Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Gjykatat në telashe me bankat

| Ekonomi, Kosovë | 14 August 2011

Foto: Driton Bublaku

Moszbatimi i vendimeve të gjykatave nga bankat komerciale në vend është duke u rritur dita ditës. Gjykatat po përballen me probleme të shumta në zbatimin e aktgjykimeve drejtuar bankave komerciale dhe institucioneve mikrofinanciare.

Instituti për hulumtime “GAP” ka vërejtur se vendimet e gjykatave që kërkojnë transferimin e mjeteve nga llogaria e borxhliut në llogarinë e borxhdhënësit, ekzekutohen rrallë, apo fare, me gjithë faktin që këto vendime të gjykatave janë vendime definitive.

Gjatë hulumtimit Instituti “GAP” ka vërejtur se fillimisht bankat nuk u janë përgjigjur fare aktvendimeve në gjykata. Por, me kalimin e viteve numri i bankave që u janë përgjigjur gjykatave mbi vendimet ekzekutive është rritur.

“Megjithatë bankat nuk shihet të jenë bashkëpunuese me gjykata, sidomos me Gjykatën Ekonomike të Kosovës e cila merret kryesisht me vendimet ekzekutive për bizneset, të cilat përfshijnë shuma ta mëdha të parave. Në përgjigjet e bankave kryesisht thuhet se ‘debitori (klienti i cili ka borxh) nuk ka xhirollogari në bankë’, apo se ‘debitori nuk ka mjete të mjaftueshme në xhirollogari për ekzekutimin e vendimit’”, thuhet në raportin GAP-it.

Më tej në hulumtim thuhet se sipas përfaqësuesve të gjykatave situata e tillë është e papranuar dhe joreale, meqenëse është e pamundur që bizneset e mëdha të mos kenë qarkullim në asnjërën nga bankat.

Hulumtuesit e GAP-it kanë vërejtur se situatë e tillë figuron edhe nëpër gjykata komunale të cilat kryesisht merren me kredi të ekonomive familjare, por që në këto gjykata problem tjetër i rëndësishëm mbetet edhe shitja e kolateralit nga kredimarrësi.

“Meqenëse kolaterali nuk shënjohet si i tillë, kredimarrësi mund ta shesë atë me lehtësi, gjë që edhe ndodh, andaj kur kredimarrësi nuk është në gjendje të paguajë kreditë, kthimi i saj përmes kolateralit është pothuajse i pamundur. Gjithashtu, sipas gjykatave, problem është edhe mënyra e raportimit, e cila nuk është konform“, thuhet në hulumtim.

Më tej GAP ka analizuar se me qëllim të përmirësimit të raportit gjykata-banka dhe zbatueshmërisë efektive të dispozitave ligjore të Ligjit për Procedurën Përmbarimore, BQK më 26 janar 2011 lëshoi një udhëzim, i cili u fuqizua që nga muaji shkurt 2011, rezultatet e para të të cilave priten të vlerësohen në fund të këtij viti.

Sipas GAP-it, udhëzimi në fjalë parasheh njoftimin e BQK-së për çdo aktvendim të gjykatave si dhe përgjigje të detajuar nga banka për klientin dhe xhirollogarinë e tij, përfshirë edhe transaksionet 30 ditë para datës së aktvendimit.

“Për më tepër neni 4.6 i këtij udhëzimi parasheh edhe ndëshkime për bankat komerciale dhe institucionet mikrofinanciare nëse nuk i përgjigjen me kohë dhe në procedurë të rregullt gjykatave kompetente”, thuhet në hulumtim.

Në fund GAP vlerëson se normat e kredive mbeten të larta edhe më tutje. Bankat e kanë të vështirë të funksionojnë në një ambient afarist dhe politik i cili nuk respekton ligjet në fuqi dhe gjykatat nuk kryejnë punën e tyre.

Por në anën tjetër, edhe bankat kanë shfrytëzuar këtë ambient, duke mos respektuar vendimet e gjykatave. Marrëdhëniet banka-gjykata duhet të përmirësohen. Sipas GAP-it, bankat duhet të respektojnë vendimet e gjykatave, si dhe gjykatat të jenë më efektive në rastet kur kanë të bëjnë me kthimin e kredive, apo kolateralin.

Përmirësimi i marrëdhënieve banka-gjykata, sipas GAP-it, do të ulë rrezikun për kthimin e kredive, e cila më pas do të mundë të ndikonte në uljen e normave të interesit të kredive, nga e cila do të përfitonin të gjithë qytetarët. GAP vlerëson se institucionet publike nevojiten që t’u krijojnë bankave ambient të përshtatshëm të të bërit biznes.

Në hulumtimin e GAP-it shihet se në vitin 2001 gjykatat i kanë dërguar në banka dy lëndë, ku për njërën lëndë nuk ka marrë përgjigje nga banka. Ndërkaq, për lëndën tjetër gjykata ka marrë përgjigje nga banka se “klienti nuk ka xhirollogari” në bankë.

Ndërkaq, në vitin 2009 gjykatat kanë dërguar 33 lëndë në banka, ku për 10 nuk ka marrë fare përgjigje. Ndërkaq për 23 lëndë të tjera, po ashtu gjykata ka marrë përgjigje se “klienti nuk ka xhirollogari”./zeri

950 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Banka Ekonomike me bankomatin me të avancuar

| Ekonomi, Kosovë | 7 August 2011

ekonomi96

Banka Ekonomike për herë të parë në tregun kosovar ofron bankomatin me të sofistikuar për të gjithë klientët, ku përveç tërheqjes do të kenë mundësi edhe deponimin e mjeteve.

Ky është shërbimi më i ri që Banka Ekonomike ka lansuar për klientët, duke u përpjekur që t’ju lehtësojë gjithmonë e më shumë qasjen në përditshmërinë bankare.

“Ky shërbim është vetëm vazhdim i synimit të bankës për të ofruar produkte dhe shërbime të reja në tregun bankar”, tha Valon Lluka, drejtor i përgjithshëm në Bankën Ekonomike.

Bankomati i cili mundëson edhe deponimin e mjeteve është i vendosur në Albi Mall, ofron qasje dhe mundësi klientëve për t`i kryer shërbimet e tyre 24 orë. /Telegrafi/

1,028 shikime gjithsej, 2 shikime sot