Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Manipulime me tenderin e PTK-së

| Ekonomi, Kosovë | 8 September 2011

Foto: Laura Hasani

Arbana Xharra & Petrit Sherifi – (E plotësuar) Dy muaj pasi që ka përfunduar procesi i parakualifikimit për privatizimin e PTK-së, ku në garë kanë mbetur dy kompani: “Hrvatski Telekom d.d.”, Kroaci, e privatizuar nga “Deutche Telecomi” Gjermani, dhe “Telekom Austria AG”, Austri, Qeveria merr një vendim që të shtyhet edhe dy javë procesi i njëjtë i parakualifikimit, i cili tashmë ka përfunduar. Qeveria është arsyetuar se ka marr këtë vendim që të rritet konkurrenca. Ndërkohë që kemi të bëjmë me kompanitë e njëjta që nuk i kanë plotësuar kriteret, të cilave qeveria arsyetohet se do të ju jap edhe një mundësi.

Në procedurat normale të tenderimit, kthimi prapa me këto arsyetime ndërmerret kur rishpallet tenderi që t’iu jepet mundësi kompanive të tjera për të rritur konkurrencën dhe ajo atyre që tashmë kanë konkurruar dhe nuk i kanë plotësuar kushtet.

Burime të gazetës brenda qeverisë kanë bërë me dije se do t’i jepet mundësi sërish kompanisë nga Egjipti “Orascom Telecom Holding S.A.E.” që t’i kthehet garës që në fund të procesit të konsiderohet si garë ku kanë marrë pjesë tri kompani dhe jo vetëm dy. Kurse kompania nga Egjipti në qershor nuk ka arritur që të kalojë të njëjtën fazë, këtë të parakualifikimit, për shkak se nuk i ka plotësuar kushtet të vazhdojë më tej.

Shtyhet sa për “sy e faqe”

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka thënë për gazetën “Zëri” se “ky vendim është marrë me qëllim të arritjes së një niveli më të lartë të konkurrencës në proces, duke pasur kujdes gjithnjë sigurimin e një trajtimi të barabartë dhe fer të të gjitha kompanive pjesëmarrëse në këtë proces”.

Sipas tyre, Komisioni Qeveritar për Privatizim (KQP) ka vendosur që të gjitha kompanive që kanë shprehur interesin e tyre për privatizimin e aksioneve të PTK-së t’u jepen edhe 2 javë afat shtesë kohe për të shprehur interesimin e tyre për pjesëmarrje në tender, në përputhshmëri të plotë me kushtet e parapara në kërkesën për para-kualifikim (bashkangjitur gjeni edhe udhëzimet për parakualifikim).

E njëjta ministri në fillim të qershorit të këtij viti ka dalë me komunikatë për shtyp, e cila ka bërë me dije se ka kryer procesin e parakualifikimit të kompanive të interesuara për privatizimin e PTK-së, ku nga pesë kompani që ishin në garë, u përzgjodhën vetëm “Hrvatski Telekom d.d.”, Kroaci, e privatizuar nga “Deutche Telecom-i” Gjermani, dhe “Telekom Austria AG”, Austri.

Në njoftimin e MZHE-së dy muaj më parë është thënë se procesi i vlerësimit të aplikacioneve është kryer nga një panel profesional i përbërë nga përfaqësuesit e pesë ministrive pjesëmarrëse në Komisionin Qeveritar për Privatizimin e PTK-së, dhe se kriteret kanë qenë identike për të gjithë pjesëmarrësit duke u ofruar qasje të barabartë e të plotë në çdo informacion të dhënë nga autoriteti kontraktues.

Vetë komisioni e pati vlerësuar punën e vet si shumë të suksesshme. Kurse tash dalin me vendim, arsyetimi i të cilit është shkelje me dy këmbë e tenderit të privatizimit të PTK-së.

Opozita hap dyshimet

Visar Ymeri, nga “Vetëvendosje”, ka thënë se arsyet e vërteta prapa këtij vendimi të qeverisë mbeten të paqarta, sikur çdo gjë tjetër rreth këtij privatizimi.

“Afati është shtyrë me kërkesë të dy kompanive të cilat kanë mbetur në garën për blerjen e PTK-së. Kjo tregon se këtu në fakt blerësit potencialë janë ata që e diktojnë

qeverinë e jo anasjelltas”, ka thënë ai.

Sipas tij, arsyetimi i grupit ndërministror se kështu do të rritet konkurrenca është jashtëzakonisht i pasaktë, meqenëse këto dy javë nuk do të sjellin ndonjë kompani të re në këtë garë, e as që do të nxisin ndonjë përmirësim të dukshëm të ofertës së kompanive ekzistuese.

Avdullah Hoti, anëtar i kryesisë së LDK-së, thekson se shtyrja e afatit për ofertim është kundërligjore. Ai thotë se kjo është indikacion i qartë se interesimi për këtë privatizim është i ulët dhe se çmimi që mund të ofrohet nga ofertuesit privatë mund të jetë edhe më i ulët nga ai i pritur nga qeveria i paraparë në buxhetin e vitit 2011.

Donika Kada-Bujupi nga AAK vlerëson se i tërë procesi në përgjithësi i privatizimit të ndërmarrjeve publike është jotransparent dhe po mbahet larg publikut.

Myzejene Selmani, nga AKR-ja, e cila ka qenë shumë më kritike kësaj herë, e ka arsyetuar Qeverinë duke thënë se vlerëson se tani është shtruar problemi se si qeveria do t’ua bëjë ofertën investitorëve. “Ky vendim për shtyrjen edhe për dy javë për pjesëmarrje në tenderin e PTK-së, mund të jetë një mundësi që të ofrohet ndonjë investitor më i favorshëm”, ka thënë Selmani.

Në garë, kompani me kontest gjyqësor

Kreu i organizatës kundërkorrupsion “Çohu”, Avni Zogiani, ka thënë se kriteret e këtij tenderi janë shkelur qysh në fillim kur në garë është lejuar që të futet Telekom Austria.

“Me kriteret e tenderit nuk lejohet që të jenë pjesë kompanitë që kanë konteste gjyqësore, apo të përfshira në konteste ligjore të administruara nga ndonjë gjykatë, e Telekom Austria e ka padinë qysh nga tenderi për operatorë të dytë të telefonisë mobile në Kosovë”, ka thënë Zogiani.

Ky proces që nga fillimi i tij është kritikuar duke përplasur Qeverinë me opozitën, shoqërinë civile, por edhe vetë punëtorët e PTK-së. Në këtë proces të garimit që ishte i hapur, pjesëmarrës në parakualifikim, që nuk janë futur në garë, janë edhe “Albtelekom Sh.A.” nga Shqipëria, “Orascom Telecom Holding S.A.E.” nga Egjipti dhe “SabaFon” nga Jemeni”./zeri

 

1,383 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment