Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Rishfaqen ethet e arit në SHBA

| Botë, Ekonomi | 30 August 2011

Me rritjen e çmimeve të arit në botë, në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka lindur përsëri interesimi për kërkimin e floririt. Nga fundi i shekullit të 19, shteti i Virxhinias ka pasur një industri të lulëzuar për kërkimin dhe nxjerrjen e arit. Sot, në lumenjtë e Virginias qendrore ende mund të gjesh ar. Dhe kjo po josh shumë njerëz të blejnë pajisjet për kërkimin e arit. Por, të gjesh ar nuk është aspak e lehtë.

Tod Bonshire është menaxher në Monroe Park, një kamp i shekullit të 18 për kërkimin e arit por tashmë i restauruar në Goldvein. Me profesion historian, Tod u tregon vizitorëve për historinë e pasur të kërkimit të arit në këtë zonë dhe se si nxirret ai.

“Është e habitshme sa shumë njerëz kanë filluar të vijnë këtu për të blerë pajisjet dhe për të kërkuar ar. Sidomos tani që çmimi i arit ka shkuar në 1,800 dollarë për onz, interesi është shtuar shumë.”

Në vitin 1782, Tomas Xheferson shkruante se një burrë gjeti një copë kuarc me ar pranë Frederiksburgut, dhe ethet e arit u përhapën në të gjithë Virxhinian. Në fillim të shekullit të 19-të, këtu përreth kishte 19 miniera ari. Por gjatë Luftës së Dytë Botërore, ato u mbyllën sepse u panë pa leverdi.

Ari gjendet brenda shkëmbit të kuarcit, i cili shtrihet si një brez përgjatë pjesës lindore të vendit. Duhet të gërmosh disa ton kuarc për të gjetur disa onz flori brenda tij.

“Këtu është një e çarë dhe mund të shihni se aty brenda ka pirit; dikush e ka hapur gurin. Në të çara si kjo mund të gjesh ar, pra brenda një cope të madhe kuarci.”

Sot, njerëzit e kërkojnë ndryshe arin. Shiu dhe dëbora e kanë thyer kuarcin dhe kokrrizat e arit përzihen në rrymat e lumenjve.

“Duke e situr, materiali i lehtë mbetet sipër ndërsa materialet e rënda ku duhet të ndodhet ari dhe një substancë e quajtur rërë e zezë, me bazë hekurin, mbeten në fund.”

Ari është 19 herë më i rëndë se uji. Materialet me dendësi më të vogël dalin nga sita, duke lënë pas më të rëndat.

Por kërkimi nuk është i lehtë. Bill Oliver e bën këtë si një hobi tani që ka dalë në pension. Oliver është anëtar i Klubit për Kërkimin e Arit. Ai thotë se klubit iu shtuan 10 anëtarë të rinj në takimin e fundit, të gjithë në përpjekje për të përfituar nga rritja e çmimeve të arit. Por Oliver thotë se gjetjet e mëdha janë të rralla.

“Kurrë nuk dihet se kur mund të gjesh një copë të madhe. Askush nuk ka gjetur të tillë këtu në 10 vjetët e fundit, por, sigurisht të tilla ka, vetëm se nuk i kemi gjetur.”

Ai thjesht e sheh kërkimin si mundësi për t’ju gëzuar natyrës.

“Unë ndoshta nuk kam gjetur as 20 dollarë ar vitin e kaluar. Nuk është një hobi që të sjell para. Në Virxhinia duhet të shpenzosh për të blerë pajisjet dhe ato para nuk i nxjerr kurrë. Ata që fitojnë, janë ata që shesin pajisjet”, thotë Bill Oliver.

Shumica thjesht vijnë për emocionin që të jep kërkimi. “Kam gjetur një copë.” “Është amazonit.”

Të gjithë jetojnë me ëndrrën se një ditë mund të gjejnë copën e madhe të arit./bota sot

1,189 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Çmimi i arit shënon rekord të ri

| Botë, Ekonomi | 23 August 2011

Çmimi i arit ka shënuar një rekord të ri, i cili ka shkuar në 1900 dollar për onc. Analistët mendojnë se kriza ekonomike në Evropë dhe frika e ekonomisë amerikane i ka shtyrë investitorët të rrisin kërkesën e tyre drejt arit. /bota sot

1,111 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Kosova 2.5 tonelata ar në Serbi

| Ekonomi, Kosovë, Rajon | 17 August 2011

Serbia i prin listës së vendeve të rajonit me rezerva të arit, në kohën kur ky metal i çmueshëm ka arritur çmimin më të lartë në histori me mbi 1817 dollarë për oncë.

Sipas një analize të publikuar të këshillit botëror për ar, sa u përket rezervave me këtë metal të çmueshëm, Serbia ka 13.1 tonelata ar në rezerva shtetërore dhe mban vendin e 59, Sllovenia ka vendin e 79-të me 3.2 tonelata ari, Shqipëria radhitet në vendin e 92-të me 1.6 tonelata ari.

Vendet tjera, si Kroacia, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia, Kosova fare nuk përmenden në raport.

Kosova aktualisht nuk raportohet se ka rezerva të arit as në Bankën Qendrore.

Në pasqyrat e fundit financiare të vitit të kaluar të BQK-së nuk figuron se vendi ka rezerva të arit, përpos rezervave monetare në euro.

“Në Bankën Qendrore të Kosovës nuk ka rezerva të arit”, konfirmon për gazetën “Zëri” një zyrtar i lartë i Bankës Qendrore, i cili nuk preferon të flasë me emër.

Nga ana tjetër, ekspertët e ekonomisë thonë se rezervat e arit Kosova i ka pasur në kuadër të pronës së përbashkët të ish-Jugosllavisë, të cilat edhe më tutje vazhdon t’i shfrytëzojë Serbia.

Muhamet Sadiku, ekspert i ekonomisë, thotë për “Zërin” se Kosova duhet t’i hyjë procesit të sukcesionit me Serbinë, për ndarjen e pasurisë së përbashkët të ish-Jugosllavisë, si dy shtete të pavarura.

Ai bën të ditur se çelës për ndarjen e pasurisë së përbashkët të ish-Jugosllavisë, ka mbetur në ish-njësitë federale të Bruto Produktit.

Sadiku tregon sa ka qenë pjesëmarrja e Kosovës në Bruto Produktin e ish-Jugosllavisë.

“2.1 për qind ka qenë pjesëmarrja e Kosovës në Bruto Produktin e ish-Jugosllavisë”, pohon Sadiku.

Eksperti Sadiku rekomandon që Qeveria e Kosovës duhet ta organizojë një konferencë ndërkombëtare të suksesionit me Serbinë, në të cilën do të ftoheshin të gjitha njësitë federale të ish-Jugosllavisë.

Sipas Sadikut, Serbia i mban edhe më tutje pa të drejtë dhe i shfrytëzon rezervat e arit të Kosovës. “Serbia edhe më tutje vazhdon ta mbajë dhe ta shfrytëzojë kulaçin e rezervave të arit të Kosovës. Nga rezervat e përgjithshme të arit të Serbisë, Kosovës duhet t’i takojnë së paku 20 për qind të atyre rezervave”, shprehet Sadiku.

Përndryshe, arsye kryesore për mbajtjen e rezervave të arit është se në kohët të zhvillimeve jostabile ekonomike, ai ruan vlerën e pasurisë, madje edhe mund të sjellë fitime shtesë.

Këtë filozofi investuese e aplikojnë të gjitha bankat qendrore të botës, të cilat në vitin 2004 në trezorët e tyre kishin të deponuar 19 për qind të rezervave botërore të arit. Këtë rregull e përcjellin edhe kompanitë investuese, të cilat 10 për qind të parave dhe të pasurisë së klientëve të vet e investojnë në ar.

Situata e trazuar në tregjet e financimit, ku indekset u zhvlerësuan javën e kaluar me 4% rritën vlerën e arit në tregun fizik, në nivelin më të lartë në histori të 1 mijë e 813.79 dollarë për onz, ndërkohë që ari amerikan në tregun e ardhmërive u rrit në nivel rekord të 1 mijë e 817.60 dollarë për onz.

Rezervat shtetërore të arit

Serbia 13.1 tonelata ar

Sllovenia 3.2 tonelata ar

Shqipëria 1.6 tonelata ar
/zeri

1,848 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Ari kontrabandë

| Ekonomi, Kosovë | 17 August 2011

Importi i arit në Kosovë, vazhdon edhe më tej të futet përmes rrugëve ilegale, pasi që sasia e arit e zhdoganuar nga Doganat e Kosovës, konsiderohet shumë e vogël, në krahasim me arin që është shitur gjatë këtij sezoni, kur në vendin tonë është vlugu i dasmave.

Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci, thotë se nga 1 janari i këtij viti e deri më tash në Kosovë kanë hyrë 3.4 kilogramë ari nga Turqia, ku baza doganore ka qenë 74 mijë e 994 euro.

Ai tha se për ta importuar këtë ari, kompania ka paguar 7 mijë e 499 euro në emër të doganës, si dhe 13 mijë e 199 euro në emër të Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Ndërsa gjatë vitit që lamë pas në Doganat e Kosovës kanë zhdoganuar vetëm 330 gramë ari, ku baza doganore ka qenë 5013 euro.

Zyrtarë të Doganave të Kosovës thonë se tregtarë, por edhe individë përmes rrugëve ilegale mundohen ta fusin ilegalisht arin në Kosovë.

“Konform shënimeve në Doganë kemi pasur një deklarim të ulët gjatë këtij viti, gjithashtu kemi kapur edhe raste te tentim kontrabandës. Kurse dogana gjate këtij viti me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje permanente është duke bërë përpjeke që së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe Shoqatën e artarëve që të përfundojë problemi i deklarimit dhe kontrabandës së arit”, tha ai.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Shoqatës së Artareve të Kosovës vazhdojnë të këmbëngulin se ari në Kosovë nuk futet përmes rrugëve ilegale.

Enver Pakashtica, kryetar i kësaj shoqate, thotë se përpunuesit e arit aktualisht nuk janë duke e importuar asnjë gram ari. Ai tha se të gjithë artarët e blejnë arin e vjetër në Kosovë, e shkrijnë dhe më pas sërish e nxjerrin në treg atë.

“Kosova nuk ka kushte për import të arit të papërpunuar, pasi që dogana paguhet njëjtë sikurse me qenë ari i gatshëm. I gjithë ari nëpër artaritë e Kosovës është blerë nga qytetarët dhe më pas shitet sërish”, tha ai.

Përndryshe, gjatë vitit që lamë pas Dogana në bashkëpunim me Policinë e Kosovës gjatë një aksioni patën konfiskuar dhjetëra kilogramë ari nëpër artari, të cilin në vendin tonë e kishin futur ilegalisht./zeri

1,634 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Shesin arin e vjetër

| Ekonomi, Kosovë | 17 August 2011

Ngritja e vlerës së arit në bursën botërore ka ulur kërkesën në tregun e Kosovës për këtë metal të çmuar. Një gram ari në Kosovë, sipas arëtarëve, aktualisht blihet prej 20-32 euro dhe shitet deri në 40 euro për gram.

Rënia e shitjes, pas këtyre lëvizjeve, sipas Enver Pakashticës, kryetar i Shoqatës së arëtarëve dhe argjendarëve të Kosovës (ShAAK), ka ardhur si pasojë e ngritjes së vlerës së arit në bursën botërore, por edhe për arsye të tjera.

“Ndikim i rritjes së vlerës së arit në bursën botërore është shumë i madh edhe në tregun e Kosovës. Arsyeja kryesore në rënien e kërkesës për ar është edhe niveli i varfërisë në Kosovë, duke pasur parasysh që ari është produkt luksi”, thotë për “Zërin” Pakashtica.

Ai tregon se rënia e shitjes së arit i ka rrënjët edhe më thellë se sa vetëm rritja e vlerës së tij së fundi, pasi që, sipas tij, rritja e vlerës së arit ka filluar këto vitet e fundit.

Pakashtica thotë se pos rënies së shitjes, nuk është vërejtur edhe ndonjë rritje e numri të njerëzve që shesin ari, edhe pse ai tash paguhet më shtrenjtë.

“Njerëzit kanë shpenzuar në ari gjatë këtyre viteve sa është rritur vlera e tij, por edhe ata që kanë pasur ari për të shitur e kanë shitur deri më tash atë, në pjesën më të madhe. Pra, në njëfarë forme mund të themi se gati janë shteruar rezervat e arit tek ne”, thotë Pakashtica.

Edhe Bashkim Kaçiu, arëtar, thotë se ndryshimi i çmimit të arit në bursë ka ndikim edhe në tregun e Kosovës. “Çdo mëngjes bazohemi në çmimet e arit në bursë dhe varësisht prej lëvizjeve atje, edhe çmimet tona lëvizin këtu”, thotë Kaçiu.

Për dallim nga i pari ia arëtarëve në Kosovë, Enver Pakashtica, Kaçiu thotë se ka vërejtur një numër më të madh të njerëzve që shesin ari të vjetër.

“Tash pasi që është rritur vlera e arit, kam vërejtur edhe një rritje të interesimit të njerëzve për ta shitur atë. Praktikisht, ata që e shesin në këtë kohë, iu bie që të e shesin aq sa e kanë blerë shumë kohë më parë, pa humbur asgjë, apo në disa raste edhe më shtrenjtë se që e kanë blerë”, arsyeton Kaçiu rritjen e numrit të të interesuarve për shitjen e arit”, ka potencuar ai.

Kaçiu, pasi që merret edhe me shitjen e riparimin e argjendit, thotë se ndryshimet në tregun e arit kanë ndikuar që të rritet interesimi i blerësve për argjendin . Këtë interesim, ai e arsyeton me faktin që argjendi është shumë më i lirë se ari.

Kryetari i Shoqatës së arëtarëve dhe argjendarëve të Kosovës, Enver Pakashtica, thotë se ari i papërpunuar që importohet në Kosovë doganohet sikurse ari i përpunuar, me 27 % të vlerës së tij.

Pakashtica thotë se janë në konsultim me ministritë përkatëse që ligji të amendamentohet në këtë aspekt, që sipas tij, do të ndikonte që çmimi i arit të jetë më i lirë në treg, apo edhe i krahasueshëm më çmimin që shitet në regjion.

Megjithëse legjislacioni i aplikueshëm për këtë fushë, sipas Pakashticës shpesh është në disfavor të arëtarëve, shoqata që ai udhëheq është interesuar që të mbrohet konsumatori.

“Kemi punuar shumë, dhe tash e disa vite është aktiv Instituti për Metale të Çmueshme me selitë në Prizren e Prishtinë, ku qytetarët që blejnë ari mund të shkojnë edhe ta vërtetojnë pastërtinë e arit”, tregon Pakashtica./zeri

3,948 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Ari me çmim gjithnjë në rritje

| Botë, Ekonomi | 7 August 2011

Ka vite që çmimi i arit mban vetëm një drejtim: lart. Fillimisht ishin investuesit privatë dhe institucionet që grumbullonin metalin e krizës. Tani janë gjithnjë e më shumë banka që duan të sigurojnë euron dhe dollarin. “Vrapojmë pas arit, nga ari varet gjithçka. Ah ne të mjerët”, shkruan Johann Wolfgang von Goethe në veprën e tij “Fausti” dhe kjo thënie ende vlen, raporton Shqip. Një ons ari nuk duket aspak interesant dhe me peshën prej 31 gramësh është i rëndë sa dy copëza të një çokollate, por prapëseprapë i kërkuar si asnjëherë më parë. “Ari është gjithnjë atraktiv në kohë krizash, kur njerëzit dalin nga një krizë. Dhe koha është tani, po të shohim gjendjen financiare të shumë vendeve”. Këtë e di mirë Friedrich von Metzler, pronar i bankës private Metzler në Frankfurt mbi Majn. Nga frika prej valës së borxheve në Europë dhe pasigurisë politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumë investitorë kërkojnë strehë më të sigurta: më shumë se 1600 dollarë duhet të paguajnë për një ons të metalit të çmuar, dy herë më shumë se dy vjet më parë. “Ari paraqitet për momentin si një shkëmb i vërtetë i pamposhtur. Unë besoj se për aq kohë sa nuk do të jetë zgjidhur problemi i borxheve si në Europë ashtu dhe në SHBA, tendenca e arit do të jetë në rritje”, thotë Eugen Weinberg, ekspert pranë Commerzbank. Kjo dikur ishte ndryshe. Në fund të viteve ‘90 të shekullit të kaluar, çmimi i një onsi prej ari të pastër ishte rreth 300 dollarë, me të cilat mezi mbulohej kostoja e prodhimit. Në atë kohë dukej sikur fantazma e inflacionit ishte zhdukur në mbarë botën dhe bankat qendrore nuk shihnin më arsye që paratë e depozituara t’i zëvendësonin me ar. Australia, për shembull, vetëm gjatë vitit 1997 brenda gjysmë viti ka shitur dy të tretat e rezervave të saj të arit, duke bërë që në botë të bjerë sërish çmimi i metalit të çmuar. Niveli i prodhimit ra në mbarë botën, shumë miniera u mbyllën, vetëm në Afrikën e Jugut vendin e tyre të punës e humbën mbi 200 mijë njerëz. Në vitin 2000 çmimi mesatar për një ons ar kushtonte në Amerikë 272 dollarë, d.m.th. 20 dollarë më pak se sa është kostoja e nxjerrjes së tij. Megjithatë, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, filloj të fryjë një erë e re. Për të parandaluar një recesion të mundshëm tregjet u mbushën plot para, fantazma e inflacionit u rishfaq sërish, çmimet e lëndës së parë dhe mallrave ushqimore u ngritën sërish, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u formua një flluskë e pasurive të paluajtshme. Që atëherë, ngritja e çmimit të arit nuk njeh të ndalur. Ari është shumë më tepër se një lëndë e parë, shkruajnë analistët e Commerzbank. Tendenca aktuale tregon se “ari shërben jo vetëm si mbrojtje nga inflacioni”, por edhe si monedhë e cila përfiton nga dobësia e dy monedhave kryesore, euros dhe dollarit. Por ka të tillë që paralajmërojnë për kujdes. Për Susanne Steinmann-in nga Banka Quirin, shumë më e arsyeshme do të ishte që “pasuria të shpërndahet në disa vende. Këtë e vërejmë edhe tek ari. Si kursimtarë privatë do të duhej që një sasi e caktuar të mbahet. Por të thuhet se unë do të përcaktohem tani vetëm për arin, këtë e konsideroj si një rrezik, i cili fatkeqësisht sot nënvlerësohet nga shumë njerëz”./ koha

1,286 shikime gjithsej, 1 shikime sot