Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Më e lartë taksa se vetura

| Ekonomi, Kosovë | 8 September 2011

Lavdim Hamidi – Për zhdoganimin e veturave deri në 13 vjet të vjetra, në Kosovë më të larta janë taksat, sesa vlera e veturës, prandaj tregtarët ankohen se ky vendim qeveritar vetëm sa e ka ngritur çmimin e veturave në treg.

Deri në fund të qershorit të këtij viti në Kosovë ka qenë e mundur të importohen vetura deri në 8 vjet të vjetra, përkatësisht veturat e prodhuara prej vitit 2003, ndërsa prej fillimit të korrikut është lejuar që të importohen vetura deri në 13 vjet të vjetra, duke synuar që kështu buxheti i Kosovës të mbushet për 20 milionë euro më shumë në vit.

Sipas vendimit të 22 qershorit 2011 të Qeverisë së Kosovës, për veturat deri në 8 vjet, me fuqi motorike deri në 2000 cmm, do të paguhet 500 euro vetëm taksa e akcizës ,për veturat deri në 9 vjet akciza arrin në 700 euro, 800 euro deri në 10 vjet, 900 euro deri në 11 vjet, 1000 euro deri në 12 vjet të vjetra dhe 1100 euro për veturat e prodhuara në vitin 1998. Ndërsa për veturat me fuqi më të madhe motorike akciza është edhe më e lartë.

Taksat shtrenjtuan veturat

Qytetarët ankohen se taksat e larta doganore vetëm sa e kanë ngritur çmimin e veturave. “E kam sjellë një veturë 2000 ccm të vitit 1998 nga Gjermania, të cilën e kam blerë rreth 2000 euro. Po aq më kanë thënë në Doganë se duhet të paguaj për zhdoganim”, ka bërë të ditur Arsim Berisha nga Prishtina.

Ndërsa zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka bërë të ditur se gjatë muajit të parë kur ka hyrë në fuqi ky vendim qeveritar, përkatësisht gjatë muajit korrik, janë zhdoganuar 2088 vetura, nga të cilat Doganat kanë grumbulluar rreth 4.2 milionë euro në emër të taksave.

Gjatë korrikut 2011, sipas Doganave, në Kosovë janë importuar 1000 vetura deri 8 vjet, 943 vetura më të vjetra se 8 vjet dhe 145 vetura të reja.

Sipas statistikave doganore, çmimi mesatar i vlerësuar për një veturë deri në 8 vjet është afërsisht 6150 euro, ndërsa në taksat e nevojshme doganore për një veturë të tillë arrijnë në 2170, ku përfshihet dogana, akciza dhe TVSH-ja.

Këto taksa janë edhe më të larta për veturat mbi 8 vjet, çmimi bazë i së cilës pothuasje barazohet me taksat doganore. Kështu, çmimi mesatar bazë i vlerësuar nga Doganat për një veturë mbi 8 vjet del të jetë 2280 euro, ndërsa taksat doganore për një veturë të tillë arrijnë në hiç më pak se 1700 euro.

Përpos taksës doganore prej 1700 euro, një veturë e tillë më e vjetër se 8 vjet, për të dalë në komunikacion duhet paguar rreth 350 euro taksën e homologimit, sigurimin dhe regjistrimin e automjetit, atëherë zhdoganimi dhe regjistrimi i një veture të tillë arrin në shumën prej rreth 2050 euro, apo vetëm 200 euro më pak se çmimi me të cilin është blerë vetura.

Vendim sa për të rritur buxhetin

Ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, thotë se është absurde që taksat të kushtojnë pothuajse sa çmimi me të cilin është blerë vetura.

“Kjo s’ka logjikë. Kush do ta blejë një veturë të vjetër me çmim prej rreth 2200 euro, për të cilën taksat doganore që duhet paguar kushtojnë edhe 1700 euro të tjera”, shprehet Shatri, duke shtuar se ky vendim qeveritar ka më tepër qëllim që të mbushet buxheti i shtetit, se sa t’iu mundësojë qytetarëve të blejnë vetura.

Ai thotë se kufizimi i importit të veturave deri 8 vjet të vjetra ka qenë i drejtë, pasi që është synuar veturat e vjetra të zëvendësohen me më të reja, të cilat e ndotin më pak ambientin, mirëpo vendimi i fundit që t’i lejojë veturat deri 13 vjet të vjetra është joserioz dhe ka për qëllim të vetëm që të sigurojë më shumë të hyra për buxhet.

Për dallim nga Kosova, ku ende paguhet taksa e doganës me rastin e importit të veturës , Shqipëria së fundi e ka hequr një taksë të tillë, e cila ka ulur dukshëm çmimin e veturave në treg./zeri

Nuk ka Tag-ë

2,300 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment