Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Rikthehet në debat tenderi për mishin

| Ekonomi, Kosovë | 20 August 2011

Foto: Laura Hasani

Visar Duriqi – Tenderi për furnizimin e burgjeve me mish, i cili ishte shoqëruar me dyshime për parregullsi, është bërë edhe njëherë temë debati. Ky tender më pas është anuluar nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Lëvizja ‘Fol” të premten ka organizuar një debat për prokurimin e Ministrisë së Drejtësisë(MD), ku dy vartës të minisrit Kuçi, këshilltarja Laura Zherka dhe Besim Tahiri ushtrues detyre i zyrës së prokurimit, e kanë mbrojtur këtë tender, duke e vlerësuar atë si transparent.

Arsyetimin për këtë tender, për parregullsitë e të cilit “Zëri” ka raportuar në vazhdimësi, Besim Tahiri e ka nisur duke thënë se procesi i prokurimit ka qenë i hapur.

Ai edhe një herë ka sqaruar se deri te anulimi ka ardhur pas përplasjeve dhe konfuzitetit që ishte krijuar në mes të MD-së dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Ky konfuzitet kishte të bënte me faktin që Ministria në kohën kur veç ishte në fuqi vendimi i OSHP-së për ta çuar tenderin në rivlerësim, kërkoi interpretim ligjor nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP). Ky tender i kishte përplasur edhe vetë institucionet e prokurimit, OSHP-në e KRPP-në.

Besim Tahiri, që udhëheq prokurimin në MD, tutje e ka gjykuar si të paarsyeshëm marrjen e medieve me këtë tender. “Ky tender ka qenë temë mediale. S’e di pse u bë temë mediale, kur vendimet e OSHP-së që lëndët të shkojnë në rivlerësim janë diçka normale në prokurim”, ka thënë Tahiri.

Në këtë debat, këshilltarja e ministrit Hajredin Kuçi, Laura Zherka, ka folur më shumë për transparencën që po tentojnë ta instalojnë në Ministri, sa i përket fushës së prokurimit, se sa për tenderin e mishit.

Ajo rikujtoi ftesat që kjo ministri ua ka dërguar partive, OJQ-ve e medieve për pjesëmarrje në mbikëqyrjen e tenderëve. Si hap drejt transparencës, ajo ka përmendur edhe faktin që tash përzgjedhja e anëtarëve të komisioneve pranuese bëhet vetëm 3 orë para se të hapen ofertat, publikimin e shpenzimeve të Ministrisë për çdo javë në ueb-faqe etj.

Megjithëse pranon që MD-ja ka qenë e gatshme për monitorim, Admir Salihu nga lëvizja “Fol” ngreh dyshime për këtë tender. “Dyshimi jonë që nga fillimi kishte të bënte për ekzistimin e mundësisë së bashkëpunimit ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe njësisë kërkuese, si dhe mundësia që operatori ekonomik të ketë pasur njohuri rreth disponueshmërisë së mjeteve të Ministrisë për këtë tender”, ka thënë Salihu.

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë në tenderin për furnizim me mish për nevojat e burgjeve ishte përballur që në fillim me ankesën e kompanisë “Hajdini Comerce” nga Drenasi, që ishte eliminuar nga gara pasi që nuk e kishte valid garancionin bankar.

OSHP-ja kishte vendosur në favor të kompanisë, duke konstatuar se garancioni ka qenë i vlefshëm, por gabimi ka qeni bankës dhe tenderi u kthye në ri-vlerësim.

Në këtë kohë, MD-ja kërkoi interpretim nga KRPP-ja, dhe kjo e fundit konstatoi se Ministria e Drejtësisë ka vendosur drejt kur e eliminoi “Hajdini Comerc” nga gara.

Kjo kompani në dy vjetët e fundit ka marrë edhe tender të tjerë në MD. “Hajdini Comerc” në konzorcium me kompaninë “Meka” me 10 qershor 2011 nga MD-ja ka fituar një tender që peshon 398 mijë e 650 euro. E njëjta kompani vetëm një muaj më parë, përkatësisht 24 maj 2011, është shpallur ftuese e një tenderi më të vogël të mishit nga Ministria e Drejtësisë, ku kishte ofruar një çmim prej 7575 euro. Edhe vitin 2009, ishte shpallur ftuese e tenderit nga kjo Ministri në vlerë prej hiç më pak se 476 mijë e 687 euro. /zeri

 

1,393 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment