Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Rahovecianët shkulin vreshtat

| Ekonomi, Kosovë | 12 September 2011

Enis Veliu – Injorimi i festës tradicionale të rrushit nga kryeministri Hashim Thaçi, por edhe nga ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, ka nervozuar tej mase vreshtarët e komunës së Rahovecit.

Të indinjuar nga injoranca qeveritare, fermerët e komunës së Rahovecit kanë filluar t’i shkulin hardhitë e rrushit, pasi që nga kjo veprimtari ata kohëve të fundit kanë pasur vetëm humbje, sepse për përfitime as që bëhet fjalë.

Labinot Shulina, kryetar i Shoqatës së Vreshtarëve të komunës së Rahovecit, thotë se nuk i di arsyet, askush nga zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës nuk kanë marrë pjesë në këtë festë tradicionale.

“Vreshtarët janë të nervozuar tej mase, disa nga ta kanë filluar t’i shkulin hardhitë, sepse duke u marrë me këtë veprimtari ata kanë hyrë borxh e tash nuk po kanë mundësi t’i kthejnë ato. Injorimi nga ana institucionale, po e shkatërron sektorin e vreshtarisë në këtë komunë”, tha ai.

Shulina tha se para pak ditësh janë takuar me zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë nga të cilët kanë marrë premtime se do të subvencionohet, por edhe do t’iu paguhen humbjet e shkaktuara.

Ai tha se përveç pagesës së dëmeve kanë kërkuar nga Ministria që fermerët të subvencionohen me nga 10 centë për kilogram. “Ne presim që do të ndodhë dëmshpërblimi dhe subvencionimi”, tha ai.

Në anën tjetër, ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, thotë se nuk ka mundur të marrë pjesë ne festën tradicionale të rrushit, pasi që gjatë kësaj kohe ai ka qenë në pushim vjetor.

“Unë nuk kam lënë aktivitet pa marrë pjesë, unë do të shkoja edhe këtu, por fatkeqësisht nuk kam qenë në Kosovë”, tha ai. Stavileci thotë se me Shoqatën e Vreshtarëve të Komunës së Rahovecit janë takuar disa herë, ku kanë diskutuar për mënyra të ndryshme të ndihmesës, por deri më tash, ai thotë se nuk është marrë ndonjë vendim final.

“Ne kemi diskutuar për modalitete, por ende nuk kemi vendosura përfundimisht. Ndihma më e madhe që ne mund ta bëjmë për ata është krijimi i lidhjeve të fermerëve me industritë e përpunimit të rrushit”,tha ai.

Ministri Stavileci mohon akuzat e fermerëve se institucionet po e injorojnë sektorin e vreshtarisë në vend. “Të bëhem i sinqertë gjatë kohës sa jam ministër më së shumti kam pasur takime me shoqatën e vreshtarëve”, tha ai.

Në anën tjetër, Smajl Latifi, kryetar i komunës së Rahovecit, thotë se si presidenca, ashtu edhe kryeministria, por edhe Ministria e Bujqësisë kanë qenë të njoftuara me kohë me agjendën dhe kohën e mbajtjes së festës tradicionale të rrushit.

“Ata të gjithë i kanë pasur ftesat dhe askush nga niveli i lartë institucional nuk ka marrë pjesë. Të pranishëm në festival kanë qenë zëvendësministri i Kulturës dhe këshilltari i ministrit të Bujqësisë”, tha ai.

Kryetari Latifi tha se edhe pa pjesëmarrjen e presidentes, kryeministrit, kanë kaluar shumë mirë, por, sipas tij, ata duhet të sqarojnë opinionin pse nuk kanë marrë pjesë. “Së paku deri më tash ne nuk e dimë zyrtarisht pse ata nuk ishin të pranishëm në festë”, tha ai./zeri

1,714 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment