Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Privatizimi i PTK-së nuk shtyhet

| Ekonomi, Kosovë | 7 August 2011

Procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, nuk do të shtyhet dhe procesi është duke vazhduar sipas agjendës. Po ashtu, nuk ka prishje të kontratës me këshilltarin e transaksionit “Tel Algo”, ka bërë të ditur për gazetën “Kosova Sot”, Gëzim Baxhaku , këshilltar për media në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. “Procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës është duke u zhvilluar konform ligjeve në fuqi dhe vendimeve të Kuvendit, Qeverisë së Kosovës dhe është duke u realizuar sipas agjendës së përcaktuar më parë”, tha Baxhaku. Ai po ashtu ka thënë se bazuar në ligjet në fuqi, Qeveria e kaluar ka bërë përzgjedhjen e këshilltarit të Transaksionit në bazë të konkursit ndërkombëtar. Baxhaku shton se me qëllim të marrjes së mendimeve të tjera të pavarura, Qeveria ka angazhuar edhe një këshilltar strategjik, i cili ka për detyrë të japë mendime te pavarura lidhur me procesin e privatizimit, si dhe mendimet dhe vlerësimit të këshilltarit të transaksionit. “Procedura e përgatitjes së raporteve dhe propozimeve është e tillë që këshilltari i transaksionit propozimet dhe mendimet fillimisht i adreson në Njësinë për implementimin e projektit të privatizimit të PTK-së, e cila është Sekretaria koordinuese e KQP-së. Për të gjitha aspektet strategjike të projektit kërkohet edhe mendimi i këshilltarin strategjik”, tha Baxhaku. Lidhur me dokumentet, të cilat kanë karakter pune kërkohen mendimet dhe sugjerimet e menaxhmentit të PTK-së.

110 milionë euro, vlera e aseteve fizike

“Raporti aktual i KT-së është bazuar në raportet e auditimit dhe të dhënat nga menaxhmenti i PTK-së dhe është për vlerësim e gjendjes së brendshme në PTK”, tha Baxhaku. Sipas tij, pas shqyrtimit të raporti te KT-ja në KQP, Njësia për implementimin e privatizimit të PTK-së është autorizuar që me disa ndryshime, raportin e KT-së t’ia prezantojë Bordit dhe Menaxhmentit të PTK-së, të cilët, sikurse edhe KQP kanë obligim ligjor që ta ruajnë konfidencialitetin e prezantimit. Ndërsa, sa i përket vlerësimit të aseteve që ka bërë këshilltari i transaksionit “Tel Algo” e që ka vlerësuar se asetet e PTK-së vlejnë 110 milionë euro Baxhaku thotë se: “Vlera prej 110 milionë eurove ka të bëjë vetëm me asetet fizike, të cilat aktualisht i ka PTK-ja, e jo me vlerën e tërësishme të PTK-së. Të gjitha asetet e paluajtshme do të mbesin në pronësi publike. Vlera e PTK-së ka më shumë për bazë tregun dhe biznesin e PTK-së dhe më pak asetet fizike. Çmimin e PTK-së do ta përcaktojë tregu”, tha Baxhaku.

Nga fillimi i procesit të privatizimit, Qeveria ka kontraktuar këshilltarin e transaksionit kompaninë “Tel Algo” dhe kjo sipas kontratës që ka me Qeverinë bënë vlerësimin e PTK-së dhe i raporton Qeverisë për vlerësim dhe e këshillon për procesin. Ndërsa, vitin e kaluar, Qeveria ka kontraktuar edhe një kompani konsulente ligjore “Hunton & Williams”, e cila jep opinione mbi raportet dhe vlerësimet e kompanisë “Tel Algo”./ kosova sot

  

1,317 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment