Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Sivjet rrushi “për toke”

| Ekonomi, Kosovë | 24 August 2011

Enis Veliu – Rreth 80 për qind pritet të bjerë prodhimi i rrushit vendor sivjet në krahasim me vitin e kaluar. Dy milionë kilogramë rrush pritet të prodhohen sivjet nga vreshtat e Kosovës, derisa vitin e kaluar ishin prodhuar më shumë se 10 milionë.

Moti i keq pranveror ka bërë që sivjet në vendin tonë të shënohet niveli më i ulët i rendimenteve të prodhimtarisë së rrushit. Por, përveç motit gjendjen në sektorin e vreshtarisë në Rahovec vitin e kaluar e patën rënduar dhe dy bodrumet e verës, të cilat nuk morën asnjë kilogram rrush nga fermerët e asaj ane.

Labinot Shulina, kryetar i Shoqatës së Vreshtarëve të Kosovës, thotë se sivjet gjendja e vreshtarisë në komunën e Rahovecit, por edhe në komuna të tjera është tejet e rënduar.

Ai thotë se vreshtat thuajse sivjet kane qenë të shkreta, pasi që ngricat pranverore i kanë dëmtuar në masë të madhe ato. “Sivjet rendimentet janë shumë të ulëta. Vitin e kaluar kemi marrë më shumë se 10 milionë kilogramë rrush, ndërkaq sivjet nuk do të mund t’i mbledhin as dy milionë. Situata është e rëndë”, tha ai.

Shulina tha se sivjet nuk do të ketë probleme sikurse vitin e kaluar, pasi që bodrumet e verës në një farë mënyre kanë rënë dakord që të pranojnë të gjithë sasinë e rrushit, e cila do të prodhohet nga fermerët e komunës së Rahovecit.

Ai tha se përpos bisedave me pronarë të bodrumeve fermerët në vazhdimësi kanë negociuar edhe me zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, nga të cilët kanë kërkuar ndihmë për t’i shpëtuar vreshtat dhe vreshtarët.

“Ne javën e kaluar jemi takuar me zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, ua kemi dorëzuar kërkesat atyre dhe presim që ato të realizohen. Është një e mirë se të gjitha premtimet e dhëna vitin e kaluar për të subvencionuar prodhuesit janë realizuar në masën prej më shumë se 98 për qind”, tha Shulina.

Sipas tij, nëse sektori i vreshtarisë nuk përkrahet instuticionalisht shumë shpejt Kosova do të mbetet pa rrush vendor.

Në anën tjetër, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Blerand Stavileci, thotë se nga viti i kaluar e deri tash kanë qenë gjithmonë në kontakt me Shoqatën e Vreshtarëve të Rahovecit.

Ai thotë se në konsultim me ta, sivjet është planifikuar që të bëhet subvencionimi i rrushit direkt te vreshtarët. “Sivjet do ta kemi më lehtë për të subvencionuar, sepse ka dukshëm më pak rrush sesa vitin e kaluar.

Ne kemi biseduar me Shoqatën, por edhe me bodrumet e verës. Ne do të subvencionojmë fermerët, për çdo kilogram rrush të dorëzuar do të subvencionohen direkt nga Qeveria. Deri tash ende s’kemi marrë vendim se sa do të jetë subvencionimi për kilogram”, tha ai.

Sipas tij, Ministria e Bujqësisë brenda mundësive që ka pasur gjithnjë është treguar e gatshme që ta mbështesë sektorin e vreshtarisë në vendin tonë. Përndryshe, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë në vitet ‘80, eksporti nga Kosova ishte 40 milionë litra në vit, kryesisht për në Gjermani. Por, gjatë luftës sipërfaqja me vreshta u zvogëlua në mënyrë drastike. Vreshtat e sektorit të ndërmarrjeve shoqërore u shkatërruan plotësisht. /zeri

 

2,694 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment