Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Gjatë korrikut, bankat shënuan rritje të fitimit (VIDEO)

| Botë, Ekonomi | 10 September 2011

Në muajin korrik bankat në Shqipëri kanë shënuar një rritje të fitimit. Megjithatë, fitimi i bankave është më i ulët, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave të Shoqatës shqiptare të bankave, vijojnë të mbeten problem, kreditë e këqija, të cilat rrisin edhe më tepër shpenzimet e sistemit bankar./bota sot

821 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Në pritje të vendimit të AKK-së për gjoba ndaj bankave

| Ekonomi, Kosovë | 5 September 2011

Pavarësisht konkurrencës dhe hyrjes së bankave të reja në tregun e Kosovës, normat e interesit të kredive vazhdojnë të mbeten në shkallë mjaft të lartë, gjë e cila ka ngritur dyshimet për një marrëveshje të fshehtë. Ndonëse ishte pritur që në pjesën e parë të këtij viti, Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës (AKK) të dalë me vendim për të gjobitur bankat apo jo, një gjë të tillë ende nuk ka ndodhur.

Drejtuesit e AKK-së mohojnë të kenë pasur presione të ndryshme lidhur me këtë, pasi që sipas tyre vendimi do të merret pasi që bankat të japin arsyet për shkallën e lartë të kamatës. Nga ana e saj, opozita nuk dyshon për atë që nuk ka marrëveshje mes bankave, por për këtë fajin ia hedhin institucioneve të vendit, që sipas tyre janë të involvuara në normat e larta të interesit të kredive.

Kryetari i AKK-së, Osman Ejupi ka thënë përmes telefonit për Kosovapress se dëshirojnë që të ulen në tryezë me drejtuesit e bankave dhe të bisedojnë më konkretisht, se pse janë këto norma të interesit të larta në Kosovë krahasuar me vendet në rajon.

Ejupi thotë se bankat duhet të japin arsyet se pse janë kreditë më të lartat në rajon dhe pse kanë normën më të ultë të depozitit të interesit, dhe për atë se pse dy banka zotërojnë 70 për qind të tregut kosovar. Sipas tij, pas kësaj pritet të merret vendimi për gjobitjen e bankave.

Madje ai ka bërë një krahasim, duke thënë se interesat në depozita janë 5 për qind, ndërsa interesat në marrjen e kredisë janë 16 për qind, për kredi 12 mujore. Diferenca është 11 për qind që sipas Ejupit është 300 për qind më e lartë se në rajon, ndërkaq në Kosovë janë 8 banka.

Në Shqipëri, ku operojnë 23 banka, interesat për depozita janë 3.3 për qind, ndërsa interesat për kredi janë 7.4 për qind, për periudhë 12 mujore, që është gati tri herë më e vogël.

Ndërkaq në Mal të Zi interesat në depozita janë 5.5 për qind, kurse në kredi 9.5 për qind dhe ndryshimi është 4 për qind. Edhe këtu bëhet fjalë për një periudhë 12 mujore, kurse në këtë shtet operojnë 17 banka.

Për më tepër, Ejupi thekson se këtyre ditëve është nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi mes Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës dhe Bankës Qendrore të Kosovës, me qëllim të shkëmbimit të informacioneve, duke tentuar një treg të barabartë për gjithë operatorët ekonomik. Ai ndërkaq mohon të ketë pasur presione që mos të dalin me vendim për gjobitjen e bankave.

“Ne nuk kemi presione, por ne sipas ligjit çështjen e politikës financiare në Kosovë të bëjmë publike dhe t’i kyçim edhe akterët kryesor si Ministrinë e Financave dhe BQK-në, që të jenë të vetëdijshëm, se ata po abuzojnë më pozitën e tyre dhe po e dëmtojnë konsumatorin”, ka thënë Ejupi.

Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se normat e interesit janë mjaft të larta në tregun e Kosovës, të cilat pavarësisht konkurrencës dhe pavarësisht hyrjes së bankave në treg nuk po ulen, e që është një material i bazuar se këtu mund të ketë një marrëveshje.

Sipas Ymerit ky institucion është lënë jashtë interesit të Qeverisë, duke shtuar se kjo është e dëmshme për një ekonomi të tregut të lirë, çfarë po synon Kosova.

Deputeti i Vetëvendosjes vlerëson që presioni që bankat mund t’ia bëjnë këtij Autoriteti është i natyrshëm, pasi siç ka thënë ai bankat kanë qarkullim të madh vjetor dhe po ashtu dënimet mund të jenë të mëdha.

“Natyrisht, është në interes të bankave që të ushtrojnë presion, nuk e di tash se a ka presion apo jo, se nuk kam informata për një gjë të tillë. Por po që se ka marrëveshje mes bankave, një marrëveshje e cila është kundër rregullave të tregut të lirë, atëherë këto banka do të kishin interes për të ushtruar një presion të tillë me qenë se përfitimet që i nxjerrin ato në Kosovë janë shumë të larta me nivelin e qarkullimit dhe shumën e depozitave që i kanë nëpër llogaritë e tyre”, ka theksuar Ymeri.

Por ai mendon që edhe zyrtarët qeveritar janë të involvuar në këto norma të larta të interesit dhe këtu është arsyeja pse nuk ka ulje të normave të interesit për kredi.

“Ka eksponentë brenda qeverisë, ka ministra të cilët janë të përfshirë dhe të cilët kanë edhe biznese të veta dhe në këtë drejtim është në interes të tyre që tregu të mos funksionojë aq mirë, meqë janë në pozitë të manipulojnë tregun dhe të përfitojnë nga ky manipulim i tregut. Ne e dimë dhe kjo është sekret publik që një pjesë e konsiderueshme e qeverisë kanë edhe biznese private, ose janë të lidhur me biznese private”, ka thënë Ymeri.

Nga ana tjetër, Haki Shatri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerëson se të gjithë e dinë për një marrëveshje mes bankave, pasi që deri më tash nuk ka pas ulje të normave të interesit.

“Në opinion dihet që ka një lloj marrëveshje mes bankave lidhur me normën e kamatave edhe me plasimin e kapitalit. Ne e shohim nga vetë gjendja që i marrim nga raportet e Bankës Qendrore. Janë depozita të shumta të qytetarëve që flenë në bankat afariste, ato po shkojnë duke u rritur vit për vit, ndërsa mjetet plasmane të bankave nuk po rriten ose kanë stagnuar në nivel shumë të ultë. Në të njëjtën kohë kamatat shumë të larta për kreditë që i jepen ekonomisë”, ka theksuar Shatri.

Në bazë të ligjit të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës parashihen dënimet 10 për qind të qarkullimit vjetor që kanë bankat. Edhe pse 12 vjet pasluftës gjithmonë është folur për norma të larta të interesit për kredi, ato nuk kanë ndryshuar pothuajse aspak.

Kjo ka bërë që shumë herë të ankohen bizneset, në pamundësi për t’i kthyer kreditë. Madje, ka shumë biznese që kanë falimentuar për shkak të kredive, të cilat nuk kanë mund t’i kthejnë.

Kosova llogaritet që ka normat e interesit për kredi më të lartat në rajon, ndërsa normat e interesit për depozita që i posedon të vogla./bota sot

913 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Gjykatat në telashe me bankat

| Ekonomi, Kosovë | 14 August 2011

Foto: Driton Bublaku

Moszbatimi i vendimeve të gjykatave nga bankat komerciale në vend është duke u rritur dita ditës. Gjykatat po përballen me probleme të shumta në zbatimin e aktgjykimeve drejtuar bankave komerciale dhe institucioneve mikrofinanciare.

Instituti për hulumtime “GAP” ka vërejtur se vendimet e gjykatave që kërkojnë transferimin e mjeteve nga llogaria e borxhliut në llogarinë e borxhdhënësit, ekzekutohen rrallë, apo fare, me gjithë faktin që këto vendime të gjykatave janë vendime definitive.

Gjatë hulumtimit Instituti “GAP” ka vërejtur se fillimisht bankat nuk u janë përgjigjur fare aktvendimeve në gjykata. Por, me kalimin e viteve numri i bankave që u janë përgjigjur gjykatave mbi vendimet ekzekutive është rritur.

“Megjithatë bankat nuk shihet të jenë bashkëpunuese me gjykata, sidomos me Gjykatën Ekonomike të Kosovës e cila merret kryesisht me vendimet ekzekutive për bizneset, të cilat përfshijnë shuma ta mëdha të parave. Në përgjigjet e bankave kryesisht thuhet se ‘debitori (klienti i cili ka borxh) nuk ka xhirollogari në bankë’, apo se ‘debitori nuk ka mjete të mjaftueshme në xhirollogari për ekzekutimin e vendimit’”, thuhet në raportin GAP-it.

Më tej në hulumtim thuhet se sipas përfaqësuesve të gjykatave situata e tillë është e papranuar dhe joreale, meqenëse është e pamundur që bizneset e mëdha të mos kenë qarkullim në asnjërën nga bankat.

Hulumtuesit e GAP-it kanë vërejtur se situatë e tillë figuron edhe nëpër gjykata komunale të cilat kryesisht merren me kredi të ekonomive familjare, por që në këto gjykata problem tjetër i rëndësishëm mbetet edhe shitja e kolateralit nga kredimarrësi.

“Meqenëse kolaterali nuk shënjohet si i tillë, kredimarrësi mund ta shesë atë me lehtësi, gjë që edhe ndodh, andaj kur kredimarrësi nuk është në gjendje të paguajë kreditë, kthimi i saj përmes kolateralit është pothuajse i pamundur. Gjithashtu, sipas gjykatave, problem është edhe mënyra e raportimit, e cila nuk është konform“, thuhet në hulumtim.

Më tej GAP ka analizuar se me qëllim të përmirësimit të raportit gjykata-banka dhe zbatueshmërisë efektive të dispozitave ligjore të Ligjit për Procedurën Përmbarimore, BQK më 26 janar 2011 lëshoi një udhëzim, i cili u fuqizua që nga muaji shkurt 2011, rezultatet e para të të cilave priten të vlerësohen në fund të këtij viti.

Sipas GAP-it, udhëzimi në fjalë parasheh njoftimin e BQK-së për çdo aktvendim të gjykatave si dhe përgjigje të detajuar nga banka për klientin dhe xhirollogarinë e tij, përfshirë edhe transaksionet 30 ditë para datës së aktvendimit.

“Për më tepër neni 4.6 i këtij udhëzimi parasheh edhe ndëshkime për bankat komerciale dhe institucionet mikrofinanciare nëse nuk i përgjigjen me kohë dhe në procedurë të rregullt gjykatave kompetente”, thuhet në hulumtim.

Në fund GAP vlerëson se normat e kredive mbeten të larta edhe më tutje. Bankat e kanë të vështirë të funksionojnë në një ambient afarist dhe politik i cili nuk respekton ligjet në fuqi dhe gjykatat nuk kryejnë punën e tyre.

Por në anën tjetër, edhe bankat kanë shfrytëzuar këtë ambient, duke mos respektuar vendimet e gjykatave. Marrëdhëniet banka-gjykata duhet të përmirësohen. Sipas GAP-it, bankat duhet të respektojnë vendimet e gjykatave, si dhe gjykatat të jenë më efektive në rastet kur kanë të bëjnë me kthimin e kredive, apo kolateralin.

Përmirësimi i marrëdhënieve banka-gjykata, sipas GAP-it, do të ulë rrezikun për kthimin e kredive, e cila më pas do të mundë të ndikonte në uljen e normave të interesit të kredive, nga e cila do të përfitonin të gjithë qytetarët. GAP vlerëson se institucionet publike nevojiten që t’u krijojnë bankave ambient të përshtatshëm të të bërit biznes.

Në hulumtimin e GAP-it shihet se në vitin 2001 gjykatat i kanë dërguar në banka dy lëndë, ku për njërën lëndë nuk ka marrë përgjigje nga banka. Ndërkaq, për lëndën tjetër gjykata ka marrë përgjigje nga banka se “klienti nuk ka xhirollogari” në bankë.

Ndërkaq, në vitin 2009 gjykatat kanë dërguar 33 lëndë në banka, ku për 10 nuk ka marrë fare përgjigje. Ndërkaq për 23 lëndë të tjera, po ashtu gjykata ka marrë përgjigje se “klienti nuk ka xhirollogari”./zeri

950 shikime gjithsej, 1 shikime sot