si Gjermania paguajnë shumë më pak.

Ekonomisti Zhan Pisani Feri ndan këtë mendim në lidhje me euro-bonot:

“Të krijosh euro-bono do të thotë t’iu japësh qasje taksapaguesve tuaj në vendet tjera. Në kushtet e sovranitetit, kjo është një çështje madhore sepse baza tatimore është thesari i një vendi sovran. Andaj, ju nuk dëshironi ta bëni atë nëse nuk keni garanci jashtëzakonisht të forta që partnerët tuaj do të veprojnë”.

“Nëse partnerët tuaj fillojnë lëshimin e borxhit dhe nuk janë në gjendje ta paguajnë atë, atëherë ata kthehen kah taksapaguesit e juaj dhe u thonë: është radha juaj të paguani. Kjo nuk është diçka e pranueshme”, thotë Feri.

Në këtë atmosferë të pakëndshme, Eurozona do të duhej të zgjidhte atë që është më pak e pakëndshme: të lëvizë rrugën e integrimit ekonomik dhe politik, ose ta quajë euron një eksperiment të dështuar dhe t’iu kthehet monedhave kombëtare./bota sot

899 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Gjykata Kushtetuese gjermane nuk shprehet rreth Greqisë

| Botë, Ekonomi | 8 September 2011

Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë hodhi poshtë kërkesat për dhënien e mendimit lidhur me pjesëmarrjen e shtetit në paketat ndihmëse për Greqinë dhe për shtete të tjera të euro-zonës së trazuar.

Mirëpo, gjykata vendosi që qeveria gjermane të kërkojë aprovimin e komiteti për buxhet të parlamentit para dhënies së ndonjë ndihme në të ardhmen.

Parlamenti gjerman ka mbështetur pjesëmarrjen e Gjermanisë në paketën ndihmëse për Greqinë në maj të viti 2010 për ta shmagur situatën që ky shtet të mos paguajë borxhin e vet me kohë, sikurse dhënien e një ndihme prej 440 miliardë eurosh për të ndihmuar vendet e euro-zonës që janë zhytur në borxhe./bota sot

1,063 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Finlanda, pengesë të re për miratimin e huas për Greqinë

| Botë, Ekonomi | 1 September 2011

Finlanda ka krijuar një pengesë të re për miratimin e huas prej 158 miliardë dollarësh që synon të shpëtojë sistemin financiar të Greqisë, duke i kërkuar Athinës që të garantojë investimin e saj në Greqi.

Rreth një muaj më parë, 17 vendet e Eurozonës ranë dakord t’i japin Greqisë një paketë të dytë ndihmash, e dyta në këto dy vjet, për ta ndihmuar këtë vend të kapërcejë vështirësitë financiare. Por disa vende të Evropës veriore po japin shenja “lodhjeje” me këto paketa ndihmash ndërsa vihet re një shtim i kundërshtimit ndaj ndihmave për Greqinë, ose ndaj ndihmave të reja për vende me borxhe të mëdha si Italia apo Spanja.

Kundërshtimi më i madh ekziston në Finlandë. Qeveria e Helsinkit po përpiqet të arrijë një marrëveshje me Greqinë duke i kërkuar kësaj të fundit, të vendosë në një depozitë bankare rreth 2 miliardë dollarë, aq sa ç’është pjesa e Finlandës në paketën e ndihmave. Greqia do t’i rimerrte 2 miliardë dollarët në momentin që do të paguante huan dhe interesat e saj.

Koncepti i garantimit të ndihmave mes Finlandës dhe Greqisë është kritikuar nga vendet e tjera evropiane, që kërkojnë arritjen e një marrëveshjeje si grup i Eurozonës, për të treguar kështu mbështetje për Euron./bota sot

910 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Berluskoni, ndryshime planit të shkurtimeve financiare

| Botë, Ekonomi | 1 September 2011

Kryeministri italian Silvio Berluskoni pranoi t’i bëjë ndryshime planit të shkurtimeve financiare prej 65 miliard dollarësh. Kjo është përpjekja e tretë gjatë disa javëve të fundit për të balancuar buxhetin e vendit.

Plani i ri i njoftuar dje, përfshin masa kundër shmangies së tatimit mbi pronën dhe shtyrjen e daljes në pension për një pjesë të italianëve. Pak hollësi janë njoftuar se si do të funksionojnë këto masa shtrënguese.

Plani i ri nuk përfshin disa propozime të mëparshme që parashikonin shkurtime fondesh për pushtetin vendor. Hiqet gjithashtu propozimi për një taksë të veçantë ndaj njerëzve me të ardhura të larta.

Parlamenti kthehet nga pushimet javën e ardhshme dhe do të fillojë të shqyrtojë propozimet. Senati pritet ta hedhë në votë planin nga mesi i shtatorit./bota sot

822 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Kompanit franceze bëjnë thirrje që shteti t’ua shtojë taksat

| Botë, Ekonomi | 24 August 2011

Drejtuesit më të lartë të disa kompanive më të suksesshme në Francës, duke përfshirë L’Oreal, Total dhe Danone, kanë publikuar sot një letër në një revistë franceze dhe në internet, duke i bërë thirrje qeverisë t’ua shtojnë taksat atyre, në mënyrë që të lehtësojnë problemet financiare të vendit.

16 drejtuesit, duke përfshirë edhe krerët e fabrikave të veturave Peygeout-Citroen dhe Air France-KLM, thonë se “në një kohë kur deficitet publike dhe perspektiva e përkeqësimit të borxhit të qeverisë po kërcënojnë të ardhmen e Francës dhe Evropës, është e nevojshme të kontribuohet”.

Kjo thirrje erdhi, kur Qeveria e Francës pritet të paraqesë një listë të re, për shkurtim të deficitit./bota sot

1,163 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Gjermania në prag të recesionit?

| Botë, Ekonomi | 24 August 2011

Paniku në tregjet e aksioneve në mbarë botën për shkak të krizës së borxhit në zonën e euros dhe në SHBA mund të ndikojnë tek koniuktura në Gjermani.

Librat e porosive të shumë kompanive gjermane janë të mbushura plot. Impiantet e prodhimit punojnë me ngarkesë shumë të mirë, motori i eksportit punon, tregu i punës është duke u zhvilluar pozitivisht. Prodhuesit e automobilëve janë duke punuar deri në kufi të kapaciteteve, shumë konsumatorë duhet të presin me muaj për makinën e tyre të ëndërrave. Prodhuesit e makinerive, që përkrah industrisë së automobilëve, janë shtylla e dytë e ekonomisë gjermane raportojnë shifra jashtëzakonisht të mira porosish. Në mënyrë të ngjashme edhe industria kimike. Edhe këtu gjithçka është mirë! Por kur flet këto ditë me manaxherët dhe drejtuesit e kompanive gjermane në lidhje me turbullirat e vazhdueshme të tregut, të krijohet ideja, se këto nuk kanë të bëjnë me njëra-tjetrën.

Lajme të këqia

Megjithatë ato kanë të bëjnë me njëra-tjetrën. Sepse paniku në tregjet e aksioneve në mbarë botën ka arsye konkrete: Është kriza e borxhit në zonën e euros dhe në SHBA. Përveç kësaj prej ekonomisë më e madhe në botë vijnë aktualisht sinjale ekonomike mjaft negative. Dhe këto reflektohen edhe në ekonominë reale. Paralajmërimi i parë në Gjermani erdhi prej statisticienëve të ekonomisë në Wiesbaden, ku ka selinë Enti federal për Statistikat: Produkti i brendshëm bruto në tremujorin e dytë, krahasuar me katër muaj më parë, u rrit shumë pak, vetëm me 0,1 për qind.

A po frenon lokomotiva?

Një tjetër lajm i keq erdhi para disa ditësh nga banka e SHBA-ve Stanley Morgan. Ajo e uli parashikimin e saj për rritjen globale ekonomike dhe e përshkroi situatën në Evropë dhe SHBA si ” në prag të recesionit.” Por në rast se dobësohet ekonomia, në vendet në zhvillim për shembull, atëherë ekonomia e vendeve të orientuara nga eksporti do të vuajë shumë. Rënia e fortë e prodhimit ekonomik gjerman me rreth pesë për qind në vitin e krizës, 2009, është ende shumë e freskët në të gjitha mendjet tona. Meqë prodhimi ekonomik i Gjermanisë, përbën më shumë se një të katërtën e prodhimit të brendshëm bruto të të gjithë zonës së euros, është e qartë se si mund të përfundojnë gjërat.

Lajme të mira

Mundet por jo patjetër. Kështu, ekonomisti i njohur Clemens Fuest, Universiteti i Oksfordit, sheh “një dobësim të rritjes ekonomike.” Por faktet flasin kundër rrënimit të ekonomisë, shkruan gazeta “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” duke cituar ekonomistin. Megjithatë Joachim Fels, ekonomisti kryesor i Morgan Stanley, e vlerëson rrezikun e një recesioni në Gjermani me 25 për qind. Për gazetën “Welt am Sonntag” ai tha: “tregjet e dobëta e dobësojnë koniunkturën, e cila nga ana e saj rëndon tregjet. Ky është një rreth vicioz nga i cili nuk ka mënyrë të lehtë për të dalë jashtë.” Kjo u kundërshtua nga kancelarja gjermane. Angela Merkel tha të dielën (21/08/2011) në ZDF, se nuk sheh asgjë që do të fliste për një recesion në Gjermani. Edhe Dieter Hundt, kreu i shoqatës së punëdhënësve gjermanë argumentoi gjithashtu në këtë drejtim. Hundt tha për “Hamburger Abendblatt” se ai pret këtë vit një rritje prej më shumë se tre për qind. Edhe Agjencia Federale e Punësimit vazhdon të qëndrojë në vlerësimin e saj. Vërtet ka rreziqe të reja, i tha shefi i agjencisë Frank-Jürgen Weise dpa-së, por në tregun e punës parashikohet një trend pozitiv deri nga viti i ardhshëm.(dw)/bota sot

1,119 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Vazhdojnë të bien aksionet e tregjeve evropiane bien

| Botë, Ekonomi | 23 August 2011

Aksionet në tregjet evropiane kanë vazhduar të bien, duke iu afruar nivelit të vlerës më të ulët në dy vjetët e fundit.

Indeksi i aksioneve më të forta evropiane FTSEurofist ka rënë në mëngjes për 0.4 për qind, pasi të premten që shkoi ka humbur 1.7 për qind të vlerës.

I njëjti ka rënë pothuajse për 16 për qind që nga fillimi i muajit, çfarë është rënia më e madhe mujore që nga viti 1999, kur edhe është themeluar.

Aksionet e kompanive të automobilave janë në mesin e atyre atë që kanë shënuar humbjet më të mëdha.

Indeksi i përgjithshëm i prodhuesve evropianë të makinave, këtë mëngjes, ka humbur 1.4 për qind të vlerës, ndërsa prodhuesi i makinave luksoze “BMW” ka rënë me 3.1 për qind./bota sot

820 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Merkel kërkon një kontroll të rreptë buxhetor nga Brukseli

| Botë, Ekonomi | 20 August 2011

Duke patur parasysh krizën e borxheve në Evropë, kancelarja gjermane Angela Merkel është shprehur për një politikë konsekuente kursimesh dhe për kontrollin efektiv të buxheteve kombëtare nga autoritetet e BE. Ne kemi nevojë për një ligj evropian që të detyrojë shtetet të respektojnë kriteret e stabilitetit, tha kancelarja në Hameln në kongresin e Unionit Kristian Demokrat të landit të Saksonisë së Poshtme.

I nevojshëm është angazhimi i parlamenteve kombëtare, me qëllim që ato të miratojnë buxhetet e tyre para miratimit në Bruksel. Nëse ato nuk plotësojnë kriteret e paktit të stabilitetit, duhet t’i përmirësojnë, tha Merkel.

Vendosjen e obligacioneve të përbashkëta evropiane, kryetarja e qeverisë gjermane e refuzoi përsëri kategorikisht. Ky do të ishte një “kolektivizim i borxheve”, që do të çonte në të tatëpjetë./bota sot

1,002 shikime gjithsej, 2 shikime sot

A do të ndikojnë mbi SHBA-të problemet evropiane të borxhit?

| Botë, Ekonomi | 18 August 2011

Shifrat e reja tregojnë se rritja ekonomike në 17 vendet që përdorin euron u ngadalësua mjaft midis muajve prill dhe qershor. Ekonomistët thonë se rritja anemike në Evropë gjatë tremujorit të dytë po i rëndon problemet e saj të borxhit. Por ekspertët thonë gjithashtu se ngadalësimi në Evropë mund të ketë pasoja të rënda edhe për ekonominë amerikane.

Shqetësimet për ngadalësimin ekonomik në Evropë shkaktuan rënien e çmimeve të aksioneve në Uoll Strit pas rritjes që zgjati tri ditë. Ekonomia gjermane, e cila shihet si motori i eurozonës, u rrit vetëm 0.1 për qind në tremujorin e dytë.

Eksperti Xhefri Sika thotë se rritja e dobët në Gjermani i komplikon më tej problemet e borxhit evropian. “Pyetja është se, nëse ekonomia gjermane ndalet, meqenëse ajo është lojtari më i fortë, si do të reagojnë lojtarët më të dobët? Unë mendoj se problemet në sistemin bankar, në bankat evropiane, sidomos në Spanjë dhe Itali, do t’i gërryejë pak nga pak këto ekonomi.”

Thirrjet për unitet më të madh ekonomik dhe politik të martën nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy nuk i zbutën dot shqetësimet.

Analisti gjerman Robert HALVER thotë se investitorët duan të dinë se çfarë kanë në plan të bëjnë tani udhëheqësit. “Në vështrimin afatgjatë gjërat duken bukur por duhet t’i kushtojmë vëmendje zgjidhjes afat shkurtër.”

Fitimet e arritura nga korporatat në Shtetet e Bashkuara ndihmuan zbuteshin disa nga shqetësimet në Uoll Strit. Por, Sika thotë se amerikanët rrezikojnë veten kur i shohin me mospërfillje problemet e Evropës.

“Edhe pse disa e ndjejnë veten mirë nga kjo mospërfillje, sa më shumë të shohin ata ndërvarësinë e bankave evropiane me ato amerikane, aq më shumë të ngjarë ka që ata të fillojnë të shqetësohen.”

Analistët thonë se nëse kriza evropiane e borxhit përhapet përtej Greqisë dhe Portugalisë, atëherë vende të tjera si Italia dhe Spanja mund të kenë probleme për të marrë hua. Normat e larta të interesit mund t’i bëjnë ato të paafta të paguajnë këstin e borxhit dhe kjo mund të çojë në një krizë tjetër bankare, duke e zhytur ekonominë globale në një recesion të ri.

Sipas Sikas, nëse udhëheqësit e Evropës nuk zgjidhin krizën e borxhit, tregjet financiare ka të ngjarë të qëndrojë në minus për pjesën tjetër të vitit.

“Unë mendoj se Evropa do të bëhet përsëri problem dhe kjo do të komplikojë më tej ngadalësimin tonë ekonomik, duke e kthyer këtë në një vit të vështirë për investitorët.”

Një numër në rritje ekspertësh po kërkojnë një Eurobond të përbashkët për eurozonën për të parandaluar normat e larta të interesit që i bënë Greqinë, Portugalinë dhe Irlandën të kërkonin shpëtim financiar. Disa thonë, gjithashtu, se kjo mund të rrisë koston e huamarrjes edhe për vendet e tjera të eurozonës./bota sot

1,035 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Nuk përjashtohet kriza ekonomike në Shqipëri

| Ekonomi, Shqipëri | 18 August 2011

Nuk është rasti të flasim për një krize të modelit grek në ekonominë shqiptare, por ekspertët e fushës nuk e përjashtojnë praninë e saj në Shqipëri. Zef Preçi, i cili drejton Qendrën për Studime Ekonomike, thotë se si pasojë, vendi do te ketë ritme më të ulëta të rritjes ekonomike, krahasuar me dy vite më parë.

“Sinteza e ndikimit të krizës, mbetet ngadalësimi i rritjes ekonomike brenda vendit”, thotë ai.

Përfaqësuesi i konfindustrisë shqiptare Gjergj Buxhuku, liston disa sektorë të prekur rëndë nga kriza.

“Industria e ndërtimit dhe të gjitha industritë që prodhojnë materiale ndërtimi, janë të prekura rëndë nga pasojat e krizës”, shprehet Buxhuku.

Por, Preçi thotë se është rasti për të shfrytëzuar shanset pozitive që mund të prodhojë vetë kriza.

“Në rastin tonë, unë nuk shoh ngjashmëri nga pikëpamja e strukturës ekonomike të vendit tonë në vendet përreth. Kjo bën që efektet e krizës të jenë kontroverse, për shembull, Shqipëria ka vite, që një pjesë të konsiderueshme të tokës bujqësore e ka djegë. Një aspekt pozitiv i krizës do të ishte kthimi i vëmendjes në shfrytëzimin e këtij aseti të rëndësishëm, për zhvillim, për mbajtjen gjallë të frymës të një pjese të shoqërisë, por edhe për prodhimin e brendshëm për treg”, thotë Preçi.

Në një mendje është edhe Buxhuku, kur thotë se është momenti të evidentohen sektorët konkurrues, jo vetëm në ekonominë vendase, por edhe në atë rajonale e evropiane.

“Ka ardhur momenti që të kemi një ristrukturim të ekonomisë shqiptare. Këta sektorë të cilët nuk janë efektivë afatgjatë, duhet të reduktojnë prodhimin e tyre, duhet të orientohen në burimet dhe kapitalet drejt sektorëve të ekonomisë, të cilët janë më fitimprurëse. Ekonomia shqiptare i ka të gjitha mundësitë që përfundimisht të jetë pjesë përbërëse organike e ekonomisë evropiane”, bën të ditur ai.

Edhe këtë vit, Qeveria e Shqipërisë hartoi një plan masash për të reduktuar efektet e krizës globale. Preçi i cilëson si masa të domosdoshme të ndërmarra nga qeveria, që konsistojnë në shkurtim të shpenzimeve dhe kontroll të borxhit publik.

“Italia apo Greqia mund t’ia lejojnë vetes luksin që të kenë një borxh shumë më të madh se kapaciteti, sepse kanë një fuqi reaguese dhe kanë mbështetjen e Bankës Qendrore Evropiane dhe Bashkimit Evropian, gjë që nuk është në rastin e Shqipërisë. Shqipëria do të detyrohet të kontrollojë shpenzimet publike për të parandaluar rritjen e borxhit publik”, shprehet ai.

Por, Buxhuku ofron një qasje tjetër ndaj masave te ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Ai thotë se ato dëshmojnë frikë ndaj situatës dhe janë më shume të imponuara nga institucionet financiare ndërkombëtare, siç është FMN-ja. Sipas tij, nuk ka arsye të reduktohen investimet në një kohë kur vendi ka nevojë të zhvillohet.

“Ne kemi rajone të tëra të Shqipërisë, të cilat praktikisht, janë jashtë tregut për shkak të infrastrukturës. Pra, nuk mundemi ne tej mase të kufizojmë shpenzimet qeveritare, sidomos investimet me karakter publik, për arsye se ne në këtë mënyrë do të bllokonim zhvillimin e ekonomisë shqiptare, për të cilën po punojmë të gjithë, dhe shpresojmë të gjithë. Dhe, detyrimisht ne duhet t’i kryejmë disa investime, qoftë edhe në shpinën e një borxhi që do të jetë edhe më i rritur, sepse ne i kemi të gjitha mundësitë për ta kthyer këtë borxh”, deklaron Buxhuku.

Situata ekonomike në Shqipëri ka qenë shpesh temë për debat mes pozitës dhe opozitës.

Pozita thotë se po zbaton politika që garantojnë stabilitet makroekonomik, ndërsa opozita akuzon shpesh qeverinë për rritje të borxhit dhe deficitit buxhetor, e për pasojë, vënie të vendit në vështirësi të mëdha ekonomike./bota sot

1,625 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Faqja 1 of 3123