Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Kosova eksporton në Kinë

| Ekonomi, Kosovë | 12 September 2011

Më shumë se në Mal të Zi e Zvicër, Kosova eksporton mallra në Kinën e largët. Kina së fundi është shndërruar ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës, ku për çdo muaj eksportohen miliona euro mallra. Sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Kosovës (ESK), muajin korrik nga Kosova në Kinë janë eksportuar mallra në vlerë prej mbi 2.3 milionë euro, krahas 29.3 milionë euro sa ka qenë eksporti i përgjithshëm i vendit në atë muaj.

Këto statistika të eksportit e radhisin Kinën në krye të listës së vendeve, ku Kosova eksporton më së shumti mallra. Sipas ESK-së, në muajin korrik 2011, përqindja më e madhe e mallrave është eksportuar në Itali (20 për qind), Shqipëri (12.2 për qind), Maqedoni (9.7 për qind), Kinë (7.9 për qind), Zvicër (5.5 për qind), Mal të Zi (5.1 për qind), etj.

Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit, 47.2 për qind të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 29.9 për qind, produktet minerale, 4.6 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 4.4 për qind plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, 3.3 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 3 për qind tekstil dhe artikuj tekstili etj, shkruan Zëri.

Përfaqësuesit kosovarë të biznesit konfirmojnë se Kina tashmë është shndërruar ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës. “Një ndër partnerët kryesorë tregtarë tashmë Kosova e ka Kinën”, shprehet Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK). Sipas tij, në këtë vend aziatik eksportohet kryesisht koncentrate minerare nga “Trepça” dhe nga “Ferronikeli”. Kreu i OEK-ut pohon se nga Kina importojmë kryesisht produkte finale, përderisa eksportojmë lëndë të parë.

Gjatë korrikut nga Kina janë importuar mallra në vlerë 16.2 milionë euro. “Në aspektin ekonomik do të ishte shumë më mirë që të eksportojmë produkte finale e jo lëndë të parë, pasi që përfitimet do të ishin më të mëdha për vendin”, potencon ai.

Pavarësisht se Kina kundërshton pavarësinë e Kosovës, kreu i OEK-ut thotë se nuk i bën pengesa eksportit vendor, marrë për bazë faktin se miliona euro mallra eksportohen çdo muaj atje. “Tregtia nuk njeh kufi, prandaj Kina i ka ndarë çështjet politike me ato ekonomike”, shprehet ai.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), thotë se deri tash Kosova ka importuar nga Kina mallra të ndryshëm, por nuk ka eksportuar asgjë.
“Një rritje në masë të madhe e eksportit me Kinën është shumë e mirëseardhur për ekonominë e Kosovës. Përmes këtij eksporti Kosova duhet të lobojë tek investitorët kinezë që të investojnë në Kosovë në sektorin e minierave”, tha Shahini. /Telegrafi/

1,590 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment