Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Shqipëria heq doganën

| Ekonomi, Kosovë, Shqipëri | 8 September 2011

Foto: Driton Bublaku

Enis Veliu – Heqja e doganës për veturat e reja të importuara në Shqipëri, në këmbim të rritjes së akcizës për karburante, është konsideruar si veprim i mirë, i cili ka mundur të implementohet edhe në Kosovë.

Qeveria e Kosovës para pak kohësh mori vendim që të lejojë futjen e automjeteve të vjetra deri në 10 vjet, duke rritur akcizën, por një vendim i tillë thuajse nuk është reflektuar fare, pasi që numri i qytetarëve që kanë futur vetura më të vjetra është fare i vogël.

Ligji i ri në Shqipëri parasheh që taksat e hequra të mblidhen përmes karburantit.

Logjika e një prej ligjeve më të diskutuara të grupeve të interesit, por dhe Ministrisë së Financave ka të bëjë me dekurajimin e përdorimit të makinave të vjetra.

Ndërkohë që një tjetër synim i ligjit është vendosja në një balancë të drejtë të taksës, që paguhet në bazë të përdorimit që i bën infrastrukturës dhe ndotjes që emetohet në mjedis.

Të dyja taksat, ajo e qarkullimit dhe e regjistrimit, që më herët vileshin nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, tashmë janë strukturuar në një të vetme dhe që do të vilet përmes karburantit në mënyrë jo të drejtpërdrejtë.

Me ligjin e vjetër, çdo qytetar që kishte në pronësi një makinë, paguante 7500 lekë për një makinë me benzinë dhe 10 mijë lekë për një makinë me naftë si taksë qarkullimi. Ndërsa taksa e regjistrimit ishte 2400 lekë për të gjitha llojet e veturave. Por, me ligjin e ri këto taksa nuk do të paguhen më.

Ligji i ri përcakton se taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin caktohet në masën 5 lekë për litër deri më 31.12.2011, pas kësaj date taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin caktohet në masën 7 lekë për litër. Përfitues nga ligji i ri nuk do të jenë vetëm qytetarët që kanë në pronësi një makinë, por edhe ata që duan të importojnë një të tillë nga jashtë. Kush importon një makinë, nuk do të paguajë më doganë.

Sa më e vjetër të jetë makina, aq më shumë taksë vjetore paguan.

Gjithashtu, paguajnë më shumë makinat me naftë sesa ato me benzinë. Formula e re: shumëzohen cilindrat e makinës me koeficientin e vjetërsisë dhe me taksën fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Koeficientet për vjetërsinë për tri vitet e para janë 0, në vitin e katërt është 0.18 dhe rritet me 0.02 për 10 vitet e para.

Më pas, koeficienti rritet me 0.04. Kështu, një makinë e vitit 1996 me naftë dhe me kubaturë 2500 cm3 do të paguajë nga sot 30 mijë lekë në vit, si taksë të makinës së përdorur. Ndërkohë që deri më tash për një makinë të vitit 1996 me naftë paguante 2400 lekë taksë regjistrimi dhe 10 mijë lekë taksë qarkullimi, pra 12400 lekë në vit. Ndërkaq, më ligjin e ri i bie të paguajë 17600 lekë më shumë dhe taksa rritet nga viti në vit.

Ish- ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, thotë se zgjatja e viteve për veturat e importuara ka krijuar mundësi që Kosova të mbushet me vetura të këqija, nga të cilat çdo ditë e më shumë po rritet numri i aksidenteve në rrugë.

“Qeveria e Kosovës është dashur të gjejë mënyra tjera për të dekurajuar futjen e veturave të vjetra, e jo të krijojë lehtësira”, tha ai.

Sipas tij, modeli i rritjes së taksës për karburante në Shqipëri është i mirë, i cili ka mundur të zbatohet edhe në vendin tonë./zeri

Nuk ka Tag-ë

1,450 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment