Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Qeveritarët i maskojnë veturat zyrtare

| Ekonomi, Kosovë | 23 August 2011

Enis Veliu & Lavdim Hamidi – Veturat e zyrtarëve të lartë qeveritarë është vështirë të dallohen nga veturat luksoze të biznesmenëve kosovarë, pasi që një pjesë e konsiderueshme e tyre qarkullojnë me targa jozyrtare.

Po ashtu, veturat zyrtare jo rrallë përdoren nga ministrat, por edhe nga zyrtarë të tjerë të lartë edhe gjatë vikendit, gjatë dasmave, por edhe gjatë verës për pushime verore në vende të rajonit, por edhe më larg.

Vetura e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, vetura e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, por edhe shumë vetura të zyrtarëve të lartë qeveritarë, edhe më tej vazhdojnë të ecin rrugëve të Kosovës pa u vërejtur fare.

Brenda territorit të Kosovës këto vetura qarkullojnë me tabela civile. Ndërkaq për udhëtime zyrtare jashtë vendit, këto vetura i shfrytëzojnë tabelat zyrtare të Qeverisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se regjistrimi i veturave zyrtare është përgjegjësi ekskluzive e Ministrisë së Punëve të Brendshëm të Kosovës.

Madje, për këtë çështje ai tha se nuk ka asnjë informacion.

“Unë lidhje s’kam me këtë punë, për këtë çështje kontaktojeni Ministrinë e Punëve të Brendshme, sepse ata janë kompetentë”, tha Kuçi. Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, nuk ka dashur të flasë për gazetën në lidhje me regjistrimet e veturave të ministrave.

Ai madje ka vendosur t’i bëjë bllokadë të fortë informative njëvjeçare gazetës “Zëri”, përkatësisht nga 21 gushti i vitit 2011 e deri më 21 gusht të vitit 2012, duke shkëputur kështu të gjitha kontaktet me gazetën.

“Unë kam vendosur ta bëj një gjë të tillë. Edhe pse jam ministër është e drejtë e ime të flas apo të mos flas me ju”, tha të dielën ministri Rexhepi nëpërmes telefonit.

Sipas tij, kohëve të fundit gazeta “Zëri” ka zhvilluar fushatë kundër tij, e cila, siç thotë ai, ka filluar nga zgjedhjet e fundit parlamentare në vend.

Ministri Rexhepi tha se do të jetë i gatshëm të bisedojë me gazetarët e gazetës “Zëri” vetëm pas skadimit të kësaj embargoje informative kundër gazetës.

Gazeta “Zëri” për këtë çështje ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, por asnjëri nga ta nuk kanë qenë të gatshëm të bisedojnë për këtë çështje.

Burime të gazetës brenda kësaj ministrie, të cilët kanë pranuar të flasin në kushte anonimiteti, thonë se vetura zyrtare e ministrit Besim Beqaj i ka dy regjistrime, atë zyrtar, si dhe regjistrimin tjetër, i cili është i zakonshëm si i të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Kur ministri udhëton jashtë vendit përdor regjistrimin zyrtar, ndërkaq brenda Kosovës ai lëviz me regjistrim tjetër për të mos u vërejtur”, tha burimi i gazetës. Ndërkaq, në anën tjetër përfaqësues të organizatave joqeveritare në vend thonë se veturat zyrtare nga ministrat e Qeverisë së Kosovës konsiderohen si private dhe ato përdoren në vazhdimësi nga ta.

Avni Zogiani nga organizata për dinjitet dhe antikorrupsion “Çohu” thotë se

fshehja mbrapa tabelave të zakonshme ka të bëjë edhe me vendndodhjet shumë shpesh krejt të papritura të zyrtarëve.

Zogiani thotë se një gjë e tillë i ka ndodhur kryeministrit të Kosovës në Maqedoni kur është regjistruar me kamera nga televizioni maqedonas “A1”, ku më vonë u mor vesh se takimi, siç thotë ai, ka pasur të bëjë me çështje biznesi.

Rexhepi: “Zëri”, një vit harroni numrin tim!

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, nuk ka dashur të flasë për gazetën “Zëri” në lidhje me regjistrimet e veturave të ministrave.

Ministri Rexhepi thotë se nga 21 gushti i vitit 2011 e deri më 21 gusht të vitit 2012 ka shkëputur të gjitha raportet me gazetën “Zëri”.

“Unë kam vendosur ta bëj një gjë të tillë. Edhe pse jam ministër është e drejte e ime të flas apo të mos flas me ju”, tha të dielën ministri Rexhepi nëpërmes telefonit.

Sipas tij, kohëve të fundit gazeta “Zëri” ka shkruar shkrime të pabazuara në fakte. Ministri Rexhepi tha se do të jetë i gatshëm të bisedojë me gazetarët e gazetës “Zëri” vetëm pas skadimit të kësaj embargoje informative njëvjeçare kundër gazetës./zeri

3,138 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment