Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

PTK-ja: Kontrata me Z-Mobile nuk është e dëmshme

| Ekonomi, Kosovë | 7 August 2011

Privatizimi i PTK-së, si njëra nga kompanitë më dobiprurëse në Kosovë, mblodhi sot në një tryezë debati, të organizuar nga Universiteti AAB-Riinvest, udhëheqësit më të lartë të PTK-së, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave biznesore në Kosovë.Për herë të parë në këtë debat u fol edhe për kontratën e PTK-së me operatorin mobil virtual Z-Mobile.

Sipas njoftimit të PTK-së, kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrje publike, Shyqyri Haxha paraqiti detaje nga kjo kontratë.

Sipas Haxhës, PTK-ja me këtë marrëveshje ka përfituar mbi 1 milionë e 200 mijë euro. “Duhet cekur se të gjitha kostot dhe shpenzimet i bartë Z-Mobile, ndërkohë që PTK nuk participon në këto kosto”, ka shpjeguar gjatë prezantimit të tij Haxha.

Edhe kryetari i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj ka thënë se një projekt i tillë nuk është i dëmshëm për PTK-në. Sipas tij, në këtë projekt PTK investon zero mjete, ndërkohë që përfiton miliona, duke shfrytëzuar kapacitetet e PTK-së.

“Kjo kontratë nuk është e dëmshme për PTK, një gjë e tillë do të dëshmohet”, ka deklaruar Gjonbalaj.

Ai gjithashtu e ka përkrahur vendimin e Qeverisë për privatizimin e PTK-së, të cilin vendim pohon ta ketë mbështetur edhe menaxhmenti i PTK-së.

Edhe panelistët e tjerë e kanë vlerësuar si të domosdoshëm privatizimin e PTK-së.

Lekë Musa, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, privatizimin e PTK-së e sheh si një shpëtim të kompanisë, sidomos kur përmendet ligji i prokurimit publik, me të cilin PTK-ja përballet në vazhdimësi e që është një pengesë shumë e madhe në realizimin e projekteve të kompanisë.

“Operimi i një kompanie në fushën e telekomunikacionit në sektorin publik është pothuajse i pamundur . Në këtë lëmi një kompani duhet të jetë dinamike dhe t’i përshtatet kërkesave të tregut, gjë që është e pamundur për shkak të procedurave të kërkuara me ligjin për Prokurimin Publik”, ka vlerësuar Musa.

Ndërsa Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, vlerësoi se menaxhimi i mirë i PTK-së në këta tre vjet të fundit, na ka bërë që të mburremi të gjithë me sukseset e kësaj kompanie dhe ndikimin e saj në ekonominë e vendit.

“Janë mbi 300 milionë euro që nga kjo kompani i janë ndarë Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ndërkohë vetëm nga profiti i tri viteve të kaluara, janë mbi 130 milionë dhe ky është treguesi më i mirë i punës së këtij menaxhmenti”, tha Shahini, i cili gjithashtu u angazhua për privatizim të kësaj ndërmarrje publike.

Në tryezë është konkluduar se privatizimi i PTK-së, pavarësisht nga kompania fituese, do të ketë ndikim në rifreskimin e tregut dhe do të ndryshojë perceptimin për ekonominë e Kosovës, thuhet në njoftimin për medie të departamentit për komunikim me publikun të PTK-së. / koha

  

1,351 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment