Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Përplasen për tenderin 10-milionësh

| Ekonomi, Kosovë | 18 August 2011

Foto: Ridvan Slivova

Anulimi i tenderit mbi 10-milionësh, për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve rajonale, i Ministrisë së Infrastrukturës, ka nxjerrë në pah abuzime të rënda me tenderë brenda Ministrisë së Infrastrukturës, e cila drejtohet nga Fehmi Mujota.

Përmes një vendimi sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Skënder Gashi, kishte anuluar këtë tender, por vendimi i sekretarit ishte kundërshtuar fuqishëm nga shefi i prokurimit në këtë ministri, Nexhat Krasniqi.

Ky i fundit akuzon sekretarin Gashi për dallavere, korrupsion dhe favorizim të kompanive të caktuara.

Në anën tjetër, sipas një letre që e ka siguruar gazeta “Zëri”, sekretari Gashi shkruan se komisioni i formuar për këtë tender nga Rexhë Osmanaj, Betim Reqica, Ismet Hoxha, Hysen Doberqani dhe Erëza Arifi, nuk i ka kryer detyrat e veta si duhet.

Sipas Gashit, në një apo më shumë raste, anëtarët e komisionit nuk janë në gjendje të marrin pjesë në takimin e komisionit për shkaqe objektive.

Gashi po ashtu thotë se anëtarët e komisionit nuk kanë punuar në përbërje të plotë, pasi që anëtari i komisionit Ismet Hoxha ka qenë në pushim vjetor prej datës 27.06.2011 deri më 08.07.2011, ndërkaq sipas sekretarit ai në punë është kthyer më 11.07.2011.

“Komisioni e ka përfunduar punën më datën 21.07.2011 duke i dhënë zyrtarit të prokurimit raportin e punës dhe rekomandimin. Anëtarja e komisionit, Erëza Arifi, nuk ka marrë pjesë në punën e komisionit nga 15.07.2011, kur ka qenë dita e fundit e punës së saj para shkuarjes në pushim të lehonisë e deri në ditën e nënshkrimit të raportit të komisionit më 21.07.2011”, thuhet në letrën e sekretarit Gashi, drejtuar ministrit Mujota.

Më tej thuhet se anëtarja e komisionit nuk ka pasur të drejtë të nënshkruajë raportin, pasi që nga data 15 korrik nuk ka marrë pjesë në takimet e komisionit.

Sekretari Gashi në letrën e tij drejtuar ministrit ka thënë se në këtë tender ka verifikuar shkelje serioze të nenit 62 të paragrafit 1.1 të Ligjit për Prokurimin Publik.

“Duhet cekur faktin që njoftimi për dhënien e kontratës është bërë publik me datën 29.07.2011, do të thotë pas plot gjashtë ditë kalendarike pas vendimit final të Departamentit të Prokurimit, që është një vonesë e pajustifikueshme duke pasur parasysh që kemi të bëjmë me ritenderim”, thuhet në letër.

Sipas Gashit, drejtori i prokurimit e ka marrë vendimin final në kundërshtim me Ligjin e Prokurim Publik, duke pasur parasysh se Erza Arifi është shërbyese civile e Departamentit të Prokurimit dhe ai ka pasur njohuri se e njëjta është në pushim lehonie.

Sekretari Gashi ka thënë se drejtori i prokurimit është dashur ta refuzojë rekomandimin e komisionit, si të paligjshëm pasi që nuk ka punuar në përbërje të plotë.

Por, në anën tjetër, drejtori i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi, thotë se sekretari i ministrisë, Skënder Gashi, është shkelësi më i madh i ligjeve në Ministrinë e Infrastrukturës.

Krasniqi thotë se në letrën që Gashi ia ka dërguar ministrit Mujota ka shumë gjëra të pavërteta, të cilat, sipas tij, verifikohen fare lehtë.

“Ne e kemi dorëzuar dosjen kundër tij në Prokurorinë Speciale, sepse ai ka bërë shumë veprime antiligjore, ai ka favorizuar kompani të caktuara përmes të cilave dëmton rëndë buxhetin e shtetit”, tha ai.

Krasniqi më tej akuzon sekretarin Gashi se çdoherë është i pranishëm nëpër kafene të Prishtinës me persona që qëndrojnë mbrapa kompanive që përmes shantazheve tentojnë të marrin tenderë në Ministrinë e Infrastrukturës./zeri

  

2,132 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment